Poezia, si art, mbetet frymë, mbetet palcë dhe për një komb mbetet ëndërr nga ku ngjizet e ardhmja
Rei F. HODO
Nëse çfarëdolloj gjëje mund të jetë aksidentalisht një shkak i mundshëm shprese ose frike, tek uni i L. Radit ato janë padyshim shkak i dëshirës për liri, për vetëbesim dhe universalitet. Ndërsa mund të kalosh ndër duar veprën “Poetika”, në përmbajtje të së cilës gjenden “Muret e muzgut”, “Shpresa vdes e fundit” dhe “Anzave të Sharrit”, do të mund të përballesh me një njeri të veçantë, me një krijesë, një qenie që ngjashmërisht nuk është dhe nuk mund të jetë e njëllojtë me asnjë tjetër sepse mbetet vetvetja, ajo çka është palcë humane. Autori e fton lexuesin nëpërmjet vargjeve të tij të bëhet pjesë e një sfondi muzikaliteti të pashoqë, të nxitur nga dëshira e jetës, e lirisë dhe e dijes. Ngase është Kant ai që na bind se “Vetëm prej një edukimi të shëndoshë lind çdo e mirë në botë. Kurrë nuk duhet t’i edukojmë fëmijët në funksion të nivelit të tanishëm, po në funksion të gjendjes eventualisht më të mirë të mundshme për humanitetin, domethënë se duhet mbajtur parasysh ideja e humanitetit dhe e fatit të tij universal.”
Tek L. Radi gjen të jetëzuara më së miri fjalët e A. Pipës, sipas të cilit “Kanë prangosur trupin tim por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.” Në këtë moment, na vjen në ndihmë vetë poeti ku nën lëkurën e një kalorësi ai tenton horizontin: “Kalorës i Jetës,/ kalorës i jetës,/ vraponte qiejve/ me kalin e shpresës”. Lazër Radi guxon të thyejë lëvozhgën e mendimit të tij, guxon të nisë fluturim këtë mendim.
Së dyti, në gjithë atë çfarë përfaqëson, poeti, fillimisht, vepron dhe më tej mendon. E bën këtë duke e parë mendimin as më pak e as më shumë si pasardhësen e veprimit. Thënë ndryshe, e sheh mendimin si vendosjen e reales në horizontin e së mundshmes. Kjo, më së miri duket në vargjet si vijojnë: “Andrram’shtynte përpara/ guri n’shpirtm’randonte,/ njomza ma mbronte dëshpërimin/ e ura më kalonte ku s’mundja. Gjithashtu, gjurmë të parashtrimit të sipërshënuar mund të gjejmë edhe tek vargjet e mëtejme: “Jo, s’ishin gjurmët e kambve të mia,/ gjurma mendimesh ishin/ i lexonin veç dallgët/ e nji për nji thellësive/ ua nisnin… .
Në debatin midis vetes dhe së vërtetës, poeti ia del të fitojë atë. E arrin duke e parë dhe pranuar atë para së gjithash si personale, si të tijën, duke e konsideruar si fitore të një personi njerëzor, si njerëzore. E poeti na mëson se “Kjo kala s’ka m’urrzue kurrë:/ e mbajnë gurtë lidhë në besë/ e mbajnë kreshtat rrokë për qiell/ e mban shpirti kallë n’shpresë/ e mban stralli zjarr nën shtresë… duke vijuar për ta betonizuar të vërtetën e tij në këto vargje: “Ngjeshë mbas kalasë,/ qëndroni si shkamb ngulë,/ kohnat as mënxyrat/ s’mbrrijnë dot me e zhgulë.E mbi të gjitha duhet kuptuar se e vërteta njerëzore është e vërteta e një vlere, e vërteta njerëzore është një tërësi harmonike e çdo vlere.
Lazër Radi poet e më së pari njeri, nuk mjaftohet vetëm duke jetuar, por ngjeshet pas arsyes më të lartë, ndërgjegjes më të lartë për të zotëruar kuptimin e jetës duke, paraprakisht, e pranuar se është e denjë për t’u jetuar e më pas për të përcaktuar vlerën e saj. E në këto hudhì, poeti shprehet: “e s’di,/ ma parë m’duhet me lindë,/ apo të vdes.” (fq.43). Në shëtitjen nëpër vargje mund të krijosh udhë të gjata, udhë të cilat duket se shërbejnë si copëza për atë, universalen, për shpirtin, për rezultantet e veprimit në jetë. L. Radi na shprehet se “Eci në bregun e zbraztë/ pa e dijtëç’kërkoj/ në bregun e zbraztë/ ku andrra e gjurmë,/ n’ranë flenë bashkë… .” (fq. 44). E në jo pak raste, poeti gjen fuqinë t’i drejtohet dhe me shpresë të marrë përgjigje prej Zotit duke iu lutur: “O zot, o na merr/ kështu mos na len gjallë.” (fq. 46).
Sipas Visar Zhitit, “poezitë janë një mozaik i bukur, tronditës, nën baltën e kohës që iku.” Ato nuk mbeten vetëm kaq. Ato kanë unin e poetit si shëmbëlltyrë të çdo vargu, mbështeten fort pas njëri-tjetrit dhe ia dalin të krijojnë jo një por disa dhjetëra nyje pazgjidhshmërisht të zgjidhshme.
Poezia, si art, mbetet frymë, mbetet palcë dhe për një komb mbetet ëndërr nga ku ngjizet e ardhmja. Sikurse edhe vetë poeti, në fragmentin “Lindi kombi” parashtron krijimin e një jete të re duke e vendosur ngjarjen midis harmonisë, valles, melodisë e këngës së rapsodit mbi lahutë, në poezinë e tij, Lazër Radi krijon një komb të ri, kombin që del prej dhimbjes që “me vesë mëngjesi ndër grushte,/ me flakë rrezesh n’zemër/ muret e muzgut i çava.” Lazër Radi ia del ta mundë shtypjen, ia del të kremtojë mbi të fitoren e tij, fitoret e tij e duke i bekuar këto të fundit, ai arrin edhe tek hyjnorja.