Miftar Gjana

ERA VIZATON PORTRETIN E ZOGJVE

Një hap, dy hapa, tre hapa,
Gjethet bien nga pemët,
Siç bien vargjet nga koka ime
Në letrën e pashkruar,
Të bardhë.
Era vizaton portretin e zogjve
Në qiellin e bruzët,
Në qiellin si kanavacë e vjetër, e bojatisur
Nga një piktor i vdekur
I verës së shekullit tjetër.
Një hap, dy hapa… çapitem
Me imazhin tënd brenda vetes;
Statujë e bardhë mermeri e lëmuar
Me prekjet e buzëve të mia.
Ç’kohë ishte, ç’kohë do të vijë,
Ndërsa era vizaton portretin e zogjve
Në qiellin ku flejnë bubullimat?
Një hap, dy,… mijëra hapa të panumëruar.
Ja një aguliçe e bardhë, një vjollcë e tharë
Për herbariumin tënd të kujtimeve;
Pak myshk heq nga plisat e tharë
Dhe shtrihem në shpinë duke dëgjuar
Të njëjtën muzikë që ti thith me veshë
Këtë orë ngjyrë manushaqe.
Dhe era vizaton portretin e zogjve diku… në qiell.
Çelësat e natës kanë humbur që në mëngjes
Apo ndoshta i harrova në çantën tënde.
Dhe do të vij në mbrëmje, kur ti të kesh hapur
Dyert e natës, kur bulkthi i padukshëm
Të këndojë, kur zogjtë e vizatuar nga era
Të kthehen në yje regëtues
Që dridhen në ethe nga puthjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.