Romani “Herezia e Dërvish Mallutës” i Teki Dërvishit është sinonim i të pushtetshmit, personi që ushtron pushtetin me anë të dhunës, fuqisë së ndëshkimit, asaj të nënshtrimit dhe frikës që mbjell përmes veprimeve të tij
Adriatik ZEQIRI
Çdo gjë nuk është zbuluar vetëm njëherë, do të shkruante Teki Dërvishi te romani i Herezisë së tij të madhe, duke iu kundërvënë kështu një ideologjie absolute, ngjashëm siç pohonte Derrida se çdo gjë nuk e ka vetëm një kuptim kur po tentonte ta zbriste nga froni i hyjnores te vërtetën e arsyes.
Në vitin 1981 Teki Dërvishi do të nxjerrë nga botimi romanin e tij Herzia e Dërvish Mallutës, romani që nga shumë interpretues është trajtuar si kryevepër në zhanrin e prozës së Teki Dërvishit. Metafora e burgut, një tekst i dhimbjes, vuajtjes, vetmisë e në fund siç konstaton Nysret Krasniqi, frikës. Një metaforë e jetës. Jeta që lartësimin e saj e përjeton duke u vënë përballë vdekjes. Trupi i cili e kërkon varrin dhe arsyeja e cila është dominuese në raport me trupin që kalbet e që largohet nga shtëpia për të gjetur rehatinë e tij. Lufta e pashmangshme mes mishit e trupit që është njerëzor e tokësor dhe arsyes e dijes që është procesive e tejkohshme dhe hyjnore. E ëma që e përcjell birin e saj të vdekur për të gjetur shpëtimin në dhe, në varr më saktësisht. I vdekuri që largohet nga shtëpia për të çliruar veten e tij nga vuajtjet e shtratit. Të të pranojë varri do të thotë të vrasësh vetminë që po të gërryen, të vdesësh do të thotë të jesh njerëzor, njerëzit nuk jetojnë vetëm, pra vetmia është dënim, është mbyllje është largim nga bota njerëzore, e duke qenë gjallë vetmia është burgim.
Në këtë tekst gjithçka është e figuruar, duke filluar që nga parateksti Herezia e Dërvish Mallutës, duke vënë pranë një fenomen negativ ose me thënë më mirë përjashtues, një shkarje morale në një shoqëri tashmë të etabluar dhe referimin për këtë një personazhi si Dërvish Malluta. Herezia është shkelje e normave morale te dogmës apo sistemit. Pra, Herezia është pika fillestare e ndërtimit të një pylli të tërë kompleks të një diskursi të figuruar në çdo detaj të tij.
Fabula përfundon aty ku fillon, te shtëpia e fëmijërisë, te rruga që kurrë nuk është marrë apo te rragatjet e varrit që i përftonte e ëma. Fillon me të birin dhe përfundon me të atin, i cili arrin të ndjejë praninë e hijes së të birit të vdekur para 38 vjetësh. Është rrugëtimi i i njeriut të vdekur në kërkim të strehimit të tij përfundimtarë, e që figuron më shumë se kaq. Gjithçka rrëfehet nga personazhi simbol, një i ri i cili kishte kohë që përballej me sëmundjen e vetmisë dhe që nuk arrinte të gjente shërim prej saj. Në fakt, sëmundja e vetmisë nuk ishte aspak tjetër në një dekonstruktim semantik të fabulës sesa pamundësia e inkuadrimit në konvencat shoqërore të një sistemi të vendosur e strukturuar në të cilat mund të gjendej një intelektual i ri, i cili sheh komplet ndryshe zhvillimet shoqërore dhe pikërisht botëkuptimet e tij do të binin ndesh me parimet e një sistemi demagogjik për nga vlerat, e sundues e shtypës për nga natyra. Ky intelektual është i përjashtuar si natyrë, gjegjësisht është i vdekur për një shoqëri përjashtuese. Atë edhe e ëma e largon nga shtëpia ngase mund të vuajë pasojat e shtypjes e persekutimit. Ai vetminë e përjeton si sëmundje ngase nuk e gjen bashkëmendimtarin ose bashkëvepruesin në udhëtim. Atë do ta vrasin veprat e tij.
Në fakt, ky roman është një tablo e madhe e ndërtuar në formë mozaiku për një shoqëri të cilën Teki Dërvishi e ka jetuar vetë edhe atë si dhimbje personale, një përshkrim i jashtëzakonshëm i një sistem vlerash të degraduara dhe, siç e cekëm më lartë, edhe një metaforë e burgut ose e jetës në Kosovë gjatë një regjimi shtypës e sundues. E gjithë kjo përshkruhet nëpërmjet personazheve të ndryshëm të këtij teksti, të gjithë me një emër simbolik dhe që paraqesin përfaqësueshëm tipizime të strukturave përbërëse të shoqërisë. Pra në nivelin struktural fabula zhvillohet si rrëfime të personazheve në pjesën e parë dhe inskenimi i një teatri e loje te veçantë në pjesën e dytë.
Dërvish Malluta është sinonim i të pushtetshmit, personi që ushtron pushtetin me anë të dhunës, fuqisë së ndëshkimit, asaj të nënshtrimit dhe frikës që mbjell përmes veprimeve të tij. Ai është zot në teqenë e Sukës së Cërmjanit. Çdokush tjetër duhet të jetë nën urdhrat e tij dhe t’ i përgjigjet lojës së tij. Pra, te Dërvish Malluta kemi të ravijëzuar në mënyrë brilante figurën e diktatit, shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e një sistemi shtypës dhe diktatorial që vetë Teki Dërvishi po e jetonte. Dervish Malluta mund të ishte drejtori i burgut, ai që komandon dhe drejton gjithçka, ai që rrahë e dënon. Ai është i vetëm, qëndron në majë të sistemit dhe çdokush e ka referencë atë. Ai i din të gjitha. Pra, ky është karakteri më tipik që mbetet shtylla e romanit në rrafshin semantik. Në ndërtimin sistematik të një bote funksionale si shëmbëlltyrë e një bote të jetuar si përjetim jetësor. Teqeja që ai drejton është burgu i shpirtrave të trazuar, aty janë shpirtrat që nuk e kanë gjetur rrugën drejt varrit, të padëgjueshmit, të panënshtruarit, imoralët, laviret, edhe gjarpërinjtë e zbutur, si dhe vend i njerëzve që durueshëm që e kalojnë jetën kot nën diktatin dhe dhunën të cilën e dinë e ndjejnë dhe nuk kanë forcën a kurajon t’i kundërvihen. Mulla Hamidi i Verdhë dhe Kardhiç Lojtari janë dy personazhe që përfaqësojnë pikërisht njeriun e nënshtruar, i vetëdijshëm, i njohur por i pa forcë për të rezistuar, njeriu që kurrizin e ka vetëm për t’ u nënshtruar.
Mulla Hamidi i Verdhë është poet, poet brilant nga më të mirët, ai ka një njohje filozofike të rrethanave. Ka një dije që shkon shumë përtej rrethit që është në teqenë e Sukës, të drejtuar nga Dërvish Malluta, por që nuk gjen fuqinë që t’ i kundërvihet asaj që përfaqëson të keqen, shtypjen edhe dhunën njëkohësisht në atë vend. Mulla Hamidi lirisht mund të identifikohet si figura e intelektualit që dorëzohet para diktatit si të sistemit dhe të shoqërisë gjithashtu, duke mos pasur guximin që të rezistojë dhe gjen prehje tek konformizmi që i ofrojnë rrethanat e Mulla Hamidi është disfatist dhe të vetmen gjë që dëshiron është mundësia që të tregojë se dija që posedon ka mundur të përdorej edhe për gjëra të tjera në jetë. Dialogu me të është në një diskurs të thellë filozofik, aty shpërfaqet një njohje e jashtëzakonshme. Në fakt, Mulla Hamidi është figura që më së shumti përdoret për të paraqitur bindjet e autorit ndaj shoqërisë në kohën e krijimit të tekstit, në kohë diktature dhe sundimi të huaj. Është interesante qasja ndaj koncepteve pesimist dhe disfatist. Pesimisti ka dyshime dhe nuk është i sigurt, në fakt nuk ka shpresë andaj edhe mungesa e shpresës edhe mund ta ngrit në një moment të caktuar që të lëvizë, ndërsa disfatisti tashmë e ka pranuar humbjen, ai është i shtrirë dhe nuk reziston, ai i ka dorëzuar armët që në fillim.
Ikje për shkak të dashurisë dhe jo për shkak të tëhuajsimit do ta interpretonim si ikje prej të ngjashmes, prej të njëjtës, pra ikje nga vetvetja, ky është një tipizim karakterial i paraqitur në një diskurs alegorik të veçantë dhe i ravijëzuar në tërë tekstin me anë të dy figurave si Mulla Hamidi dhe Kardhiç Lojtari. Megjithatë kur jemi te rendi i lojës simbolike, dhe te gjuha e figuruar e romanit, e krejt romanin do ta konsideronim si një metaforë e madhe e jetës së robëruar, ose mund të interpretohet edhe si metaforë e burgut, Mulla Hamidi i Verdhë mund të jetë një figurë çelës, për leximin e tekstit si tekst alegorik.
Kardhiç Lojtari është më ndryshe nga Mulla Hamidi, ai ka reaguar, ka ikur për të mos duruar. Ai ka dëshirën, por nuk e ka as dijen dhe as fuqinë, ai është njeriu i varfër në kufijtë e ekzistencës, aty ku gjykimi është shumë i ultë dhe këtë gjë e kanë shfrytëzuar në mënyrë shumë të poshtër të gjitha sistemet për të rekrutuar njerëz për lojërat e tyre. Kardhiç Lojtari e kupton lojën në të cilën është, ai ka shpirtin e madh për të ndjerë vuajtjet e fëmijëve të tij, duke e fajësuar për këtë veten e tij, që nuk ka arritur ta mundë varfërinë, pa pasur asnjëherë në mendjen e tij se varfëria e tij ishte pikërisht rruga e tij e robërimit shpirtëror dhe fizik.
Kështu në një rend simbolik me anë të personazheve ndërtohet mozaiku kompleks i shpërfaqjes së një diktature, një shoqërie ku njerëzit vuanin shtypjen për shkak të bindjeve të tyre, për shkak të gjendjes së rëndë socio-ekonomike e nacionale, ku njerëzit ishin gjithashtu pushteti shtypës dhe dora e zgjatur e tij siç ishte hafija Lik Gushëholli, që bënte punë të persekutimit dhe përndjekjes, për interesa të Dervish Mallutës, duke shfrytëzuar lidhjen e tij të ngushtë familjare me te. Ai ishte i martuar me Kurtije Zanën, kushërirën e Dervish Mallutës vetëm që të ishte më afër tij dhe të përfitonte privilegjet. Në tipizimin që i bëhet Lik Gushëhollit, na del përpara një nga ato personazhet e rrëfimeve të historisë së vonë për nëpunësit e sigurimit të shtetit që merreshin me përndjekjen dhe persekutimin e intelektualëve të rinj, me burgosjen edhe vrasjen e tyre. Një diçka të tilla do ta shohim pas një dekade në një tjetër roman të Teki Dërvishit që i kushtohet Kadri Kusarit, mësuesit të tij të persekutuar nga regjimi Jugosllav. Pra, siç edhe është konstatuar, Herezia është e shumëfishtë në kompleksin e barrës së saj semantike. Është individi i cili nuk pajtohet përballë shoqërisë që tashmë ka kanone të etabluara dhe përtej të cilave nuk e përjeton jetën e saj dhe gjithashtu konvencat që shtypin vullnetet shpërthyese të individëve gjenial.
Këtë roman do ta shkruaj edhe një herë! Kështu thotë Teki Dervishi, e në fakt kjo është thirrje për lexim. Kjo është një ftesë për të hyrë në shtresimet semantike të romanit, për të bërë zbulesën e tij. Këtë roman Teki Dërvishi do ta shkruajë përsëri pas më shumë së një dekadë në rrethana tjera tashmë politike, duke nxjerrë në dritë romanin Palimpsest Dush Kusarit, që do të thoshim që është çelës për lexim të romanit Herezia e Dërvish Mallutës. Në të vërtetë Teki Dërvishi gjatë tërë jetës ka shkruar vetëm një roman, romanin e përjetimit të tij më të madh, jetën e tij.