MITI DHE KRIJIMTARIA ARTISTIKE

Kuptimi dhe perceptimi mitik i ekzistencës së njeriut antik, dallohet në formë tejet të diferencuar nga mendimi racional i qytetërimit aktual. Kryesisht në formë të riciklimit, lidhet me përvojën e fatalitetit të jetës së individit dhe të vazhdimësisë së saj

Luljeta ISAKU

Në situata aktuale, kur mendimi kritik e shtron bazueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e çdo të vërtete aprioriste, është memoria që përkujton ngjarjet e së kaluarës, duke i reprodukuar në imagjinatë. Fryma invencionit e cila gjërave u jep kuptim të ri e formon sintezën, relacionin e dhe shtysën që miti i ka dhënë zhvillimit të krijimtarisë artistike.

Përpjekjet për ta mohuar mitin kanë dështuar, sepse ai mbetet pjesë e shpirtit të njeriut. Mënyra më efektive për t’iu afruar dhe për ta njohur atë, gjendet në suazat e invencionit të krijimtarisë artistike.

Natyra e mitit e shprehur në strukturat e përmbajtjeve artistike, dëshmohet tejet vitale dhe superiore. Me gjithë përpjekjet për rregullimin racional të marrëdhënieve njerëzore dhe institucionale, janë larg nga harmonia e relikteve të kohës së kaluar, dhe shtresëzimeve të reja. Shumë forma të krijimtarisë dhe të kulturës së trashëguar, sot më tepër shërbejnë si mjete ndihmëse dhe shtysë e lëvizjeve avangarde.

Krijimtaria artistike dhe poetike ka mbetur forma më e qëndrueshme dhe më e zhvilluar e krijimtarisë kulturore në të gjitha etapat e historisë njerëzore. Bota poetike paraqet edhe botën imagjinare duke shfaq anën konkrete të realitetit dhe ekzistencës herë – herë të vrazhdë. Prandaj ndodh të jetë në kundërshti me botës e përditshmërisë të quajtur realitet. Dukuritë, gjendjet, situatat dhe subjektet poetike brenda tyre lëvizin aq shumë përpara përditshmërisë, sa që vështirë mund t’i shpjegojmë me përvojën tonë. Shpesh nuk mund të përcaktohen as me koordinatat kohore dhe hapësinore.

Kjo botë imagjinative ndryshon nga fryma e objektivizuar scientifikuese. Vizionet, shumëkuptimësia, figurat dhe metaforat poetike me fuqinë ndjesore dhe vrojtuese në mënyrë të stërholluar, ngritën mbi përvojat e përditshmërisë duke ndriçuar dhe duke i dhënë kuptim botës në dimensione shumështresore.

Krijimtaria letrare dhe diskursi poetik asnjëherë nuk janë indifirent ndaj botës së njeriut edhe pse dallohen nga kërkimet empirike shkencore. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti se strukturat përmbajtësore, figurat dhe ligjërimi metaforik i krijimtarisë letrare kanë tërhequr vëmendjen e shumë gjeneratave. Krijimet letrare dhe diskursi poetik nxisin fuqishëm ndjenjat e pasionet më të thella te të gjitha shtresat e kategoritë më të ndryshme shoqërore. Jehona e këtillë e diskursit letrar nuk do të kishte qenë e mundshme nëse nuk do të kishte pasur objektivitet në krijimin dhe paraqitjen e realiteteve artistike.

Krijimtaria e mirëfilltë artistike nuk është kurrfarë improvizimi i rastësishëm, as trillim arbitrar. Krijuesi i mirëfilltë nuk trillon, nuk i krijon kuturu personazhet e veta dhe nuk i konstrukton ngjarjet në mënyrë artificiale. Imagjinata e tij ka strukturë të brendshme të fuqishme dhe të qëndrueshme me të cilën ia hap rrugën në mënyrë rigoroze një domosdoshmërie dhe objektiviteti më të lartë.

Krijimtaria letrare, me karakterin e vet shumështresor dhe shumëdimensional, me strukturat përmbajtësore, logosin dhe mjetet e sendërtimit, ka krijuar historikisht shtratin për studime edhe në fusha të tjera. Mitin e ka bërë pjesë përbërëse në veprat gjithëkohore dhe të pakapërcyeshëm për vështrimin e shumësisë së formave të ekzistencës shpirtërore dhe materiale. Përmes imagjinatës, në mënyrë tjetërfare, më të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë burimore, interesimi i shkencës në këtë fushë determinohet nga mënyra poetike e zbulimit dhe artikulimit të realitetit ekzistencial.

Krijimtaria letrare artistike dhe sidomos imagjinata poetike, thellësisht depërton në sferat e transcendencës kozmike dhe të intertranscendencës së njeriut si pjesë përbërëse dhe pjesëmarrëse aktive në njohjen, zbulimin dhe ndryshimin e shumë mistereve të cilat në forme të shkallëzuar dhe dialektike janë demistifikuar. Fisnikëron jetën duke shprishur, shpërkufizuar dhe stigmatizuar e demaskuar rendin ekzistues to gjërave.

Krijimtaria shpirtërore ngrihet më lartë se kufijtë e përvojës pragmatike dhe shumë më lartë nga e tërë ajo që arsyeja e shëndoshë përpiqet me ankth ta mbrojë nga çdo formë e shtrembërimit. Imagjinata na shpie në një botë të panjohur, të largët që ndryshon nga ajo me të cilën jemi mishëruar, që e kemi të afërt dhe të njohur. Përmes gjenialitetit emfatik krijuesi nuk e shprehë ndjeshmërinë personale, sepse të gjitha gjykimet shpijnë në faktin se e vërteta artistike nuk është shprehje e e prirjeve të caktuara alternuese dhe e frymëzimit shterp të çastit, po dëshmi e pamohueshme e raporteve dhe ligjësive të caktuara konstante. Nga ligjërimi krijues, tropet, figurat, metaforat nuk shprehin vetëm qëndrimin individual ndaj jetës dhe botës. Prej tyre rrjedhin gjykimet shumështresore lidhur me kuptimin dhe kushtëzimet e vërteta të botës.

Me këto cilësi, përmes krijimtarisë letrare, kapen anët e padukshme të jetës së amshueshme. Rrëfimi ngre kushtrimin, jep mesazhe, paralajmërime të zbulesave, bëhet ndërmjetësuese e nxjerrjes në syprinë të mistereve më të mëdha jetësore. Krijimtaria artistike në këtë mënyrë e zbulon të vërtetën e madhe jo vetëm njerëzore, por edhe të vërtetën e qenies dhe të qenësisë. Me veçantitë e këtilla, diskursi letrar, merr karakter spekulativ. Duke lëvizur ndërmjet kuptimit të pafundësisë, përkatësisht amshimit dhe jetës së ndryshueshme në të cilën asgjë nuk mund të definohet dhe përcaktohet me saktësi, krijimtaria artistike letrare nuk gjen pika të qëndrueshme në të cilat do të mbështetet në mënyrë konstante. Natyra e saj është e ndërrueshme si edhe shfaqja e mendjes njerëzore, prandaj në skenën e historisë kthehen format retrospektive. Pardigmat dhe shumësia e ngjarjeve vendosen në një lloj labirinti. Ngjarjet herë duken të ngjashme dhe të afërta, herë të largëta dhe të pakapshme. Në sfidën ndërmjet kohës dhe hapësirës, krijimtaria e zhvilluar në kohën aktuale, s’është tjërër pos e ardhmja e cila rrjedh përmes të së kaluarës.

Nga ky këndvështrim realiteti, utopia dhe iluzioni si përbërës të ekzistencës njerëzore gërshetohen pa ndërprerë. Duke konstrukuar madhështinë, pakapshmërinë dhe misteret, si determinuese të kohëve mitike dhe historike me reflekse në shqetësimet, ankthet dhe mynxyrat në jetën aktuale. Nuk ka dyshim se vizioni letrar është ngusht i lidhur me mitin, se bota imagjinative poetike qëndron dhe mbështetet në elementet e përfytyrimeve dhe shfaqjeve mitike të botës dhe ekzistencës. Shumëkuptimësia e shprehjeve figurative, metaforike, formave simbolike dhe paradigmatike, shndërrohen në tingëllima e tone të caktuara të gjuhës së lashtë mitike. Edhe në situatën aktuale të sprovave marramendëse të modernitetit, krahasimi ndërmjet diskursit poetik letrar dhe mitit është parakusht themelor në vetëdijen, ndërgjegjen dhe cilësinë e mendimit artistik dhe të mendimit të përgjithshëm njerëzor, për thellësinë dhe rrezatimet asociative të krijimtarisë mitike. Diskursi poetik letrar me petkun e vet solemn, tmerrues, ideo- estetik, filozofik dhe moral nuk mund të vështrohet dhe vlerësohet jashtë mitit të kohëve dhe hapësirave antike mitike.

Kuptimi dhe perceptimi mitik i ekzistencës së njeriut antik, dallohet në formë tejet të diferencuar nga mendimi racional i qytetërimit aktual. Kryesisht në formë të riciklimit, lidhet me përvojën e fatalitetit të jetës së individit dhe të vazhdimësisë së saj. Ky besim, apo religjion, është mbindërtuar me legjenda, kulte hyjnore dhe tokësore, rite dhe rituale që janë përcjellur përmes trashëgimisë gojore nëpër breza, duke u begatuar me forma paradigmatike e simbolike. Përmes krijimtarisë artistike, poetikat letrare, tekstet e kodeve dhe legjendave morale të religjionit monoteist, me kohë kanë marrë forma të ndryshme letrare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.