MIGJENI DHE LETËRSIA MBI FËMIJËT

Zeneli, ashtu si Luli i Vocërr janë produkte reale të një realiteti tragjik. Dhe realja nuk është fatale, përkundrazi është pasqyrim konkret, pa zbukurime i realitetit. Të rralla janë këto modele ligjërimore me personazhe, si: Luli i Vocërr dhe Zeneli

Xhahid BUSHATI

Më 1936 Migjeni mundi të botonte  të vetmen vepër, përmbledhjen “Vargjet e lira”, e cila u ndalua nga censura. Libri u botua rishtazi e qarkulloi më 1944. Disa nga vjershat e prozat e tij, kishin vlera të veçanta ideoartistike, kapeshin lehtë edhe nga lexuesi i vogël, ndaj zunë vend në tekstet e këndimeve e të leximeve letrare të arsimit bazë dhe u bënë shumë të dashura për nxënësit e shkollave tona. Përmendim: “Luli i Vocërr”, “Zeneli” etj. Migjeni krijoi një galeri tipash të fëmijëve të vegjëlisë nga fshati dhe qyteti. Për rrjedhojë, u bë nismëtar i letërsisë realiste shqiptare për fëmijë, një nga themeluesit e prozës moderne për moshat e reja. Pas Çlirimit, me pjesë poetike e prozë të zgjedhur nga vepra e Migjenit, u botuan përmbledhje të cilat u adresoheshin lexuesve të moshës së njomë: – “Luli i Vocërr” – NSHB, Tiranë 1957; – lektyrë shkollore shk. 6, Libri Shkollor, Prishtinë 1968, 1970, 1972, 1998; -lektyrë shkollore shk. 6: NASHA KNIGA, Shkup 1977, 1989, 1990; Çabej, Tetovë 2003; Gutenberg, Prishtinë 2009. Po përmendim edhe disa krijime të Migjenit që hyn në leximet për fëmijë e të rinj, të botuara në organet e asaj kohe: – Në revistën “Illyria”, më 15 korrik 1934, V.I, nr. 19 botohet “Një refren i qytetit t’em”; Në “Jeta dhe kultura”, 20 korrik 1935, V.I, nr. 3, botohet “Moll’endalueme”; Në “Illyria”, 18 qershor 1936, V.I, nr. 39, botohet “Luli i Vocërr”; Në “Bota e Re”, 15 maj 1936, V.I, nr. 3, botohet “Zoti të dhashtë”!; Në “Bota e Re”, 15 tetor 1936, V.I, nr. 13, botohet “Legjenda e misrit”; Në “Bota e Re”, V.I, nr. 17, botohet “Bukurija që vret”; Në “Përpjekja shqiptare”, 24 dhjetor 1938, V.II, nr. 18, botohet pas vdekjes “Zeneli”. (shih dhe shënimet e Prof. as. Dr. Astrit Bishqemit).

***
Migjeni e filloi mësuesinë në Pukë më 18.04.1936. Dha mësim në klasën e tretë dhe të katërt. Në klasën e tretë realizoi këto programe: hartim, drejtshkrim, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë. Ndërsa në klasën e katër realizoi këto programe: mësim moral e qytetar, hartim, drejtshkrim, gramatikë, aritmetikë, bukurshkrim, vizatim, këngë dhe gjimnastikë.

E, duke mbetur në mjediset e këtyre dy klasave, nuk ka sesi të mos kujtojmë vocrrakët-nxënës, e në mes tyre Lulin e Vocërr dhe Zenelin, që u përjetësuan në skicat letrare si rrëfime mrekullie nga mësuesi i tyre shkrimtar. Këtu, do të pohojmë mendimin e prof. Bedri Dedjes, me të cilin ndajmë një mendje, se mënyra e strukturimit dhe ligjërimit të tekstit i takon letërsisë mbi fëmijët.

Luli i Vocërr është një personazh i dashtun i Migjenit, aq i dashtun sa bota e tij vetmitare dhe e trishtuar plotëson e vijimëson botën e Migjenit të Madh. Migjeni e ndjek Lulin artistikisht hap pas hapi. Operon me çdo detaj. Çdo detaj është i dhimbshëm e i përvajshëm. Ata vizatojnë gjendjen shpirtërore të Lulit, që veç Migjeni e njeh, që veç Migjeni e di. Për rrjedhojë, kjo marrëdhënie ka aq afri sa mbetet një model dashurie dhe frymëzimi.Luli është i pjekur para kohe. E ka pjekë varfëria, mjerimi. Edhe pse diku në një qoshe, teksa i buzëqesh një rrezeje të dobët; ai në shpirt ka ruajtur një tufë me ëndrra jo për veten, por mësuesin, Migjenin e tij të dashtun. “Nganjëherë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur e ka fytyrën e dlirtë dhe pa puça, mësuesi ja ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ia merr dorën, e shikon me sy pëllumbi dhe kishte dashtë t’i fali diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. E Luli i Vocërr ç’ka mund t’i fali mësuesit tjetër? Veç në ja faltë tollumbat e veta që kanë hapun gojën si me dashtë me hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të Vocërr kanë me e hangër mësuesin”.

E kështu në dimensionin artistik: mbeten, ashtu, pranë e pranë Luli i dashtun dhe Migjeni i dashtun. Një dashtunim që i bën sfidë mjerimit, por edhe një model edukativ, një model  moral i ndjenjës dhe pastërtisë njerëzore. Njerëzorja e përshkon krye fund ligjërimin për Lulin e Vocërr. Po me të njëjtën pamje atë të njerëzores, por në një dimension e rrafsh tjetër, është parë nga mësuesi figura e Zenelit. Në disa aspekte Zeneli plotëson Lulin, por ka disa të përveçme, si: është i zgjuar, guximtar dhe trim. “Mjaft ma, Zotni mësues, mjaft na mësuet si duhet me jetue, çka asht mirë e bukur mjaft na mësuet, – megjithatë na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tanë, po në ato gëzime e po në ato mjerime, të lanun e të tretun ndër këto bjeshkë. Qe na shiko një herë, njenit nepër kmishtë të shkyeme i shifet supi i verdhë, tjetrit barku si drrasë, atij atje asht gati t’i bjerë të fikët nga uria, një tjetër prapmemezi përmbahet  mos t’i bajnë dhambët brrr nga ethet…” I gjithë ky fragment tronditës e tragjik i vendosur në gojën e Zenelit, që vetë është një personazh tragjik, zbulohet realisht realiteti që askush nuk mund ta përshkruante më bukur sesa pena e Migjenit. Para fjalëve të Zenelit kalojnë shokët e tij bashkëmoshatarë: të pikturuar dridhshëm e të detajuar qartazi. Rrallë mund të ketë piktura të tilla, ku sundojnë kufijtë fëminorë e arsyetimet e tyre dalin jashtë këtyre kufijve. Karakteristika e dytë e Zenelit është se, ai është inteligjent. Është personifikim i Dritës së Diturisë. Vetë, Zeneli është dhimbje e trishtim real. Vetë Zeneli është një ëndërrimtar dhe këtë ëndërrim e kërkon jo vetëm për të sotmen por edhe për të nesërmen, të nesërmen për ta realizuar. Ndaj ai sjell fakte e dukuri. I fakton ata me momente të trishta nga realiteti. “S’kemi kurrgja, Zotni, as vegla të reja për punë, as shtëpia higjienike të mira si në shtetet e tjera jemi të vegjël”.

Zeneli, ashtu si Luli i Vocërr janë produkte reale të një realiteti tragjik. Dhe realja nuk është fatale, përkundrazi është pasqyrim konkret, pa zbukurime i realitetit. Të rralla janë këto modele ligjërimore me personazhe, si: Luli i Vocërr dhe Zeneli. Vetëm madhështia e talentit të Migjenit shkon në kohë e përtej kohës. Nuk është krijues i përshkrimit por i sintezës. Migjeni është i gjithëkohshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.