Edhe një herë për librin, për leximin. Një temë e trajtuar aq shumë sa që të shtruarit sërish si problem, pothuaj i afrohet banalitetit, sepse asgjë nuk ndryshon. Dikur te ne ekzistonin disa kushte që i paraprinin botimit të librit të parë. Sot, kusht i vetëm është të kesh lekë dhe libri sakaq botohet. Për çdo ditë na paraqiten fytyra të reja, “autorë” të rinj që, hop, e botojnë romane, përmbledhje poezish e çka jo tjetër. Paraqiten dhe brenda njëzet e katër orëve, pas promovimit dhe një thesi me fjalë të bukura, ata harrohen, bile më shpejtë se sa që ndodh paraqitja e tyre publike.
Fatkeqësia bëhet edhe më e madhe kur konstatojmë se më shumë kemi shkrimtarë se sa lexues. Atëherë çka na duhen shkrimtarët kur na mungojnë lexuesit! Edhe këta të fundit (pra lexuesit) me gjasë do ta kenë kuptuar se ka edhe të tillë që tallen me atë që quhet ushqim shpirtëror. Tallësit janë ata që marrin guximin të dalin aty, në mëhallën e tyre, dhe të thonë: edhe unë u bëra shkrimtar?
Arti është vokacion i artistëve dhe shkrimi është privilegj vetëm i atyre që përmes fjalëve ndërtojnë një botë tjetër, si produkt i harmonisë së përsosur shpirtërore. Për të arritur deri te gjendja e nirvanës (gjendje në të cilën njeriu tretet në një botë të panjohur dhe fantastike) nevojitet të kalohet nëpër një rrugë të rëndë dhe me shumë të panjohura. Këtë gjendje edhe më shumë e ngarkon mungesa e kritikës, e cila do të duhej ta ndante “shapin prej sheqerit”.
Tirazhet e librave sot arrijnë mezi në 300 ekzemplarë. Por, ku t’i gjejmë 300 dashamirë të librit? Po edhe sikur të shpërndahen falas, prapëseprapë nuk do t’i gjesh 300 lexues. Sado që t’i bësh një prezantim ose njoftim se ka dalë ndonjë botim vërtet me vlera letrare, askush, as më të afërmit, nuk do ta përgëzojnë shkrimtarin për veprën e re. Jo vetëm që jemi të rrethuar, por jemi bërë edhe pjesë e injorancës së madhe.
Ndërkaq, nga ana tjetër kemi disa mijëra e mijëra arsimtarë e profesorë, mijëra e mijëra studentë, të cilët realisht (kuptohet jo të gjithë) do të duhet të jenë lexuesit potencial të librave dhe të cilët do të duhet ta ndajnë vlerën nga jo vlera. Atëherë shtrohet pyetja: nga e vjelin të gjithë këta diturinë dhe a kemi të drejtë të dyshojmë në “diplomat” e tyre? Në gjithë këtë të keqe na paraqitet një absurd që na bën qesharak. Janë me dhjetëra e dhjetëra botues, ndër ta edhe shumë tregtarë, që kurrë nuk kanë lexuar qoftë edhe një libër, që vit për vit konkurrojnë në ministrinë e kulturës për përkrahje financiare. Shumë apo pak, kjo është temë tjetër, megjithatë financiarisht ndihmohen disa dhjetëra libra, të cilat vështirë se do t’i gjesh. Se ku përfundojnë pastaj libra e botuar, edhe kjo është temë në vete, ndonëse është evidente se veç autorit dhe eventualisht ndonjë promovimi të turpshëm, interesim tjetër nuk ka.
Leximi është akt individual, siç është edhe vepra e artistit. Varfëria ose pasuria shpirtërore e secilit individ, parasegjithash, varet nga vetë individi. Të mos lexosh do të thotë ta mohosh gjuhën amtare, librin, letërsinë shqiptare, historinë, ta mohosh identitetin kombëtar. Krejt kjo e keqe burimin e ka te shkollat tona, ku fatkeqësisht cilësia e mësimit shqip shënon vetëm rënie drastike. Nuk ka më leksione për rëndësinë e librit, sepse atë më nuk e marrin nëpër duar as arsimtarë që u përbiruan nëpër kohën e tranzicionit fatkeq, nëpër të cilin çuditërisht akoma po kalon edhe shoqëria shqiptare në Maqedoni. /HEJZA/