NË VERI TË SHQIPËRISË

Çorapet janë një nga dhuratat që bëhen shumë shpesh në festat familjare. Gratë ua japin burrave, ndërsa grave u japin shami që janë një lloj luksi

Jacqueline BENEZECH

(Fragment)

…Gjatë paradites, ne u mblodhëm të gjithë në pragun e shtëpisë. Nëna solli fëmijën e saj dhe më dha gërshërët me të cilat preva balluken e parë të flokëve të vajzës. Pas mbarimit të ritit, Pashkën e çuan brenda dhe pak më vonë nëna do gjejë një çast për t’ia qethur gjithë flokët. Pastaj ne shkëmbyem dhuratat. Mua më dhanë një kuti të vogël llokumesh, disi të thara, që si duket i kishin sjellë nga Shkodra dhe që i kishin ruajtur si diçka shumë të çmuar në thellësi të një dollapi. Rëndesë i dhanë një palë çorape të zeza, të zbukuruara me një fill ari. Çorapet janë një nga dhuratat që bëhen shumë shpesh në festat familjare. Gratë ua japin burrave, ndërsa grave u japin shami që janë një lloj luksi. Por ndërkohë çorapet ato i përgatisin vetë. U dhurova një shami që për fat e kisha në bagazhet e mia, ku shtova dhe disa monedha argjendi. Pas kësaj ceremonie, jeta vazhdoi në rrjedhën normale të saj sikur të mos kishte ndodhur asnjë akt i rëndësishëm i kësaj bote. Për kumbarin apo nunën, të drejtat dhe detyrat janë si të babait dhe nënës, nëse këta të fundit do të vdisnin. Pagëzimi kristian bëhet ose përpara ose prapa prerjes së flokëve. Është thjesht një formalitet, të cilit nuk i jepet ndonjë rëndësi mistike.

Dukej qartë se koha e bukur do të zëvendësonte kohën e keqe dhe ne vendosëm se nëqoftëse gjithçka shkonte mbarë, do të mbërrinim të pasnesërmen. Nuk kishim shumë kohë për të bërë gati bagazhet. Rrobat tona vareshin ende nëpër trarë dhe çorapet tek tenda e çadrës. Shumë gjëra ishin ende të qulltë. Me ndihmën e Asllanit u përpoqa të laj rrobat tona por pa ndonjë rezultat të mirë. Si kryesor i ekipit dhe ai që përgatiti këtë udhëtim ishte Rëne. Ai i priu dhe e organizoi  ekipin tonë. Ishte ai që e caktoi Asllanin të shkonte në ballkon dhe me një thikë të prehur mirë, mbi një dërrasë, të priste një tufë të madhe duhani, pasi tek ky mushkaxhi, Rëne kishte zbuluar një talent të veçantë për prerjen e duhanit. Në fakt, në çdo shtëpi ka një mekanizëm të veçantë, një lloj “massicot” (prerëse) primitive, por megjithatë duket se asnjë lloj mekanizmi nuk ia arrin një dore të shkathët që ka një thikë të mirë. Kur njeriu i traditës së vjetër i jep dorën e fundit llullës së tij malësore, Rëne lumturohet ta mbushë me një duhan jo më pak fshataresk, duke e mbushur dhomën me një tym dushku të shkrumbëzuar që hyn përgjysmë, çka nuk e bën të pendohet e të thotë se kurrë nuk ka pirë duhan me kaq dëshirë. Dhe në fakt për këtë është i sinqertë.

Të nesërmen, meqë koha kishte mbetur e pastër dhe e ftohtë, një i ftohtë që u bë akoma më i madh, plani për tu nisur u konfirmua. Gjithë dita u mbush me një veprimtari të madhe pa menduar shumë për gjërat e njerëzit që do të linim dhe padyshim që do të ndaheshim përgjithnjë. Askush nuk mund ta fshihte mendimin e trishtë që e brente. Pasdite, Tomi na dha lamtumirën. Duhej të largohej për disa ditë dhe në mbrëmje, vendi i tij pranë zjarrit nuk mbeti bosh. Ai u zu nga biri i tij, ai bari i vogël aq trim dhe i bukur, që ditët e tjera hante i veçuar pasi ishte tepër i ri për tu ulur krah burrave.

Me qëllim që të largonte mendimet melankolike dhe për t’i dhënë mbrëmjes një atmosferë festive, Rëne vendosi ta përgatisë vetë darkën. Kishim ende patate. Hapëm disa kuti peshku somon dhe shtuam disa qepë që kishin filluar të lëshonin rrënjë në fundin e thesit tonë. Në tenxheren më të madhe të shtëpisë, Rëne mundi të sajojë një gjellë të zakonshme e tepër të bollshme që të mund të hanin të gjithë. Ishte shumë e shijshme. Nuk ishte e sigurtë nëse të gjithë ishin të sinqertë, pasi malësorët tanë, asnjëherë në jetën e tyre nuk kishin vënë në gojë një copë të tillë peshku dhe se duhet të kenë ndjerë një shije disi të veçantë, siç ndodh në Afrikë kur ndonjëri zbulon për herë të parë një lloj brumi prej krimbash të bardhë. Më së fundi, për të mos biseduar aq shumë për nisjen tonë, ne folëm sa mundëm për vizitën tonë të ardhme në Shqipëri. Të gjithë u gëzuan me idenë se do të shikoheshim vitin e ardhmë dhe Nikolla na bëri t’i premtonim që të mos i drejtoheshim qeverisë për këtë apo dikujt tjetër, por të vinim drejtpërdrejtë nga Shkodra dhe t’i lajmëronim për ardhjen tonë. Kështu ata do të na prisnin atje me mushka dhe nëpër male do të shëtisnim sa kohë të donim pa udhërrëfyes tjetër, veç atij, dhe se duhej të ishim të sigurt se do të shkonim kudo, në çdo cep, ku do të priteshim akoma më mirë sesa me fletë-kalimet zyrtare, me xhandarët dhe gjithë shoqëruesit nga Tirana. Madje u binda se kështu duhej të ishte e vërteta.

Biseda na çoi në një çështje që hezitimet e interpretit nuk arritën t’i shpjegonin ashtu siç do të donte ai. Ishte ligji i famshëm i Dukagjinit, Kodi i Nderit, ku rregullat ishin parashikuar në mënyrën më dragoniane. Nikolla i njeh ato në çdo detaj dhe i konsideron si një dogmë të paprekshme, të cilit, një njeri i ndershëm s’mund t’i heqë as edhe një rresht. Detyra për të vrarë rivjen pa pushim me atë që vjen pas saj: të vritesh më pas edhe ti. Edhe fyerja më e vogël e transformon jetën e një familje në një tragjedi pa rrugëzgjidhje, ndërkohë që ne e kemi të vështirë të kuptojmë sesi këta fshatarë të thjeshtë të flasin kaq qetësisht për këtë gjë, si gjëja më natyrale e botës. Në fakt, ka një ligj zyrtar që e ndalon këtë dhe gjykatat pretendojnë se i gjykojnë dhe i dënojnë vrasësit për çështje nderi, ashtu si kriminelët e rëndomtë. Ligji pretendon se shkon kundër drejtësisë së bërë sipas traditës, por njerëzit s’duan ta njohin, madje e urrejnë dhe në rastin konkret e anashkalojnë. Por veç kësaj nuk ka shtëpi që mos t’i japë strehë një vrasësi dhe nëse duhet e mbrojnë edhe me armë burrin e ndershëm që ndiqet nga xhandarët.

Më së fundi ne shkuam të flinim për herë të fundit në këtë shtëpi ku lamë aq shumë kujtime. Që në të gdhirë ishim në këmbë. Ishte një kohë gri. Asllani dhe Ismaili që zakonisht nuk ngriheshin herët, tashmë ishin në këmbë pranë kuajve që ishin çlodhur mirë dhe gati me kapistallët dhe shalët e vendosur mbi ata. Ne u ofruam shpejt nga një tas çaji të ngrohtë, siç e kishim bërë zakon çdo mëngjes, duke ngrënë disa kilogram bukë misri.

Në çastin që po zbrisnim për herë të fundit, pikasëm Franin të vinte në këmbë. Po vinte të na linte lamtumirën dhe të sigurohej që po largoheshim të kënaqur nga mikpritja që na ofroi kjo familje. Ishim pajisur mjaft mirë për të mos pasur asnjë problem gjatë rrugës dhe Nikollës që do të na printe i dhamë porositë e fundit. Gjatë një copë udhe, siç e kërkonte zakoni, ai na shoqëroi. Verifikoi edhe njëherë ato që kishim ngarkuar mbi mushkë, ekuilibrin e bagazheve mbi kalin tonë dhe mbi mushkën që na dha për udhëtim. U përshëndetëm me shumë emocion me të gjithë ata që mbetën në shtëpi dhe u vumë në rrugë. Frani na shoqëroi deri te lëndina ku ne kishim pasur një kujtim jo të mirë dhe pastaj sipas zakonit na uroi udhë të mbarë, duke u zhdukur pas pemëve pothuaj menjëherë. Filluam t’u ngjitemi pjerrësive më me kënaqësi se radhën e kaluar. Mushka e Franit, e fuqishme dhe e stërvitur, mbante pjesën më të madhe të bagazheve, aq sa kali ynë me samar, dukej sikur të kishte krahë. Veç të tjerash, Nikolla, i cili shpesh tregonte interes, siç bënin shpesh Asllani dhe Ismaili, i nxiti ata të tregohen të zellshëm. Dhe udhëtimi po shkonte mbarë. Kalimet që disa ditë më parë na dukeshin shumë të vështira, i kaluam aq lehtë sa nuk e kuptuam dhe ja ku u gjendëm në lartësi të malit, ndërkohë që mendonim se do të ishim në mes të udhës. Një rrugë e shkurtër na çonte anash pyllit pa kaluar ballë vathit të plakës që ishte duke vdekur dhe ne filluam tashmë të ecim në rrafshnaltën e thatë, në të cilën na ishte dashur të tërhiqeshim më parë. Bora filloi të bjerë. Por besimi ynë te Nikolla ishte i madh sa asgjë nuk na shqetësonte. Veç të tjerash, kur flokët e borës filluan të vijnë rrotull, kjo e gëzoi dhe menjëherë ai nisi të këndojë me zë të lartë. B…, na informoi se kjo këngë ishte kënga e një djaloshi që shkonte të kërkonte të fejuarën e tij. Sido që të ishin fjalët, kënga jehonte te ne pa e përfillur borën, retë që kishin rënë poshtë apo uturimat e erës dhe atë peizazh tragjik. Kështu ne do ta ndiqnim gjer në ferr, madje me shpërfilljen më të madhe!

Kjo etapë, e cila na ishte dukur e vështirë, aq sa ne për pak kishim vendosur të hiqnim dorë, po kthehej tashmë në një shëtitje të thjeshtë nën drejtimin e Nikollës. Ky djalosh kishte marrë si armë thjesht një shkop, çka na la të kuptojmë se nuk duhej të kishim frikë nga kaçakët dhe ujqit. Fakti që Nikolla nuk kishte pushkë ishte tepër e habitshme, duke lënë të kuptohej se s’kishte asnjë rrezik, pasi pushka për një malësor shqiptar ishte si çadra për një banor të Londrës. Duhet venë në dukje se në shtëpinë e tyre nuk shikoje pushkë të varura në murin pranë burrave. Burrat e shtëpisë dalin gjithnjë pa armë. Nëse Frani e mbante gjithnjë revolverin e tij, mendoj se atij i dukej se kjo i jepte hijeshi, pasi ai nuk do rrinte pa mbajtur një pushkë. Kjo tregon se në këtë periudhë familja e tij nuk ka rënë në “gjak” me një familje tjetër. Frani dhe familja e tij gëzojnë respektin e përgjithshëm dhe konsideratë në të gjithë zonën.

E kapërcyem shpejt vendin ku kishim filluar të humbitnim disa ditë më parë. Megjithëse gjurmët ishin plotësisht të padukshme, ne ndoqëm Nikollën dhe ecëm edhe më mirë, duke na siguruar se ku duhej të vendosnim këmbën në tokë dhe se nga mund të kalojnë kuajt. Në fakt po kalonim shtigje ku nuk do kisha besuar se një kalë, edhe i vetëm mund të kalonte andej. Në disa vende kishte zbritje lartësie sa një bojë njeriu. Në këto raste Rëne dhe B…, zbrisnin në tokë, por Nikolla s’donte në asnjë mënyrë që unë të zbrisja dhe duke shtyrë kalin për ta nxitur të kapërcejë pengesën, ai e kapte në të njëjtën kohë nga bishti, duke e zbritur kështu ngadalë deri te tabani poshtë, si të ishte një pako në cep të një litari. Dhe pastaj ai niste të qeshte duke më kërkuar me mirësjellje nëse gjithçka shkonte mirë.

Ecëm kështu deri në mesditë, ku uria na bënte që të ndalonim. Meqë ishim në një zonë që e rrihte era e akullt dhe ku bora nuk po pushonte së rëni, Nikolla këmbënguli të na çonte dhe pak më larg, ku mund të gjenim një strehë. Në fakt, duke bërë më pak nga e djathta, ai na çonte drejt një pjerrësire të lehtë në mes të së cilës një shkëmb i madh e i përkulur formonte një lloj mbrojtje dhe ku bora nuk binte. Duke u shtrënguar të gjithë te njëri-tjetri, ne mundëm të hamë diçka, pak bukë e djathë, me disa gllënka rakie, me çka Lule na kishte pajisur para se të largoheshim. Edhe kjo «sallë ngrënie» panoramike ishte një nga pamjet më të bukura që do të mbanim në kujtesë. Por atje nuk mendonin të zgjasnim qëndrimin tonë. Në fakt, prijësi ynë na kishte thënë se po të ecnim mirë do të mbërrinim në perëndim të diellit. Dhe ne vazhdonim të ecnim në të njëjtin dekor, duke pritur me padurim të arrinim një orë e më parë. Papritur ne arritëm në kufirin e asaj rrafshnalte dhe u nisëm të zbrisnim pjerrësinë e ashpër të së famshmes Qafa e Pejës, me aq vështirësi, sa pas disa minutash mundëm të dalim nga një tufan bore dhe resh. Në atë çast një rreze dielli ndriçoi papritur qiellin dhe një peizazh i bukur e fantastik u shpalos papritur para syve tanë. Në plan të parë, dhe poshtë këmbëve tona, në një krater gjigand, shtrihej një napë uji me një jeshile të errët, në mes të së cilës ngriheshin rrasa të mëdha guri të zi. Poshtë këtij liqeni të çuditshëm ishin shkëmbinj aq të mëdhenj saqë çdo njeri prej tyre mund të ishte një majë mali dhe e gjithë ajo ishte një rënie pingul gjer në fund të luginës, 1500 metra poshtë. Secili nga ata shkëmbinj kishte një ngjyrë të ndryshme: kishte me ngjyrën e një gjaku të tharë e jeshile në gri, në ngjyrë topazi, hiri apo në ngjyrë vjollce të tejdukshme. Dhe thuajse në thellësi, aq larg sa mund të shikonim nga lartësia qiellore, gjarpëronte një lumë mes një shtrati gurësh, përmes një lugine që qarkohej anash nga male të lartë hijerëndë, ku nga secili, herë në të djathtë e herë në të majtë sikur binin si një ftua ballë asaj që kishin përballë. Në luginën, me jeshilen e shkëlqyer të kulturave bujqësore, e lulëzuar prej tyre, shikohej katrorja e bardhë e një shtëpie që zhdukej shpejt pas kreshtës së parë traversale. Por lëvizja alternative e asaj nofulle mali të lejonte të lexoje gjurmën e saj gjer në horizont, ku hapej një «V» e madhe qielli të kthjellët e ku në thellësi të tij mund të imagjinonim detin.

Në fakt, ne kishim para nesh luginën e famshme të Shalës ku me aq dëshirë kishim dëshiruar të shkonim gjer në atë pjesë të horizontit që po shikonim. Por nën këmbët tona ne mundëm ta shohim. Nuk e imagjinoja shumë mirë si mund t’ia arrinim kësaj. Nikolla nuk na la kënaqësinë të mendonim gjatë. Megjithatë ai na la të zbrisnim që t’i lironim pak kuajt që të mund të çlodheshin disi. Dhe kështu filluam të zbrisnim. Do ishte më e drejtë të thonim se ne e lamë veten të rrëshqisnim duke bërë veç kujdes të qëndronim prapa kuajve, që të mos na binin mbi krye, pasi të ulur në vithet e tyre, ata rrëshqisnin disa dhjetëra metra poshtë mes një morie gurësh që u rrokulliseshin nga pas. Në mes të asaj zbritjeje që zgjati tri orë të mira, filluam të gjejmë shtigje të vogla, të cilat nuk ia vlenin më shumë sesa ato vende ku s’kishte fare shtigje por që vërtetonin se të tjerë para nesh e kishin zgjedhur atë rrugë si më të sigurt. Gjatë atyre shtigjeve, ne pikëtakuam disa ushtarë që ishin zhvendosur nga një postë kufitare që ndodhej jo larg që andej. Ata shkonin për në kazermën e tyre ngarkuar me armë e bagazhe, por meqë mbanin armë, ata shoqëroheshin nga disa malësorë që mbanin thasët e tyre. Shpejt ata u zhdukën nga sytë tanë duke marrë në të djathtë. Pa mbaruar ende pjerrësira, vendi nuk ishte më aq i vështirë si në fillim dhe kështu ne arritëm fundin e shtratit me gurë të lumit të Shalës. Dielli ishte zhdukur prapa nesh edhe pse jepte një dritë ari në lartësitë e maleve përballë nesh. Ndaluam veçse për të vendosur shalën e kalit. Por megjithatë hodhëm një vështrim andej nga ana e Qafës së rrezikshme të Pejës që bëhej e pakalueshme duke filluar nga 15 shtatori. E parë nga poshtë, ajo të jepte përshtypjen e një faqeje shkëmbore që binte thikë në vendin ku ishim, në atë mënyrë, sa dukej sikur ishte përkulur pingul mbi kokat tona. Kjo për alpinistët nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, por megjithatë, ishte diçka e hatashme për të kaluar andej me kuaj. Është e vërtetë që kuajt shqiptarë janë si dhi të vërteta që arrijnë të zbresin pa i thyer këmbët e tyre…

(Nga frëngjishtja Luan RAMA)

Leave a Reply

Your email address will not be published.