MELANKOLIA E TRISHTË NJERËZORE

The Italian poet Nobel prize winner Salvatore Quasimodo poses sitting at his study desk. Italy, 1953.

Historia, poezia, u morën vetëm me shkëlqimin e maratonës, e askush nuk foli, as edhe për pak, për blozën mbi të cilën është ngritur ky shkëlqim; një masakër, lum gjaku dhe lotësh, humbje më tepër se fitore

(Hamdi) ErjonMUÇA

Këtë cikël interpretimesh, vëzhgimesh e hapa me Montale-n; me bisturinë më të mprehtë të shekullit të XX. Ndërsa tani do të shkruaj për SalvatoreQuasimodo-n, melankolikun e hermetikëve. Vetëm se melankolia e tij, nuk është e tij. Siç shkruante Migjeni ynë: Flamujt e një melankolie të trishtë.

Quasimodo shkruan për melankolinë e trishtë njerëzore. Një lloj John Keats, por më i pjekur, dhe mbi të gjitha i ardhur në botë në një shekull tjetër; shumë larg romantikës, ai nuk thotë: por sikur kjo të qe një ëndërr?! Por: Ky është një makth pa fund! Nuk bën hipoteza. Shpalos të vërteta.

Ashtu si nga Montale, edhe nga Quasimodo kam marrë një krijesë të vogël për ta interpretuar, e pikërisht tek këto vogëlsi sintetizohet madhështia e poetëve. Pak a shumë si në natyrë: për të nxjerrë një grimcë diamanti, natyrës i duhet një copëz qymyri njëqindfish më e madhe, dhe pasi e shtyp deri në shterim, e djeg me temperatura të larta, arrin ta kthejë në materialin më të fortë që ne njohim; metaforë rrëqethëse; një rëndomtësi e zezë e kthyer në një grimcë xixëlluese.

Vetëm se kjo është tepër e thjeshtë, dhe poetët, rëndomtë këtë bëjnë; kanë bërë dhe do të vijojnë ta bëjnë; ose më saktësisht, mundohen. Ndërsa hermetikët, përsosën atë që nisën romantikët; kthimin mbrapsht; morën një grimcë diamanti çfarëdo, nga apoteoza e diamanteve të historisë njerëzore për të na treguar qymyrin që ndryhej nën të.

Maratona, është një vend, por edhe një pikë historike. është një nga ata diamantè, që njeriu krijoi dhe me të cilat vijon të ndërtojë bizhuteritë e veta; diamant efimer i qymyrit njerëzor.

“Ankimi i mëmave në maratonë,- britma e zorrëve popullore -nuk u dëgjua prej askujt.

Historia, poezia, u morën vetëm me shkëlqimin e maratonës, e askush nuk foli, as edhe për pak, për blozën mbi të cilën është ngritur ky shkëlqim; një masakër, lum gjaku dhe lotësh, humbje më tepër se fitore. Vetëm se askush nuk deshi t’i dëgjonte, t’i shikonte këto humbje, ankime, lotdhe gjak. Njeriu i duhej, i duhet, ngadhënjimi. Nuk i duhen fraza; mjerë unë për ty që shkove për të mos u kthyer, por lavdi dëshmorëve. Njeriu, ngre katedrale hyjnore, me baltë e gjak duke i mbushur mendjen vetes, falë poetëve, se këto janë blloqe graniti. Me tragjeditë e tyre, bymyer me megalomani, tragjikët, e humbën ndjesinë e tragjikes. A nuk thoshte Nietzche pak a shumë kështu?!

Greqia – ishte e lirë. është e lirë Greqia.

Vargun e tretë, Quasimodo e mbyll me një “Enjambement”. është një figurë retorike që poetët, për më tepër hermetikët, e përdornin jo rrallë dhe që tek Quasimodo vërehet më qartë. Pra Greqia ishte e lirë. Mirëpo çfarë është në thelb Greqia, një nocion gjeografik apo një koncept filozofik?! Si nocion gjeografik asnjëherë nuk mund të flitet për liri totale. Ndërsa si koncept filozofik asnjëherë nuk mund të flitet për një mungesë lirie. Po Quasimodo e përforcon figurën retorike duke vijuar: “është e lirë Greqia”. Pra, ky efimeritet njerëzor ishte dhe vijon të jetë i lirë, me edhe pa Maratonën, ose vion të jetë i pushtuar, me ose pa Maratonën. Duket sikur me këto vargje Quasimodo i bën jehonë asaj çaka shkruante Nietzche: “ Aty ku ju vështroni gjëra ideale, unë shoh- gjëra njerëzore, ah, tepër njerëzore.” Në fakt, dukuria Nietzche, pati një përplasje të fuqishme në mendësinë intelektuale, artistike, të shekullit të shkuar. Rrëzimi i idealeve do ta bëjë njeriun të çlirohet, pasi nuk është në rrezik pushtimi as nocioni gjeografik dhe as koncepti filozofik, por thelbi psikologjik njerëzor.

“Maratona është një vend ushtarësh- jo yshtjesh, këtu nuk rritet tempulli-dhe as altari.”

Maratona është vendi i njerëzve, i njerëzoreve, dhe jo i idealeve, idealet nuk e lejuan kurrë njeriun të meditonte dhe adhuronte qetësisht, ato e veshin ushtar nën urdhrat e një komandanti çfarëdo. Bota nuk është një vend meditimi, jetese, por përleshje.

“Pirgu i sajë është i plotë, nga lart- shikohet Eubea. Krimb i historisë-gjithçka dokortësohet mbi tokë,-këtu lapidari dhe në tokë përkernare dhe shpata;”

Vëreni me çfarë vizoni e nis vargun: Pirgu. Dheu i hedhur përsipër një varreze masive, që ndonëse kanë kaluar mijëvjeçarë, akoma është i plotë a thua se trupat e mbuluar me të, të mos jenë dekompozuar, kthyer vetëm në kocka, por të sapombuluar. Maratona është një përvijimshmëri varrezash të përbashkëta, një mbulesë e lëvizshme masakrash, dhe nga mbi të bota vijon të duket po njëlloj. Krimbi i historisë: si larvat e trarëve që gërryejnë e gërryejnë, vijon të gërryej kujtesën e manipuluar të njerëzve, vetëm se mbi tokë njerëzit përvijojnë të nënshtrohen, jo ndaj një armiku fizik, por ndaj koncepteve filozofike, ndaj kontrollit psikologjik; lapidarët na shfaqin ngadhënjimin, për të na fshehur masakrën, vrasjen, vdekjen. Ky krimb na gërryen që ne të vijojmë me lapidarë të rij, për të mbuluar vrasje të reja. Një gënjeshtër të re, të ngjashme me gënjeshtrën e vjetër, për të mbuluar të vërtetën e vetme, të pazbuluar kurrë.

“Ndonëse Maratona më shumë Maratonon,- burri i fushës së Argos jeton-mes muresh si kolibe vendroje.”

Ndonëse kanë kaluar shekuj e shekuj evoluimi, njeriu nuk ka ndryshuar aspak. Quasimodo në këtë varg përdor një lojë fjalësh. Shqip mua mu desh që emrin Maratonë, ta kthej në foljen maratonon, ndërsa në italisht nuk është e nevojshme, ngaqë në të njëjtën formë, është edhe emër edhe folje.

Pra megjithë këtë glorifikim, tragjizëm, mitizim, të efimeres, ideales, njeriu po i njëjtë mbetet. Po ajo kafsha ca frikacake e ca agresive thuajse e evoluar. Hermetikët, ishin shpura e dishepujve të Zarathustrës të Nietzche-s. Në të gjithë krijimtarinë e tyre duket sikur lexohet maksima e tij: “Nuk do të ngre idhuj të ri; të vjetrit mund të nisin dhe të mësojnë çfarë ndodh t’i kesh këmbët prej argjile. Të përmbysësh idhujt ( termi im për “idealet”)- është kjo, për më tepër, që i bashkëngjitet zejes time. Realiteti është zhveshur nga vlera e vet, nga ndjesia e vet, nga vërtetësia e vet, në atë masë sa është krijuar një botë ideale. “Bota reale” dhe “bota e dukshme”. Mashtrimi i idealit ka qenë deri më tani mallkimi i lëshuar kundrejt realitetit, njerëzimi vetë është bërë, nëpërmjet sajë, gënjeshtar dhe i këllpët, thellë në instinktet e veta më të fshehta- deri në kultin e vlerave të kapërthyerkundrejt atyre nëpërmjet të cilave do të mund t’i garantohej rritja, e ardhmja, e drejta solemne e ardhmërisë.

MARATONA

Ankimi i mëmave në maratonë,

britma e zorrëve popullore

nuk u dëgjua prej askujt. Greqia

ishte e lirë. Është e lirë Greqia.

Maratona është një vend ushtarësh

jo yshtjesh, këtu nuk rritet tempulli

dhe as altari. Pirgu i sajë është i plotë, nga lart

shikohet Eubea. Krimb i historisë

gjithçka dokortësohet mbi tokë,

këtu lapidari dhe në tokë përkrenare dhe shpata;

ndonëse Maratona më shumë Maratonon,

burri i fushës së Argos jeton

mes muresh si kolibe vendroje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.