MBI INTERPRETIMIN

Muzika, duke zgjedhur tingullin, madje edhe zhurmën, përpunon një materie të pakapshme, e cila, duke u zhdukur aty për aty, i kumton subjektivitetit të dëgjuesit brendësinë subjektive të kompozitorit

Ehat MUSA

Të gjitha artet kanë për qëllim të shfaqin një përmbajtje shpirtërore, e cila vihet në raporte të veçanta, sipas llojit të artit, me formën që e shpreh. Dallimi që Hegeli bën midis arteve ndriçon shumëçka në këtë pikëpamje. Arkitektura është e penguar nga materia, e cila mund të jetë vetëm aluzion simbolik në një përmbajtje shpirtërore, mund të krijojë vetëm një mjedis për shpirtin. Në skulpturë shpirti shfaqet nëpërmes formës materiale dhe konkrete. Piktura ka më shumë liri ndaj formës së jashtme, sepse spikat pamjen, të dukurit, ndërkohë që materia është e pranishme (për shembull ngjyrat), dhe nuk ka përmasë të tretë. Kjo liri, e cila u mungon arteve të lartpërmendura, merr kuptim të plotë në muzikë. Muzika, duke zgjedhur tingullin, madje edhe zhurmën, përpunon një materie të pakapshme, e cila, duke u zhdukur aty për aty, i kumton subjektivitetit të dëgjuesit brendësinë subjektive të kompozitorit. Për këtë arsye, muzika është më subjektivja nga artet, madje edhe më shumë sesa poezia, meqë përmbajtja mbetet abstrakte: tingujt dhe gërshetimet mes tingujve nuk kanë kuptim, nuk lidhen me një paraqitje të jashtme siç bëjnë fjalët. Për më tepër, tingulli është jetëshkurtër, efemer, prandaj muzika kërkon përtëritjen e pareshtur të aktit krijues nga ana e interpretuesit. Interpretuesi, sikurse edhe tingulli, komunikon; ai është lidhja e domosdoshme midis veprës dhe dëgjuesit, dhe ka si rrjedhim statusin e dyfishtë të krijuesit (rikrijuesit), dhe të dëgjuesit. Këtij statusi të dyfishtë i përshtatet një kërkesë e dyfishtë në interpretim. Për ta shprehur këtë përmbajtje abstrakte, subjektivitetin ideor, përmes një forme po ashtu abstrakte, kompozitori përdor tingujt, d.m.th. materialin që ka si veçori t u nënshtrohet raporteve të rrepta, matematikore. Ja dualiteti me të cilin ballafaqohet interpretuesi: një tekst që kërkon saktësinë e të kuptuarit në mënyrë që të kumtohet me sa më shumë objektivitet e që gjithashtu duhet të gjallërohet gjatë procesit të interpretimit në mënyrë që të kumtojë brendësinë e tij shpirtërore. Para së gjithash, pra, është teksti (partitura), e vetmja gjurmë objektive e vizionit të krijuesit. Ai është e vetmja bazë serioze që duhet respektuar. Teksti duhet lexuar dhe jo thënë notë për notë; kuptimi dhe lidhshmëritë duhet të vihen në pah: në të njëjtën mënyrë regjisori krijon një pjesë teatrore që s është e mbaruar pa interpretimin e tij. Muzikanti gjendet përballë një paradoksi vetëm në dukje: partitura duhet respektuar, mirëpo ta respektosh nuk do të thotë të jesh skllav i shenjave që kurrë nuk ngërthejnë tërësisht veprën. Sado i përpiktë të jetë kompozitori, të gjitha gjërat nuk mund të shënohen. Kështu duhet kuptuar thënia e PabloCasalsit: Arti i interpretimit qëndron në luajtjen e asaj që nuk është shkruar . Çdo epokë ka rregullat e veta dhe muzikantët ngecin në problemin e interpretimit besnik nga pikëpamja historike. Por është e pamundur, sado që të duam, të luajmë sot sikur para dy ose tre shekujsh, thjesht sepse nuk mund të njejtësohemi me njerëz të kohëve të kaluara. Çdo kohë ka mënyrën e vet të vizionit dhe rilexon veprat (por edhe faktet dhe ngjarjet në kuptimin historik) e kohëve të kaluara duke u dhënë një kuptim të ndryshëm dhe interpreton ndonjëherë nën dritën e zbulimeve të mëvonshme. T u japësh veprave një kuptim të vetëm, do të thotë t ua mohosh pasurinë e brendshme. Çdo interpretues u jep një domethënie të veçantë. Nëse struktura themelore respektohet, atëherë, edhe pse atmosfera ndryshon, shpirti i veprës mbetet, dhe e bind dëgjuesin. Koherenca me të cilën luhet vepra, është pasqyrim i domosdoshmërisë së brendshme, siç e quan Kandinsky, domosdoshmëria që ka zotëruar në krijimin e veprës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.