ME ÇKA DËSHMOHET LASHTËSIA?

Shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë së Veriut janë të lumtur (!) që e kanë flakur “të vjetrën”, atë strehë të varfërisë, trishtimit, mjerimi… Një angazhim etnik që asocon në realizim të planeve, projekteve, politikave antikombëtare! Pa gjurmë të “së vjetrës”, si të dëshmohet lashtësia!

Nga Avni HALIMI

Kulturologia Barbara Kirshenblatt-Gimblett, në veprën e vet “Teorizim për trashëgiminë”, thekson se, trashëgimia kulturore përfaqëson një burim nga e kaluara, (që është i vjetër), por që merr një jetë të dytë; (që do të thotë se do të ketë funksion të ri si trashëgimi) dhe i atribuohet vlerë e posaçme nga shoqëria (“e çmuar”, “e rrallë”, “në zhdukje”)! Le të supozojmë se, autorja, me këtë definicion ka parasysh kullën shqiptare, e cila dikur ka pasur funksion banimi, ndërsa sot, si e vjetër dhe “e pabanueshme” merr funksionin e një eksponati kulturor që duhet të jetë e qasshme për vizitorë e turistë anekënd botës!

Shqiptarët, gjithandej viseve etnike, deri para tri dekadave, kryesisht kanë jetuar në zonat rurale, pra, në qendrat urbane ka jetuar një përqindje relativisht e vogël. Madje, për shkak të politikave diskriminuese, edhe ato vise të qendrave urbane të banuara me shqiptare kanë qenë forma të getove. Si në zonat rurale, ashtu edhe në ato “geto shqiptare” nëpër qendra urbane, shqiptarët kanë çuar një jetë përplot mjerim, trishtim, varfëri. Gjatë viteve tetëdhjeta e, kryesisht pas viteve nëntëdhjeta, shqiptarët jashtë kufijve të shtetit amë, krijuan mundësinë e ndryshimit të mënyrës së të jetuarit. Këtu diku mund të kërkohet ai moment i prishjes së raporteve të shqiptarëve ndaj “të vjetrës”! Meqë “e vjetra” u asoconte në mjerim, varfëri e trishtim, çdo kasolle të vjetër, çdo shtëpi të baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve, çdo kullë, çdo gardh, e prishën duke ndërtuar objekte, godina, shtëpi të reja. Nuk restauruan asgjë nga “e vjetra”, nuk konservuan, gjithçka “e vjetër”, me të gjitha kujtimet e trishta brenda saj, duhet të shkatërrohet e të ndërtohet nga e para!

Sot, vendbanimet shqiptare mund të jenë të vjetra me shekuj, por me pamje nga më modernet. Edhe pse me infrastrukturë, vende – vende edhe primitive, vendbanimet shqiptare, fshatrat, mëhallët -fiset, katundet, lagjet janë krejtësisht të reja: me shtëpi e oborre luksoze, me avlli e rrethoja me kangjella, me drita neoni e me llamba led, me panela e ngrohje solare. Thjesht, katundet shqiptare (sidomos ato në viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut) sot duken “Amerikë”! Asnjë vendbanim i ri nuk u ngrit pranë “vend-banimeve të lashta”, të meremetuara e të konservuara që të ngeleshin si kujtim, si ponë, si pasuri nga të parët, të cilat sot do të quheshin si “fshatra etno-turistik”, që do të vizitoheshin e do të mrekulloheshin me tërë atë trashëgimi kulturore shqiptare.

Pas luftërave të mëparshme e deri te kjo e fundit në Kosovë, vazhdimisht shqiptarët janë përpjekur që t’i ngrisin shtëpitë-kulla, të cilat, gjithnjë të parat kanë qenë objekt djegie e shkatërrimi nga okupatori serb. Sepse, kullat kanë pasur edhe hijen dhe peshën e institucioneve kulturore nacionale, përveç që kanë pasur domethënien e “shtëpisë së madhe” të fisit të fortë, trim e të pathyeshëm. Fatkeqësisht, sot kullat e reja, po e humbin atë peshën kulturore, sepse më tepër po ngritën si objekte-përmendore të pamposhtshmërisë duke marrë kuptimin e “mini- garnizoneve ushtarake”!

Zona e Malësisë, sidomos Thethi, është shndërruar në simbol që shpjegon peshën dhe rëndësinë e “të vjetrës”, e trashëgimisë natyrore por edhe kulturo-etnike në funksion të “turizmit malor”. Sistemin mbrojtjes të trashëgimisë në Kosovë e garanton “Ligji për zona të veçanta të mbrojtura”, i cili siguron mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, objekteve të tjera fetare, si dhe objekteve historike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, si dhe komunitetet tjera në Kosovë”! Në Maqedoni, në vendbanimet shqiptare nuk kemi asgjë (përveç trashëgimisë etnologjike, fetare e natyrore) për t’u përfshirë në sistemin mbrojtës të trashëgimisë, siç nuk kemi as në viset e tjera etnike, përtej kufirit të shtetit amë, me përjashtim të Ulqinit, ku kemi “Kalanë e Ulqinit”! Kurse Shqipërinë (por edhe disa zona të Kosovë) në çdo pëllëmbë e kemi me relikte e objekte të trashëgimisë kulturore, nën dhe e mbi dhe, madje edhe nën mbrojtjen e UNESKO-s! Shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë së Veriut janë të lumtur (!) që e kanë flakur “të vjetrën”, atë strehë të varfërisë, trishtimit, mjerimi… Një angazhim etnik që asocon në realizim të planeve, projekteve, politikave antikombëtare! Pa gjurmë të “së vjetrës”, si të dëshmohet lashtësia!

Kujtesa kombëtare

Në çka bazohet kujtesa kombëtare? Natyrisht, mbi të gjitha, në bibliotekat nacionale! Derisa nëpër bibliotekat kombëtare në Shqipëri ekziston një fond i pasur i dorëshkrimeve, materialeve antikuare, librave, periodikut të rrallë e të vjetër, hartave, foto-dokumenteve, mikrofilmave, i punimeve nga magjistratura, doktoratura, materialit muzeal etj., bibliotekat e Kosovës së pasluftës dolën me një mungesë të madhe të këtyre materialeve. Okupatori serb shkatërroi e dogji sa mundi! Flitet se okupatori zhduku mbi 100 mijë tituj e qindra mijëra dokumente të tjera nga fondi i “kujtesës së kombit”! Nëse nuk është spekulim, nëse nuk është ves kombëtar që pas tragjedisë të merremi me vajtime e përçyrrje, deri më sot është dashur që institucionet kompetente kombëtare të dilnin me ndonjë BIBLIOGRAFI të librave dhe materialeve të zhdukur nga okupatori serb! Sa kanë të drejtë shqiptarët që të vajtojnë për këtë gjest të pamohueshëm barbar të serbëve, po aq “kanë të drejtë” serbët ta mohojnë këtë duke e cilësuar shqetësimin tonë kombëtar si “aktrim shqiptar”! Në Kosovë edhe më tej mungon një “invertarizim” komplet i materialit të djegur e të zhdukur nga okupatori serb para dhe gjatë tërheqjes nga Kosova. Shteti amë, por edhe Kosova, duhet ta ndjejnë momentin aktual si emergjencë kombëtare që, sa më parë të nisin me themelimin e Institucionit Kombëtar “Muzeu i trashëgimisë së shkruar shqiptare”, ku do të “magazinoheshin” nga një ekzemplar fizik apo elektronik i çdo letre, i çdo dokumenti, i çdo libri të botuar nga shqiptarët dhe për shqiptarët!

Po kaq emergjente është edhe ndërgjegjësimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i intelektualëve, i profesorëve, i katedrave dhe fakulteteve gjegjëse, i studiuesve të rinj që, sa më parë, të nisin me hulumtimin e fondit të librit dhe të çdo gjëje të shkruar në gjuhën shqipe (apo edhe osmane) që gjendet nëpër bibliotekat që funksionojnë në këtë shtet! Akoma nuk dihet se cili është ky fond në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare në Shkup, as në Tetovë, as në bibliotekat e fakulteteve e as në ato lokale e private! Nuk kemi asnjë botim të tipit Bibliografia e librit shqip në Bibliotekën “Shën Klimenti i Ohrit”, siç nuk kemi as bibliografi të librit në Bibliotekën e Tetovës. Nuk ekziston asnjë publikim që flet mbi periodizimin e librit, të periodikut e as të foto-dokumenteve të tjera në gjuhën shqipe. Partitë shqiptare në Maqedoni mburren me emërtimet e “funksionarëve” shqiptarë nëpër dikastere e institucione kulturore, ndërkohë që nuk kanë idenë dhe rolin kombëtar për të iniciuar dhe kryer projekte kaq jetike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Në Maqedoninë e Veriut librat, si ekzemplarë të detyrueshëm, “magazinohen” në Bibliotekën amë “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup si dhe në atë të Manastirit dhe Shtipit! Le të iniciohet një “inspektim studiues”, intelektual e shkencor dhe le të shihet se cili është pozita dhe interesimi shtetëror ndaj letrave shqipe! Është punë studiuese, pra e magjistraturave dhe doktoraturave! Një kontribut i tillë shkencor, do ta ndihmonte tej mase edhe themelimin eventual të Muzeut të trashëgimisë së shkruar shqip! Në ndërkohë, nga pasuria e shkrimit shqip do të eliminoheshin të gjitha pseudoshkrimet, pseudoveprat, plagjiaturat dhe kompilimet.

Bibliotekat, muzetë e trashëgimisë bibliotekare dhe arkivat kombëtare duhet të jenë në bashkëpunim të ngushtë, të domosdoshëm dhe të sanksionueshëm me ligj! Sikur Kosova të shfrytëzonte periudhën e demokratizimit të Shqipërisë dhe të niste nga një ekzemplar qoftë fizik apo digjital të tërë pasurisë së vet të shkruar, sot vetëm do të raportonte për aktet barbare serbe kundër fjalës së shkruar në gjuhën shqipe dhe nuk do të vajtonte për materialin që mungon si pasojë e djegies dhe shkatërrimit të okupatorit serb. Pas ndërtimit të Bibliotekës kombëtare në Tetovë, do të ishte mirë të mendohet që botimet shqip të ishin të detyrueshme të bëhen pjesë e fondeve të të tri bibliotekave kombëtare, të Tiranës, Prishtinës, Tetovës! Një “bibliotekë kombëtare” paskësh filluar të funksionojë edhe në Komunën e Çairit! Pse jo, të përfshihet edhe kjo Bibliotekë nacionale e shqiptarëve të Shkupit, si “magaze” e vlerave të mirëfillta të letrave shqipe!

Veshje tradicionale nga rrobaqepësia diletante

Në viset etnike shqiptare funksionojnë me dhjetëra ansamble profesionale të këngëve dhe valleve popullore si dhe me qindra e qindra shoqata kulturo-artistike që merren me lëvrimin dhe kultivimin e vlerave tradicionale kombëtare! Jo vetëm kaq, mision i këtyre ansambleve është edhe prezantimi i këtyre vlerave në skenat ndërkombëtare, përmes koncerteve dhe pjesëmarrjeve nëpër festivale të ndryshme. Ajo që spikatë në plan të parë në koncerte apo festivale, nuk është vallja apo këndimi, nuk është loja apo ritmi, nuk është zëri apo tingulli, por, mbi të gjitha, është larushia e kostumeve, e të gjitha elementeve që përbëjnë veshjen tradicionale etnike. Shqiptarët janë ndër të paktët popuj në botë që, në një hapësirë relativisht të vogël, kanë rreth 40 – 50 lloj veshjes tradicionale. Natyrisht, janë edhe me dhjetëra të tjera që nuk njihen, që nuk janë prezantuar deri më sot!

Çdo lojë, çdo valle, çdo zonë urbane dhe rurale, çdo rrethinë malësish, i ka veshjet e veta! Po kush është furnizues i këtyre ansambleve dhe shoqatave kulturo-artistike me veshje tradicionale? Fatkeqësisht, në “ofensivë” janë rrobaqepës diletantë, të cilët madje drejtojnë edhe “ansamble”, madje që drejtojnë edhe “shkolla valltarësh fëmijë”, madje që përkujdesen edhe për furnizimin e diasporës, të cilët, me një kujdes dhe pedantëri të paparë i ruajnë veshjet popullore (!) të blera! Për t’u marrë me veshje tradicionale nuk duhet të jesh vetëm rrobaqepës, por mbi të gjitha, njohës i mirëfilltë i etnografisë kombëtare, të dihet prejardhjen dhe karakteristikat e hollësishme të veshjes, të dihet se cilës zonë i përkasin, në çfarë rastesh janë mbajtur! Gjithsesi, duhet të dihen tiparet kryesore të veshjeve për burra dhe për gra! Të dihen se cilës moshë i përkasin pjesët e veçanta përbërëse të veshjeve tradicionale. Për t’i ruajtur karakteristikat e veshjeve tradicionale etnike, duhet pasur kujdes të madh në raport me elementet simbolik, të cilat mund të përzihen me elementë nga ndikimi i kulturave turko-arab! Jo rrallë nëpër ekranet televizive shohim se si vallet shqiptare kërcehen nga femrat që mbajnë veshje boshnjake-turke-arabe e që na shiten si “veshje kombëtare”! Veshje të tilla kemi plotë edhe nëpër “dyqane me veshje tradicionale”! Ndërkohë që, sidomos veshjet e femrave, në gardërobën tradicionale etnike kanë pamjen monumentale, ndërtimi i tyre flet për një përkushtim artistik të pashoq, teknika e endjes apo e qepjes është unikale, ornamentet e përdorura në qëndisje flasin për një shije të stërholluar estetike, derdhja mbi to e stolive metalike flet për një simbolikë mitologjike, për yshtjen dhe dëbimin e syrit të keq nga e bukura e dheut! Qoftë edhe vetëm një fustan – nga ajo pasqyrohet tërë përkujdesi estetik, edukativ, por dhe fanatizmi për të qenë brenda autoktonisë!

Kemi plotë muze etnologjikë, kemi etnologë të padiskutueshëm, njohës akademikë të kësaj fushe, por, fatkeqësisht, nuk kemi një institucion etnik që do të merrej me kultivimin, ndërtimin, endjen, qepjen, bërjen e këtyre veshjeve tradicionale, natyrisht, e gjithë kjo nën vëzhgimin e rreptë të njohësve të stërhollë të të gjitha karakteristikave të veshjes sonë tradicionale. Do të ishte kjo një industri e leverdishme që do ta mbulonte tërë “tregun” e ansambleve tona, por edh të diasporës. Nuk guxojmë që “Vallen e Rugovës” ta luajmë me fustane të kuq, apo me shallvare boshnjake! Nuk guxojmë që veshjet tradicionale t’ia japim makinave prodhuese serike! Dihet se veshja tradicionale është kryesisht punë dore, punë që për një ekzemplar të harxhon kohë me muaj! Një institucion i tillë do të duhej të shoqërohej me një ambient përcjellës, ku do të ruheshin eksponate nga të gjitha veshjet tradicionale që ekzistojnë e që do të zbuloheshin. Një punëtori që do t’i prodhonte në mënyrë origjinale të gjitha llojet e plisit! Natyrisht, edhe një segment botimi që do të merrej me përgatitjen e katalogëve profesionale mbi çdo lloj veshje dhe mbi të gjitha “ornamentet”, si pjesë përbërëse të veshjes tradicionale! Pa një “industri” të këtillë, do t’u lihet hapësirë të gëlojnë rrobaqepësit diletante, ndërsa ansamblet tona të na prezantohen si shtëpi e palaçove folklorikë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.