NACIONALIZMI KULTURO DHE INTERNACIONALIZMI KULTUROR

Urrejtja e një cilësie, e një virtyti, e një suksesi, e një të arriture internacionale të një etnikumi, është, mbi të gjitha, problem shpirtëror që i përket sferës së psikiatrisë. Ndërsa, nëse kjo urrejtje kodifikohet dhe normatizohet në kushtetutë, atëherë kemi të bëjmë me një nacionalizëm kulturor të institucionalizuar

Nga Avni HALIMI

Në Maqedoninë e Veriut ka kohë që funksionon një Shoqatë me emrin “Manifesti maqedonas”, në të cilën aderojnë shkrimtarë, poetë, piktorë, teologë, gjuhëtarë, gazetarë, madje edhe akademikë të profileve të ndryshëm! Nëse politikat nacionaliste të ish-kryeministrit Nikola Gruevski mëtonin antikizimin e popullit sllav maqedonas, kjo Shoqatë “intelektualësh” maqedonas (në bashkëpunim dhe koordinim me ish-kryeministrin) i ka vënë qëllim vetes për ta “hyjnizuar” popullin e vet.

Kjo Shoqatë “intelektualësh” që program të veten e ka idealizimin e “popullit të shenjtë” dhe ofendimin, përçmimin dhe mohimin e autoktonisë së shqiptarëve të këtushëm, deri më sot ka botuar lloj-lloj librash kundër BE-së, kundër NATO-s, kundër euro-integrimeve të Maqedonisë së Veriut, sepse Evropa dhe NATO qenkan aleatë të “shqiptarëve të mallkuar”! Deri më sot kanë publikuar dhjetëra “manifeste” – apele për ngritje në këmbë të popullit maqedonas për t’i luftuar të gjithë “projektet shqiptare” që kanë për qëllim rrënimin e unitaritetit të “shtetit maqedonas” dhe që nuk e pranojnë statusin e pakicës!

Paçvurat që shiten si “manifest kombëtar”

Kjo Shoqatë “intelektualësh” ka pasur dhjetëra apele për ta ngritur popullin maqedonas në shkatërrim të tërë shtetit nëse arrihet zyrtarizimi i gjuhës shqipe, kjo gjuhë e “terroristëve” që në aleancë me shtetet evropiane dhe të NATO-s, më 2001 për një qime të kokës i shpëtuan shfarosjes totale nga ushtria maqedonase!

Shih për këtë, në prag të invazionit rus mbi Ukrainën, “Manifesti maqedonas” doli me një ultimatum të fundit që ua drejtoi instancave shtetërore, por edhe mbarë popullit maqedonas. Kërkuan prerazi: ushtria maqedonase jo të vihet në shërbim të NATO-s për të luftuar kundër popullit vëlla rus nëse vjen deri te ndonjë luftë në mes të Rusisë dhe Ukrainës! Për dy arsye: “populli rus dhe ai maqedonas janë i njëjti pip nga dega e trungut të popujve të botës dhe, e dyta, NATO i paska borxh shumë popullit maqedonas, meqë i paska ndihmuar “terroristët shqiptar” për ta nëpërkëmbur krenarinë dhe dinjitetin e këtij populli!

A nuk është kjo Shoqatë një “organizatë raciste” e cila, veç tjerash, shqiptarët i ka porositur ose të harrojnë gjuhën shqipe dhe ta idealizojë maqedonishten si gjuhë të shenjtë, ose, t’i lëshojnë “tokat maqedonase” dhe le të jetojnë atje ku do t’i lejojnë ta krijojnë shtetin e tyre! Kjo Shoqatë natë e ditë punon për t’i minuar të gjithë angazhimet dhe sukseset e arritura ndërkombëtare për një stabilizim dhe paqe në vend e në rajon. Garancën e sigurisë e mori me inkuadrimin e shtetit në NATO, angazhim dhe kërkesë kjo permanente e të gjithë spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në ushtrinë e Maqedonisë ka edhe oficerë e ushtarë shqiptarë, të cilët jo vetëm që kanë nderin, por edhe ëndërrojnë që të jenë krah për krah me ushtrinë e NATO-s në luftë për të siguruar paqe dhe mirëqenie kudo në botë!

Nëse shqiptarët me insistimin e tyre për zyrtarizimin e gjuhës shqipe paskan mëtuar “federalizimin e Maqedonisë”, këta akademikë maqedonas, kjo “ajkë intelektuale” e popullit maqedonas, me kërkesën për fragmentarizëm pikërisht të faktorit më të rëndësishëm të një shteti, ushtrisë, a nuk është në fakt angazhim akademiko-politik për ta “federalizuar Maqedoninë”? Sepse, nuk ka fije dyshimi: shqiptarët gjithandej në botë e ndjejnë për detyrim të shenjtë për të qenë krah për krah me NATO-n sa herë që do ta dojë nevoja! Ata që do të dëshirojnë që ta ndihmojnë “vëllain e madh” të tyre (Rusinë) – ja ku e kanë, le të shkojnë!

Natyrisht, Rusia nuk ka nevojë për shoqata të këtilla pseudo-intelektualësh, nuk kanë nevojë as për ndihmën e tyre “ushtarake” dhe as akademike, thjesht, ata duhet ta ushqejnë urrejtjen antishqiptare dhe ta kryejnë detyrën që e kanë nga “vëllai i madh” – të provokojnë konflikt ndëretnik e ndërfetar, sepse vetëm në situata të tilla do të mund të ndjehet prezenca dhe influenca politike ruse në vend dhe në rajon! A nuk është ky manifest idiotik i shoqatës së akademikëve dhe intelektualëve të diskutueshëm maqedonas?! Dhe, të të pëlcasë barku nga e keqja – asnjë intelektual, asnjë profesor, asnjë akademik shqiptar nuk e tha një fjalë kundër këtij “Manifesti” që vetëm maqedonas nuk mund të jetë, ndonëse flet në emër të maqedonizmit! Një “digë gjigante” para shtetit, i cili, përveçse që duhet t’i kryej obligimet dhe detyrat për t’u futur në familjen e madhe evropiane, gjithsesi që do të duhet ta dekonstruktoj shpejt e qetë edhe këtë “digë” të stërmbushur me llum e mbeturinash! Shqiptarët me gjithë kulturën e tyre janë realitet i pazhbërë në këtë nënqiell.

Favorizimet dhe diskriminimi kulturor

Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave politiko-partiake dhe të njëjtat mund të përjetohen në Shqipëri dhe në Kosovë, pra në shtetet që drejtohen nga qeveritë shqiptare. Ministria e Kulturës, përveç që ka obligim të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve nëpër institucionet kombëtare kulturore, është e obliguar që në programin e vet nacional vjetor të përfshijë edhe organizata e shoqata që merren me aktivitete kulturore. Pa dyshim, edhe kulturën e kemi komercializuar deri në përmasa të “firmave fitimprurëse” dhe, fatkeqësisht, për këtë poshtërsi përkujdesen partitë tona, pastaj individë nga legjislativi dhe ekzekutivi kombëtar, të cilët, gjejnë mënyra se si t’u dalin nga borxhi militantëve dhe përkrahësve të vetë! Le të formohen sa më shumë shoqata e organizata, nga të gjitha fushat e kulturës se, fonde ka mjaftueshëm për të gjithë militantët! Kjo është logjika e diletantëve dhe snobëve që nuk dinë se si të dëshmohen si “intelektualë” dhe “akademikë” të kombit! Jo gjithnjë ndahen të kënaqur të gjithë!

Që të gjitha organizatat dhe shoqatat varen nga koalicionet qeveritare! Në të dyja shtetet tona, ministritë gjegjëse gjenden edhe nën presionin partiak të strukturave të ndryshme të pushtetit, por edhe nën presionin e favorizimeve të udhëheqësve (dhe komisioneve partiakë) të dikastereve përkatëse. Si rrjedhojë e këtyre qëndrimeve imorale në raport me jetën kulturore, kemi subjekte e persona të favorizuar dhe, të tjerët, “të diskriminuar”! Këtu kemi ankesa e “protesta” nga ata që ngelin jashtë sferës së favorizimeve si pasojë e pozicionimit opozitar dhe, në raste të tilla, absolutisht nuk kemi kurrfarë “diskriminimi”! Jeta kulturore institucionale është në nivel dhe, përtej mundësive, subvencionohen edhe dy-tri e më shumë ansamble, shoqata, organizata, botues etj! Për ta kuptuar diskriminimin kulturor, mjafton që të hidhet një sy në viset e tjera etnike, te shqiptarët e Maqedonisë së Veriu, të Luginës së Preshevës e të Malit të Zi! Çuditërisht, edhe nga

këto vise shpesh kemi dëgjuar “për diskriminime kulturore”, dhe këta zëra nuk vijnë nga subjektet politike, nuk vijnë nga institucionet dhe asociacionet që e llogarisin veten si bartës të jetës kulturore shqiptare. Fatkeqësisht, konstatime të tilla faktike vijnë nga individë që përfaqësojnë një shtëpi botuese, nga ndonjë “ansambël”, nga ndonjë shoqatë jo-fitimprurëse, nga artistë që, thjesht, kanë ngelur jashtë “tavolinës së kekut” kulturor! Të tjerët që kanë marrë ndonjë kockë sa për ta lëpirë, ndahen të kënaqur me politikat nacionale kulturore si të dikasterit gjegjës të qeverisë maqedonase, ashtu edhe të dikasterit kulturor qeveritar serb e malazez! Të pakënaqurit, nëse subvencionohen pas ndonjë ankese eventuale për diskriminim kulturor, shumë shpejt e harrojnë këtë diskriminim institucional!

Kjo lojë e ndyrë e artdashësve dhe kulturodashësve si dhe mungesa e politikave të qarta kulturore që do të duhej të ishin diga të pakalueshme përgjatë formimit të koalicioneve qeveritare, na bëjnë të dukemi jo seriozë, qaramanë dhe politikisht të papjekur e të pangritur. Të hamë tortën e “Korridorit 8” e ta heshtim dhe ta fusim nën cergë tortën e turpit të gatuar me inferioritetin dhe diletantizmin tonë karshi jetës institucionale kulturore, kjo flet për një primitivizëm të llojit të vet! Pa dyshim, botës i duhen korridore e autostrada, por shqiptarëve të viseve etnike, mbi çdo gjë tjetër, i duhen institucione kulturore si dhe zhvillim të jetës kulturore institucionale. Diskriminimi kulturor shtetëror që i bëhet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Luginës dhe Malit të Zi, nuk kompensohet me asnjë sukses në infrastrukturën rrugor. Për kulturën shqiptare nuk ka buxhet, sepse po e orientojmë në ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore! Ndërsa institucionet nacionale kulturore të maqedonasve, të serbëve apo malazezëve, duhet të funksionojnë, sepse ato ekzistojnë, nuk guxojnë të mbyllen!

Shkurt, mosfinancimi i një libri, mosfinancimi i një shfaqje, i një koncerti, i një ekspozite etj., nuk është diskriminim kulturor, por, thjesht, politikë favorizuese apo disfavorizues subjektive e personave që drejtojnë ministritë për kulturë. Financimet sporadike e të papërfillshme janë për do shqiptarë “të mirë” e “të ndershëm”, ndërsa refuzimet e projekteve u bëhen do shqiptarëve opozitarë “që kanë tipare të njerëzve të egër e të këqij”, ndonëse këta mund të jenë përfaqësues reprezentativ apo ajka e kulturës shqiptare në viset ku jetojnë! Mospasja dhe moszhvillimi institucionalisht i jetës kulturore shqiptare, ky po që është diskriminim politik shtetëror kundër kulturës nacionale të një etnie!

Nacionalizmi kulturor i fotokopjuar

Urrejtja e një cilësie, e një virtyti, e një suksesi, e një të arriture internacionale të një etnikumi, është, mbi të gjitha, problem shpirtëror që i përket sferës së psikiatrisë. Ndërsa, nëse kjo urrejtje kodifikohet dhe normatizohet në kushtetutë, atëherë kemi të bëjmë me një nacionalizëm kulturor të institucionalizuar. Një akt më i lartë normativ, i cili ngërthen në vete urrejtje dhe pengesa të zhvillimit shoqëror për komunitetet e ndryshme, vetëm kushtetutë nuk mund të quhet, por, mbi të gjitha, mund të llogaritet si një pamflet politik i cili në plan të parë ka mohimin, diskriminimin dhe shtypjen!

Në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, bazuar në materien kushtetuese maqedonase e të refuzuar nga shqiptarët, në sferën e arsimit silleshin ligje që e vulosnin mësimin sipëror ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Pra, me kushtetutë shqiptarët mësonin shqip se ishin shqiptarë që nga fillorja e deri në shkollë të mesme. Pastaj, në shkollimin sipëror, për të qenë “shqiptar” duhej të vazhdoje studimet në gjuhën maqedonase! Me këtë miopi politike shpresohej në krijimin e një etnie të re, të “shqiptarëve maqedonas”, siç ia dolën në krijimin e komunitetit “maqedonas myslimanë”! Këto ligje diskriminuese, në fakt i hapnin terren mohimit të gjuhës shqipe. Dhe, si rezultat sot kemi gjuhën e “popullit 20%” si dhe nacionalizmin kulturor të shtetëzuar maqedonas! Është po ai “ambient” politik që mbisundonte atëbotë kur kishte filluar procesi i themelimit të universitetit shqiptar në Maqedoninë e asokohshme me dy universitete në gjuhën maqedonase (i Shkupit dhe Manastirit)! Ishte projekti më serioz kombëtar, në duart e personaliteteve këmbëngulës, deri në vetëmohim, të cilët ditën ta bëjnë shqiptarin për vete dhe t’i detyrojnë edhe “zotët” të gjunjëzohen para këtij projekti më jetik për një komb dhe të detyrohen që të pranojnë ta fusin në sistem shtetëror shkollimin sipëror në gjuhën shqipe.

Në këto hapësira të “Ballkanit të hapur” kemi edhe nacionalizmin kulturor serb që shprehet hapur nga populli serb, ndonëse kjo urrejtje nuk është aq hapur e normatizuar! Janë elaborate, projekte e programe nacionaliste që për efekt të “demokracisë së jashtme” nuk kodifikohen në letra të bardhë, porse ruhen si “formula të shenjta” në gjenin serb. Prandaj, serbëve historikisht ju ka penguar populli shqiptar, kultura, tradita, lashtësia shqiptare, shteti dhe trojet shqiptare. Prandaj, sot mund të hasen toponime sllave, madje edhe në Jug të Shqipërisë! Një vend i pushtuar mund të emërtohet në gjuhën e pushtuesit vetëm pasi ta ketë shkrumbuar atë vend dhe të ketë plane për t’ia filluar gjithçka nga e para, natyrisht sipas terkut të pushtuesit! Sot, në shtetin serb llogaritet tradhti e rëndë kombëtare dëgjimi i një kënge në anglisht të Rita Orës, të Bebe Rexhës, të Dua Lipës, të Era Istrefit etj. Llogaritet blasfemi e pafalshme lejimi që veshi serb të kapë në mes të Beogradit një llaf në gjuhën shqipe! Llogaritet “ndotje kulturore” promovimi i një vepre shqiptare apo artisti shqiptar, i cili të pranishmëve do t’u drejtohej në gjuhën shqipe!

Natyrisht, ne shqiptarët kurrë nuk e kemi pasur në gjak urrejtje e tjetrit që është “jabanxhi”, që nuk është i yni, apo që i përket etnisë dhe kulturës tjetër! Gjithnjë të huajin e kemi respektuar dhe nderuar, sepse na e imponon normativa e mikpritjes nën moton “bukë e krip e zemër”, të cilin nuk e gjen te asnjë popull tjetër! Këtu zë fill internacionalizmi kulturor i shqiptarit! Përkundër qëndrimit serb ndaj vlerave kulturore shqiptare, shqiptarët kanë zemër t’ia ndajnë çmimin “Çelësi i Tiranës” antishqiptarit Goran Bregoviq, të cilin pastaj mund ta nderojmë edhe duke e ftuar që të na e hapë ndonjë festival tradicional shqiptar (siç ishte rasti në Korçë). Përkundër qëndrimit të prerë kombëtar që shtëpitë botuese maqedonase të mos botojnë asnjë shkrimtar shqiptar të vendit, aq më pak ndonjë libër në gjuhën shqipe, shqiptarët promovues të “multi-kultit” e që i japin zor për ta arritur shkallën e “internacionalistit kulturor”, ftojnë shkrimtarë serbë e maqedonas, madje nacionalistë të papërmisuar antishqiptar, nëpër festivale e orë letrare, fatkeqësisht, të përkrahur edhe nga institucionet shtetërore! Po pse kur ftohet një krijues serb apo maqedonas, nga Beogradi apo nga Shkupi, nuk ftohet edhe një krijues shqiptar nga Lugina e Preshevës dhe nga Shkupi?! Apo kjo u diktohet nga të ftuarit “e respektuar”? Ky institucionalizim kulturor “shqiptar” gjithsesi që është i tepërt, madje me shumë tepricë, pa dyshim!

Leave a Reply

Your email address will not be published.