Petrit Çarkaxhiu, prijës i bendit JERICHO
Kënga “Nëntori i ftohte” flet, ndër të tjera,edhe për tradhtinë e ndjenjave, paaftësisë për t’u realizuar si shoqëri funksionale dhe në të njëjtën kohë përkujtues dhe ftesë që të bëhemi pjesë aktive në ndërtimin e një të ardhme më të mirë
Intervistoi: Shkëlzen HALIMI
JERICHO është një nga rok grupet më të veçanta në hapësirat shqiptare, sidomos për shkak të kombinimit të rokut me elemente të folklorit shqiptar, që këngët e këtij bendi të shndërrohet në kult-këngë. “Fajtori” kryesor për këto prurje në rokun shqiptar është Petrit Çarkaxhiu, prijësi i bendit, që u dëshmua jo vetëm si kompozitor i suksesshëm, por edhe si autor tekstesh mjaftë interesante. Sot çdo këngë JERICHO-s pritet me interesim të jashtëzakonshëm, duke e marrë apriori epitetin HIT. Në intervistën për revistën elektronike HEJZA, Petriti, ndër të tjera potencon se muzikën mund ta përshkruajmë edhe si komunikim të shpirtrave.
HEJZA: Antonin Artaud ka thënë se muzika është i vetmi vend ku bashkohen abstraktja me konkreten, ndërkaq Claude Levi-Strauss se muzika është një makinë për të mposhtur kohën. Cili është përkufizimi Juaj për muzikën ose ku qëndron magjia e saj që sa herë e dëgjojmë, na bën ndryshe të ndjehemi?
P. ÇARKAXHIU: Është mjaft e vështirë të jepet një definicion për muzikën, mirëpo ne mund të përshkruajmë ndjesitë që muzika na jep, dhe po,është pikërisht ashtu siç edhe e përshkruat në pyetjen e juaj, është diçka me të vërtetë magjike, diçka që mund të na gëzojë, të na mahnit apo edhe të na bën të bashkëndjejmë me ndjenjat, të cilat nëpërmjet muzikës ka shprehur autori apo edhe diçka që ne e gjejmë te vetja, e që është e ngjashme me atë që shpreh autori. Pra, muzikën në njëfarë mënyre mund ta përshkruajmë edhe si komunikim i shpirtrave.
HEJZ: JERICHO padyshim se është një grup i veçantë në skenën muzikore shqiptare. Çka e bën veçantinë tuaj që të konsideroheni si një nga prurjet më të mira në rok muzikën shqiptare në këto 20 vitet e fundit?
P. ÇARKAXHIU:Faleminderit për vlerësimin. Besoj qëështë kombinim i shumë faktorëve, duke filluar prej pasionit ndaj muzikës e ndaj artit në përgjithësi, pasionit për të kombinuar rockun me elementet e muzikës folklorike, si dhe kujdesi ndaj fjalëve në tekstet e këngëve. Të gjitha këngët, pa përjashtim, janë punuar me kujdes dhe me vëmendje të madhe ndaj detajeve edhe më të vogla, sidomos me rastin e orkestrimit dhe ajo që përfundimisht e jep forcën, një kujdes të madh gjate procesit të regjistrimit dhe produksionit në studio.
HEJZA: Bindja jonë është se ju, të themi kushtimisht, shpërthyet me këngën “Tomlin e nanës”, që ishte një lloj proteste kundër shoqërisë. Atëbotë, Ju do të keni vërejtur se me shoqërinë shqiptare, sidomos në Kosovë, nuk ishte diçka në rregull. Një këngë, mesazh i së cilës është aktual edhe sot e kësaj dite. Ishte një realizim perfekt, përkatësisht një shkrirje e tekstit me muzikën?
P. ÇARKAXHIU:Teksti i këngës “Tomlin e nanës” është një tekst që u inspirua nga një poezi e Ali Podrimjes me titull “Litari i ankthit”. Debati që dominon skenën e diskutimeve intelektuale mbi atë se a i takojnë shqiptarët qytetërimit perëndimor apo lindor, apo më mirë thënë sa janë ndikimet e qytetërimeve përkatëse, vazhdon të jete aktual qe një kohë të gjatë, mirëpo në kohën kur u realizua “Tomlin e nanës” në mediat tona ky diskutim ishte shumë intensiv, sidomos me debatin në mes të Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes. Pikërisht në atë periudhë për herë të parë lexova poezinë “Litari i ankthit”, diçka që më frymëzoi për të shkruar tekstin e këngës si dhe për herë të parë dëgjova më për së afërmi lojën në surle dhe në daulle që luhej në dasma apo edhe në garat e pehlivanëve që janë karakteristike për malësinë në mes të Prizrenit dhe Tetovës. Kombinimi i te gjitha këtyre elementeve, duke shtuar këtu edhe lojën me rockun nëpërmjet përdorimi të “garage riff” dhe beat-ave të muzikës elektronike të tipit të Prodigy apo Chemical Brothers, bënë që kënga të ketë një sukses të madh dhe të jetë edhe një lloj shpërthimi në skenën e muzikës moderne.
HEJZA: “Kur do t’pushojë kjo këngë” ishte këngë e dhimbjes, këngë për një plagë që vazhdon të kullojë. A ka pushuar kjo këngë?
P. ÇARKAXHIU:Fatkeqësisht ashtu edhe siç është parashikuar, edhe pas gati 25 viteve kjo dhimbje është një këngë e cila nuk ka pushuar. Për familjarët kjo plagë është akoma e freskët për mos të thënë një plagë që nuk shërohet.
HEJZA: Pse “Nëntori i ftohtë”?
P. ÇARKAXHIU:“Nëntori i ftohtë” u realizua me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që në të njëjtën kohë shënon aspiratën 100 vjeçare të shqiptarëve për t’u bashkuar në një shtet të vetëm. Kjo aspirate një shekullore ngërthen shumë histori, vuajtje njerëzore e sakrifica të mëdha, të gjitha këto të ngulitura thellë në vetëdijen tonë si pjesë e pandashme e qenies sonë. “Nëntori i ftohte” flet për të gjitha këto ndjesi si dhe flet për tradhtinë e këtyre ndjenjave, paaftësisë për t’u realizuar si shoqëri funksionale dhe në të njëjtën kohë përkujtues dhe ftesë që të bëhemi pjesë aktive në ndërtimin e një të ardhme më të mirë.
HEJZA: Te kënga “Shkaba”, Ju pyetni “ku mbet besa, ku mbet fjale e burrnisë…”. Këtë pyetje natyrisht ua imponoi realiteti kosovar. A ka ndryshuar ky realitet, apo vazhdon të jetë i njëjtë, pa përgjigjen në pyetjen e shtruar?
P. ÇARKAXHIU:Kënga është e shkruar në stilin e këngëve epike, diçka shumë karakteristike për këngët në folklorin tonë. Është shkruar qëllimisht ashtu në mënyrë që të rikthejmë ndjenjën që këto kënge jepnin përgjatë një historie jo shumë të largët për ne, e që tani për shkak të përhapjes së shpejtë të teknologjisë dhe rrymave muzikore moderne që dominojnë skenën, kjo mënyrë e të shprehurit ka ngelur diçka arkaike që nuk arrinte tek gjeneratat e reja. Në momente të caktuara nëpër të cilat kalon një shoqëri, siç është rasti me Kosovën e pasluftës, kombinimi i arkaikes me urbanen mund të rezultojë me diçka unike dhe interesante dhe ndikimi që mund të këtësa i përket tematikës që e trajton, mund të arrijë efektin e dëshirueshëm, e që në rastin tonë ka qenë përkujtimi i disa vlerave morale kombëtare.
HEJZA: Pastaj, vjen një nga realizimet me të bukura, “Kënga jonë”, me një tekst antologjik. Ju, ndër të tjera, keni shkruar edhe këto vargje: Veç edhe njëherë të ecim/ Dhe t’jemi bashkë si dikur/ Zemra për zemrën e tjetrit/ Të jetë për ne si flamur/. Mesazhi është i qartë, ndaj dhe edhe këtë këngë e bën të pavdekshëm. A pajtohesh me konstatimin se edhe në këtë këngë ka protestë ndaj një politike që nuk ishte koherente me ëndrrën e Kosovës?
P. ÇARKAXHIU: Patjetër, ndoshta bashkë me Zgjohu e bënë një nga këngët më të spikatura për protestë nga repertori i Jerichos, por ndoshta me një dallim. “Kanga jone” është më tepër një thirrje melankolike, emocionale për të bashkëndjerë me ëndrrën e shqiptarëve për realizimin e një shoqërie të ndërtuar mbi ndjenjën e dashurisë, solidarizimit e sakrificës për njëri tjetrin. Besoj që nëpërmjet theksimit të këtyre virtyteve nëpërmjet poezisë e muzikës dhe nëse ajo realizohet bukur si produksion, atëherë shndërrohet jo vetëm në një vepër artistike, por në një mjet të rëndësishëm për përkujtimin dhe ushqimin e këtyre virtyteve në jetën dhe në shoqërinë tonë.
HEJZA: Në këngët e viteve të fundit hetohet, të themi një lëvizje, si në tekst ashtu edhe në muzikë. Ka pak mistikë dhe frymë orientale, elemente këto që muzikën e ngrenë në një nivel më të lartë. Pse ndodhi kjo?
P. ÇARKAXHIU:Këto janë më tepër ndoshta prezent në këngët, të cilat i kam publikuar si pjesë e solo projektit, duke u munduar që të ruaj karakterin e “Jericho”-s si një bend që është kryesisht i njohur për fuzionin me muzikën folklorike shqiptare. Ndërsa kur jemi tek solo projekti, ai është më i hapur ndaj ndikimeve të “jashtme” jo vetëm në meloditë, por edhe në mënyrën se si janë shkruar fjalët, domethënë me i hapur edhe ndaj letërsisë, e në këtë rast ndaj letërsisë së Lindjes së Mesme dhe ndaj asaj që njihet si letërsi mistike. Gjithashtu tematikat janë me universale, tematika që prekin shpirtin e çdo njeriu si raporti i njeriut me besimin, me të shenjtën, dashuria ndaj gruas, familjes, fëmijëve dhe shoqërisë.
HEJZA:Muzika në familjen Tuaj ka qenë pjesë e pandashme. Na tregoni pak histori nga kjo jetë (muzikore) në familjen Tuaj?
P. ÇARKAXHIU:Po patjetër, babi është marrë me muzikë, sidomos gjatë rinisë së tij në shoqërinë muzikore të Gjakovës “Hajdar Dushi” dhe kuptohet qe figura e babait është shumë e rëndësishme në mënyrën se si fëmija e projekton veten kur të rritet. Muzika ishte pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë familjare dhe kuptohet që kur rritesh në një ambient të tillë, ajo patjetër se do të bëhet një pjesë e rëndësishme e gjithë pjesës tjetër të jetës.
HEJZA: Çfarë Ju mori dhe çfarë Ju dha muzika?
P. ÇARKAXHIU:Shkurt, muzika na “mori” jetën, por edhe na dha jetë.