NDËRMJET KOSNPIRACIONIT DHE NEGLIZHENCËS

Trashëgimia kulturore shqiptare

Qëllimi kryesor i rileximit socio-kritik të trashëgimisë kulturore është  vizioni për të kaluarën në mënyrë racionale dhe objektive, në mënyrë të tillë që të kapërcehen të gjitha idetë kufizuese prej saj. Kjo çështje nuk është diçka e re në botë, ajo u promovua kryesisht nga e ashtuquajtura Shkolla e Frankfurtit, eksponentët kryesorë të së cilës ishin, ndër të tjerë, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer

Nga Metin IZETI

Trojet shqiptare janë nga vendet e rralla që mund të mburren me një trashëgimi kulturore të pasur materiale dhe jomateriale në një sipërfaqe të vogël. Trashëgimia kulturore përbëhet nga pasuri kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme me rëndësi artistike, historike, paleontologjike, arkeologjike, antropologjike, fetare  dhe shkencore. Gjithashtu, zonat arkeologjike dhe zonat monumentale, peizazhet dhe pjesët e tyre që dëshmojnë praninë e njeriut në hapësirë. Format jomateriale të trashëgimisë kulturore përbëhen nga shfaqjet e krijimtarisë shpirtërore të njeriut në të kaluarën si dhe dokumentacioni, trashëgimia bibliografike dhe ndërtesat, d.m.th. hapësira ku ruhen ose ekspozohen në mënyrë të përhershme të mirat kulturore dhe dokumentacioni rreth tyre. Koncepti për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, siguron qëndrueshmërinë e vlerave kulturore si dhe potencialin për zhvillimin e mëtejshëm të një vendi apo kombi, afirmimin, stimulimin e konkurrencës ekonomike dhe cilësinë më të mirë të jetës në mjedisin shoqëror. Trashëgimia kulturore shqiptare, me tërë koloritin e saj që e ka në aspekt të multikonfesionalitetit, multikulturës dhe spektreve të autenticitetit në kuadër të baseneve të ndryshme qytetërimore është pasuri e rëndësishme në ndërtimin e identitetit, por njëkohësisht edhe një paradigmë me vlerë për mbindërtimin e kulturës dhe filozofisë shoqërore të gjenit tonë.

Por ama është fakt se kjo trashëgimi kulturore shqiptare, për shkak të neglizhencës dhe politikave kulturore jo adekuate nga njëra anë si dhe qasjeve konspirative që ngërthejnë vetëm biseda nacional romantike, është e shpërfillur si dhe, sa i përket kontekstit të monumenteve, për shkak të mosregjistrimit dhe braktisjes institucionale, është duke u shkatërruar me të madhe.

Politikat e përcipta kulturore krijojnë situata të mjera

Pasuria shumë e vlefshme e arkivave dhe bibliotekave shqiptare nuk është e evidentuar si duhet dhe nuk është  digjitalizuar, mosekzistimi i projekteve për zbulimin e dorëshkrimeve që janë në pronë të individëve dhe institucioneve shoqërore që kanë pasur akces të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare gjatë shekujve, mosidentifikimi dhe moskokonzervimi i dorëshkrimeve me vlerë shkencore dhe estetike, qasjet reduktive dhe me standarde të dyfishta në lidhje me trashëgiminë e shkruar në periudhat e kaluara ndikojnë dukshëm në varfërinë e paraqitjes së traditës kulturore shqiptare. Situata nuk është më e mirë edhe në monumentet kulturore historike që  e mbajnë vulën e periudhave të ndryshme kulturore-historike në të cilat është ndërtuar gjeni shqiptar. E kam fjalën për xhamitë, kishat, teqetë, manastiret, urat, çarshitë e vjetra, hamamet dhe të ngjashme.

Gjendja është, pak a shumë, identike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Institucionet që duhet të angazhohen në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj trashëgimie, duke treguar shkaqe të ndryshme që nuk mund të konsiderohen fare si arsyetime, janë të përqendruara kryesisht në projekte individuale dhe aspak, ose shumë pak, janë të interesuar për ndërtimin e politikave kulturore të cilat do të ndihmojnë në rigjallërimin e trashëgimisë tonë të pasur kulturore. Institucionet kulturore, pashmangshëm, duhet të kryejnë punën administrative dhe veprimet që kanë të bëjnë me: kërkimin, studimin, monitorimin, regjistrimin, dokumentimin, valorizimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore; gjithsesi duhet të funksionojë si duhet shërbimi qendror i informacionit dhe dokumentacionit i digjitalizuar; përcaktimi i pronave të të mirave kulturore të mbrojtura. Më pas, të përqendrohet në kujdesin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e financimit të programeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; themelimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve për kryerjen e veprimtarive për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; vlerësimin e kushteve për punën e personave juridikë dhe fizikë në punët restauruese, konservuese dhe të tjera për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; sigurimin e kushteve për edukimin dhe aftësimin e punëtorëve profesionistë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore; zbatimin e mbikëqyrjes së trafikut, importit dhe eksportit të mallrave të mbrojtura kulturore; përcaktimin e kushteve për përdorimin dhe qëllimin e të mirave kulturore dhe menaxhimin e të mirave kulturore në përputhje me rregulloret; përcaktimin e kushteve të veçanta të ndërtimit për mbrojtjen e pjesëve të trashëgimisë kulturore; kryerja e punës inspektuese për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Rileximin socio-kritik i trashëgimisë kulturore shqiptare

Të sipërpërmendurat e paraqesin skeletin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa më pas vijon një çështje tek e cila unë kam dëshirë të përqendrohem pak më shumë. E kam fjalën për rileximin sociokritik të trashëgimisë së përgjithshme, specifikisht, të trashëgimisë kulturore shqiptare. Qëllimi kryesor i rileximit socio-kritik të trashëgimisë kulturore është vizioni për të kaluarën në mënyrë racionale dhe objektive, në mënyrë të tillë që të kapërcehen të gjitha idetë kufizuese prej saj. Kjo çështje nuk është diçka e re në botë, ajo u promovua kryesisht nga e ashtuquajtura Shkolla e Frankfurtit, eksponentët kryesorë të së cilës ishin, ndër të tjerë, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer.

Ky model i  të menduarit dëshiron të kuptojë më mirë se si e kaluara dhe tashmja ndikon në sjelljen e individëve, në mënyrë që të mund të bëhen ndryshime në mënyrën e jetesës. Gjithashtu, synon të kuptojë qenien njerëzore pa rënë në reduksionizëm dhe konformizëm, si një qasje objektive. Bazë e sistemit socio-kritik është  një sistem kërkimor cilësor, i bazuar më shumë në kuptimin e secilës situatë në një mënyrë më të thellë sesa gjetjen e modeleve dhe sistemeve të shkakut dhe pasojës. Mendimtari më me ndikim i teorisë kritike Jürgen Habermas, mbron ide të tilla si subjektiviteti i komunikimit. Ai gjithashtu prezantoi konceptin e “shkencës rindërtuese (rekosntruktive)”, një përpjekje për të përzier subjektivitetin e shkencave shoqërore me objektivitetin e pastër.

E kam parasysh se paradigma socio-kritike ka një prapavijë marksiste, por ajo ka ndryshuar dukshëm pas rrënimeve në bllokun lindor dhe unë këtu flas për mënyrën e të menduarit në lidhje me trashëgiminë tonë kulturore. Identiteti kulturor nuk e duron qasjen “që e vjetra është e mirë për shkak se është e vjetër” dhe as se “e reja është e mirë për shkak se është e re”, por identiteti kulturor kërkon qasje analitike dhe reale dhe në asnjë mënyrë subjektive.

Trashëgimia kulturore shqiptare përbëhet nga monumente materiale dhe jomateriale që i takojnë periudhave kulturore dhe qytetërimore të ndryshme. Në trashëgiminë tonë janë të qëndisura në një hapësirë politeizmi, krishterimi dhe islami dhe ata bashkërisht e paraqesin të kaluarën tonë të pasur. Kur bëhet fjalë për shkencën dhe artin ne nuk mund të pozicionohemi në tryezën e sodit dhe të analizojmë të kaluarën sipas teorive konspirative që janë ndërtuar në kuadër të një historiografie e cila gjithsesi ka nevojë të rilexohet dhe të rindërtohet. Kjo qasje konspirative ka ndikuar që, veçanërisht, trashëgimia kulturore e cila ka platformë dhe sfond fetar islam të margjinalizohet, madje në disa raste edhe të konsiderohet si joshqiptare. Xhamia e Larme në Tetovë, Teqja e Sheh Hasanit në Berat, Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë janë monumente kulturore të cilat falë dekorimit mural konsiderohen si vepra sui generis artistike dhe kulturore. Madje edhe mjeshtrit dhe artistët të cilët kanë punuar në këto monumente janë me origjinë shqiptare, disa prej tyre edhe nuk kanë qenë mysliman. Kjo trashëgimi, së bashku me atë të proveniencës krishtere, politeiste, madje edhe ajo e periudhës moniste duhet të analizohen si rrjedhojë e trashëgimisë kulturore shqiptare duke zbritur në kohën dhe hapësirën kur janë të ndërtuara, pra duke i analizuar në kuadër të kushteve reale sociokulturore të kohës së tyre.

Multikulturalizmi si maskë e politikave asimiluese

Kjo qasje objektive ndaj trashëgimisë kulturore do të na e lehtësojë punën që prej saj të mund të nxjerrim idetë gjenerative, të cilat, do të na e mundësojnë të ndërtojmë paradigmën për zhvillimin e mëtutjeshëm të kulturës dhe shoqërisë bashkëkohore shqiptare. Zhvillimet e fundit në arenat kulturore botërore janë në drejtim të rileximit të traditave perenniale të popujve të ndryshëm. Shembuj të shumtë kemi në kinematografinë e ditëve tona, madje edhe shumica e filmave të tillë që ngjiten për revitalizimin e ideve gjenerative të popujve të ndryshëm fitojnë çmimet kryesore në festivalet e filmit.

Koncepti i ri i multikulturalizmit botëror nuk është më i përqendruar në reduktimin e dallimeve, siç e promovonte globalizmi, por në bashkëjetesën e dallimeve dhe pasurimin e shoqërisë me lule të ndryshme të sjella nga hapësira të ndryshme. Këta lule kulturore ne i kemi të pranishme në trashëgiminë tonë kulturore shqiptare dhe duhet t’i kultivojmë dhe të bëjmë rileximin e tyre kritik.

Shumëdimensionaliteti i identitetit shqiptar  në një botë të globalizuar reflektohet edhe në identitetin personal të individëve në një mënyrë të tillë që i njëjti person, tani, në nivelin e identitetit të tij, duhet të “pajtojë” përzierjen edhe me konceptet e reja e mos të diskutojmë ata që janë tradicionale dhe të trashëguara. Si pasojë, multikulturalizmi, në këtë kontekst,  është përgjigje për dejustifikimin e politikës së asimilimit, në dritën e nevojës për të ruajtur diversitetin kulturor. Gjithashtu do të ishte edhe një përgjigje ndaj realitetit etno-kulturor të ndërlikuar nga proceset e globalizimit, me fjalë të tjera pranimi i konceptit sa më të gjerë të spektrit i cili  do të njihte realitetin e bashkëjetesës së dallimeve, jo vetëm ndërmjet grupeve të ndryshme sociale, por edhe në kuadër të identitetit të njëjtë etnik, fetar dhe kulturor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.