MISTIFIKIMI I PËRDITSHMËRISË

Shqiptarët sot e gjithë ditën e mistifikojnë përditshmërinë dhe nga ajo krijojnë fetishe e tabu. Shqiptarët ballafaqohen me një problem fundamental dhe me domethënie ekzistenciale: zbulimi i së vërtetës, shqiptimi i saj dhe shpallja e saj si gjë publike

Ramadan MUSLIU

Jeta e ballkanasve sot e gjithë ditën është e mbushur me tabu e fetishe. Që nga ardhja e sllavëve këtu, asgjë nuk ka ndryshuar në konfiguracionin psikologjik e moral. Mesjeta në mënyrë latente ruhet dhe ajo për çdo ditë e më tepër shfaqet herë si reminishencë e një psikologjie që priret nga mistifikimi, herë si një filozofi me karakter të errët bizantin, herë si iracionalitet që mbyt arsyen. I njëjti pozicion mesjetar sot vepron në raportet ndëretnike: sllavët edhe më tutje synojnë ekspansionin në veri, jug, lindje e perëndim, duke riprodhuar rudimentet e dyndjeve barbare dhe filozofinë e rrënimit të çfarëdo shenje dhe parashenje kulturore autoktone. Shqiptarët sot e gjithë ditën sillen në rrethin e mbyllur të mallkimit skllavëror, duke i ndërruar ideologjitë e kohës sonë në vend të religjioneve, siç bënin më parë, dhe rishtas kthehen brenda skemave mesjetare bizantine: ndërto me dorën e djathtë e rrëno me të majtën. Imazhi ikonoklast vazhdimisht është fotografi dominuese: rrënohen përmendore e shtatore, fotografi e portrete dhe rishtas, në vend të tyre, synohet të vihet diçka tjetër, shtatorja a portreti i prijësit karizmatik, i cili gjithsesi duhet t’i ngjasojë të përparshmit. Që nga Lufta e Dytë e këndej, shqiptarët kanë jetuar me iluzionin e një mirëqenie që del nga dëgjueshmëria e pushtetit, i cili këtë e kishte proklamuar publikisht dhe e kishte shndërruar në normë dhe dispozitë, thyerja e së cilës sanksionohej me ligj. Shqiptarët verbërisht i besonin sloganit komunist: “vëllazërim-bashkim”. Mirëpo, pos sloganeve të ngjashme, jeta e shqiptarit ishte e mbushur me tabu dhe, të kundërtën e tyre, me fetishe. Që nga Lufta e Dytë e këndej shqiptarëve u përgatiteshin grackat bizantine-komuniste, te cilat kishin për qëllim zvogëlimin numerik të këtij etnosi dhe ndryshimin e hartës etnike të territoreve të tyre. Krahas këtyre grackave, që mbështilleshin me ideologji dhe doktrinë komuniste, thyerja e të cilave paraqiste herezi, imponohej edhe qëndrimi specifik i shqiptarëve: pranimi i të imponuarës apo refuzimi i saj. Duke u sjellë sipas një skeme që s’është gjë tjetër pos refleks i kushtëzuar pavllovian, tregon shkallën e dresurës kolektive. Pushteti dhe institucionet speciale kishin pasur sukses më të madh në imponimin filozofisë së të nënshtruarit, filozofi kjo që shtrihej mbi të gjitha veprimtaritë jetësore të shqiptarit. Për këtë arsye sot, veç të tjerash, kemi një qëndrim specifik ndaj përditshmërisë dhe ngritjes së saj në statusin e faktit historik. Shqiptarët sot e gjithë ditën e mistifikojnë përditshmërinë dhe nga ajo krijojnë fetishe e tabu. Shqiptarët ballafaqohen me një problem fundamental dhe me domethënie ekzistenciale: zbulimi i së vërtetës, shqiptimi i saj dhe shpallja e saj si gjë publike. Pikërisht shpallja publike e së vërtetës është kulmi i ironisë së jetës së shqiptarit, sepse çdo e vërtetë që mund t’i thuhet në sy, jo vetëm që do të konsiderohet herezi, por merr edhe domethënien e tradhtisë. Prandaj, sot shqiptarët ballafaqohen me problemin fundamental që i jep kuptim ekzistencës: çfarë është morali i tyre kolektiv. Ta përsëritësh formulën se skllavi nuk ka moral, do të ishte shkalla më e lartë e anatemimit. Mirëpo e vërteta është e vërtetë, kurse etiketa që mund të fitohet, mund të hiqet vetëm në kohën kur do të konstituohej morali qytetar dhe do ta zëvendësonte moralin e skllavit, domethënë imoralitetin e tij.

Përditshmëria e shqiptarit paraqet një lëndë jashtëzakonisht të pasur për hulumtime sociologjike dhe të formave të tjera për ekspertët e këtyre lëmenjve që, fatkeqësisht, i kemi fare të pakët. Te jeta publike e shqiptarit dominon skema intelektuale, kulturore, shoqërore dhe etike, që është në përputhshmëri me atë të formacionit feudal.

Kjo edhe s’është befasuese kur në plotëni e bëjnë jetën feudale, kur gjithë aktiviteti i intelektualit dhe i individualitetit përmbyllet në aktivitet të qarqeve e klaneve të izoluara. Shqiptarët assesi nuk bëjnë jetë kombëtare. Ky fakt tregon se nuk kanë as shkencë, as ekonomi, as kulturë kombëtare, së paku jo si formacione të mirëfillta. Në vend të këtyre, shqiptarët e kësaj gjysmëpjese të kombit, por edhe ajo tjetra, kanë individë, kanë individualitete krijuese. Formacionin kombëtar, i cili për Evropën e sotme është një arkaizëm i tejkaluar nga zhvillimi i tyre shoqëror, e krijojnë mekanizmat shtetërore, që mjerisht te shqiptarët janë në formë rudimentare. Shqiptarët me një shtetësi jo fort të moçme, në kuptimin modern të shtetësisë e jo sipas normës mesjetare apo antike, nuk kanë mundur t’i aktivizojnë ato mekanizma. Mungesa e aktivizimit të tyre, gjë që vlen më shumë për këtë pjesën e këtushme të shqiptarëve, ka bërë që sot të jetë dominuese skema mentale bizantine-komuniste. Pikërisht bizantinizmi është filozofia përcaktuese jo vetëm e shqiptarit.

Çështja është në raportet ballkanike, sepse Ballkani e ka humbur statusin që ia jepte epiteti Evropë Juglindore, të cilën e gjakonte Konica ynë i madh, ndryshojnë për nga qëllimi. Qëllimi ekspansionist serbo-malazez bëri që martirizimi të bëhet në funksion të mistifikimit të së drejtës etnike dhe historike ndaj Kosovës. Tek shqiptarët përfytyrimi i shtrembër krijohet nga refleksi mbrojtës. Sot e gjithë ditën jemi dëshmitarë të një martirizimi të viktimave, një pjesë e të cilave janë viktima rasti, me qëllim të krijimit të refleksit mbrojtës. Shtrohet pyetja: ku është e vërteta dhe moraliteti i aktit? Kur mungon mbrojtja e vërtetë, kur mungojnë mekanizmat e mirëfilltë mbrojtës, atëherë mistifikimi duhet ta zëvendësojë moralitetin. Kështu krijohen fetishet dhe tabutë, ndalesat dhe glorifikimet. Skema mendore e individit të përditshmërisë sonë sillet në rrethin që fillon me hiperbolizimin dhe përmbyllet me antitezën e saj, në litotë. Zmadhimi dhe mohimi janë dy qëndrimet komplementare që herë e mbysin e herë e ngjallin të vërtetën. Më në fund, e vërteta është ajo që gjendet e shtrirë në shtratin e Prokrustit dhe që duhet të shkurtohet apo të zgjatet sipas nevojës. E vërteta e përdorshme dhe me afat të caktuar të qëndrueshmërisë, as që është e vërtetë. Sllavët, serbët, malazezët e maqedonasit, me pëlqimin e fshehtë të sivëllezërve të tjerë, do të sillen me moralin e xhandarit ndaj “delikuenteve” shqiptarë, që kohëve të fundit kanë pushuar t’i besojnë humanitetit të xhandarit. Ndërkaq shqiptarët, ngadalë por shumë sigurt, po kuptojnë se jeta nën tutorinë e xhandarit është imorale. Kur shqiptari ta kuptojë se skllavi nuk ka moral, atëherë duhet të shpresojë se ka filluar të çlirohet së brendshmi.

(Dita, 15. VI. 1991)

Leave a Reply

Your email address will not be published.