MUSINE KOKALARI: GRUAJA

Me ligjërimin e veçantë dhe konceptin origjinal të vënies së rrëfimit në shtratin real të gruas, vepra e Musines dëshmon fuqinë e reagimit ndaj përdhunimit shpirtëror e psikik të qenies grua

Blerina Rogova GAXHA

Historia letrare na kujton pozitën e derivonshme të gruas në letërsi – një inspiruese, rrallë edhe krijuese. Kohërat kanë ndryshuar dhe zëri i gruas është shndërruar në zë që dëgjohet – zëra të dëshirave, ëndrrave dhe ideve. Një nga këta zëra është edhe ai i Musine Kokalarit, gruas që hyri plot pasion në letërsinë shqipe, asaj që i ra hise të kalojë nëpër purgator e të banojë në ferrin e ideologjisë komuniste, e kthyer 100 vjet më vonë, e nderuar si gruaja e veçantë e historisë së letrave shqipe. Sot flasim për autoren që shkroi në moshë të re, por nuk iu përshtat njeriut dhe jetës së re, meqë ishte “e vjetër” për hartën e re të kulturës shqiptare, e ‘ndotur’ politikisht në kohën kur nuk kish jetë politike; shkrimtaren dhe intelektualen e etiketuar ‘me njollë’ e cila eci shkurt nëpër aventurën e shkrimit duke u imponuar të njohë trajtën më të egër të jetës nën diktaturë, provuar pelimin e harresës, arratisjen nga bota duke qenë brenda saj, e lënë gjallë duke u vrarë.

Kam vënë në titull të këtij leximi emrin ‘gruaja’ si kujtim për jetën e vrarë pandreqshëm të gruas dhe autores që shkroi për jetën e vrarë të gruas shqiptare. Një kujtim ndaj gruas që luftoi fort për lirinë individuale dhe ishte kjo luftë që ia mori më pas tagrin mbi jetën. I kam vënë emrin Gruaja- duke iu referuar subjektit grua si qenie njerëzore e jo si seks femëror; gruaja – duke e parë atë ekuivalente me autorët që janë burra. Ndaj, edhe në këtë kujtim për të dua të flas për botën në të cilën ajo ka rrnuar, dëshiruar e shkruar në letra- për botën e gruas.

Gruaja 

Në tre titujt e biografisë letrare të Musine Kokalarit, dy nga këta, Siç më thotë nënua plakë (1939) dhe Sa u tunt jeta (1944) vënë në qendër gruan, duke e ndjekur kështu fillin e rrugës së letrave që e kërkon universin e gruas. Duke e bërë objekt botën e saj, meqë Subjekti/autorja është  vetë grua, loja e jetës luhet në këtë univers, me theksin e vënë mbi njerëzoren, dhe mbi vetë atë. Nisur e ecur në këtë udhë, letërsia e saj bëhet thirrje e qenies së gruas për gruan, por thirrje nga brenda për kuptime përtej kufijve normativ. Emri Musine na jep emrin e shkrimtares e cila brenda natyrës së vet e afirmon letërsinë për gruan, tek jep shenja të forta të kësaj poetike, duke e bërë këtë shenjë identitet të letrave të saj.

Ato – Protagonistet gra flasin në këtë prozë, ato janë zërat që rrëfejnë dhe kërkojnë veshë që i dëgjojnë. Ato janë zërat e humbur nëpër kohë, zërat e historive të humbura që kthehen të kumtojnë. Zëra që shkëpusin fragmente nga jeta, duke shkëputur kështu një copë historie nga historia e një qytetërimi. Po qysh duken këto karaktere e ç‘fytyra kanë?

Gruaja e fortë, rebele, ambicioze, ajo e cila ngritët kundër normave dhe mbron veten, gratë që  dinë se çka duan-, jo, të tilla nuk ka te Kokalari. Të gjitha janë të nënshtruara forcës së të tjerëve. Ato nuk janë heroina të jetës së tyre – por viktima të saj. Personazhet e Kokalarit janë pjesë e një shoqërie patriarkale, asaj shoqërie në të cilën filozofja dhe feministja Simone de Boauvoir e gjen gruan të perceptuar si ‘tjetri”, e dyta pas mashkullit, që konsiderohet e trajtohet si “i pari”, kategorizuar në “gjininë e përkryer’ dhe ‘gjininë inferiore” (The Secondsex, 1949). Pa dashur të hyjmë terrenit të feminizmit, por lidhur me konceptin e gruas dhe pozitës që ajo zë në këtë tekst letrar, ekzistenca e së cilës është e varur nga seksi i parë, mashkulli, që përherë ruan primatin. E gjithë vepra e Kokalarit i referohet një ambienti- Gjirokastrës. Duke qenë protagoniste të dala nga një ambient konkret, si pjesë e tërësisë së sociumit patriarkal shqiptar, gruaja e Musines jep ngjyrat e gruas së kohës dhe përtej. Heroinave të tregimeve, u mësohet se çfarë duhet të jenë në jetë; çfarë role guxojnë ose nuk guxojnë t’i kenë. Duke  qenë e shkelur, protagonistja, është njeriu që e mëson që herët historinë personale “ashtu siç ia kanë shkruar”, e mbi këtë mësim duhet të plotësojë planprogramin. Një jetë që nis e sos sipas një plani. E lidhur fort për traditën, pa guxuar ta ëndërrojë ikjen, gruaja e Musines është e mbyllur, e vrarë, mos me thanë, e vdekur e gjallë. Por kjo nuk e pengon autoren që të krijojë një letërsi në të cilën gruaja është në qendër-  edhe kur vuan, edhe kur vajton, edhe kur ankon.

Rrëfimi kap situatat e gjendjet e protagonistëve – konfiguracion që di të marrë përmasa dramatike. Përplasja ndërmjet brezave apo statuseve sociale të gruas çon në zhvillime të dramave, të cilat nuk e kërkojnë efektin e tragjikes, por dalin si pamje e jetës duke prekur fundamentalisht raportet e ndërmjetmëve të protagonisteve. Plakat, nënat, gjyshet, mbesat, nuset, vjehrrat, kunatat e fqinjtë; breza të vjetër, breza të rinj; gra që grinden e luftojnë, dhe gra gardiane të ‘faqes së bardhë’ ushqehen në këtë përditshmëri, ku ushqehen edhe figurat që firmojnë kontratat legale si fejesa e martesa.

Duke e bërë gruan referencë fundamentale të prozës së saj, autorja na kumton se nuk mund t’i rrijë indiferente jetës nëpër të cilën ka kaluar femra shqiptare, presionit mbi të, qenien e shtypur e të traumatizuar, qenien që i vret dëshirat e veta, e përulur karshi sistemit të normave etike e morale. Nuk mund t’i rrijë indiferente fatit të saj, që gjithnjë mbajti veshur rolet sociale, pa guxuar kurrë të zhvishet e të jetë vetëm vetja. Një grua individuale është e pamjaftueshme dhe e papranueshme si e tillë.Në këto koordinata autorja vë relacionin mes individit dhe shoqërisë, duke e hedhur shikimin nga realiteti social në Shqipëri. Dimensioni social prek prozën e saj, dhe është ky brumë që e motivon. E familjarizuar me mendësinë shqiptare e njohur pushtetin e saj, me shkathtësi ia zbulon fytyrën, tek e krijon dhe rikrijon brenda faqeve. Me femrën e ndodhur në kufijtë e moralit dhe ekzistencës, autorja e letrarizon këtë univers me shkëputjen e copëzave jete nga jeta e bashkësisë; copëzat bëhen pjesë e lojës letrare qoftë si kujtesë personale, si kujtesë publike, qoftë si kujtesë nga një kohë tjetër, duke e shndërruar jetën e tyre në  kujtesë artistike. Kësisoj, Kokalari lojën në letërsi e bën me fenomene që e përfaqësojnë jetën, pa e shkruar historinë e një gruaje të vetme, po nën ombrellën e kryetemës, skema e ndërtuar ruan ndjeshmërinë për të shkuarën, për të atëhershëm dhe përtej kësaj kohe, fokusuar në qenien e Asaj/Atyre, si atmosferë permanente e prozës. Socialiteti që përshkon prozën e Musines, e bën autoren një rebele, rebele që nuk afishon por si zonjë butë thërret në emër të jetës dhe shpirtit të lirë. Një rebele që thërret për gruan e vetëmjaftueshme.

Bota psikologjike- E angazhuar në trajtimin e temës sociale, e fokusuar në shtrimin e rrëfimit në një ambient, Kokalari ngacmohet të gërmojë më thellë, kureshtare të njohë psikën e qenies që e bën objekt letrar. Nëse identiteti i gruas si gjini femërore formohet socialisht, cila është intima e saj, si mendje e emocion? Ndërtimi i karaktereve në tregime dhe roman rrjedh edhe mbi shtratin e botës psikologjike. Kokalari protagonistët i zë kalimthi edhe aty në dhomën e fshehtë të mendjes. Aty ku e zë vetëm. Aty ku gruaja hedh e mbjell farat e dëshirave e të imagjinatës. E interesuar në temën sociale, autorja eksploron në ato rrethana për të zbuluar psikologjinë e saj, për t’i esencializuar karakteret, e rrnuar qoftë edhe për pak në botën që fsheh. 

Në këtë botë psikologjike, vështron dhe zbulon proza e Musines, për ta gjetur gruan në  burgun e saj si fat, mentalitet e realitet, në provën e fuqishme kundër jetës së munguar dhe zhveshjes së qenies nga vlerat individuale. Me ligjërimin e veçantë dhe konceptin origjinal të vënies së rrëfimit në shtratin real të gruas, vepra e Musines dëshmon fuqinë e reagimit ndaj përdhunimit shpirtëror e psikik të qenies grua. Një poetikë e letrave që buron e sos në “seksin e dytë”.Po t’i referohemi idesë së ekzistencialistëve për lirinë individuale, i bie që këto protagoniste rrojnë në atë që quhet “fat i keq”, nën ombrellën e të cilit qeniet lejojnë të drejtohen nga identitete të jashtme. Kësisoj, fakti i të çuarit të jetës pa fuqinë e vendimmarrjes nuk reprezenton veten e tyre reale. Në të kundërtën e kësaj vetvete, përfaqësojnë veten e imponuar. Prandaj,  kërkimi i “lirisë radikale” sipas leksikut të kësaj filozofie, është i paimagjinueshëm për gruan e Musines. Kjo grua, pjesë e një konteksti dhe një kulture, e detyruar të luajë rolet e përcaktuara nga të tjerët, e ka të vrarë sensin e lirisë dhe autenticitetin.

Para e mbi gjithçka, ajo duhet të mësojë “qysh me rrnue me faqe të bardhë”! Fjali kjo e cila akoma zë primatin e këshillave prindërore në edukimin e vajzave shqiptare. Kjo është ideja themelore e Kokalarit në tekstet për gruan, dhe kërkesat e saj si kërkesa idesh, pretendojnë ikjen nga normat, konvencat, ikjen drejt lirisë individuale. Në komentin autorial Duke mbaruar, vënë pasthënie e prozës Sa u tunt jeta, lidh kohën e vet me kohën e rrëfimit, duke lansuar idenë e një lidhje tjetër të gruas me botën, një marrëdhënie e re në një kohë të re, me të drejtën e lirisë si autonomi: “Gruaja sot, nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë për të drejtën që ka, si pjesë e pandarë e saj që është”, shkruan Kokalari.

Analizë ontologjike e ekzistencës njerëzore – A ishte i saji fat i mirë që ajo iku rrugës së kërkimit të lirisë individuale, apo fati i keq që Musine Kokalari duke qenë pjesë e një kulture të caktuar, e një kohe dhe konteksti historik thithi shumë nga liria absolute pa e matë edhe peshën e kësaj lirie. Në këtë fat të keq, ajo u ndodh përkarshi ideologjisë dhe armës politike që e goditi fort. Dhe po kaq fort ia goditi lirinë.

Musineja jetoi, provoi e shkroi shkurt në letërsi; shkroi duke njohur së brendshmi natyrën e vet si grua, me intencën e ballafaqimit të kësaj qenieje, njohjen, banimin me të dhe luftën e përbashkët në botën e vështirë. Një zë gruaje si esencë e qenies së saj, rebelues në jetë e në letra.

P.S.

Poshtëshënimet për shkaqe teknike janë mënjanuar

Leave a Reply

Your email address will not be published.