MBI IDENTITETIN

Shënimi më karakteristik në Albumin e Shtëpisë së Hajnrih Bëlit ishte i Agim Çavdërbashës. Mbante datën 26 (e shtunë) mars 1995, shkruar në orën 15.00. Me gjasë, një ditë para se të largohej nga Langenbroich. Nuk ishte tekst lavdërues. Përmes emrave që i kishte shënuar aty, kishte lënë një mesazh

Nga Ali PODRIMJA

1.

Se ç’do të thotë të kesh shtet, e pashë në bibliotekën “Humanisti” në Selestat të Alzasit (Francë), ku kishte dokumente nga shek. VII, të ruajtura e të sistemuara, të kohës kur zbritën fqinjët tanë nga Karpatet. Ç’është më interesant, pashë aty dhe certifikata të kurorëzimit, të lindjes e të vdekjes të vendësve nga shek. XV. Mësim ky si ruhet identiteti edhe pse në këtë hapësirë kishin ndodhur luftëra të mëdha në mes gjermanëve dhe francezëve. Me habi e kisha shikuar kustosin. Pasi kishte kuptuar shqetësimin tim, kishte luajtur vetëm kokën. Edhe pse gjendesha në një tempull zoti, kisha sharë. Ç’kisha hequr të zitë e ullirit me certifikatat e mia, të fëmijëve e familjes. Me plotë gabime e defekte m’i kishin lëshuar. E kisha të qartë pse ndodhte një gjë e tillë. Regjimi serb bënte luftë speciale ndaj çdo shqiptari edhe përmes një dokumenti të rëndomtë. Asnjë dokument të mos jetë në rregull dhe plaçkitja të ndodhë në mënyrën serbe. Turr e vrap pas identitetit që ndrydhej, përdhunosej e nxirrej margjinave ose pas grilave. Vandalizëm i paparë ndodhi edhe në vendin e shqipeve në vitin 1997. Rrënimi i arkivave, i muzeve, i institucioneve kulturore me rëndësi kombëtare, bën të dyshosh se aty patën dorë edhe fqinjët tanë. Si u bë të rrënohet çdo gjë, që ka të bëjë me identitetin e një populli. Dhe, prapë nga fillimi, më të varfër e më të nënçmuar. Duke parë këtë asgjësim të vetvetes, nuk mund të mos pajtohesh se ngjashëm ndodhi rrënimi i Ilirisë; se atë vetë ilirët e zhdukën, të mbështetur ndoshta dhe nga faktorët e jashtëm. Pra, ç’zezë na ndjek? Bëhet çmos të na fshijnë edhe për së gjalli! Faji është yni… Një vandalizëm i tillë, kam përshtypjen se nuk ndodh as në Afrikë. Por ja, ndodhka në vendin e shqipeve, ku nuk ka shtet as pushtet, siç thotë një mik imi poet. Vërtet, ç’ndodh me ne?

Bulshitë plotë i kemi atdhedashuri e nuk dimë të ngrisim as të mbrojmë një arkiv, një bibliotekë, një institucion me rëndësi kombëtare. Na humbasin dokumente e dëshmi elementare të identitetit tonë, se sillemi me vendin si me brek femre. Na i deformojnë emrat, datëlindjet; na falsifikojnë shumë gjëra, ashtu si u teket. Nëse lejojmë prapë të na shkelin aty ku është më e dhembshme, pse atëherë mashtrojmë veten me gjithfarë përrallash? Nuk është e thënë të kemi vetëm shtet, por atë ta mbajmë e ta forcojmë si i ka hije një populli të qytetëruar. Është turp të na përsëritet në hyrje të mileniumit të tretë balada e Urës së Shenjtë: prish e ndërto, ndërto e prish deri në asgjësim…

2.

Shënimi më karakteristik në Albumin e Shtëpisë së Hajnrih Bëlit ishte i Agim Çavdërbashës. Mbante datën 26 (e shtunë) mars 1995, shkruar në orën 15.00. Me gjasë, një ditë para se të largohej nga Langenbroich. Nuk ishte tekst lavdërues. Përmes emrave që i kishte shënuar aty, kishte lënë një mesazh. Për mua ishte i qartë. Tjetërkush mund ta konsiderojë ndryshe. Në tërë faqen ishin renditur emra, që tregonin për formimin, karakterin e synimet e krijuesit. Shënimi fillon me Drilon, Rrita e përfundon me Butrint (Sh.). Emrat ishin burimor dhe vërehej se krijuesi mbështeste identitetin. Tentimi i tij thoshte shumë për të si krijues e njeri. Hedh dritë, po ashtu, mbi veprën e tij e sidomos mbi skulpturat e punuara nga guri-mermeri, që kanë një bukuri e abstraksion të veçantë. Dhembjen njerëzore e kisha hetuar edhe në një vizatim të pagëzuar “Gratë e Lybeniqit”. Në luftën e fundit, nga barbaria serbe Lybeniqi u bë shkrumb. Ra aty gati e tërë familja e mikut tim të ndjerë Gani Bobit. Mirëpo mesazhin që e kishte lënë skulptori, duhet forcuar e pasuruar dhe duhet mbrojtur me dinjitet nga shpërbërjet e mëdha brenda e jashtë nesh, që ndodh nganjëherë edhe nga pakujdesia jonë. Shenjën kombëtare nuk bën ta konsiderojmë si cohë të hedhur para këmbëve të djajve…

(VEPRA, vëllimi IX, ASHAK, Prishtinë, 2013)

Leave a Reply

Your email address will not be published.