MBI REBELIMIN DHE TRIUMFIN FIKTIV

(Rreth librit “Rrëfimi i një mbreti” (dy monodrama), të autorit Avni Halimi, botuar nga SHB “Drini”, Ferizaj, 2024)

Nga Fehmi AJVAZI

1.

Konteksti shkrimorë i të gjitha gjinive letrare, pas rënies së sistemit komunist në vendet e lindjes komuniste (përfshirë edhe hapësirat shqiptare), u fokusua në ridizajnimin e shkrimit si për nga stili dhe struktura, po ashtu edhe për nga motivet, trajtimet, personazhet etj. Ndërsa ranë maskat komuniste, përtej të cilave shtrihej njëmendësia shoqërore dhe e sistemit politik, u kuptua se po përtej tyre rendi shoqëror dhe qytetar, ishte zhvilluar mbi një rend kaosi brenda të cilit shteti dhe pushteti kishte qeverisur si kishte dashur. Normat e rendit komunist, që prej atij moral e deri te ato ligjore, kishin qenë një fasadë e zhvillimit nën diktat, dhe sipas vullnetit të një pakice bastarde. Krahas kësaj, ndryshimi shoqërorë dhe politik në vendet postkomuniste, ende nuk është i standardizuar në plotëni dhe demokracia si sistem, vuan ende pasojat e ndryshimeve dhe mungesën e energjisë së bollshme për t’i tejkaluar dhimbjet, traumat, dhe pasojat e së kaluarës. Të gjitha këto që i shkoqitëm më lartë, janë kujtesë dhe motive të atyre që si vokacion kanë shkrimin, historinë, artet dhe letërsinë etj. Të konsideruar dhe të njohur si “ndërgjegjja” e shoqërisë, krijuesit e zhanreve të ndryshme vazhdojnë të rikrijojnë “tablotë” e së shkuarës, për të qenë ato jo vetëm dëshmi, por edhe mesazhe të të sotmes dhe të së ardhmes! Mijëra e mijëra vepra të ndryshme artistike, letrare, kinematografike, teatrore etj., janë edhe më tutje fokus i krijimtarisë mendore dhe artistike të autorëve të ndryshëm që vijnë nga vendet post komuniste.

2.

Avni Halimi, poet, gazetar, tregimtar, dramaturg etj., është një nga shkrimtarët e njohur që nuk i ka munguar energjia, mjeshtëria dhe guximi për ta shprehur e ndërtuar krijimtarinë e tij, duke pasur si motiv të kaluarën: kujtesën dhe rrjedhën historike të identitetit shoqërorë dhe nacional. I njohur si gazetar dhe poet, mjeshtër i ndërtimit dhe avancimit të kulturës dhe të letërsisë moderne avangardiste, Avniu shquhet edhe si mjeshtër i rrëfimit – tregimit, njësoj edhe i dramës. Nuk ka dyshim prandaj, që konteksti motivues dhe shkrues i tij, buron gjithandej nga sferat e zgjedhura të stilit krijues, tematikës, mënyrës së trajtimit etj. Jo vetëm në poezi, motivet dhe stili e dallojnë atë nga bashkëkohanikët dhe rendi krijues në kulturën dhe letërsinë shqipe. Në sferën e tregimit, Avniu po ashtu, dallohet veçanërisht për mënyrën e gjetjes së temave dhe shtjellimit të tyre! Në krijimet e tij, zë vend të qartë aspekti socio-shoqërorë, struktura e shkëlqyeshme artistike – letrare, si dhe dimensioni psikologjik e filozofik.

Pse duhet zbërthyer profilin krijues të shkrimtarit, qoftë edhe me dy-tri paragrafë? Mendoj se kundrejt veprës së caktuar, janë të duhura pasqyrimet e ndryshme, kjo për të pasur një imazh më të qartë rreth përmbajtjes së veprës, mënyrës së trajtimit, si dhe rëndësisë së saj. Shkrimi i kthyer në vepër të caktuar, nuk bëhet as nga kushdo dhe as në mënyrë të thjeshtë. Për shembull: mund t’i shkruajë ndokush disa mijëra faqe dhe disa dhjetëra libra, por për nga rëndësia dhe kohezioni, të gjitha mund të jenë zero!

3.

Vepra “Rrëfimet e një mbreti”, që në vete ngërthen dy monodrama shumë origjinale për nga motivi dhe tejet intriguese për nga trajtimi, kam përshtypjen që si rrallë ndonjë vepër tjetër, shprehë integritetin dhe nivelin e lartë krijues të autorit Avni Halimit. E para, për nga motivi, po ashtu origjinal, që e ka burimin nga një botë më të hershme të njerëzimit (“KHIMI I JUDËS”) si dhe nga bërthama e njerëzimit që është familja, në rastin konkret, familja shqiptare e luhatur në mes të traditës, fanatizmit dhe manipulimit me namin tradicional të të parit të familjes (“RRËFIMI I NJË MBRETI”). Dhe e dyta, për nga struktura dhe përmbajtja, këto dy tekste nga zhanri i monodramës, kanë një shtrirje kohore prej skajit të motivit mitik-biblik e deri te skaji i motivit (pseudo)kanunor. Mbi këto shtylla që e diktojnë kornizën e tërësishme të dorëshkrimit, Halimi ia ka arritur ta shtjellojë një kohë që ishte e sunduar nga personazhe të cilët, sa ishin autoritar, po aq ishin idiotë, shfrytëzues dhe torturues të individit dhe shoqërisë. Mund të konstatojmë pa mëdyshje se, regjimet autoritare-totalitare, siç ka qenë edhe regjimi komunist, i kanë përdorur levat e sigurisë për të mbajtur të kontrolluar çdo mendim dhe shprehje të lirë, dhe për ta mbajtur të kontrolluar shoqërinë apo edhe familjen si njësi elementare e shoqërisë. Duke i zbërthyer pushtetet e këtillë, madje pavarësisht edhe nga sistemi, Avni Halimi na e zbërthen deri në absurd figurën e “individit” idiot, batakçinj, totalitar, pa integritet, pa pikë morali dhe të zhytur deri në fyt në botën e interesit personal. Rrallë takon në historinë e shkrimit figurën e një personazhi që është i zhveshur totalisht nga karakteri, nga personaliteti, me një fjalë nga qenësorja si personazhi kryesorë i kësaj vepre, për të cilin flasin si Librat e Shenjtë, ashtu edhe rrëfimet popullore por edhe aktualiteti ynë në botën e deformuar nën  thjerrën e disa kodeve pseudo-kanunore.

4.

Avni Halimi, krijon skena gjeniale-dramatike në zbërthim e sipër të figurës së Judë Iskariotit. Ky, Juda (personazh biblik), në çastet kur duhet t’i kthehet eshtrave të vet, njerëzimit ia kërkon varrin. Juda nuk pranon të ngelë i vetmi personazh kaq me “famë” ndërsa të mos e ketë varrin në asnjë cep të botës. Me shpejtësi imagjinare, brenda tri ditëve, i bie rreth e rrotull botës dhe, në mesin e njerëzimit sheh lloj-lloj Judash, madje edhe më të rrezikshëm se vetë Judë Iskarioti. Ky, Juda pra, i lutet njerëzimit që tradhtarët e regjur mos t’i quajnë “Judë”, sepse, tradhtia e tyre shkon përtej asaj të Judës, i cili, krejt në fund, sipas rrëfimit, përveç që ishte më rebelues në asgjë tjetër nuk dallonte nga dishepujt e tjerë. Ai, thjesht, në rrëfimin fiktiv, nuk pajtohet që deri te liria dhe paqja të arrihet me durim e të pajtohet njeriu me fatin që ia ka caktuar Krijuesi, porse, lirinë ai e sheh vetëm si produkt të rebelimit dhe triumfi mbi imperatorin, me regjimin, mbi pushtuesin, mbi okupatorin! “Të gjithë i bindeshim fjalës së Jezusit. Ai insistonte në respektim të këtij pushteti të brishtë, sepse, së shpejti në mesin e njerëzimit do të vije pushteti i Zotit. Ushtarët e mi e prisnin urdhrin tim, ndërsa unë e prisja urdhrin e Birit të Zotit. Në darkën e fundit, pasi e paralajmëroi çastin e vdekjes së vet, m’u drejtua mua me një ton urdhërues e me plotë pezëm: “Ti, kryeje punën tënde”!

Mësuesit e Ligjit dhe roja e Tempullit kishin vendosur të ngrisnin dorën mortale kundër Hyjit. Do me thënë, as që ndërmendeshin për t’iu bindur vullnetit të Zotit. Atëherë, unë u ngrita nga tavolina dhe dola që t’i mbledh njerëzit e mi, të cilët, një për një, ishin të gatshëm të vdesin që në krye të vinte Pushteti i Hyjit.”

Në Monodramën “Rrëfimi i një mbreti”, Halimi trajton fatin tragjik të shumë brezave që ranë pre e manipulimin në emër të të parit kanunist! Personazhi, Liraku, luhatet në mes dy botëve: në mes çmendisë së vet dhe në botën reale në të cilën gjendet vetëm brena forcës së vet psikike. Liraku, një student i artit dramatik që ka studiuar në Paris, pas një sëmundje kthehet në një lagje provinciale në Shkup, te prindërit, te nëna e vet e rraskapitur dhe te babai që edhe ai jeton në mes dy botëve: në botën e mendjes së tij të sëmurë dhe në botën e lakmisë që e arrijnë duke e keqpërdorur respektin familjar ndaj të parit! Babai është përtej kodeksit moral e familjar të një prindi tradicional shqiptar; i zhytur në botën e vet primitive e të sëmurë. Është i egër e i vrazhdë, i dhunshëm e manjak, në këto sjelle diku Liraku arrijnë kulmin e çmendisë, të cilën e tejkalon sa herë që i kujtohet Zoga, e dashura e tij. Liraku i humb të gjithë, një nga një dhe, vetë përfundon në çmendi. Ka vetëm një afinitet të pazbërthyeshëm, është mjeshtër i shahut, ndërsa gjithnjë humb sepse i frikësohen fitores! “Të gjitha fitoret janë të tmerrshme. Humbjet të mbajnë të gjallë. Të mbajnë pranë atyre që i do e që të duan. Të humburit nuk ju frikohen humbjeve. Jetojnë me shpresa që nuk i kanë fitimtarët. Presin ngritjen. Të ngriturit jetojnë me frikë. Nga lart e shohin fundin. I tmerrshëm është fundi i tyre. Humbja është e mirë. Unë humba gjithçka. Tani pres ditën kur do t’i gjejë të gjithë. Fitimtarët presin ditën kur do të humbin gjithçka.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.