NË BOTËN E PORTRETEVE TË ARDIAN TRAGAJ

Të flasësh për krijimtarinë e Ardian Tragajt, do të thotë të evidentosh pasionin e një njeriu që e sheh ribërjen e jetës brenda lojës së ngjyrave dhe anti frymës ekzistuese

Agim BAJRAMI

Sa herë që bie fjala për krijimtarinë e Ardian Tragajt, mendja të shkon te salloni i njohur i tij, atje ne Shkozet, mbushur me një galeri të pafundme portretesh e karakteresh njerëzore, njeri më i ndryshëm se tjetri. Realizuar me një teknikë sa antike aq edhe modern, këto portrete duket se janë varur në këto mure për të shpalosur dhe përcjellë te shikuesit psikologji dhe filozofi shumëdimensionale. Është një arkeologji artistike që tenton nëpërmjet zbulimit të së djeshmes të na japë të sotmen të mbuluar nga pluhuri dhe balta e veseve njerëzore. Shumë larg stilit të zakonshëm të të pikturuarit të sotëm, gjuha artistike e këtij piktori ia del të bëhet e lexueshme nëpërmjet përthyerjeve të stilit si dhe frymës së tij të spikatur rebeluese ndaj standardeve zyrtare të krijimit. I kam ndjekur nga pranë ekspozitat e këtyre pikturave në ekspozita të shumta të hapura në kohë të ndryshme, si në Tiranë ashtu edhe në Durrës dhe ajo që më ka mbetur e fiksuar në mendje, është aftësia e autorit që nëpërmjet një kodi të tij të komunikojë sa me veten aq edhe me ajrin e rëndë të moralit të kohës. Brenda habisë së këtyre karaktereve gjithkush nga ne arrin të dallojë një barasvlere të zhgënjimit të njeriut në momentin kur ky ndjen thyerjen e pasqyrave të deritanishme, me të cilat ai është mësuar të shikojë vetveten. Është kjo arsyeja që shumica e këtyre portreteve shpalosen para nesh me një mungesë të theksuar të harmonisë fizike dhe anormalitet fiziologjik linjash. Sigurisht nuk ka qenë dhe nuk është kurrsesi qëllim primar i këtij piktori, evidentimi i shëmtisë fizike se sa asaj shpirtërore.

Në telajon e autorit duket se përpara fillimit të punës është ndjere vazhdimisht një ajër i rënde e i ndotur i atmosferës së botes, një mungesë alternativash, pse jo edhe parathënie e një kaosi të pritshëm. Kjo ndjesi që i shoqëron vazhdimisht ato, u ka dhënë këtyre portreteve edhe atë mungesë harmonie dhe vizioni që përmendëm më sipër. Portretet e Ardian Tragajt më tepër se veten, performojnë një kohë që nuk është dakord t’u nënshtrohet njësive të saj matëse. Një kohë që mund të quhet si e tillë vetëm nga bëmat e saj perverse dhe aftësisë së saj demoniake për të hedhur në treg këtë shumësi të deformuar elementesh të çuditshëm dhe karikatural, që kanë fatin e keq të quhen njerëz. Jo vetëm mua, por shumëkënd nga dashamirësit e pikturës na ka çuditur prirja e këtij autori për t’i kërkuar zërat e brendshëm të absurdit përtej fasadës së dukshme dhe gjërave të njohura, por në brendi të moralit njerëzor aty ku nis koshienca për t’u rikthyer në të kundërtën e saj.

Habia në veprat e Ardianit na vjen përmes syve të mëdhenj të sinqertë, ndërkaq veshët e tyre dëgjojnë dhe atë që nuk duan ta dëgjojnë e mbajnë për vete dhe shpërthejnë nga breshëria e mendimeve sa qe edhe e humbasin veten, por në esencë ato kujdesen që ta mbrojnë këtë vetë, duke e izoluar atë me një mbulesë të fortë artistike. Shpalosja e arkitekturës shpirtërore të portreteve ndonëse realizohet me pak vonesë, përsëri ia arrin asaj që synon. Dhe kjo se autori di ta motivojë veten dhe karakteret e tij t’i nxjerrë nga metafora e heshtjes dhe mbylljes së tyre, duke transmetuar në etër ato mesazhe që një pikturë e zakonshme nuk është e aftë ta bëjë siç duhet. Shpesh herë mendimet që pluskojnë brenda tyre arrijnë të vendosin në ambientin përreth pamje asimetrike të realitetit që na rrethon, duke folur mes heshtjes së tyre, e cila edhe pse është e tillë, arrin të shpalosë në erë akustikën e një dhembje njerëzore. Duke aluduar rreth shfaqjeve që ndodhin në këto realitete, autori arrin të zbrazë tërë mllefin e tij të zhgënjimit, duke vendosur në thellësi të vetes së tij një lloj qetësie relative. Ne, duke e njohur shpirtmadhësinë e Ardianit, duke e njohur ndjeshmërinë e tij shpirtërore për njerëzit që vuajnë, arrijmë të kuptojmë edhe më qartë mesazhet e veprës së Ardianit.

Ndonëse portretet po t’i shikosh brenda thellësisë së tyre, mund të vëresh një dramë që luhet çdo çast ose fillesën e një subjekti tragjik. Kështu, për shembull, po të shohim lotët në syrin e të ngujuarit brenda qelive të absurdit shqiptar, mund të ndeshim brenda tyre dimensionet e dy burgjeve, burgut të individit dhe burgut të shoqërisë, të cilit ai i përket. Në këto burgje mungon vetëm gardiani, të cilin autori është munduar ta zëvendësojë me ngjyrën e patejdukshme të ajrit. Ardian Tragaj është një piktor që ka lindur nga shkolla e zhgënjimit. Kjo do të thotë se modelet e pikturave të tij janë plazmuar mbas gjendjesh shpirtërore. Ai lloj vakumi që vihet re në kafkat e syve të tyre, edhe pse pritet të plotësohet me një ajër tjetër, përsëri është i trishtë dhe i pazakontë, sinonime tipike të realiteteve pa ngjyrë të shoqërisë shqiptare dhe atyre ballkanike. Shumica e këtyre tipave si të dalë nga mitra e absurdit, e vendosin vetveten në pozicione sa të çuditshëm aq edhe anormal. Përballë tyre tunelet nuk kanë dritë, por vetëm një terr fshikullues. Kjo e motivon qëndrimin individual të autorit përballë realiteteve të prekshëm dhe te paprekshëm nga të gjithë. Edhe pse i vizatuar me ngjyra të shumëllojshme kontrasti mes të bardhës dhe të zezës, të ngjall në vetvete një ndjesi fataliteti. Ndonjëherë në ndikimin e tyre ndihem si i hutuar dhe jo si i huaj përballe tyre. Kjo vjen ngaqë elementet që mbartin ata dhe fryma që përcjellin, është aq tragjike dhe e fortë sa mund të krahasohet me shndritjen e një vetëtime përpara syve të papërgatitur të njeriut. Karakteret e Ardian Tragajt mund të krahasohet fare mirë me pozicionet dhe gjendjet e ndera të personazheve të Fran Kafkës përpara realiteteve fatale, por dhe pozicioneve tragji-komike ku i vendos personazhet e tij Dostojevski. Dikush mund të thotë se ç’lidhje mund të kenë këto personazhe me karakteristikat e pikturave të Ardian Tragajt, unë them se të gjithë këta personazhe e karaktere i bashkon mungesa e përbashkët e dritës dhe e shpresës, por edhe fryma alegorike me të cilën ata e shohin dhe e përshkruajnë botën e tyre mjerane.

Po të shohësh me kujdes disa nga pikturat më evidente të Ardianit, do të ndeshesh me një ajër që është i pranishëm vetëm në një shtëpi ku lëngojnë vetëm njerëz të sëmurë prej një kohe të gjatë, kolla dhe rënkimet e tyre i kanë dhënë kësaj shtëpie një pamje tragjike. Duket se edhe prania e doktorit dhe e medikamenteve mjekësore nuk mund t’u ringjallë këtyre njerëzve shpresën për të jetuar, pasi fati i tyre është tashmë i përcaktuar. Përtej këtyre rënkimeve dhe vrimave të zeza, autori vendos si kontravers pikëpamjet e tij intelektuale dhe shpirtërore, diellin e tij artistik edhe kur këtë nuk e ka të mjaftueshëm për veten e tij. Po shohim me kujdes njërën nga pikturat e tij “FRONI I PUSHTETARIT”, të bie në sy detaji i gjetur i karriges, i cili tani është shndërruar edhe në gjymtyrën e pushtetarit, gjymtyrë nga e cila e ka të pamundur të ndahet. Kemi në këtë kompozim tragjedinë e pushteteve jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike, tragjedi e cila është ndërtuar më së miri artistikisht nga ky autor kaq kërkues dhe me kaq fantazi. Një tjetër pikturë nga e cila është e vështirë ta shkëputësh vështrimin është ajo me titull “SUNDIMTARI”. Një sundimtar, në kokën e të cilit kurora mbretërore duket sikur ka hedhur rrënjë dhe degë. Për të bërë ndarjen fizike të kësaj kurore dhe kokës, tashmë duhet vetëm një gijotinë, ashtu si në rastin e Luigjit XIV. Piktura operon sa me gjuhën e pasur të alegorisë, aq edhe me psikologjinë e veçantë që i vesh piktori asaj. Mjafton t’i shikosh gjuhën e gjatë e të nxjerrë përjashta si një gjysmë shpate me të cilën ai nuk do të nguronte të priste sa majtas djathtas kokat e kundërshtarëve të tij politik. E parë në kontekstin kohor jo vetëm shqiptar ku lufta e bërrylave dhe kokave të nxehta për të sunduar përjetësisht është kaq evidente dhe e egër, kjo vepër është edhe një lloj kujtese e barazvlefshme me vargun poetik të Julius Fucikut kur thoshte shumë vjet më parë: “Popuj jini vigjilent!”.

Një tjetër portret për të cilin kritika e specializuar e ka thënë tani fjalën e vetë, është piktura e “SKENDERBEUT”, heroit tonë kombëtar ose kalorësit të krishterimit europian. Në vështrimin e tij krejt të veçantë dhe origjinal, autori ia ka arritur të pasqyrojë me mjete të gjetura artistike dhe shprehëse epopenë e lavdishme të një kombi të vogël, që arriti të bëjë histori përballë një perandorie. Ky portret, i cili e ruan deri në fund identitetin e vet, arrin ta shfaqë brendinë e tij psikologjike me një qëndrim krejt të vetin. Duket se autori ka dashur ta japë këtë portret brenda konceptit të tij individual, duke shmangur shabllonet e modelet e njohura të derisotme. Me shumë se luftëtar, “SKENDERBEU”i Ardian Tragajt është një udhëheqës vizionar. Një njeri dhe burrë shteti. Nëpërmjet ngjyrave karakteristike, autori ka dashur t’i heqë këtij personazhi atë pjesë të mjegullës mesjetare dhe feudale, duke e sjellë artistikisht deri në ditët tona. Po kështu, me mjaft interes është figura e “PLAKUT”që zbret shkallët e jetës. Brenda një metafore të caktuar artistike, autori ka mundur të shpalosë artistikisht përballë nesh atë pjesë të filozofisë së madhe jetësore, ku shpirti dhe trupi kundërshtojnë njëri tjetrin. Zbritja e shkallëve të jetës nuk nënkupton për autorin prekjen e fundit të saj, por një tentim të theksuar njerëzor për të evidentuar kuptimin e jetës së vërtetë të njeriut të thjeshtë. Lufta mes ngjyrave gri të dëshpërimit dhe bardhësisë së shpresës në këtë kompozim janë dhënë nëpërmjet një gjuhe të pasur artistike. Theksimi i dëshpërimit në këtë vepër nuk është qëllim në vetvete i autorit, sepse qëllimi i tij primar është dhe mbetet rilindja.

Të flasësh për krijimtarinë e Ardian Tragajt, do të thotë të evidentosh pasionin e një njeriu që e sheh ribërjen e jetës brenda lojës së ngjyrave dhe anti frymës ekzistuese, do të thotë të evidentosh vlerat e një krijuesi dhe intelektuali bashkëkohor, i cili ruajtjen e identitetit të kombit të tij e shikon të lidhur ngushtë me forcimin e vlerave shoqërore brenda atyre të kombit evropian dhe me gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.