NDËRTHURJA E TRAGJIZMIT DHE FATALIZMIT


(Rreth romanit “Bolero në vilën e pleqve” të Fatos Kongolit)

Xheni SHEHAJ

Romani “Bolero në vilën e pleqve” i Fatos Kongolit ngërthen ngjarje të dy kohësive, të cilat vijnë si kronikë e rrëfimtares. Parashqevia, me profesion infermiere, 30 vjeçare, është rrëfyesja e ngjarjeve. Ajo i shfaqet lexuesit që në krye të herës si një njeri i rëndomtë, i parëndësishëm dhe i padukshëm. Duke pasur një orientim seksual ndryshe (ishte lezbike), ajo ndjente mbi vete paragjykimet, gjykimet, e neverinë e të tjerëve. Të qenit “ndryshe” e kishte bërë Parashqevinë ta ndjente veten të huaj, të mallkuar, të dënuar. E, për më tepër, bota përreth nuk e ndihmonte aspak, por ia shtonte morinë e komplekseve e pasigurive.Duke tentuar të bëhej e padukshme, të ecte si hije, të mos ndihej prezenca e saj, Parashqevia kishte krijuar te kolegët e te të tjerët përshtypjen se ishte njeri mediokër, me shkallë zero të zhvillimit mendor.”Për koleget e mia, në përgjithësi për këdo që hynte e dilte në pavijon, unë kam qenë gjithmonë një send i dekorit. Një qenie në nivelin zero të zhvillimit mendor. Më urdhëronin të gjithë dhe unë u bindesha të gjithëve.”
E megjithatë, ajo kishte mbaruar studimet për infermieri me një mesatare të kënaqshme, ishte e zonja në punën e saj, por “fatkeqësia” që i kishte rënë për hise e kishte ndrydhur deri në pikën që nuk mundohej t’i bindte të tjerët se ajo vlente shumë më tepër sesa e vlerësonin.Ngjarjet rrokullisen dhe marrin drejtim tjetër kur Parashqevisë i vjen një ofertë pune. Doktori i spitalit ku ajo punonte e rekomandon tek miku i tij biznesmen, për t’u kujdesur për prindërit e moshuar të këtij të fundit.Pas disa mendimesh e stërhollimesh vet me vete, Parashqevia pranon ofertën e punës. Në një farë mënyre ajo pranon të izolohet, të largohet nga jeta e jashtme për t’u mbyllur në një vilë me dy pleq të sëmurë e tekanjoz. Izolimi, bashkëjetesa me çiftin e pleqve krijon idenë e dorëzimit, shkëputjes e vetëdënimit të saj. Parashqevia mendonte se bota atje jashtë nuk kishte vend për njerëzit si ajo. Ishte një grua e vetmuar, e mbyllur në vete, e trazuar nga kujtimet e së shkuarës dhe nga traumat e lindura nga ngjarjet që kishte përjetuar.
Kongoli nuk harron të paraqesë ngjyrimet kryesisht gri në të zezë të shoqërisë shqiptare. Ai e ka sjellë shoqërinë në dy kohë; viti i tmerrshëm 1997 dhe disa vite më vonë. Viti 1997 shfaqet në tërë egërsinë e tij. Shqipëria është tërësisht nën komandën e bandave. Depot e armëve janë boshatisur dhe populli është i armatosur. Shqiptarët kanë nisur të lajnë hesapet me njëri-tjetrin dhe nuk ka ditë mos të ketë ekzekutime, shpërthime, grabitje e përdhunime.
“Ishte një natë marsi, e atij marsi njeringrënës 1997, dhe logjika ta donte të rrija brenda. Kështu vepronin të gjithë njerëzit e arsyeshëm, sapo niste të ngrysej dhe krismat e armëve dhjetëfishoheshin, mbylleshin brenda. Me t’u ngrysur, rrugët pushtoheshin nga qenëria…Krismat rreth e rrotull dhe dyndjet e njerëzve në spital, që sillnin të afërm të plagosur dhe u rrinin mjekëve me kallashnikov në kokë për t’i mjekuar, ishin të zakonshme.”
Ky ishte pasqyrimi i shoqërisë shqiptare përgjatë vitit 1997. Rrëmbimet, përdhunimet, larjet e hesapeve, skafet me refugjatë për matanë detit, vijnë e shpalosen dora – dorës gjatë rrëfimit të Parashqevisë, si për të mos trazuar kujtimet e një kohe të cilën njerëzia kërkon ta lërë në harresë.Por, as koha në të cilën gjallojnë personazhet e romanit nuk duket më e butë. Shoqëria paraqitet e shthurur. Autori pikturon një tablo mjerane të shoqërisë në të cilën ka fëmijë që i lënë prindërit në duart e dikujt tjetër, martesa të prishura, lidhje paralele, hipokrizi, shtirje e falsitet. Një shoqëri e degraduar, e prirur drejt së keqes, drejt veseve. Ky është ambienti ku bashkëveprojnë personazhet e romanit.

Përsëritja

Një nga teknikat e përdorura nga Kongoli është përsëritja e situatave. Kjo jo për të krijuar monotoni, por:- herë për të ndryshuar ritmin e ngjarjeve si p.sh: (ardhjet e doktorit një herë në muaj tek vila për të vizituar pleqtë, komedia që luante me zotin Irfan, ngacmimet për gjininë femërore). Gjallëria që sillte doktori, humori dhe të qenit i paskrupullt ndryshonte për pak ritmin monoton të vilës e banorëve të saj, – herë për të ngjallur kuriozitet si p.sh: (kur zonja Firdus i dërgon për herë të parë të shoqit letër të hapur në mënyrë që ta lexonte dhe Parashqevia, e zoti Irfan bën të njëjtën gjë). Kjo sigurisht ndjell kuriozitet tek lexuesi pasi më në fund ai mund të njihet me përmbajtjen e dy letrave, – herë për të mos humbur vëmendjen e lexuesit si: (përsëritja e së njëjtës frazë prej Dirinës “të luash mendsh” sa herë ngecte në trafik në rrethrrotullimin e Zogut të Zi). Lexuesi duke u ndeshur disa herë me këtë përsëritje në vend që t’i humbasë vëmendja, i rritet përqendrimi pasi pret të lexojë reagimin e Parashqevisë. Përgjatë romanit, autori bën të mundur që edhe Parashqevia në duelin me veten përballë pasqyrës të përsërisë të njëjtat fjalë: “shëmtirë”, “e neveritshme”, “qene”, e për disa herë të ndjehet si një qese plastike e mbushur me plehra.

Elemente si ura lidhëse mes së shkuarës e së tashmes

– deti; në vepër ai luan rolin e një ure lidhëse mes së tashmes e së shkuarës së Parashqevisë. Sapo atje tej u duk deti vajzës iu mblodhën kujtimet e një jete të shkuar, në një tjetër qytet, me të tjerë njerëz.
“…Derisa u shfaq deti. Sigurisht deti do të shfaqej dhe unë nuk mund të shtangesha nga ky fakt. Fajin për atë ndjesi të beftë, – po e quaj shtangie, në vend të s’di ç’fjalë tjetër më të përshtatshme, – e pati deti.Kam lindur në një qytet bregdetar, jam rritur atje. Është një qytet-port ku unë s’kam shkelur prej vitesh, qysh se u largova dhe s’kam parë më as detin e tij, as qytetin, as njerëzit. Dhe nuk kam dëshirë t’i shoh.”
Kështu nis filli i kujtimeve të Parashqevisë për të shkuarën e saj. Prej detit, prej pranisë së tij, asaj i vinte në mendje ngjarja e hidhur që kishte përjetuar. Në breg të detit atë e kishin përdhunuar gjashtë djem me maska. Për ta lënë të vetme, në të ftohtë, të përgjakur e të poshtëruar pranë detit.
“Më urdhëruan të zbrisja me ta nëpër rrëpirën e kodrës, në një gji deti. Ata më përdhunuan të gjashtë, me të njëjtin stil. Nuk kuptoja më asgjë. Nuk ndieja më as duhmat e tyre me alkool e duhan përzier, as shfryrjen “shkërdhatë”, as shpërthimin e shkulmeve të tyre. Ndieja vetëm një dhimbje të tmerrshme nën vete. Shqyerjen e buzëve. Dhe zhaurimën e detit. Deti shtrihej i zi.”
– fjala “shkërdhatë”; në një nga daljet e saj në dyqanet e lagjes, Parashqevia e pakujdesshme rrezikoi të përplasej me një makinë. Shoferi teksa shfrynte e shante ndër të tjera e quajti edhe “shkërdhatë”. Fjala e goditi vajzën fuqishëm e kjo jo vetëm për shkak të domethënies, por kryesisht për rizgjimin e kujtimit të hidhur. Teksa të gjashtë trimoshat e maskuar e përdhunonin njëri pas tjetrit, nuk përtonin ta quanin “shkërdhatë”, fjalë kjo që u ngulit në mendjen e viktimës e nuk shkulej më.
“Fjala shkërdhatë u rikthye. Mbi të gjitha, mendova, të mbledh veten, ta heq nga truri fytyrën e zezë dhe fjalën “shkërdhatë”. Ia dola, por tek prisja në radhë, në vend të tyre më sulmoi një natë e errët, në breg të detit, me zhaurimë valësh.”
– ëndrrat; janë paralajmëruese të ngjarjeve që mund të ndodhin. Parashqevia sheh në ëndërr zonjën Firdus, e cila aso kohe ishte gjallë, e kjo i thotë njësoj si dikur e ëma në ëndërr: “Po vdes, lutu për mua!”.Përmes këtyre elementeve, autori ndihmon Parashqevinë të bëjë lidhjen e së tashmes me të shkuarën.

Erotika në roman

Në roman nuk mungojnë pasazhet me përmbajtje erotike. Duke filluar që nga batutat e doktorit me zotin Irfan mbi seksualitetin e këtij të fundit, masturbimet e pafundme të Parashqevisë, e deri tek mendimet e saj erotike në lidhje me Dirinën.Nëpërmjet situatave të ndryshme ku përmenden tematikat seksuale duket sikur autori do të godasë shoqërinë, e cila duke mos pasur edukimin e duhur seksual e për pasojë duke mos e parë seksin si një proces normal e mbivlerëson atë dhe i jep pushtet më të madh sesa ka duke e përdorur herë si dënim (djemtë që “ndëshkuan” vajzën duke e përdhunuar vetëm se kjo ishte lezbike dhe e lidhur me motrën e një të “forti”); si kapadaillëk (rasti i doktorit që mbante dashnore edhe pse ishte i martuar); si shenjë pushteti (rasti i Nardit i cili duke qenë i pasur ishte martuar me një grua më të re se vetja); si shenjë rinie (rasti i zotit Irfan, të cilit tashmë i kishin rënë dhëmbët dhe gjithë ç’i mbetej ishin fjalët e batutat); dhe si burg apo makth për personazhin e Parashqevisë (ajo e traumatizuar nga përdhunimi, e pazonjë të pranojë vetveten ashtu siç është nuk kërkon realisht të gjejë një partnere por mjaftohet duke ëndërruar e duke masturbuar).Seksi shfaqet jo vetëm në mendimet e dëshirat e personazhit kryesor, por edhe në situatat e krijuara mes personazheve të tjerë. Doktori ka rolin e një DonZhuani dhe në çdo takim me infermieren e zotin Irfan lëshon batuta e pyetje të drejtpërdrejta për jetën seksuale të dy personazheve. Pas ardhjes nga Parisi, ai nuk ngurroi t’i sillte dhuratë Parashqevisë një lodër seksuale, të cilën kjo e fundit e pagëzoi me emrin Adam.Një nga momentet e nxehta në roman është skena kur Parashqeviamasazhon trupin e Dirinës. E skllavëruar nga trupi i saj, e etur për të, ajo përfundon duke e dreqosur raportin shoqëror me Dirinën. Në mungesë të një partnereje, Parashqevia masturbohet rregullisht.
“Skena e masazheve në sallon më përndiqte kudo, më shtrëngonte kraharorin, më zinte frymën. Nuk gjeja prehje përveçse duke u masturbuar. Gjatë atyre tri ditëve u masturbova çmendurisht.”Rol të posaçëm përsa i përket anës seksuale në libër, autori i ka dhënë grupit të djemve që qëndrojnë për çdo darkë në bordurat e lagjes. Vajza që shërbente para Parashqevisë te vila, ishte mpleksur me njërin nga grupi i djemve të lagjes. E ata vijonin të rrinin në pritje me shpresën se shërbyesja e re do t’ua varte.

Letërkëmbimi

Kur filloi të punonte në vilën Voga, Parashqevia ende nuk e dinte se zonja Firdus dhe zoti Irfan, edhe pse jetonin në një shtëpi, i shkruanin letra njëri – tjetrit. Në një vëzhgim të parë, sekush mund të mendojë se ç’broçkulla mund të shkruajnë dy të moshuar të rrëgjuar e me një këmbë në botën tjetër. Parashqevia edhe pse ndjehet kurioze të lexojë letërkëmbimin e çiftit, nuk hap kurrë asnjë letër. Nga fundi, ajo tenton në mënyrë amatoreske të marrë nga plaku letrat, por nisma nuk i ecën.Pas vdekjes së zonjës, bashkëshorti fillon një tjetër “lojë”, atë të ëndrrave e fanepsjeve. Faktikisht e fillon Parashqevia duke i treguar një ëndërr që kishte parë me zonjën Firdus, dhe plaku nuk vonon ta kthejë në diçka të zakonshme. Ai nis e tregon çdo mëngjes se e shoqja “erdhi mbrëmë”, u shfaq, i buzëqeshi, i ndenji ftohtë, nuk iu afrua, etj. Një ditë plaku ishte tejet i shqetësuar dhe i trishtuar pasi në ëndërr e shoqja nuk e kishte lejuar që ky ta përqafonte. Duke u bazuar në shpjegimin e ëndrrave, Kongoli i mëshon faktit se nëse i gjalli përqafon të vdekurin, ky i fundit e merr. Zonja Firdus që nga përtej varrit e dinte se nuk kishte ardhur ende koha e të shoqit. Ndaj dy herë radhazi ajo ia refuzoi përqafimin.Zoti Irfan e kishte zakon që sa herë grindej me të shoqen, ulej e luante në piano. Idhulli i tij ishte Chopen, fotografinë e të cilit e mbante në dhomë. Në takimin e parë kur gruaja i refuzoi përqafimin, zoti Irfan i dëshpëruar e pasi kishte kaluar një parainfarkt, vuri në sfond Boleron e Ravelit. Edhe në refuzimin e dytë, u përsërit e njëjta muzikë. Derisa, një mëngjes korriku, adoleshenti i përjetshëm, zoti Irfan, u bashkua me zonjën e tij.
“E gjeta në shtrat, në shpinë, symbyllur, gojëmbyllur, me çarçafin që e mbulonte nga mesi e poshtë. Në fytyrë i kishte rënë një qetësi qiellore. Ajo e kishte lejuar ta përqafonte. Ai e kishte përqafuar.”
Pas vdekjes së plakut, puna e Parashqevisë në vilë përfundon dhe ajo kthehet në apartamentin e saj. Merr një qen për t’i bërë shoqëri dhe e quan Adam. Shtëpia tashmë është vendstrehimi i dy Adamëve dhe një Eve.Kongoli e mbyll romanin me vetminë e Parashqevisë, e cila bashkë me Adamin qen sheh një film. Duke e mbyllur personazhin në burgun e saj, autori krijon përshtypjen se individët janë të burgosur në fatin e tyre sado që mundohen ti largohen atij. Parashqevia i largohet qytetit të saj me det dhe detin e gjen prapë, i largohet qytetit ku njerëzit e neveritnin dhe i gjen sërish me të njëjtën dozë neverie, i largohet djemve përdhunues dhe gjen djem të tjerë të cilët e vetmja gjë që i dallon nga të parët është pamundësia për të kryer krimin e përdhunimit.
Parashqevia la pas një vend ku ndjehej e vetmuar dhe e braktisur për të gjetur të njëjtën vetmi e braktisje në një tjetër vend. Personazhet e Kongolit janë të destinuar të jetojnë një jetë mediokër, në të cilën tragjizmi dhe fatalizmi ndërthuren për të shënjuar deri në fund jetën e personazheve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.