MARËDHËNIA ME INTERNETIN/ FACEBUKUN

Duhet të heqim dorë nga “parodia” e pëlqimeve të “pseudo-poetëve”që shiten për “talente” kur botojnë libra, apo kur “shesin” poezi. Duhet të reflektojmë, që poezia të shpëtojë nga vdekja klinike, nëpërmjet një operacion të thellë kirurgjikal

Emrie KROSI

Interneti është mbase mediumi më interaktiv sot. Ai ka hyrë gjerësisht në jetën e njerëzve dhe lehtëson mjaft të përditshmen e gjithsecilit. Një nga vlerat më pozitive të internetit është mundësia interaktive direkte që i ofrohet çdo përdoruesi për të shprehur mendimin e tij në lidhje me tema të caktuara, pra mundësia për të qenë një komunikues dhe në komunikim. Përdorimi i internetit sjell me vete edhe disa rreziqe, ndër të cilat mund të përmendim p.sh.:

a) mos reflektimin e përdoruesit mbi informacionet e marra,

b) mosverifikimin e mjaftueshëm të dhënave,

c) varësinë teknologjike.

Masivizimi dhe përhapja e mediave sociale si:facebook, instagram, twiter etj., ka ndihmuar në përhapjen masive të krijuesve, madje edhe të përhapjes të shumë grupeve “fantazmë” online me poetë apo shkrues edhe nga vende të ndryshme të botës. Shitja online e librave nga amazon.com , (themeluar nga Jeffry Preston Bezos)me miliona kopje librash, madje edhe libra nga autorë shqiptarë, por masivizimi global i facebook-ut (fletë libri), nga përditësimi i llogarive personale të miliona përdoruesve në botë, solli “lulëzimin” e shumë poetëve online, që marrin jo vetëm mijëra klikime (pëlqime), por edhe janë në “top listën” e ndjekësve si “mbushamendës” me fjalët klishe: “poet i madh”, “gjeni”, “penë e shkëlqyer”, “ bravo, një perlë” etj.,etj., përralla të tilla, kur këto faqe sociale janë të mbushura me bejte, apo poezi epike më tema të trishta, të tejkaluara tashmë nga koha, janë jo vetëm të pakontrolluara, por totalisht çoroditëse, si “vetëreklama” për “gjenialitetin” në art, por akoma më keq kur lartojmë lakuriqësinë e antivlerës , në emër të një poezie moderne shqipe. Këto “shkëlqesa” të shpejta të dala si “kërpudha pas shiut” apo të ringjallura nga hiri i asgjësë si Feniksi, duke “gënjyer” veten se janë “gjeni” në mediat sociale, krijohet nga hapësira boshe që ka lënë mungesa e kritikës profesionale.

Ky lloj “gjykimi” nga llogaritë personale të rrjeteve sociale, sidomos facebook-u, duke bërë poezi pothuajse inegzistente, as nëpër debatet televizive, apo mediume gazetareske, jo vetëm që evitojnë mungesën e madhe të kritikës, madje (M) e madhe, por thjesht me disa emra (miqtë e drejtuesve apo miqtë e miqve nga llogaritë personale), duke kumtuar “gjoja” talente dhe emra që duhen lexuar, por kjo lajthitje shkon akoma më tutje, kur themi se kemi kritikë, kemi kritikë në bazë shkencore, (kritika si gjykuese e vlerave të një libri), për të orientuar drejt lexuesin, apo kritika për të “asgjësuar kundërshtarin”, pse jo kritika e mbushur me superlativa (madje ndonjëherë gabojmë edhe ne “gjykuesit” e ftohtë) që mund të “favorizojmë” ndonjë lajthitje të rastit, teksa mes lektisjeve tona “devijojmë” për të gjetur udhën e duhur të gjykimit të një poezie. Duhet të heqim dorë nga “parodia” e pëlqimeve të “pseudo-poetëve”që shiten për “talente” kur botojnë libra, apo kur “shesin” poezi. Duhet të reflektojmë, që poezia të shpëtojë nga vdekja klinike, nëpërmjet një operacion të thellë kirurgjikal, që të përmbushemi në vorbullën e gjithfarshëm të një (pseudo)konkurrimi marramendës poezi-shkruesish (duke përdhunuar çdo ditë trupin e poezisë), jepen çmime, certifikata, me tarafe (njohje) apo qoka andej(e)këndej Drinit (Shqipëri-Kosovë), me ca gjykues mësues letërsie të zellshëm, kurse çmimet kombëtare totalisht të politizuara, njerëz “injorantë” dhe amatorë që drejtojnë dikasteret e artit jo vetëm letërsia, por edhe teatri, filmi, piktura etj., por përthyerjen më negative e ka pësuar poezia, ajo që të trondit shpirtin, njëmendësia e realitetit tonë, (ka derdhur rropullitë era bajgë) në lirinë e tmerrshme virtuale dhe mënyra e transmetimit të kumtit (mesazhit) tek lexuesit, nga poezi-shkruesit (të vetëquajtur “poetë”), të heqin dorën nga maskaradat dhe përçudnimin e asaj që çlirohet nga dëlirësia e burimit të kristaltë të thellësive shpirtërore të një poeti me (P) të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.