NDRYSHE PËR DASHURINË…

(Rreth librit “Qyteti i shpirtrave” të Nedjelkjo Shpilek)

Arsim HAMITI

Çfarë bën një njeri kur ndjehet i vetëm brenda një qyteti të madh, mbase edhe të huaj? Ndoshta nuk është tamam kjo pyetja që autori Nedjelkjo Shpilek parashtron në përmbledhjen e tij “Qyteti i shpirtrave”, por gjithsesi se kjo pyetje të rri në mëndje derisa lexon ca vargje të bukura të këtij autori të mbushura plot melankoli. Dhe vërtet, çfarë bën një njeri në një qytet, kur mendja e tij ikën diku larg, kur shpirti i tij dëshiron diçka tjetër dhe kur zemra e tij banon në tjetër vend. Apo le ta riformulojë pyetjen edhe një herë. Çfarë bën një njeri që ndjen dashurinë në një qytet të huaj? Si mund të dorëzohet para zhurmës së qytetit kur ai ndjen vetëm qetësinë e shpirtit. Si t’i jepet stihisë dhe vrullit të turmës që shpejton, kur ai ndjehet i vetëm. Si mund të shtypet nga pesha e mureve dhe rrugëve të ngurta kur dashuria e tij është më e fortë se vetë qyteti.

Natyrisht, nuk janë këto impresionet e vetme që të jep leximi i disa dhjetëra poezive me të vërtetë të bukura të këtij libri, e jashtëzakonisht të ndjeshme që japin një shije estetike plot ndjesi. Janë këto poezi, pra të një njeriu që, përveç asaj ndjenjës e rregullave formale që të jep jeta e një qyteti, ka përbrenda një botë tjetër që rëndom nuk shfaqet jashtë formës poetike e artistike. Këto poezi, që me formën e jashtme ta japin idenë e një qyteti të zymtë që jeton në një vjeshtë të vonë, të ftohtë e pambarim dhe i cili si një përbindësh legjendar  gllabëron të gjithë ata që jetojnë brenda tij, në të vërtetë na shpërfaqin një personazh melankolik, por plot jetë, që në shenjë revolte ndaj ndjenjës urbane, ndaj rregullave e normave të rëndomta, por të pakuptimta, që në një mënyrë apo tjetër edhe determinojnë fatin e njeriut, atëherë vendos si shenjë revolte të shndërrohet në varg të lirë.

Dhe ja ku vijmë te përgjigja e pyetjes që ngritëm më lart, e cila gjithsesi që vije po ashtu si impresiono i leximit të këtyre poezive. Një njeri i tillë, i shndërruar në një shpirt të mbyllur brenda qytetit, gjithçka që mund të bëjë është që nëpërmjet figurës, artit dhe mjeshtërisë artistike të shprehë tërë atë mllefin e tij, por jo ndaj vetë qytetit, i cili s’ka faj, por ndaj vetë botës që pa vullnetin tonë na merr me vete dhe fare s’na kupton.

Por, nuk është kjo ndoshta ideja kryesore që përshkon këto poezi të shkurtra e plot figuracion. Unë, madje do të thoja që është dashuria, motivi dhe tema kryesore që nëpërmjet figurës së elipsës, shpërfaqet fuqishëm në diku rreth 50 poezi që na vijnë në një formë pak të çuditshme, pa tituj, por me një numër lart, i cili nuk ndjek me tamam radhën natyrore. Pra, mungojnë titujt duke na e dhënë idenë e një titulli të përbashkët që qëndron në kopertinë, mungojnë edhe disa numra poezish për të na dhënë idenë që mungojnë disa poezi, madje mungon edhe vetë fjala dashuri për të na dhënë në mënyrë artistike vetë mungesën e së dashurës, por jo të zemrës së dashuruar, e cila shpërfaqet kudo figurativisht nëpërmjet elipsës, e cila përveç se gjendet kudo brenda vargjeve poetike, ajo shfaqet dendur edhe në vetë formën e jashtme, duke ndërtuar një stil origjinal të këtij poeti. Autori Nedjelkjo Shpilek pra, ka gjetur një mënyrë shumë të bukur për të folur për dashurinë, apo thënë më saktësisht për mungesën e saj dhe vetminë që shkakton ajo mungesë brenda një qyteti. Nëse vërejmë me kujdes, shumica e poezive kanë dy personazhe, një aktiv dhe një pasiv, është ai që flet në vetën e parë dhe ajo së cilës i drejtohen dhe i kushtohen vargjet plot emocion. Aq e dendur është kjo lidhje duale brenda poezive, sa që nganjëherë të jepet ideja se po lexon një letër të gjatë dashurie, të një njeriu që i mbyllur brenda mureve të qytetit, i mposhtur nga muret që krijon bota moderne dhe nga mungesa e personit të zemrës, shpëtimin e gjen në vargjet që ia kushton asaj. Aty ai shprehet për dhembjen që shkakton largësia, për vetminë që shkakton turma dhe për vuajtjen që shkakton mungesa. Autori Shpilek, si duket ka parasysh atë që thoshte Erih Maria Remark në hyrje të letrës që i drejtonte së dashurës Marlene Ditrih: ‘’shkrimtarët nuk duhet të shkruajnë letra dashurie, sepse ka të tjerë që shkruajnë shumë më bukur se ata” dhe si për të përmbushur këtë mesazh, ai në vend të një letre klasike të dashurisë, shkruan plot një libër me vargje të bukura dhe ia drejton “asaj” nëpërmjet Qytetit të shpirtrave, një ideje figurative – metafizike, që shtrihet mes Prishtinës dhe Zagrebit, dy qyteteve që ndajnë zemrën e autorit Nedjelkjo Shpilek.

Leave a Reply

Your email address will not be published.