MITI I ITAKËS NË LETËRSINË E PENGUAR

Për të shpjeguar mitin e Itakës te “Letërsia e penguar” do të ndalemi te tekstet letrare të një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të kësaj letërsie dhe të “Letërsisë shqipe” në përgjithësi, Visar Zhitit

Yzedin HIMA

Miti i Itakës është një ndër mitet më të njohur në letërsi. E ndeshim edhe në “Letërsinë e penguar”, si mit të rikthimit. Miti i Itakës flet për vuajtjet e Odiseut dhe e shokëve të tij për t’u rikthyer në atdheun e tyre, në Itakë, pas Luftës së Trojës. Ndërsa në tekstet e “Letërsisë së penguar” është vuajtje e unit poetik apo personazheve të këtyre teksteve për t’u rikthyer sërish në shtëpi. Odiseu merr rrugën e kthimit detrave të Mesdheut, ndërsa uni poetik, i burgosur udhëton në kohë, në kohën e caktuar të dënimit. Koha e kthimit të Odiseut në Itakë zgjatet e zgjatet për shkak të peripecive që i dalin atij dhe miqve të tij udhës për në Itakë. Po ashtu edhe koha e rikthimit në tekstet e “Letërsisë së penguar” zgjatet e zgjatet për shkak të ridënimeve që “perënditë” i dërgojnë si rrufe herë pas herë në burgjet shqiptarë dhe godasin me to të dënuarit.

Ashtu si Odiseu përtyp farat e latofagut dhe humb kujtesën në mitin e njohur, edhe në këto tekste kemi personazhe që humbin kujtesën. Në tregimin e Fatos Lubonjës “Ahlemi” takojmë një personzh të tillë që, pasi përtypi farat e “latofagut” të propagandës gjatë leximeve të detyruara të veprave të diktatorit në burg, humbi kujtesën dhe nga një i burgosur politik, u kthye në një adhurues fanatik të diktatorit. Udha e Odiseut është plot të papritura, me rreziqe, me mungesë të ushqimit. Udha e unit poetik  të burgosur është po aq e rrezikshme, ka të papritura, biruca e ndëshkime të tjera. Odiseu humb shumë  nga miqtë e tij gjatë kthimit në Itakë, po ashtu uni poetik, personazhet e teksteve të “Letërsisë së penguar” humbin mjaft bashkëvuajtës në zgafellat e minierave të burgut.

Për të shpjeguar mitin e Itakës te “Letërsia e penguar” do të ndalemi te tekstet letrare të një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të kësaj letërsie dhe të “Letërsisë shqipe” në përgjithësi, Visar Zhitit. Teksti dhe interteksti në diskursin letrar të Visar Zhitit me temën e burgut formon një unitet letrar, ku nis dhe përfundon odiseja e rikthimit. Në tekstet e letërsisë memuaristike, në burgologji, shkrimtari tregon odisenë e tij për t’u  kthyer nga burgu në shtëpi. Po ashtu në tekstet poetikë me këtë temë, uni poetik udhëton përmes vuajtjeve mbinjerëzore, peripecive me të cilat është e mbushur koha e burgut, deri në rikthim. Nëse do të vinim “gurë kilometrikë “ midis nisjes dhe rikthimit në tekstet poetike të këtij poeti “guri i parë kilometrik” mund të qe poezia me titull “E shtuna e parë e arrestit”, ndërsa “guri i fundit kilometrik” mund të qe poezia “Duke shëtitur me Edën”. Bota e trillimit përputhet me botën e njëmendësisë thjesht në kohë; bota e trillimit: nisje ( teksti poetik “E shtuna e arrestit”) – rikthim (poezia “Duke shëtitur me Edën”).

 Bota e njëmendësisë: arrestimi në vitin 1978 dhe lirimi nga burgu pas 7 viteve. Në tekstin e poezisë “Perëndesha e mbrojtjes” kemi edhe këto vargje që tregojnë qartë atë çka ne nënvizuam më lart, odisenë e unit poetik: Oh, / mua fati më flaku larg tyre, / në ishuj vetmie u rropata si një Uliks, / kalova përmes Shillës dhe Karbës, / përmes Komitetit Ekzekutiv / dhe Komitetit të Partisë…/

Shilla dhe Kariba në epin e njohur qëndrojnë në të dy krahët e ngushticës ku kalon anija e Odiseut, njëlloj të rrezikshme për detarët. Tekstet poetikë të Visar Zhitit vizatojnë udhën  përmes kohës që kalon uni poetik, ku çasti është i trashë sa një shekull.

Ky varg tregon përmasat e udhës në kohë që do të kryejë uni poetik për të mbërritur në Itakën e tij. Edhe në tekstet e burgologjisë përshkruhet me detaje udha e poetit nga dita e arrestimit deri në ditën e kthimit në shtëpi. Në udhëtimin e tij në kohë për t’u rikthyer, krahas vuajtjeve, poeti, uni poetik përpiqet që të jetojë estetikisht në ferr, sikurse edhe artisti tjetër MaksVelo. Edhe në burg poeti duket i magjepsur, teksa emërton mjedisin e kampit me emrat e shkrimtarëve të dashur, magji që mund ta ketë shkaktuar vetëm një Çirçe, poezia: “Sheshin e madh e quajta “Dante”, kurse atë tjetrin më poshtë “Whitman”. …Plepi “NaimFrashëri”, çezmat “Burimet e Lasgushit”. Depoja e ushqimeve “Balzak”…magazine e veshjeve“XhekLondon”, infermjeria “Frojd”, zyra teknike “Franc Kafka”, kuzhina private “Zjarret e Prometeut” Natyrisht, magjepsja prishet: “Haajdee, Aaappppeeeeliiiliiiii!- u dëgjua e fortë dhe e valëzuar britma e minotaurit tellall.”

Estetizimi i ferrit, i vuajtjes është në stilin e diskursit letrar të Visar Zhitit. Nuk mund të ndalemi më gjatë në odisenë kohore të unit poetik në tekstet e Visar Zhitit. Po sjellim një fragment teksti nga poezia “Një kope delesh”, ku miti i Itakës vjen i drejtpërdrejtë nëpërmjet intertekstit: Po sikur të futeshim fshehurazi poshtë barkut tuaj, / të kapeshim pas leshit të bardhë / si pas mrekullisë, / që kur t’ju numëronte qiklopi / te porta e hekurt, / të dilnim dhe ne jashtë dhe larg, drejt lirisë? (Qafë – Bari 1983 )

Në tekstet e Visar Zhitit, në botën e trillimit, odiseja e unit poetik përfundon me rikthimin në shtëpi: Të përqafoj i menduar / dhe ti befas bëhesh ajo dredhka e blertë / nëpër trupin e lisit / dhe shkrihen trupat tanë…/ Edhe në botën e njëmendësisë poeti dhe qytetari Visar Zhiti u rikthye në shtëpi, i trishtuar për vitet që humbi në odisenë e tij. Tekstet poetikë të Visar Zhitit pas rikthimit janë të mbushur me dritë, butësi. Humanizmi është materiali që nyjëton tekstet poetike të shkruara edhe në qelinë e tmerrshme të Kuksit, edhe në burgjet e Spaçit dhe Qafë – Barit dhe pas rikthimit: Dhe kur gjysma ha gjysmën / s’mbetet e tëra, / më tha një plak që u plak burgjeve. /(8.03.1985) Në tekstin e një poezie, pas rikthimit, ai shkruan: Kam frikë nga lumturia, / prandaj dal natën nëpër shi, / dua që këpucët të më futin, jo vëtëm ujë, / por edhe mendime të turbullta. / Ti, shpirti im, / e bukura ime me sy të mëdhenj / si frika e errët e burgut / mos u tremb kur bërtas / për dhuratën e festës që solle në shtëpi, / s’po grindem për çmimet, por / ta lëkund lumturinë dua / si një karusel të rrezikshëm. / Siç shihet edhe nga ky tekst rikthimi i unit poetik është i qartë, i plotë dhe domethënës. Ai u kthye në Itakën e tij, natyrisht me të gjitha shenjat që i lë udha e përshkruar gjatë atyre viteve që u end në kohë me dëshirën për t’u kthyer.

Poeti Frederik Rreshpja në tekstet e tij poetikë më së miri ka realizuar destruksionin e mitit të Itakës. Uni i tij poetik nuk i beson Itakës në botën e trillimit artistik, sikurse poeti Frederik Rreshpja nuk i beson Itakës në botën e njëmendësisë. Sikurse kemi nënvizuar edhe më lart, poeti Frederik Rreshpja nuk u rikthye. Edhe uni poetik në tekstet e poezisë së tij nuk rikthehet në shtëpi. Itaka për unin poetik është sajim, ajo nuk ekziston. Frederik Rreshpja nuk e përmend pothuajse fare burgun në tekstet e tij poetikë, siç kemi nënvizuar edhe më lart. Në poezinë e tij ka një odise të vetme, odiseja estetike. Uni poetik udhëton në gjuhë. Të gjitha peripecitë i ndesh aty. Edhe magjepsjen e ka po nga gjuha. Në librin e tij poetik “Erdhi ora të vdes përsëri”, cikli i parë titullohet “Nuk jam një Odise i shpikur” Më pas kemi poezinë “Ulisiada” në tekstin e të cilës miti i Itakës destruktohet si një mit që fsheh të vërtetën, dhe ngrihet mbi gënjeshtrën. Janë katër pyetje retorike që thyejnë mitin e mallkimit të Odisesë, apo Ulisit, i cili endet detrave jo për t’u kthyer në Itakë, por në kërkim të Trojave të tjera, pikërisht për t’i shkatërruar ato: Cili Poseidontë ka mallkuar? Cila perëndi deti? Nga cili ankth ujrash dole? Cilën Trojë kërkon të shkatërrosh tani?/ Ihitiozaur i mallkuar! / Sa shfaqesh në horizont / Dëgjojmë galopin e drurit që ëndërronte /  krime… /

Në këtë tekst miti i endjes së Odiseut nëpër detra për t’u kthyer në shtëpi bie. Odiseu thirret me emrin e një peshku prehistorik monstër, ihitiozaur. Poezia përfundon me tre pyetje të tjera retorike dhe një konkluzion, ku Odiseu vizatohet si një shpifës: “Cili Polifem banon këtu? /  Po atje? / Kush i hëngri detarët e mi?” / Shekuj të tërë ke shpifur për gjigandët e botës. /

Poeti Frederik Rreshpjabeson te udhëtimi, te ikja, por nuk beson te rikthimi, nuk beson te Itaka si shenjë e intertekstit, por beson te Itaka që ka shpikur vetë, një atdhe poetik të krijuar nga ai, sipas shijeve personale dhe preferencës së njohur për vetmi. Përdorimi i fjalës ishull në vargun se kam nevojë për ishuj do të thotë se uni poetik kërkon ishullin si veçim, si vetmi: Zot, jam tmerrësisht i vonuar! / Tani duhet të isha diku përtej shiut. /… Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është, / Por nuk jam një Odise i shpikur. / Eh, Itakën time e kam shpikur vetë, / Se kam nevojë për ishuj. YzedinHima/

Më poshtë, në strofën e fundit sqarohet se udhëtimi i unit poetik ndodh, jo në kërkim të Itakës së të gjithëve, por në kërkim të Itakës së unit poetik, Itakës së krijuar nga ai vetë, vetmisë: Më vështron me sytë prej uji, / Te dritarja, fëmija lakuriq. / Bien itakat e legjendave, / Pas bregut madhështor të vetmisë. /

Dimesioni që uni poetik i jep vetmisë në këtë varg tregon se Itaka e tij, bregu madhështor i vetmisë, është atdheu ideal. Udhëtimi i unit poetik është një udhëtim në kohë, në një kohë të pakufizuar si kohë burgu, si kohë dënimi, por ai udhëton nëpër kohë për t’u larguar nga kjo kohë, të cilën e quan të padenjë për t’u jetuar, kohë të padenjë për t’u kënduar. Homeri qe i madh se jetoi një kohë të madhe, me heronj të vërtetë. Në tekstin e poezisë “Shtëpia e këngës” thuhet: … Por koha jonë ka Kuaj Prej Druri, / Koha jonë nuk ka Iliadë / Ç’të këndojmë iliada të stisura? C’të këndojmë Akilët e gënjeshtërt? Homerin e bënë heronjtë, / Homerin nuk e bëri talenti./

Udhëtimi i unit poetik është në kohë dhe në hapësirë. Hëna është shenjë në tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes. Janë të pakta tekstet poetikë ku mungon fjala hënë. Hëna si mit zanafillor është ishulli i vetmisë së unit poetik, është bregu madhështor i vetmisë. Po pse hëna? Mendojmë se hëna përdoret si shenjë e refuzimit të tokës, si refuzim diellit apo dritës së fortë. Pothuajse në të gjitha tekstet poetikë të Frederik Rreshpjes, siç kemi nënvizuar edhe më lart, mungon fare fjala diell dhe është e pranishme mjaft shpesh fjala hënë: Hëna e artë mesdhetare / Vijnë ciganët me daulle dhe me hënë/ Hëna mbi lumë vizaton /  Hënëzat që hëngrën dhëntë e vjeshtës / Ti erdhe nëpër udhën e hënës / Kasolle prej hëne! Tutje shtrihet hëna / Ndoshta shkallët e kësaj nate deri te hëna / Tani te hëna shkoj i vetëm / Rreth drurëve të galvanizuar me hënë /, Hëna po shuhet në pëllëmbët e gjetheve / Do të shkoj të rri pranë zjarrit të hënës / Një hënëz argjendi e larë me flori / Me një qiri hëne në dorë /,Hëna ikën nëpër mjegulla / Tingulli i këmbanës si gjëmim hëne / Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,/ Hëna hidhet flokëlëshuar katarakteve / Për llambadhën e shuar të hënë, / Hëna e shuar nga shiu/ etj. etj.

Përdorimi kaq i shpeshtë i fjalës hënë krijon një mit të hënës  në poezinë e Frederik Rreshpjes. Në një nga tekstet e poezisë uni poetik e konsideron hënën të vetmin ishull të denjë dhe të vërtetë vetmie, ku mund të gjejë prehje për shpirtin e tij. Në fragmentin e tekstit që vijon pohohet qartësisht ajo që nënvizuam më lart, moskthimi. Uni poetik shpjegon këtë moskthim si mungesë besimi a humbje e besimit te të gjithë brigjet e kthimit: …Tani jam bir i ajrit si në ditën e parë të botës, / I mallkuar në mënyrë biblike. / Jo nuk ka Itakë në këtë botë. / Tani jam bir i hënës, tërë ishujt e tjerë janë të rremë. / Shpirtrat e ujit të shtyrë nga dhembja / Vështrojnë që prapa shirave, / Po unë s’kam për t’u kthyer më kurrë; / Më kurrë nuk kam besim në asnjë breg. / Udhëtimi i iunit poetik në botën e trillimit artistik, në një kohë tjetër nga jona, në një kohë prej gjuhe, ndodhi. Rikthimi i unit poetik gjithashtu ndodhi, si rikthim prej gjuhe, në trajtën e këtyre tekste të pazakontë poetikë të Frederik Rreshpjes, ku fjala hënë është edhe shenjues në tekstet e tij, si e kuqja e Onufrit te pikturat e tij.

Destruksioni i mitit të Itakës në tekstet e poezisë së Frederik Rreshpjes, për mendimin tonë, është rrjedhojë e koncepteve që ka poeti për botën, individin dhe fatin e tij. Rikthimin ai e sheh si ndryshim të rrjedhës së fatit me dhunë nga individi, gjë që ai nuk e beson dhe nuk i pëlqen të ndodhë. Rrjedha e fatit për të është një proces i pandryshueshëm, i paracaktuar dhe i pakorrigjueshëm( ose i padhunueshëm ). Në tekstin e poezisë së tij “Testament” dallojmë qartë rrjedhën e fatit të unit poetik, të cilën ai ( uni poetik) nuk ia uron askujt, kur pas çdo strofe përdor vargun: Mos e pastë njeri këtë fat! Që nga fëmijëria, rinia, e deri në fund uni poetik ka qënë i mallkuar me art, që do të thotë se kishte një perceptim krejt origjinal për botën, gjë që e pengonte të jetonte normalisht si të gjithë njerëzit e tjerë normal. Mallkimi me art është për unin poetik, me sa kuptojmë ne, mungesa e pragmatizmit, gjë që në këtë shoqëri shihet si anormalitet. Në tekst pohohet se kjo natyrë e unit poetik gjatë udhës së tij mbeti e pandryshueshme, e pamodifikueshme që nga fëmijëria, rinia e burrëria e tij.

Fëmijëria: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur / I mallkuar me art. / Gjërat i shihja ndryshe: / Nëpër shirat e vdekur Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet. / Në vend të borës binin zogj në çdo dru. / Era si ketër brente degët. / Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime! / Mos e pastë njeri këtë fat! /

Rinia: Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave / Pastaj erdhe ti tërë ikje. / Më  vonë vije vetëm në ëndërra, si perënditë ilire / Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë, /

I mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!

Burrëria (pleqëri nuk pati ): Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka, / dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes / Të më ndjekë mallkimi i artit. / Mos e pastë njeri këtë fat! Pasvdekja: Po ku të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe, / Se unë kam patur miqësi me çdo dru. / Në stinët kur bien gjethet do bien sytë e mi. / Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi. / Mos e pastë njeri këtë fat! /

Siç shihet, pas vdekjes ka një rikthim të unit poetik, një rikthim në formën e gjetheve, në formën e shiut. Sikurse thuhet dhe tekste të tjerë të Frederik Rreshpjes uni poetik shndërrohet  në vjeshtë, shndërrohet në dimër, shndërrohet në natyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.