Keqpërdorimi i rrjeteve sociale gjithnjë e më shumë po tregon se sa e ndryshkur është ndërgjegjja e disa individëve, të cilët profesion të vetëm kanë mashtrimin. Shpërthimi gjithandej i “poetëve”, të cilët kanë vërshuar rrjetat sociale, duke u bërë herë – herë edhe të gërditshëm, në sipërfaqe nxori edhe anomali tjera qesharake, të cilat janë pasoja të një dëshire për të qenë i famshëm, qoftë edhe në kornizat e mëhallës.
Aty këtu paraqitet ndonjë përkthyes (siç është ai mashtruese qe jeton në Rumani), por edhe ndonjë përkthyese që gjen ca “pensionistë” hallexhinj, të cilët akoma kanë shpresë se mund të bëhen poetë dhe të fitojnë “famë” duke u përkthyer në ndonjë gjuhë të huaj. Këta mashtrues në rrjetet sociale gjejnë profile të ndryshme, kryesisht të kota dhe pa peshë dhe, gjithnjë në kundërvlerë, u shkaktojnë ndonjë gëzim çasti këtyre hallexhinjve.
Pse përkthehen ata “poetë”, të cilët, si të tillë, pra si “poetë”, nuk njihen as në gjirin e tyre familjar? Pse mendojnë se, duke qenë anonim në mëhallën e tyre, mund të fitojnë “famë” ndërkombëtare? Pse lejojnë të mashtrohen nga ata që gjithashtu janë anonimë, por që janë mjeshtër në shitjen e mashtrimit të tyre?
Mbase, të nxjerrësh një poezi në profilin e FB-së nuk do të thotë asgjë të veçantë apo të jashtëzakonshme për letërsinë tonë, e cila edhe ashtu ka shumë turbullira pikërisht për shkak të manipuluesve të shumtë, ndër ta edhe për shkak të përkthyesve anonim, të cilët ndonëse mendojnë se i dinë disa gjuhë, fatkeqësisht nuk e njohin natyrën e gjuhës që e flasin, pra të gjuhës shqipe.
Nëse njohësit e mirë, bie fjala të italishtes apo anglishtes, i shohin përkthimet e tyre, do të konstatojnë se janë përkthime të fjalëpërfjalshme dhe qesharake, të cilat nuk i nënshtrohen asnjë kriteri e as kontrolli, sepse nxirren në disa profile që vegjetojnë nën hijen e kotësisë. Janë profile me emra të zëshëm, si POETRY EDUCATION ACADEMY, por që në fakt shërbejnë vetëm si karrem për t’i kapur “pensionistët” dhe për t’i bërë “poetë të famshëm”.
Nuk është poezi e përkthyer ajo që kalon nëpër GOOGLE TRANSLATE, sepse si e tillë ngel pa shpirt, përkatësisht është poezi e vdekur. Kurse mashtruesit apo mashtrueset e tillë njohin vetëm këtë lloj të përkthimit, pavarësisht faktit se nuk e dinë as shqipen.
Tregtarët e tregtaret që shesin “përkthime” në mjegull janë të përkohshëm, edhe përkundër faktit se prapa tyre ngel gjatë shija e keqe dhe dëshpëruese.
/HEJZA/