MONUMENTET E FUNDIT TË JUGOSLLAVISË

Josip Broz Tito parashikoi një mit të ri të stilit sovjetik për Jugosllavinë – një mit i rrënjosur në utopizmin futurist…

Christopher LINFORTH

Asgjësimi i “spomenikëve” filloi pak më shumë se një dekadë pas vdekjes së Mareshalit Tito në vitin 1980. Presidenti i Jugosllavisë kishte porositur ndërtimin e këtyre monumenteve të epokës së hapësirës pas pushtimit brutal të atdheut të tij nga Boshti. Tito parashikoi një mit të ri të stilit sovjetik për Jugosllavinë – një mit i rrënjosur në utopizmin futurist. Përqafimi i kësaj estetike, ndoshta të pazakontë për dikë të lindur në fshatin e vogël të Kumrovecit, ndihmoi përpjekjen e tij prej dekadash për të bashkuar popullin e tij. Duke përdorur parimet brutaliste të dizajnit, arkitektët e Titos përkujtuan të vdekurit e Republikës federale socialiste dhe ata që luftuan pushtimin: ushtrinë e tij partizane.

Përgjatë tridhjetë vjetësh, mijëra prej këtyre “spomenikëve” të mëdhenj të betonit u shfaqën nëpër peizazhin jugosllav. Të ndërtuara shpesh në vende të largëta, në vende beteje ose në vende të heroizmit patriotik, këto monumente i zbehën rrethinat e tyre. Në Republikën Sërpska të sotme, Monumenti i Betejës së Sutjeskës në Tjentishte ndodhet në një luginë të gjelbër të këndshme, e vizituar herë pas here nga nxënës shkollash dhe alpinistë me fytyrë të mërzitur që kërkojnë të pushtojnë majën e afërt të Snijezhnicas. Krahët e dyfishtë të dhëmbëzuar të këtij “spomeniku”, secili rreth nëntëmbëdhjetë metra i lartë, ngjajnë me një copë gjigande guri gëlqeror të shtresuar të ndarë në dysh. Brenda fasadës së derdhur të betonit shtrihet një strukturë e padukshme e armaturës në formë kagjeli.

Jo shumë larg në formën tjetër të entitizuar të Bosnjë-Hercegovinës, mbetjet skeletore të një “spomenikut” tjetër ulen në majë të malit Makljen. Monumenti i betejës për të plagosurit (nganjëherë i njohur si Grushti) përkujton ushtarët partizanë që mbronin kalimin malor nga trupat e Boshtit. Grushti abstrakt i bllokuar u ngrit në një lartësi prej katërmbëdhjetë metrash dhe u lye me të bardhë – një simbol i kundërshtimit kundër pushtimit fashist. Dekada më vonë, në vitin 2000, vandalët vendas i vunë dinamitin “spomenik-ut”; ata shpërthyen predhën e betonit dhe lanë vetëm një platformë me armaturë që digjej.

Në sytë e shumë njerëzve, shkëlqimi i realizmit socialist utopik të Titos u zbeh në mënyrë dramatike gjatë luftërave jugosllave. Thirrja tubuese e një shteti të vetëm sllav ndihej e zbrazët, e pakuptimtë, me kaq shumë të vdekur. Dhe “spomenikët” ishin një kujtesë e unitetit të rremë të së kaluarës. Në të vërtetë, mendjemadhësia e këtyre monumenteve ishte qartësisht e dukshme. Luftërat ringjallën fraksionet historike të Ballkanit – serbët, kroatët, kosovarët, maqedonasit, boshnjakët, sllovenët, malazezët – për të ngritur përsëri inatet e së kaluarës dhe spektrin e nacionalizmit të përgjakshëm. Në buzët e qytetarëve të kësaj republike të shpërbërë ishin vendet e vdekjes masive dhe të spastrimit etnik: Batajnica, Vukovari, Bihaqi, Srebrenica.

Gjatë viteve 1990 dhe 2000, qindra “spomenikë” u vandalizuan, ose u shkatërruan, ose u lanë të shkërmoqen. Vizitoni Koshuten, Dërvarin ose Kamenskan për të parë pllakat e betonit të thyer të shpërndara nëpër peizazh. Grafitet shumëngjyrëshe janë e vetmja shenjë që njerëzit ende i vizitojnë këto zona. Në vende të tjera, disa “spomenikë” janë zëvendësuar me kisha ose monumente të reja që dokumentojnë viktimat e luftërave. Pllakat në këto monumente të reja shpesh rishikojnë pakënaqësitë e ish-Jugosllavisë. Trauma e pazgjidhur shfaqet plotësisht.

Vitet e fundit, ka pasur një interes në mbarë botën për “spomenikët” më të famshëm, siç është monumenti i stilizuar me krahë në Podgariç, një memorial i një rebelimi vendas kundër ustashëve fashist. Njëkohësisht, brenda ish-Jugosllavisë, një dashuri në rritje për republikën mund të shihet në kafe-baret moderne, ekspozitat e artit, madje edhe në televizionet e realitetit. Titostalgjia bazohet në një pamje rozë të dashamirësisë së Titos: ëndrra e tij futuriste për një Jugosllavi largpamëse dhe të fuqishme. Brezat e rinj kanë filluar të vlerësojnë jetën dhe veprën e tij; ata imagjinojnë një epokë të artë të kohërave më të mira dhe kur njerëzit thoshin “vëllazërim dhe bashkim” pa një ndjenjë ironie.

“Spomenikët” flasin për këta ëndërrimtarë. Këto monumente të fundit tregojnë rrugën drejt pajtimit: një e ardhme për të gjithë ata. (worldliteraturetoday.org)

(Nga anglishtja Fitim Nuhiu)

Leave a Reply

Your email address will not be published.