NË KËRKIM TË NJË SHOQËRIE TË RE

(Migjeni, “Studenti në shtëpi”, analizë mbi narracionin dhe ndërtimi i tij)

Fjorentina BALLA

Migjeni është një vlerë universale e letrave shqipe. Është shkrimtari, i ulur në prehër të skamjes, i cili fshikullon çdo dogmë, rregull, normë, kanun shoqëror që imponon në qenien e individit të kohës,mjerimin në të gjitha trajtat e tij: fizik, moral, shpirtëror dhe intelektual.

Migjeni përmes novelës “Studenti në shtëpi” kërkon tëhuajësimin e shoqërisë. Kërkon një shoqëri të re. Ai ka futur në mes tyre një person të tëhuajësur, si Nushi, por kjo gjë është arritur për shkak të shoqërisë perëndimore. Ky autor e fton shoqërinë në ndryshim: “Unë jam pa moral, koncepti i em menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet më moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe , nsa mbrpa ia loz lojën kur të due. Kështu si une ia lozin lojën shoqnis me qindra veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat” – ky është qëllimi që autori, si një instancë e jashtme e veprës, kërkon të arrijë.

Në këtë novelë nuk kemi një subjekt vargor, ku episodet ndjekin njëra-tjetrën, por rrëfimtari zgjedh që të na japë vetëm disa linja veprimi. Këtë gjë, sigurisht e bën më vetëdije të plotë, sepse qëllimi i autorit që del me zërin e rrëfimtarit nuk është që të tregojë fabulën; ai tregon fabulën e veprimit dhe nëpërmjet saj krijon një subjekt të brendshëm te personazhi i tëhuajësuar i Nushit, të cilin rrëfimatri e bën motiv për tëhuajësimin e shoqërisë.

Migjeni përdor një rrëfimtarë të vetës së tretë, i cili në vetvete është një rrëfimtar anonim, që shpreh zërin e një personazhi të novelës, Nushin. Ai zgjedh këtë lloj rrëfimatri për novelën e tij, në mënyrë që të marrë rolin e interpretuesit të ngjarjeve apo motiveve që trajtohen. Në këtë mënyrë ai do të jetë më afër lexuesve, si një interpretues, i cili shpalos këndvështrimin e tij për ngjarjet e ndodhura, këndvështrim, të cilin di si ta tejçojë te lexuesi në atë mënyrë që ato t’i godasë. Për këtë gjë ai zgjedh ironinë, sarkazëm, si një ndër format origjinale të shprehjes së tij, që shpesh është forma më inteligjente për të shpalosur të vërteta te hidhura.

“E Nushi ndëgjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndëgjue babën i cili e lindi, rriti dhe e bani kaq! Pale mos ndëgjjo. Megjithëse kunda ndërgjegjës së vet, Nushi ndëgjon. Nga fjalët e t’et I shtrembërohet fytyra, por me ndëgjue-ndëgjon…. Ndëgjon dhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me frigë çuditet për ditunin e madhe tëbashkëshortit..”
“Nuke due! Jo,deri tash nuk asht ndëgjue në farefisin tone ajo fjale nga një vajzë e fejueme. Se secili burrë, çfarëdo qoftë, s’oaku mashkull asht. E me ba mos me qenë mashkull?”
“Nderi i shoqnis asht i pacënueshëm. I mjeri ai, i cili provon ta cënojë…E pse një grue, tue fjetë me burrin e vet plak ose idiot, vuen dhe mendon ndoj tjetër, s’ka gja… Jeta bashkëshortore njësoj asht e hyjnueshme. Këtë e ka vërtetue institute fetar.”

Siç e thamë më lart, kemi një rrëfimtar të vetës së tretë të gjithëdijshëm. Rrëfimatri di më shumë se personazhet e tjerë, pasi ai mund te shohë botën e brendshme të njërit apo tjetrit personazh, botë të cilën brenda veprës nuk e njohin personazhet e tjerë dhe as nuk ka për qëllim që t’ia tregoj, por ka për qëllim që t’ia demonstrojë lexuesit. Ja për shembull: “Ah, kur të më mësojë mue Nushi, tash ia kallëzoj qejfin – mendonte me vete tue fshi një çini.” Ose “Mos të më korisin, – mendonte me vete kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjithë pjesëtarë.” Ose “:Luli disi nuk e mendonte, nuk mund t;ia parafytyronte vetes se zotnia e tij mundet me qenë  dhe burr’ i një grueje si Agia” etj.

Rrëfimi i ndërtuar në vetën e tretë, është i ndërthurur edhe me dialogë apo monologë. Kjo zgjedhje e autorit bëhet për të bërë prezent në rrëfim zërat e personazheve, për t’i konkretizuar ato brenda botës së një vepre letrare. Po ashtu, edhe për të dhënë këndvështrimet e personazheve në lidhje me ngjarjet, personazhe të cilët janë përfaqësues të një shoqërie te kohës kur është shkruar vepra, por jo vetëm. Është tepër aktuale edhe sot. Kështu, lihet hapësira që këto këndvështrime të gjykohen e interpretohen nga zëri i rrënimtarit që vjen nga një botë perëndimore.

Në këtë novelë, prania e dialogut e ndërthurur me rrëfimin bën të mundur që të kemi një rrëfim shumështresor. Pra, në shembullin: “ – A t’u mbush mendja me ardhë, – i tha i ati kur e pa.”– kemi një shkrirje të dy zërave: te zërit të rrëfimatrit dhe të zërit të personazhit.  Po ashtu, në shembullin:“Mamë! Nushi thotë se ëdhe vajzat sa unë, edhe të martueme bile, shkojnë në shkollë. Ha-ha-ha! U përplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’amës.”–kemi praninë e tri zërave: zëri i vajzës, zërii Nushit dhe zëri i rrëfimtarit. Kështu, zëri i vajzës është: “Mamë! Nushi thotë…Ha-ha-ha!”,zëri i Nushit është: “…se edhe vajzat sa unë, edhe te martueme bile, shkojnë nëshkollë”  dhe zëri i rrëfimtarit është: “ u përplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’amës.”. Siç mund ta shohim, marrëdhëniet me lexuesin nuk i krijojnë personazhet, por rrëfimtari. Nushi i flet vajzës, vajza i flet nënës dhe këtë ligjërim e merr përsipër ta rrëfeje rrëfimatri, i cili i flet lexuesit, duke lidhur kështu një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të. Në këtë fjali kemi gjithashtu edhe një ligjëratë të drejtë të lirë, sepse mungojnë shenjat identifikuese të ligjëratës së drejtë.

Përsa i përket kohës së rrëfimit dhe kohës reale të ndodhjes së ngjarjes, kemi dy perspektiva: ne pjesën e parë të novelës kemi një kohë të tashme të caktuar, që tregon që veprimi po ndodh në momentin që po tregohet ngjarja:” Në një ndër qytetet e Evropës së Mesme Nushi po lexon letrën që posa ia kish prumë letërshpërndarësi.”. Gjithashtu, përveç kohës së tashme, kjo gjë përforcohet edhe nëpërmjet lidhëzës kohore “posa” dhe ndajfoljes së kohës “tashti”. Ne pjesën e dytë koha e rrëfimit dhe koha e ngjarjes nuk përputhen me njëra-tjetrën. Kjo na tregohet në fjalinë: “Mbas tri vjetëve të tjera Nushi u kthye në shtëpi si mjek i kryem.”. të pjesës së dytë të novelës. Edhe këtu kemi motive përqasjesh midis dy pjesëve të novelës. Në pjesën e parë ai ishte vetëm një student, ndërsa në pjesën e dytë kthehet si një mjek dhe ky post i ka ndryshuar atij marrëdhënien me të tjerët, madje edhe babi i tij, tashme i flet me një ton miqësor. Ky ndryshim e bën Nushin të futet në një dilemë te brendshëm: “ Vërente me kujdes të madh sjelljen e babës kundrejt tij dhe kundrejt të tjerëve të shtëpisë. E një mendim i ri, si stuhi,  ia pushtonte trute dhe ia perplaste andej. Ai ma vone tundte kryet, si me dashte me e largue at mendim. Ishte mendimi se edhe i ashtëquajtuni ideali familjar asht mpshtetun n’interes.”. Ky interes egoist që është ndërfutur në bazën familjare, tregon kambanën e alarmit për të gjithë boshtin shoqëror. Babai patriarkal shqiptar për shkak te interesit bëhet hipokrit dhe nuk ndjehet për tradhtinë e së bijës, e cila nga ana tjetër është një viktimë e “moralit” të mendësisë shqiptare.

Të gjitha citimet të bëra më sipër, mund t’i marrim si shembuj për të konkretizuar faktin që kemi të bëjmë me një rrëfim subjektiv, pasi rrëfimtari shpreh kryesisht këndvështrimin e Nushit dhe mënyrën se si ai i analizon ngjarjet e ndodhura, e jo vetëm, por edhe këndvështrime të personazheve të tjerë, siç është babai, Aga, nëna, burri i Agës, Luli.

Migjeni i jep kësaj novele formën e një subjekti të hapur, pasi ai e përfundon këtë novelë me një thirrje ndaj shoqërisë për ndryshim: “Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe , nsa mbrpa ia loz lojën kur të due. Kështu si une ia lozin lojën shoqnis me qindra veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat.”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.