Romanet e Xoxës edhe pse vepra të kulluara realiste krahas trajtimit të temës nga jeta shqiptare në tri periudha të ndryshme historike, ngërthejnë në vete edhe mbishtresa simbolike, ndërsa tek Lumi i vdekur dhe Lulja e kripës gjejmë edhe parashenjat si vijimësi emocionale, elemente këto që përkojnë me stilin modernist
Zyrafete SHALA
Një shekull më parë, pikërisht më 15 prill të vitit 1923, në Fier, u lind Jakov Xoxa, njëri nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë realiste shqipe, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në trendin aktual të letrave shqipe gjithnjë e më pak u jepet hapësirë shkrimtarëve të periudhës realiste, në veçanti atyre që kanë krijuar gjatë periudhës socrealiste. Mirëpo, pavarësisht nga vlerësimet euforike që nuk mbështeten në kritere letrare, Xoxa vazhdon të mbetet një nga mjeshtritmë të mëdhenj të rrëfimit në letërsinë shqipe,vazhdon të jetë shkrimtari që me veprat e tij ka arritur të depërtojë në poret më të imëta të funksionimit të shoqërisë në tri periudha të ndryshme kohore dhe mbi këtë bazë arriti të gdhend personazhe shumëdimensionale që sjellin para lexuesit tablonë e gjallë të së kaluarës. Njohuritë e gjera teorike të Xoxës, dhuntia krijuese, njohja e mirë e tipave të ndryshëm të njerëzve, aftësia e vrojtimit të situatave, kujtimet dhe përjetimet që ruante nga fëmijëria, u sintetizuan mjeshtërisht duke sjellë si rezultat një vepër kapitale. Dinamikën e procesit të krijimit të Xoxës më së miri e ilustron përkufizimi që i bën talentit shkrimtari francez Gi dë Mopasan, sipas të cilit:Talenti nuk është asgjë më tepër sesa durim. Njeriu duhet ta vëzhgojë gjatë dhe me kujdes çdo gjë për të cilën dëshiron të shkruajë, në mënyrë që të zbulojë diçka që s’e ka parë e as nuk e ka thënë askush përpara tij.
Romanet e Xoxës edhe pse vepra të kulluara realiste, krahas trajtimit të temës nga jeta shqiptare në tri periudha të ndryshme historike, ngërthejnë në vete edhe mbishtresa simbolike, ndërsa tek Lumi i vdekur dhe Lulja e kripës gjejmë edhe parashenjat si vijimësi emocionale, elemente këto që përkojnë me stilin modernist. Elementet simbolike në veprat e tij Xoxa i lidh natyrshëm me temën dhe motivet duke krijuar kështu imazhin shumëdimensional për një etapë kohore. Tek Lumi i vdekur paraqitet jeta e rëndë e fshatarësisë shqiptare në fundvitet ’30 dhe ngjarjet e kësaj kohe janë të lidhura me elementet simbolike qëkanë shërbyer edhe si emërtime të tri pjesëve në të cilat ndahet romani: Te Hani i Bishtanakës, Përmbytja dhe Nën hijen e Pyllit Mbret. Elementi i parë, Hani i Bishtanakës përveç si vend ku takohen familja myzeqare dhe kosovare, bart edhe simbolikën e pikëtakimit të vuajtjeve shqiptare nën pushtete të ndryshme, pikëtakimit mes lindjes dhe vdekjes dhe mes dashurisë e urrejtjes. Përmbytja, përveç përballjes me forcat e natyrës si kuptim i parë, simbolizon edhe përmbytjen e afërt të një sistemi dhe të një mënyre të jetës. Ndërsa emërtimi Nën hijen e Pyllit Mbret, paraqet ngadhënjimin e dashurisë mbi urrejtjen dhe vazhdimësinë e jetës mbi vështirësitë e saj, ku Pylli Mbret, si zonë e paeksploruar nga njerëzit, është simbolika e forcës jetësore të popullit të shumëvuajtur, që zë fill në thellësitë e pavetëdijes kolektive të tij, e cila ndër shekuj ka shërbyer si katalizator i përpjekjeve për një jetë më të mirë.
Edhe tek romani Lulja e kripës vërehet dukuria e ndërfutjes së elementeve simbolike, madje në shkallë më të lartë. Legjenda për fshatin Naforë që është vënë si hyrje e romanit, më shumë se legjendë është një besim kolektiv. E stisur shumë shekuj më parë, ajo ka hedhur rrënjë si ullinjtë qindvjeçar në mentalitetin e fshatarëve duke udhëhequr me jetën e tyre. Ashtu si toka e Naforës, që nën ndikimin e ujit të njelmët të gjolit ishte shndërruar në tokë shterpë, edhe të menduarit e banorëve të atyshëm rrezikonte të shterpëzohej nën ndikimin e legjendës dhe besëtytnive pagane, përkundër faktit që synim kryesor e kishin pjellorinë. Në rrethana të tilla, duke jetuar nën kërcënimin e shterpësisë, nga ujërat e njelmëta dhe nga nëmat e Gruas së Mallkimit, naforiotëve u kishin mbetur vetëm dy burime për të mbijetuar, apo dy shpresa reale, Viroi dhe pusi i Kavalonës, prej nga buronte uji i ëmbël. Në anën tjetër, për t’i ushqyer shpresat ngadhënjimit mbi shterpësinë, ata e mbanin gjallë edhe ritin e lashtë pagan, gjatë të cilit nuset dhe vajzat e reja spërkateshin me lëngun e stërkungujve të egër të pjellorisë, në Manastirin e Ishullit, ditën e Shën Mërisë së gushtit. Të tria këto elemente, Viroi, pusi i Kavalonës dhe riti i lashtë pagan bartin simbolikën e tyre në vepër. Meqë burimi i Viroit, në mes të gjolit, mund të përdorej vetëm me anë motopompës, pajisjeve që ishte e huaj për fshatarët, një gjetje e tillë simbolizon mbijetesën përmes mënyrave jo autoktone, siç ishin të huaja edhe idetë komuniste për naforiotët. Përkundër burimit të Viroit, gjeneza e të cilit ashtu si edhe ajo e ideve të reja, ishte e panjohur për naforiotët, pusin e Kavalonës e kishin hapur të parët e tyre, me mundime të mëdha, prandaj ai mbetet simbol i rezistencës autoktone, jo të një rezistence të shartuar nga të huajt. Në luhatjet e fshatarëve mes pranimit të formës së re të rezistencës dhe vazhdimit të asaj që kishin trashëguar nga të parët, riti i lashtë pagan duket se ofron si zgjidhje heqjen dorë nga rezistenca, që do të rezultonte me pranimin e cilitdo pushtim. Prandaj ky rit nuk kundërshtohej si shkelje e rëndë fetare, as nga prifti ortodoks, që ishte pro pushtuesit.
Edhe pse tek Juga e bardhë elementet simbolike janë më pak të shfaqura, paraqitja e zjarrit disa herë brenda veprës duket se i jep atij një kuptim simbolik. Nga të tri rastet pas rënies së zjarrit protagonistja e romanit Shpresa Shpiragu del me përvoja të ndryshme. Në rastin e parë kur futet në zjarr për të shpëtuar grurin ajo ngrihet lart në sytë e fshatarëve të Pirganit, por edhe të përfaqësuesve të pushtetit, prandaj përkundër djegieve në lëkurë ajo vetëm sa përplotësohet emocionalisht dhe avancohet në pohimin e vetes para të tjerëve, në rastin e dytë, pas zjarrit del e padjegur fizikisht po me një zjarr të brendshëm, për shkak të humbjes së të dashurit të saj, që do ta transformojë si njeri dhe në zjarrin e fundit ku futet për të shpëtuar bagëtinë, Shpresa takon dashurinë e re të jetës, Spartakun. Kështu, nga të njëjtat situata përjetimet, por edhe përfitimet janë të ndryshme për Shpresën, e kjo na bën të mendojmë që edhe nga përpjekjet e njëjta që bën populli për të arritur më të mirën jo gjithmonë del me trofenë e duhur, shpeshherë ajo që nuk ndryshon është gjendja e tij dhe shpresa se ajo do të ndryshojë një ditë. Një simbol tjetër që e ndeshim në të tri romanet është edhe përmbytja, që tek Lumi i vdekur, siç simbolizon përmbytjen e një sistemi shoqëror, tek Lulja e kripës duke u shfaqur në trajtën e përplasjes së dallgëve, ndërlidhet me luftën mes dy forcave të kundërta, komunizmit dhe fashizmit, ndërsa tek Juga e bardhë, përmbytja nga shpërthimi i kanalit Vjosë-Levan-Fier, paraqet shkatërrimin e forcave kundërshtare të sistemit.
Jakov Xoxa jetoi dhe veproi në epokën e diktaturës që do të mbetet në historinë tonë kombëtare si një periudhë e vështirë dhe e turbullt, ku njerëzit u privuan nga liritë themelore. Në rrethana të tilla përpjekja për t’u marrë me krijimtari ishte një zgjedhje mjaft e pasigurt, prandaj vepra e Xoxës gjatë vlerësimit kritik duhet të shihet doemos nga kjo perspektivë, e në veçanti romani Juga e bardhë në të cilin vendosen ngjarjet në periudhën e sistemit komunist. Edhe pse vetë tema e romanit ia kushtëzon shkrimtarit të qëndrojë brenda kufijve të realizmit socialist si metodë e vetme krijuese që ishte e lejuar në atë kohë, prapë se prapë,brenda atij realiteti që në shikim të parë duket i idealizuar deri në një masë, kur vështrohet me më shumë kujdes dalin në pah edhe elemente që tërthorazi shpërfaqin të vërtetat e kohës, ndonëse nuk thuhen hapur. Elemente të tilla nuk duhet t’i shpëtojnë kritikut e as lexuesit të vëmendshëm. Këtë e sugjeron edhe Umberto Eco kur flet për rëndësinë që ka përgatitja e lexuesit, për të arritur në kuptimet e thella të tekstit, sipas tij:“E PATHËNA, në nivel të shprehjes, nënkupton mosshfaqjen në sipërfaqe: por është pikërisht kjo e pathënë ajo që duhet të aktualizohet në nivelin e tekstit. Dhe, në këtë rrafsh, një tekst, më tepër se çdo mesazh tjetër i mundshëm, kërkon bashkëpunim aktiv dhe të vetëdijshëm nga ana e lexuesit.” Nisur nga ky mendim, mund të thuhet se vepra e Xoxës me gjithë ngushtimin e hapësirës krijuese nga poetika normative, na sjell shumë elemente përmes të cilave jo vetëm që dalin në pah vlerat krijuese të Xoxës, por edhe shtrohen probleme të rëndësishme dhe tipike për kohën.
Në romanet e tij Jakov Xoxa me gjerësinë epike të rrëfimit, shtrirjen hapësinore të ngjarjeve, paraqitjen e shtresave shoqërore që përfshihen në to, shumëllojshmërinë e karaktereve, numrin e madh të persona-zheve, konfliktet ndërnjerëzore, përfshirjen e të gjitha segmenteve jetësore etj., arrin të rikrijojë botën shqiptare të fundviteve ’30, viteve të luftës e pasluftës me tërë totalitetin e saj. Bota fiktive e romaneve Lumi i vdekur,Lulja e kripës dhe Juga e bardhë është shumë e pasur dhe konkurron krahas botës reale me kompleksitetin dhe shumëllojshmërinë e ndërtimit, sepse ajo është fryt i përpjekjeve titanike të shkrimtarit për të arritur në labirintet më të thella të jetës dhe shqetësimeve njerëzore gjatë periudhave të caktuara kohore.