(Mbi vëllimin EJA NË ËNDËRR të autores Drita Popaj)
Zyrafete SHALA
Krijimi i distancës kohore me ngjarjet e luftës së fundit në Kosovë, sikur ka ofruar mundësinë e përpunimit të përjetimeve, tronditjeve dhe përvojave individuale, të cilat, gjithnjë e më tepër po shfaqen në forma të ndryshme të krijimtarisë. Mbi këtë bazë vërehet një interesim i shtuar për temat që përfshijnë segmente të ndryshme të luftës dhe një intensifikim i botimit të poezive dhe prozave me këtë tematikë. I kësaj natyre është edhe vëllimi me poezi Eja në ëndërr (De Rada, 2021) libri i parë i autores Drita Popaj, të cilin ia dedikon bashkëshortit të saj, Irfanit, i vrarë nga forcat serbe më 25 mars 1999 në masakrën e Rahovecit. Humbjet e më të dashurve, të çfarëdo natyre qofshin, përcillen me tronditje të fuqishme dhe kërkojnë kohë për t’u pranuar, këto ndjesi karakterizojnë edhe më fuqishëm humbjet e tilla, të pazakonta, me të cilat u pagua çmimi i lirisë. Ndonjëherë, ato marrin përmasat e një makthi që shërben si pikënisje e frymëzimit poetik, si në rastin e këtij vëllimi, vargjet e të cilit përshkohen nga përjetimet që shfaqen si rrjedhojë e situatave reale.
Kthimi në ditën kur jeta mori kthesë tragjike është i pashmangshëm për autoren. Ajo rindërton çastet e ndarjes nga i dashuri i saj, parandjenjën se do ta humbasë dhe pengun që nuk arriti ta shohë për herë të fundit fytyrën e tij. Për ta pasur më të gjallë imazhin e asaj dite, përpiqet të bëj dialog me Irfanin, t’i bëj ato pyetje që kanë mbetur pezull për dy dekada, përgjigjet e të cilave përpiqet t’i sajojë vetë, prandaj çdo përpjekje për dialog kthehet në një monolog prekës: Kujt t’i drejtohem / Kujt t’i kërkoj ndihmë? – pyetje këto që nuk gjejnë përgjigje, aq më tepër kur ndihma nuk mund të pritet nga turmat e zdërhallura e të kapluara nga harresa. Në një situatë të tillë për subjektin lirik është i pashmangshëm edhe rivlerësimi i lirisë: Vdekja jote athua kujt i dedikohet / A ka peshore ndjenjash diku / A ka peshore të jetës / Ç’më duhet liria / Sonte / Mua?
Një dimension tjetër që shfaqet në disa poezi të këtij vëllimi është edhe malli i pashuar, që nuk e zbehin vitet e as dekadat. Ky mall që sjell si rrjedhojë dëshirën për ta kthyer kohën pas, apo, në çaste të caktuara, edhe dëshirën për t’i tejkaluar kufijtë e dy botëve në të cilat jetojnë të ndarë: Më lejo sonte një rrugë / Të pa arritshmes t’ia ndërtoj një urë / Në këtë mesnatë / Të të takoj në parajsë. Meqë barrierat e realitetit janë të pathyeshme, si alternativë mbeten ëndrrat, këto sajesa hyjnore që japin një shëmbëllim joreal të përmbushjes së dëshirave, prandaj ftesa për t’u takuar në ëndërr e përcjell subjektin lirik përgjatë këtij rrugëtimi poetik: Eja / Si dikur /Ti eja / Qoftë edhe në ëndërr. Por ëndrrat janë tekanjoze dhe nuk na sjellin gjithmonë atë që duam, prandaj duhet pritur, duhet shpresuar çdo natë dhe jeta ngadalë kthehet në një stacion të dhembjes.