(Rreth poezisë ’’Korale të përjermëta’’ të Sadik Krasniqit)
Liridona SHEHU
Aftësia për të prodhuar dhe kuptuar gjuhë, është veti unike e qenieve njerëzore, apo siç shprehet Chomsky (2007:02), pronë unike e llojit njerëzor në thelbin e saj dhe pjesë e përbashkët e trashëgimisë sonë biologjike, me ndryshime të pakta mes qenieve njerëzore. Metaforat konceptuale janë një ndër këto aftësi unike. Gjuha ka aftësi për të siguruar kategori konceptuale që organizojnë e komunikojnë thënie apo mendime që në mënyrë subjektive ndërtojnë realitetin. Realiteti, në anën tjetër, është përvojë e bazuar në njohuri të mëparshme. Metafora, pra, është mendim i strukturuar në shërbim të gjuhës, e gjuha është natyrshmëria jonë.
Lakoff& Johnson (2005) nënvizojnë se metafora konceptuale është në ne, në mendimet e veprimet tona, ajo nuk është veç çështje e gjuhës, por realizohet përmes gjuhës, është natyrshmëri e përditshmërisë sonë. Metafora konceptuale ka një strukturë të veten, është metaforë orientuese dhe ontologjike, ka një vërtetësi të sajën, një theksim dhe një fshehtësi të disa elementeve të saj, e mbi të gjitha, ajo përcjell mesazh, është pjesë e komunikimit, e mendimeve dhe e veprimeve tona.
Interpretim i metaforave konceptuale në tekst poetik
Metaforat në tekstet poetike janë kryesisht figura stilistike, domethënë kemi të bëjmë me metaforën si figurë, por gjatë analizës së të dhënave në korpusin hulumtues, rezulton se metaforizimet konceptuale në diskursin apo stilin poetik dalin me frazema të ndryshme, edhe prej atyre që janë pjesë e natyrshmërisë sonë, d.m.th. e kognicionit tonë. Sipas R. Hudson (2004:91), kultura mund të përcaktohet si lloj i njohurisë së mësuar nga të tjerët, qoftë përmes udhëzimesh të drejtpërdrejta, qoftë duke vërejtur sjelljen e të tjerëve. Derisa e fitojmë kulturën tonë nga ata që kemi përreth, mund të supozojmë që ne e kemi të përbashkët me ta, pra një lloj njohurie ka të ngjarë të luajë një rol thelbësor kur ne komunikojmë me ata, dhe, sidomos, kur ne përdorim gjuhën. Gjuha metaforike e paraqitur në shembujt e mëposhtëm, na bënë të kuptojmë se kultura jonë gjuhësore ia del t’i zbërthejë dhe t’i njohë konceptet e shfaqura në vargjet poetike, edhe në qoftë se ne si lexues nuk i kemi përdorur kurrë në komunikimet tona shoqërore, por janë diku në dijet tona. Në korpusin hulumtues kemi pasur edhe një poezi që është përzgjedhje subjektive, kryesisht për lehtësi përdorimi të materialeve poseduese.
Fusha e metaforizimeve konceptuale, në njëfarë mënyre e drejton procesin e kognicionit mbi botën dhe kjo fushë përfshin elemente të caktuara kulturore e zakonore të një populli apo një gjuhe të caktuar. Në gjuhën tonë këmbë të marra, sipas vargut Ecim mbi bar me këmbë të marra (Metaforë strukturore),janë këmbët që ecin ngadalë, këmbë që shkojnë dredhas, këmbë që hedhin hapa të lehtë e me përtesë apo këmbë me të cilat nuk ecet fare. Kjo metaforë e ka kuptimin e njerëzve që nuk ecin, që nuk bëjnë një hap para me vendosmëri, por me njëlloj të përgjumjes. Në traditën tonë gjuhësore apo edhe kulturore e rajonale, ”m’janë marrë kamtë” e përdorim kur duam të tregojmë se jemi lodhur, kur duam ta shfaqim shqetësimin për shëndetin tonë, apo kur jemi në gjendje të rëndë shëndetësore. E përdorim aq natyrshëm këtë frazë, edhe e kuptojmë aq natyrshëm saqë s’i shkon kujt mendja se ka një bazë metaforike.
Vargjet Mbi flokun tonë të llamarintë bie shi i imtë (Metaforë strukturore),dhe Shikojmë ylberin me sy të qelqtë, janë njësi që i hasim më rrallë në të folurit e përditshëm, por duket sikur nuk ka nevojë të na sqarojë dikush kuptimin e tyre. Floku i llamarintë është floku i thinjur që e tregon edhe një shenjë të pleqërisë, jo domosdo të pleqërisë, por që në traditën tonë gjuhësore perceptohet kësisoj.
Edhe shikimi i ylberit mesy të qelqtë na jep një shenjë tjetër të moshës, të pleqërisë (po e theksojmë, jo domosdo të pleqërisë). A ka sy të qelqtë? A janë sytë tanë të qelqtë? A shihet vetëm ylberi me këta sy? E sa e sa pyetje tjera mund t’i bëjmë, por përgjigjja do jetë e ngjashme për secilën pyetje. Sytë e qelqtë janë syzet që i mbajmë për të përforcuar shikimin, e që në këtë poezi kjo frazë ka efekt stilistik dhe metaforik më të shprehur duke na bërë të kuptojmë se jemi lodhur, po shkojmë drejt plakjes, sepse po ecim me këmbë të marra e po shohim me sy të qelqtë. Një metaforë e ngjashme me këtë që ka më shumë përdorim tek masa është ‘me pa me katër sy’, e që thuajse e kanë bazën e njëjtë të shprehësisë, por efekti mund të jetë i përshkallëzuar.
Miklojmë zogjtë me gishtërinjtë e vdekur (Metaforë ontologjike),është vargu i radhës i poezisë së lartë-shkruar, varg i cili na i jep shpirt gishtërinjve, por që ai shpirt është i vdekur. Ne mund të kemi gishtërinj të lënduar, të djegur, të gërvishtur, të thyer, por edhe të vdekur, të vdekur janë kur humbin ndjeshmërinë, kur nuk kanë më efekt për kryerjen e nevojave tona, të paktën fizikisht. Ky përshkrim i jep një tis trishtimi poezisë, duke na bërë të bashkë-ndjejmë gjendjen e tekst-shkruesit si diçka në rënie, si një trup në rënie, me këmbë të marra, sy të qelqtë e gishtërinj të vdekur.
Në këto vargje ka një fuqi shprehësie që të merr me vete sepse të duket sikur e njeh atë realitet që e shprehin metaforat e nënvizuara dhe më nuk është vëmendja të mjetet e realizimit por te efektiviteti metaforik. Në gjuhën shqipe krah i këputur është krahu i lodhur, krahu që nuk e kryen më funksionin e tij parësor si pjesë e trupit që është. I paraqitur artistikisht në këtë poezi, Vallëzojmë pa muzikë vallen e krahëve të këputur, najep një pasqyrë tjetër të një gjendjeje jo të mirë shpirtërore dhe fizike, të një individi, të një bashkësie shoqërore apo të një populli. Për folësit e shqipes nuk është veç një sintagmë e thjeshtë gjuhësore por prej këndvështrimit që i japim krijon një fushë metaforike që gjen përdorim të shpeshtë në komunikimet tona.
Bryma që bie në plagën me gjak të kaltër,krijon një tjetër efekt metaforiciteti. E dimë se bryma është një shtresë e hollë e bardhë që i ngjason borës, por që kur bie, zakonisht në tetor e nëntor, është si e ngrirë dhe u bën dëm të mbjellave. Vargu Në plagë me gjak të kaltër bie brymë është një gjetje e veçantë metaforike që e tregon dëmin apo dhimbjen që na shkaktohet në plagët tona, ashtu siç bimët prishen e thahen nga bryma.Gjithsecili që e njoh konceptin e brymës, do ta ndiejë për një moment dëmin që i vjen prej saj, e aq më tepër nëse plaga që sulmohet është e hapur.
Qeshim deri në kupë të qiellit është metaforë e llojit orientues. Ne e dimë që qielli nuk ka kupë, nuk e shohim, siç e dimë që oxhaku nuk ka ballë, se as ballin e oxhakut s’e shohim. Por e njohim mjaft mirë kuptimin metaforik të tyre, sepse e dimë që kupa e qiellit është pjesa më e lartë e tij, pjesa e thellë qendrore, ashtu siç është edhe kupa e kresë në perceptimet tona. Në shqipen kemi edhe shprehje të tjera metaforike që krijojnë kuptime e realitete prej kupës
E pa pikëllim hyjmë në ujin e vdekur (Metafora ontologjike)
Bëhemi krejt korale të përjermëta, janë vargjet e fundit të poezisë që po ashtu kanë metaforicitetin e tyre, në të parin duke e animizuar ujin, duke e bërë shpirt të vdekur, dhe hyn në llojin e metaforave ontologjike. Në vargun e dytë, duke u bërë korale të përjermëta, po ashtu metaforë e llojit ontologjik, sepse koralet animizohen, bëhen të përjermëta si njerëzit. Njerëzit, kur zgjohen somnambul, jerm apo përjerm, nuk i kontrollojnë veprimet e tyre, sepse janë në gjendje gjumi, por duken gjysmë të zgjuar e gjysmë të fjetur.
Nëse marrim veç këto tri vargje prej gjithë poezisë:
Vallëzojmë pa muzikë vallen e krahëve të këputur
Ecim mbi bar me këmbë të marra dhe
Bëhemi krejt korale të përjermëta (metafora ontologjike),mund të themi me bindje se e kemi kuptuar metaforën e lodhjes, të molisjes, të gjendjes së rëndë shpirtërore e fizike, e cila e ka kapluar një grup shoqëror apo një popull të tërë. Fuqia e metaforës është në njësitë specifike me të cilat e realizon qëllimin e saj të efektivitetit, por edhe në dijet tona të shtresuara që janë të natyrës kognitive.
Përfundime
Të diskutojmë për metaforat, veçanërisht për metaforat kognitive, do të na duhet të thellohemi më shumë në gjuhësi, edhe psikologji, pa lënë anash eksperiencën tonë të natyrshme dhe fushën tonë kognitive. Këtë herë i bëmë një lexim librit burimor ’’Metaphors we live by’’ të L. & J., dhe disa studimeve të shekullit të kaluar dhe të tashëm rreth metaforave dhe morëm për bazë vetëm studimin apo paraqitjen e metaforës konceptuale pa u zgjeruar tej mase, duke identifikuar metaforat strukturore, orientuese dhe ontologjike.
Kemi arritur në përfundim se gjuha, veçanërisht gjuha metaforike, nuk është vetëm veti e teksteve të shkruara dhe nuk kërkon mjeshtri apo aftësi të veçantë, por njësoj është e pranishme edhe në gjuhën e folur, sepse njohjet tona për botën, konceptet dhe fenomenet përreth përbëjnë kognicionin tonë. Ne shkruajmë dhe flasim me metafora konceptuale, sepse sistemi ynë gjuhësor, e përsërisim, është metaforik për nga natyra, e ka bazën në eksperiencat tona fizike. Apo thënë më mirë, gjuha shërben si mjet për t’i strukturuar veprimet tona të përditshme dhe mendimet tona të përhershme të bazuara në perceptimet dhe ndijimet tona.
Edhe një herë po e theksojmë se gjuha është një sistem i strukturuar asisoj që prodhon kuptim përmes mendimeve dhe veprimeve. Ne, vërtetë, jetojmë me metafora, e ndoshta ndoshta edhe të jetuarit është një metaforë, meqë përbëhet nga konkretja që është përvoja shqisore dhe abstraktja që është metaforike.
KORALE TË PËRJERMËTA
Ecim mbi bar me këmbë të marra
Mbi flokun tonë të llamarintë bie shi i imtë
Shikojmë ylberin me sy të qelqtë
Miklojmë zogjtë me gishtërinjtë e vdekur
Vallëzojmë pa muzikë vallen e krahëve të këputur
Në plagë me gjak të kaltër bie brymë
Qeshim deri në kupë të qiellit
E pa pikëllim hyjmë në ujin e vdekur
Bëhemi krejt korale të përjermëta.
(Sadik Krasniqi, Oazë palmash të djegura, Faik Konica, Prishtinë, 2015)