METAMORFOZAT KOLEKTIVE DHE INDIVIDUALE NË NJË SHOQËRI TË BRISHTË

Romani “Shpella” mund të vlerësohet si roman i ngjarjeve, por njëkohësisht edhe si roman i personazheve

Zyrafete SHALA

Romani “Shpella” i Bashkim Hysenit, vjen 15 vjet pas ditarit të luftës “Jeta mund vdekjen”, në të cilin autori kishte përmbledhur përjetimet e një kohe të rëndë, ankthin dhe përgjegjësinë e personelit të spitalit të improvizuar ushtarak, ku krahas mjekimit të ushtarëve të plagosur, duhej edhe t’i mbronin ata nga sulmet e forcave armike. Duke u nisur edhe njëherë po nga ato përvoja, autori Bashkim Hyseni kësaj radhe ka zgjedhur t’i ofrohet lexuesit me një zhanër dhe me një lëndë tjetër, duke shtjelluar vështirësitë e përballjes me realitetin dhe absurditetin e të qenit njeri në një shoqëri kaotike, që është futur në rrjedhat e metamorfozave kolektive e individuale.

Tema e këtij romani është aktualiteti i jetës në Kosovë me të gjitha anët e errëta të tij dhe sfidat që e përcjellin njeriun në përditshmërinë e tij. Përmes dy linjave fabulare, romani ngërthen në vete realitetin intensiv, që shfaqet nëpërmjet rrëfimit të rrjedhshëm të narratorit të gjithëdijshëm, me shpërfaqje të kohëpaskohshme të riprodhimit të situatave nga e kaluara, përjetimevetronditëse apo shpërfaqjes së gjykimeve mbi to, të cilat rrëfehen nga perspektiva të ndryshme. Pjesa dërmuese e episodeve që përbëjnë linjën e dytë fabulare, më tepër se rrëfime, janë shpërthime nga përjetimet e shtresuara në pavetëdije, që shpeshherë ngjajnë me një monolog të rrëfyer, me një zë që jehon nga ‘shpella’, por në disa raste edhe në dialog sureal, mes protagonistit dhe bashkëluftëtarit të tij të vdekur. Digresionet e tilla, të funksionalizuara brenda rrëfimit dhe të shpërfaqura pas një distance kohore, marrin përmasat e shqetësimeve serioze që diktojnë shtegtimin aktual të Gafës, personazhit kryesor,  por edhe refleksioneve të ndërgjegjes së tij.

Të ndërtuara mbi motive nga më të ndryshmet, që krijojnë tablonë gjithëpërfshirëse të realitetit aktual, por edhe atij të para dy dekadave, dy fushat tematike dominante, lufta për mbijetesë në një kohë të ashpër dhe përpjekjet për t’i dhënë kuptim lirisë së fituar, përçojnë idenë themelore të romanit që është lufta e forcave progresive kundër atyre destruktive, apo lufta e së mirës kundrejt së keqes, që sipas Kamysë është edhe synim i artit në përgjithësi. Përmes trajektores jetësore të kryepersonazhit, autori arrin të depërtojë në të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare, duke hedhur dritë mbi procesin e degradimit të vlerave humane, hipokrizinë e raporteve ndërnjerëzore, vështirësitë e ruajtjes së dinjitetit individual, që të gjitha së bashku ravijëzojnë pamjen e lirisë së brishtë, që rrezikon të humbasë kuptimin e saj.

Konflikti i romanit zë fill në një vend të largët, por ruan në vazhdimësi lidhjet me vendlindjen, duke krijuar kështu një krahasim të tërthortë mes një vendi të zhvilluar, ku vepron personazhi dhe atdheut të tij që sapo ka filluar të bëjë hapat e parë. Gjatë kësaj rrjedhe të njëtrajtshme të veprimit, që dominon në pjesën e parë, shohim përplotësimin e personazhit të Gafës, zhvillimin e tij si karakter, përsiatjet rreth parimeve thelbësore të jetës dhe përpjekjen për qartësimin e dilemave që e mundojnë. Jeta dhe arsimimi në Skoci, dalin të kenë ndikim vendimtar në formimin e personalitetit të personazhit, prandaj shpërputhjet mes rrjedhave të zhvillimeve shoqërore mes dy vendeve, hapin horizonte të gjera për te. Përmes digresioneve që ndërfuten përgjatë rrjedhës së konfliktit, autori Bashkim Hyseni, arrin të fuqizojë kuptimësinë e konflikteve aktuale, të krijojë lidhshmërinë mes dy periudhave, por edhe të përpunojë situatat që kanë ndodhur në një kohë kur çdo çast duhej të jetohej sikur të ishte çasti i fundit i jetës.

Koha prej dy dekadash të kohës reale, sa kap fabula e romanit, është e kondensuar, vihet në marrëdhënie me konfliktin dhe rrjedha e saj transponohet përmes situatave në të cilat gjendet kryepersonazhi. Kompozicioni i romanit mundëson që të zhvillohen paralelisht dy kohët, e tanishmja, që do të mund të quhej si kohë e paqes dhe e kaluara, apo koha e luftës. Derisa koha e kaluar funksionalizohet edhe si kohë psikologjike e personazhit, që e formëson edhe më tej egon e tij, koha e tanishme e vë atë përball intrigave, paturpësive e pangopshmërisë së bashkëvendësve, që shfrytëzojnë postet e tyre për qëllime të ulëta personale. Në rrethana të tilla, doemos i hapet rrugë dëshpërimit të thellë dhe vetvrojtimit, që përvijohet qartë në mendimin e personazhit: Mashtrimi më i madh vjen nga vetë ne, pra ne jemi mashtrues të vetvetes kur mendojmë se ëndrrat mund të bëhen realitet. Edhe pse e dimë se një gjë e tillë nuk ndodh, përsëri priremi t’i besojmë ëndrrës…I gjendur përballë realitetit që i shkatërron ëndrrat e tij dhe të shumë brezave, Gafa gërmon brenda vetes për të gjetur shkakun e zhgënjimit.

Romani “Shpella” mund të vlerësohet si roman i ngjarjeve, por njëkohësisht edhe si roman i personazheve dhe nganjëherë është vështirë të thuhet se cila nga to ka më shumë prioritet. Ngjarjet krahas thurjes dhe përshkallëzimit të konfliktit, zbulojnë edhe karakteret e ndryshme që marrin formë gradualisht. Personazhi kryesor, i realizuar plotësisht, na shfaqet nëpër stade të ndryshme të jetës së tij, si luftëtar, si student, mësimdhënës, përgjegjës i një sektori të rëndësishëm, por edhe si njeri i zhgënjyer me rrugën që kanë marrë bashkëvendësit e tij. Pamundësia për t’u përshtatur me realitetin e ashpër, e vë atë përpara dilemave të skajshme psikike, duke i dhënë kështu edhe më shumë kuptim emrit Gafë, që na shpije drejt aluzionit për një person të lindur në kohën e gabuar, që në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet pjesë e orgjive të cilat mbizotërojnë në atdheun e tij.

Të gjitha personazhet janë skalitur me ngjyra reale, qoftë ata që paraqesin forcat destruktive të shoqërisë, ata që shfaqen si viktima të kohës dhe mendësisë provinciale, apo të tjerët që ende janë të prirë për të vepruar në progresin e vendit. Po aq realë janë edhe luftëtarët e plagosur, nga të cilët Galani bëhet bartës i aspiratave dhe idealeve të të gjithë dëshmorëve, zëri i tij i drejtohet lexuesit nga bota e përtejme dhe fjalët e tij anticipojnë në realitetin e mëvonshëm:  Kot e keni që m’i lëvizni eshtrat sa në një varr sa në tjetrin. Unë këtu do të jem në maje të malit nën gurin më të thepisur të shpellës sime. Këtë gurë dhe këtë shpellë nuk e merr dot askush askund. As mua nuk më merr askush, mos mendoni se jam shuar. Jam dhe do te jem hija që do të ju përcjellë në jetë, jam pjesë e ndërgjegjes suaj për këtë vend, për këta gurë e shkëmbinj… Kjo porosi, do të bëhet mision i jetës së Gafës, tek i cili pikëtakohen ëndrrat, synimet, luftërat dhe idealet e shumë brezave. Jeta e tij pas shumë peripecive përmblidhet në një qëllim: JETO PËR TË RRËFYER, siç e dëshmon edhe epilogu i romanit.

Pas diskutimit dhe analizës së elementeve kryesore të këtij romani, rreth temës, idesë, kompozicionit dhe personazheve, gradualisht vjen edhe kërkimi i vendit të tij në kuadër të letërsisë shqipe. Romani “Shpella” i Bashkim Hysenit për nga narracioni, kompozicioni dhe gdhendja e personazheve hyn në rrjedhat e romanit modern shqiptar dhe, padyshim, mund të kategorizohet si libër i mirë. Ajo që e bën të veçantë këtë roman është tema e tij, trajtimi objektiv dhe gjerësia e paraqitjes së problemeve të kohës sonë. Bota fiktive e romanit “Shpella” shfaqet si shëmbëllim artistik i realitetit në të cilin jetojmë dhe na jep mundësinë të shohim se si do të shfaqen veprimet tona në sytë e brezave që do të vijnë pas nesh.Librin e botoi Klubit letrar “De Rada”, Ferizaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.