NDËRMJET KREVATIT DHE DIVANIT

Shumë disidentë të epokës pas-staliniste e përmendnin Çehovin si mësues të tyre në jetë, si shkrimtar që u kishte dhënë dorë të ndërgjegjësoheshin për tërë tmerrin dhe gënjeshtrën e pushtetit sovjetik


Viktor JEROFJEJEV


Çehovi mbetet edhe sot njëri nga shkrimtarët më enigmatikë të letërsisë ruse. Sekreti i tij është se u përshtatet të gjithëve. U përshtatej të kuqve e të bardhëve, modernistëve e konservatorëve, ateistëve e fetarëve, moralistëve e cinikëve. Përpos kësaj, Çehovin e pranojnë dhe dy rryma tradicionalisht të papajtueshme të mendimit rus: properëndimorët dhe sllavianofilët. Në këtë pikëpamje Çehovi vërtet nuk e ka shoqin. A mos vallë ngaqë është i epshëm si me qenë bisk shelgu? Jo, ai nuk është i epshëm. Aspak i epshëm. As edhe në kohët më të ashpra staliniste veprat e shkruara nga Çehovi nuk përfundonin në gulagun letrar, ku kishin zënë vend edhe Demonët e Dostojevskit, traktatet fetare të Tolstoit e të Gogolit, si dhe vargjet erotike të Pushkinit. Teoricienët më të ngurtë të realizmit socialist e rekomandonin Çehovin me cilësinë e shkrimtarit modern, krenoheshin me të si armik i mikroborgjezisë dhe si mik i Gorkit. Njëkohësisht, shumë disidentë të epokës pas-staliniste e përmendnin Çehovin si mësues të tyre në jetë, si shkrimtar që u kishte dhënë dorë të ndërgjegjësoheshin për tërë tmerrin dhe gënjeshtrën e pushtetit sovjetik, duke u dhënë forca në luftën e vështirë me atë regjim.
* * *
Po qe se kthehemi prapa, në periudhën para revolucionit, edhe atje shihet pranimi në harmoni i Çehovit nga grupe letrare të ndryshme. Filozofi Lev Shevcov e përshëndeste Çehovin si këngëtar të dëshpërimit dhe, çfarë ishte tepër bujare për demaskuesin e vlerave të rreme, nuk e dyshonte për gënjeshtra morale, për çka e pati dyshuar, për shembull, Dostojevski. Çehovin e shihnin me sy të mirë dhe e përkëdhelnin Merezhkovskij e Rozanovi. Madje, rrymat e skajshme të avangardës ruse, si futurizmi, nuk synonin dhe aq shumë “ta flaknin jashtë anijes së bashkëkohësisë”.
* * *
Me përkëdheli e shohin Çehovin edhe jashtë vendit: gjithandej zunë ta përkthenin shumë dhe herët, në dhjetëra gjuhë. Mahniten nga stili, lakonizmi, impresionizmi, nga imtësitë në dukje të panevojshme (kurse në thelb tepër të nevojshme), sikush si të mundë. Në tabelën e renditjes e vënë shumë lart, në një radhë me më të mëdhenjtë. Në dramën çehoviane zbulojnë embrionin e teatrit të absurdit. Me Çehovin kanë mësuar gjuhën ruse breza të panumërt sllavistësh. Shkurt: ai qe i dashur për të gjithë. Edhe shkrimtarët e brezit tim e çmojnë shumë.
* * *
Kurse, jo shumë kohë më parë, ithtarët e leksikut jonormativ e të shprehjeve të paturpshme u magjepsën nga Çehovi, kur në Pasqyrën letrare u botuan letrat e tij “erotike”, të pabotuara deri më sot (sidoqoftë, edhe Çehovi paska patur gulahun e vet të vogël erotik). Në këto letra Çehovi na shfaqet si njohës dhe ithtar i jetës seksuale, mburret me aventurat e veta në Japoni e në Ceilon, na jep imtësi ose thjesht hidhet në përsiatje për vështirësitë që hasen, kur do të bësh dashuri në divan – se në krevat paskësh qenë ku e ku më e rehatshme. Dhe kur po i lexoja këto përsiatje interesante për krevatin dhe divanin, të shkruara aq rrjedhshëm, me ironi e me shije nga njeriu që nuk i skuqet faqja, zura të mendoja përse Çehovi është i madh. Ai është i madh sepse thotë të vërtetën. Me të vërtetë, sikundër shkruan ai, “t’i bësh kollotumba një gruaje në krevat është më e rehatshme sesa në divan, i cili është ose tepër i butë, ose tepër i ngushtë – shkurt, i krijon mashkullit vetëm vështirësi”.
* * *
Kjo që na thotë, nuk mbart ndonjë informacion të ri.
Epërsitë e krevatit kundrejt divanit i di çdo sllavianofil a properëndimor; ato i dinë edhe në Francë, edhe në Argjentinë. Të gjithë, pa ngurruar fare, janë gati të pajtohen me mendimin e Çehovit. Mirëpo, tjetër gjë është të pajtohesh në mendim me tjetrin, tjetër gjë është t’i kushtosh vëmendje e ta përshkruash me dorën tënde. Për këtë nuk mjafton as stili e as vetëm talenti. Shkrimtarëve të tjerë u digjet shpirti për atë kohë. Ata janë të zënë dhe merren me shprehje mendimesh paradoksale, parapëlqejnë të thonë se, të flesh me femra në divan, është më e rehatshme se të biesh me to në krevat dhe se kjo tashmë është e pakuptueshme për cilindo postmodernizëm ose për diçka edhe më enigmatike se ky. Ata janë të zënë, kurse Çehovi është i lirë. Ai është shkrimtar i lirë. I lirë për të folur për gjërat më banale.
* * *
Më pati habitur kur, në një letër drejtuar dikujt, ai thoshte se mund të shkruante tregime për çfarëdoqoftë, madje edhe për një taketuke. Dhe më vjen keq që nuk ka shkruar për një gjë të tillë. Do të kishim pasur edhe një tjetër tregim çehovian nga më të bukurit. Ai me siguri do të kishte shkruar se taketukja shërben për të hedhur aty hirin e cigares, sepse në këtë kuptim taketukja është më e volitshme se porcelani i WC-së, ku bëjmë nevojën e bishtat e cigares rrinë e pluskojnë pa mundur kurrsesi të zbresin deri në fund. Dhe të gjithë do të thoshin: Sa e vërtetë është kjo! Dhe po këta sllavianofilë, properëndimorë, francezë e kushdo tjetër, do të pajtoheshin në mendim me Çehovin, sepse është e vështirë të mos pajtohesh për këtë gjë. Po ashtu, është e vështirë të mos pajtohesh me mendimin e tij se idealet mikroborgjeze janë të mërzitshme, të neveritshme dhe të pamundshme për t’u shkulur me rrënjë, se në stepa nuk gjen hije, kurse në male po, se njerëzit vanitozë janë të veckël e vulgarë, kurse të veckëlit e vulgarët – vanitozë, se ka femra me bukuri të përbindshme, por ka edhe dama të lezetshme me kone, me burra provincialë të mërzitshëm, të cilat shkojnë në vende klimaterike për pushime dhe u qëllon të flenë me burra pothuajse të panjohur, në krevate që dalin më të rehatshëm se divanet, por që prapëseprapë, pas kësaj, prishen nga nervat dhe ulen në tryeza me çehre mëkataresh, kurse burrat pothuaj të panjohur hanë me kënaqësi pasorgazmike shalqinin e radhës. Sa e vërtetë! Sa e saktë! Sa e mërzitshme dhe e ëmbël të jetosh! Mirëpo, nga ana tjetër, nganjëherë të hipën t’i bësh “kollotumba” dikujt mu në divan, duke mos çarë kryet as për divanin, as për Çehovin, natyrisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published.