NË SHTRATIN E RIGJALLNIMIT

Kliton NESTURI

Duam apo nuk duam, ta pranojmë me plot gojë apo nën zë, Petrit Palushi është një nga individualitetet më të spikatura të letërsisë shqiptare të këtij çerek shekulli. I dëshmuar si i tillë, qysh në romanin e tij të pare “Prroi i Andrrës”, ai ka sjellë gjithnjë risi dhe befasi në të gjitha veprat që ka shkruar më pas, duke na sjellë një frymëmarrje të spikatur. Temat e tj kanë qenë të përzgjedhura me kujdes dhe krejt origjinale, e po kështu stili mbi të cilin ato janë shkruar ka qenë gjithnjë i freskët dhe befasues. Krijimtaria e tij ka ardhur gjithnjë në rritje, çka na ka bërë që ta mirëpresim atë gjithnjë me kureshtje.

Ndryshe nga mjaft autorë të tjerë, të cilët në krijimtarinë e tyre hera-herës humbasin edhe në vorbullën e zhgënjimit, Petrit Palushi ka mundur të qëndrojë solid në artin e tij, gjithnjë në perfeksion. Kjo vihet re edhe në veprën e tij më të re romanin “Shtrati 13”. Në pamje të parë, një temë e zakonshme spitali, vendosur në pavijonin e reanimacionit të një spitali të vogël, një njeri që ndodhet i shtrirë mes jetës dhe vdekjes, e që në fund nuk e di se si do të lëvizë prej andej. Por merita e autorit është se ai del tej së zakonshmes, duke thyer koncepte njerëzore dhe skema letrare.Ndërtuar me një stil të thjeshtë narrativ ku shpaloset bota e brendshme e njeriut kur ndodhet në rrethana të tilla, “Shtrati 13” është një vepër ku dashuria dhe humanizmi, njerëzorja dhe thyerja e tabuve, shpalosen bukur dhe dinjitetshëm. Personazhet që frymojnë brenda një hapësire të vogël, përçojnë një peshë të madhe si bartës të një shoqërie sa moderne aq edhe arkaike, sa të vogël së jashtmi, po aq të madhe së brendshmi.

Një ndër pasuritë më të mëdha që na sjell kjo vepër, veç strukturës, stilit dhe befasisë letrare, Petrit Palushi na shpalos edhe pasurinë gjuhësore. Duke u mbështetur në shprehje frazeologjike dhe fjalë të përdorura kryesisht në veri të Shqipërisë, ai fut në letërsi një armatë leksiku të vyer dhe të domosdoshme si për letërsinë, po aq edhe për lexuesin, duke arritur që ta shkrijë atë në mënyrë të përsosur me gjuhën standarde letrare. Vet Palushi në këtë rast është një urë lidhëse në këtë bashkëjetesë, duke arritur të na e sjellë atë bukur dhe në mënyrë organike. Për autorin gjithçka ndodh në mjedisin ku krijimtaria e tij jeton. Ai është një shkrimtar modern dhe sjell shembullin më të mirë se si mund të bashkëjetojnë në shqipen letrare standardja dhe dialekti. Dhe këtë e bën thjeshtë, pa patur nevojë për dekrete konventash apo kongresesh drejtshkrimi. Pasuria e tij gjuhësore është një kontribut i cili mbetet denjësisht në letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke qëndruar edhe si një model referimi në çdo kohë dhe prej gjithkujt.Romani “Shtrati 13”, ashtu si e gjithë krijimtaria e Petrit Palushit, është një vepër që meriton vëmendje nga kritika, lexuesit dhe artistët. Ajo flet vazhdimisht, duke na inspiruar drejt më të mirës, jetës, dashurisë dhe të vërtetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.