MEMENTO PËR AGIM MATON

Sot në “kallaballëkun” tonë letrar kur krijuesit lindin, promovojnë profilin krijues dhe defilojnë si kërpudhat (shpesh edhe helmuese, të rrallë janë krijuesit letrarë të cilët duhet lexuar, njohur dhe pranuar, si rasti i Agim Matos

Nehas SOPAJ

Një ndër emrat e rrallë dhe të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe, i shfaqur shumë herët në shtypin shqiptar dhe për shumë dekada i heshtur nga pushteti, i rishfaqur tani në kohën tonë, dhe për t’u shuar përfundimisht këtyre dy viteve të fundit, Agim Mato (1947-2021), paraqet një ndër krijuesit e veçantë të letërsisë shqipe që duhet lexuar, njohur dhe kujtuar me pietet për shumë arsye. Duke qenë një nga krijuesit e rrallë për të cilët tashmë mund të flitet vetëm në aorist (sepse ai nuk është më ndër të gjallët), individualiteti letrar i Agimit sot ndikon për mobilizimin dhe freskimin e jetës letrare të krijuesve shqiptarë gjithandej ku kemi nevojë, sidomos në Shqipërinë e Jugut atje prej nga edhe vjen ai dhe që po vazhdon të frymojë.

Fati e kish dashur që ëndrrat e tij e mëdha të kishin “eklipsuar” pa realizimin e tyre në kohën kur edhe kishin lindur, mu në vlugun e rinisë së tij të hershme, ngjashëm si edhe ëndrrat e shumë e shumë krijuesve të tjerë shqiptarë të kohës të cilat i kish ndrydhur dhe fashitur koha e diktaturës, itinitari letrar i autorit shënon nismën e hovshme shumë herët, në vitin e largët 1969 me librin poetik “Jug”, për të vazhduar me librin e dytë “Në pragun e shtëpive tona” në vitin 1974, kur kjo “tërhoqi vëmendjen e organeve të diktaturës”, me librin e tij të tretë, hovi i krijuesit u këput, dorëshkrimi i tij u kthye në karton, celulozë. Autori që në kohën tonë mund të radhitet në mesin e emrave më të spikatur të kohës, u fut në radhën e shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë, duke u radhitur një me fatin e mynxyrshëm të krijuesve, për të cilët sot flasim për krijues me fate të “uraganeve të ndërprera”.

Në vitet e shtyra të moshës, Agim Mato u rishfaq me profilin të cilin e njohim: poet dhe piktor, dhe sidomos organizator të jetës letrare të Sarandës, ku themeloi dhe e udhëhoq për shumë vite manifestimin ndërkombëtar poetik Trilema Joniane e Jugut, ku mblodhi krijues të ndryshëm të vendit dhe të botës, ku krahas prezantimit bashkë-krijuesve të tjerë, arriti t’i botojë veprat e tija, të vjetra e të reja, e ngjalli jetën kulturore të vendit dhe në vazhdime për disa vite me radhë, i botoi krijimet e krijuesve pjesëmarrës në manifestimin në fjalë, Trilema poetike joniane. Kështu, pas 30 vjet heshtjeje, poeti Agim Mato u rishfaq para opinionit shqiptar si profil i veçantë, shumë interesant dhe me një individualitet që mund të garojë si një personalitet i kohës sonë. Kështu, pas dy librave të hershëm, autori botoi librin “Buka e fjalëve” dhe brenda vitit 2012, e nxjerr në dritë përmbledhjet tjera “Jashtë eklipsit” dhe “Fundo”, ndërsa në vitin 2014 vëllimin “Lundrimet” si dhe “Pluhuri i artë i përjetësive”.

Për ne të trojeve jashtë Shqipërisë zyrtare që pak kishim dëgjuar për shumë poetë të profilit si i Agim Matos, krijues të penguar që në zanafillë të shpërthimeve të tyre krijuese, natyrisht që rinjohje e tyre në fakt është thjesht njohje që sa na ngazëllen, po kaq na dhemb, sepse në kondita tjera, ne kishim njohur plot krijues të fateve të këputura. Varganit të krijuesve martirë, radha e krijuesve me fate të ndërprera, mes të cilëve mund të radhitet edhe Agim Mato, në mesin e shumë krijuesve të cilëve u është përshndërruar fati krijues, ka edhe krijues të cilët sot janë tmerrësisht të denigruar. Ndër më eklatantët është rasti i Zef Zorbës, një ndër krijuesit që për jetë të tij nuk qe botuar asgjë kaq sa përvijimi i fatit të tij krijues është rekord për Ginis, sepse vetëm tani pas vdekjes mësojmë për një mjeshtër të poezisë shqipe, kurse poezitë e tij i turpërojnë antologjistët të cilët harrojnë ta prezantojnë në veprat e tyre. Në rastin e Agim Matos, para dy-tre dekadash, them se unë në letrat shqipe kisha dëgjuar dhe lexuar për emrat e Sulejman Matos, Vullnet Matos, por jo edhe të autorit tonë. Miqtë e mi të ndryshëm të Shqipërisë zyrtare, më flisnin për të si krijues të rrallë që, sado i shtyrë për nga mosha, vetëm tani në kohën postkomuniste ka filluar të botojë poezi të një vokacioni që shkruan ndryshe nga të tjerët dhe që do të ishte kënaqësi ta njihje, por unë nuk dija për profilin e tij krijues që nga periudha komuniste. Nuk di se kush prej tyre më kish thënë se ai krijues në një poezi të tijën, madje më përmendte mua, diçka si referencë, dhe kjo gjë natyrisht, s’kish si më linte indolent që të mos mësoja për të se kush ishte ai. Kjo është uvertura e njohjes sime e Agim Matos.

Krejt kjo, gjersa një ditë, pashë një ftese në postën time elektronike që ma kish përcjellë ai vetë, duke më ftuar në takimet poetike që i organizonte në Sarandë. Natyrisht që u emocionova dhe kërkova të kontaktoj me të. Them shumë pak dija për Agimin, mësova se ndër takimet e ndryshme poetike, ndërshqiptare, që i organizonte ai, se mbaheshin kryesisht tre ditë, kohë që për ne dashamirës të flaktë të detit, sidomos “bluve të Jugut”, na u duken të paktë duke e ditur se ato ditë iknin fluturimthi, kështu që ambienti bregdetar, atmosfera festive dhe sensualiteti i miqësive mes krijuesve që lindnin aty për aty, bënin që njeriu ta harrojë kohën e cila shpejt mund të shndërrohej në ëndërr.

Kisha qenë në takime të ndryshme poetike që mbahen gjithandej në trojet shqiptare, kurse në Shqipëri kisha qenë në Shkodër, Korçë, Elbasan, Durrës e tj. por kjo në Sarandë, o Zot, këto që i përgatiste dhe organizonte Agimi, do të mbahen mend se ato ishin shumë të ngrohta, miqësore dhe me një përkujdesje shumë të madhe ndaj mysafirëve që i kish ftuar, dhe ato nuk harrohen lehtë. Ftesat e tij kanë qenë të rregullta, por për t’u nisur për atje, në Sarandë, e di se me një mik timin u nisëm nga Shkupi për në Selanik, me një parallogaritje kohore prej gjashtë orësh që të arrijmë në mbrëmje, në natën dhe vendin ku hapej festivali dhe e di se kemi arritur mu në çastin e duhur të fundit. Vendimin për nisje e mora ala minut, të thuash, në çastin e fundit, dhe krejt kjo ndodhi pas një bisede të shkurtër me Agimin, duke e njoftuar se a do të ketë kohë për nisje, po kur ai na tha: nisuni menjëherë, unë dhe miku im, Sermet Sulejmani, u nisëm një rruge mbase më të gjatë se sa rrugës kah Maqedonia, por më të shpejtë rrugës së Selanikut, të cilën miku im e njihte mirë.

Dhe, ky ishte rasti kur unë u njoha drejtpërdrejt me Agim Maton, krijuesin shtatshkurtër, por të qetë, të urtë dhe shumë miqësor, pastaj me Sarandën dhe me takimet poetike të cilat ai i organizonte në mënyrë pikante, të mrekullueshme të cilat kanë një ëmbëlsi kujtese edhe tani nga larg… Sot në “kallaballëkun” tonë letrar kur krijuesit lindin, promovojnë profilin krijues dhe defilojnë si kërpudhat (shpesh edhe helmuese, kur iks krijuesi mund të mos e meritojë fare atë epitet), të rrallë janë krijuesit letrarë të cilët duhet lexuar, njohur dhe pranuar, si rasti i Agim Matos. Një organizator i cili di t’i mbledhë në një manifestim tre korifejt e poezisë bashkëkohore shqipe, siç janë Ali Podrimja, Xhevair Spahiun dhe Zef Skiro di Maxho, nuk mund të mos jetë mbase jo të nivelin të tyre, por përafërsisht të përafërt si te ata. Nëse veprat e Agim Matos nuk janë të atij niveli (kjo, për shumë lexues mund të jetë vlerësim i pasaktë, subjektiv, për çka lexuesve u jap të drejtë plotësisht), a s’shihet, a s’flet pikërisht ky digresion i imi në hyrje të fjalës sime, se pikërisht ky uragan, po të mos qe ndërprerë, mund të kish rezultuar një gjigant të presupozuar prej krijuesi, i cili mjerisht na mbetet ta kishim pasur në mesin e atij treshi ideal, që e përmendëm më lart. Sa e sa fate talentesh të këputur ka shënuar njerëzimi. Me mija.

Agim Mato po gëzon pëlqimin e veprës së tij poetike, them unë, për hir të urtësisë së tij krijuese. Njoh dhjetëra korifej të cilët nuk e kanë atë privilegj admirimi si Agimi, mbase për hir të një rrezatimi brenda tij që na bën ta kujtojmë me pietet. Lavdi veprës së autorit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.