Nën thjerrë

SHFAQJEVE QË U SHTERET ZËRI

Lëvizje politike të iniciuara dhe të zhvilluara nga artistë ka pasur vazhdimisht që kur arti është përdorur si formë proteste dhe rebelimi. Natyrisht, këto lëvizje kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, madje duke sjellë stile, rryma, filozofi, duke ndikuar dukshëm edhe nëpër sistemet politike gjithandej në botë

Nga Avni HALIMI

Shfaqjet teatrale rëndësinë e vet e morën që kur Aristoteli këmbënguli në atë se, vetëm ky lloj arti e ka fuqinë e katarsisit, i cili i duhet natë e ditë një shoqërie të drejtë dhe të moralshme. Pra, Aristoteli ftonte që shpëlarja e mëkateve, e gabimeve, e veseve të bëhet vetëm përmes artit dramatik.

Shfaqjet shpesh janë ndërprerë, qoftë për shkak të nervozizmit të pushtetit diktatorial, qoftë për shkak të shprehjes së revoltës përmes artit kundër pushtetit diktatorial. Lëvizjet teatrale, aktivitetet alternative teatrale, nëpër shoqëri të ndryshme kanë shërbyer si xixë e fuqishme për rebelim kundër pushteteve. Ajka e inteligjencies zbërthimin e problemit shpesh e kanë gjetur në përfundim të një shfaqje.

Perdja e “vdekjes”

Teatrot janë mbyllur, artistët janë përndjekur, teatrot janë rebeluar, aktivitetin e vet e kanë vazhduar duke qenë në lëvizje, duke ikur nga pushtetet autoritare lokale, gjithnjë në kërkim të masave rebeluese, gjithnjë në mision të dhënies shpresë, motiv dhe forcë për ta kërkuar më të mirën për shoqërinë e vet. Shfaqjet teatrale kanë rrahur probleme nga e përditshmja, me heronj nga tradita, historia, nga rrëfimet biblike-mitologjike. Ka pasur edhe nga ato shfaqje me palaço në rolin e budallenjve oborrtarë sa për ta dëfryer mbretin e pushtetin. Por, fuqia e tyre nuk ka mundur të prekë masën e gjerë, sepse nuk ka pasur forcë të dalë përtej mureve të pallateve mbretërorë apo të pushteteve.

A njohin shqiptarët ndonjë ndikim të artit që ka ngacmuar revoltë, protestë apo ndonjë formë të rebelimit! A njohin shqiptarët ndonjë “lëvizje popullore” të iniciuar nga ndonjë vepër teatrale? Sipas gjitha gjasave, shqiptarët, të përmalluar për Homerin e tyre, që nga Iliada dhe Odiseu, katarsisin, motivin, inspirimin, vrullin shpirtëror, rebelimin, kundërshtinë, luftën e kanë gjetur në këngët me lahutë, të cilat, për ta ruajtur pastërtinë dhe fuqinë e këngëve homerike, për autorësi kanë pasur “popullin”, ndaj janë quajtur këngë popullore-folklorike me të cilat i janë kënduar kreshnikëve, zanave, heronjve historikë. Kënga është përdorur si fuqi e artit për ta dëshmuar gjallërinë dhe përjetësinë. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, gjatë luftimit me okupatorët serb, në situatën më të vështirë do t’ia krisë këngës! Vetëm kur “u hesht” kënga, engjëjt kumtuan se trimin e kishin kapur plumbat e armikut!

Viteve nëntëdhjeta të shekulli njëzet, po teatri e mori rolin që ia ka përcaktuar Perëndia Talia! Shfaqjet vizitoheshin gjithnjë e më shumë. Për studentët hyrja ishte më lirë, por edhe falas! U krijua publiku, u hap debati joinstitucional! Nëpër tavolina të lokaleve bisedohej për shfaqjet dhe mbi mesazhet e shfaqjes, dekodifikoheshin porositë e dramaturgut dhe të regjisorit shqiptar! Pra, ndikimi në sensibilizimin e opinionit tonë nga arti teatral erdhi vetëm atëherë kur teatri kombëtar u bë, qind për qind, shqiptar!

Shfaqjeve teatrale, me autorë e regjisorë të huaj apo edhe me shqipfolës, gjithmonë u shteret zëri. Shfaqet e tilla, sapo të bie perdja, “vdesin”! Për shfaqjet nga dramat e Anton Pashkut, të Ymer Shkrelit, të Beqir Musliut, të Teki Dërvishit flitet edhe sot e kësaj dite.

Me shfaqjet e huaja si dhe me shfaqjet nga “artistët oborrtarë” nuk ka mbresa, nuk ka ndërgjegjësim, mund të ketë “teatër alternativ”, por jo në funksion të rebelimit, por vetëm sa për ta gjetur atë paqe që i duhet “artistëve” mediokër që parapëlqejnë të bashkëjetojnë me pushtetin! Arti dhe pushteti as në botën e përtejme nuk mund të gjejnë paqe!

Çka ndodhë kur pushteti e kruan me artistët

Dy-tre vite më parë, me vendim të Qeverisë shqiptare, u provokua një përplasje në mes komunitetit të artistëve shqiptarë! Qeveria vendosi t’ua rrisë rrogat artistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërkohë që nga kjo “mirësi” qeveritare nuk përfituan aktorët e Teatrit Kombëtar dhe as të teatrove të tjerë të vendit.

Një prej rregullave kryesore në BE është që komuniteti i artistëve të trajtohet me dinjitet dhe në asnjë mënyrë nuk guxon që ky komunitet të përjetojë diskriminim, “hakmarrje”, apo nënvlerësim nga ana e pushtetit! Artistët janë vlera më e lartë e një shoqërie, shteti obligohet që t’ua ruajë integritetin dhe të sillet me respekt të veçantë ndaj tyre. Natyrisht, jo të gjithë artistë e krijues, sidomos ata që vetëshpallen si të tillë, e meritojnë përkujdesin e shtetit e të shoqërisë, siç nuk e meritojnë as matrapazët që në emër të artit bëjnë marrëzira! Institucionet përkatëse të BE-së tashmë kanë ngritur edhe sistemin e pagave për artistë: çdo shet obligohet që të themelojë sindikata dhe, me përfaqësues të këtyre asociacioneve që mbrojnë interesat e punëtorëve të arrihet marrëveshje kolektive. Pra, nëse miratohet një ligj për rritje të rrogës, kjo rritje duhet t’i prekë të gjithë ata që përfaqësohen nga një sindikatë gjegjëse! Artist është edhe ai që luan në Teatrin Kombëtar, edhe ai që luan në Teatrin e Fierit, të Shkodrës, të Vlorës etj! Diferencimi i aktorëve, duke mundësuar që akëcili grup ta përjetojë “mirësinë” e pushtetit, ndërsa të tjerët të ndëshkohen për shkak se janë përpjekur për t’ia prishur imazhin pushtetit, është një gjest jo vetëm i pamenduar, por edhe me pasoja të parikuperueshme ekskluzivisht për pushtetin, i cili përmes masave të tilla vetëm sa i politizon institucionet kulturore!

Protesta e komunitetit të artistëve kundër vendimit të Qeverisë shqiptare për ta rrënuar godinën e Teatrit Kombëtar pati jehonë në çdo cep të botës së civilizuar. Protestat e fuqizuan dinjitetin e aktorit, ndërsa e komprementuan rënd dinjitetin e pushtetit aktual! Ngritja dorë kundër protestuesve-artistëve, duke i rrahur e zvarritur nëpër asfalt, sepse përpiqeshin ta pengojnë realizimin e vendimit qeveritar për prishjen e godinës që ishte objekt i trashëgimisë kulturore, ishte një ogurzi për qeverinë aktuale.

Që nga ai moment, nuk u ndalën skandalet që po e tronditin pushtetin dhe mbarë shoqërinë! Nëse ky nuk është mallkim, atëherë pa dyshim që është “porosi popullore”: pushteti që kruhet me artistë, çelet plagë që nuk shërohen!

Nuk ka asgjë të keqe në rritjen e rrogave të artistëve të Teatrit dhe Operës si dhe Ansamblit Popullor, e keqja qëndron në hilen e qeverisë! Krijohet përshtypja që ka arritur të manipulojë një-dy institucione kulturore dhe t’i kënaq me një “kockë” pas së cilës do të vrapojnë edhe artistë të tjerë! Kësisoj, qeveria mund të detyrohet të korrigjojë gabimin e vet dhe, edhe të tjerëve t’ua rrisë rrogën aq sa ua ka rritur (me “marrëveshje” paraprake) artistëve të TOB dhe AP! Përmes kësaj metode mund të rrënohet ai sistem i pagave i kërkuar nga BE-ja dhe, në të ardhmen rrogat t’u rriten vetëm atyre artistëve për të cilët qeveria vlerëson se janë lojalistë! Kundërshtarët e pushtetit, qofshin këta edhe artistë, do të ndëshkohen me mospërfillje nga pushteti! Në rastin konkret, kush nuk përfillet? Kush ndëshkohet? Kujt i bie pushteti me shkop mbi kokë? Mbi artistë të Teatrit Kombëtar brenda të cilëve ka figura që janë krenaria e kombit, ka personalitete që kanë kontribuar më shumë se çdo kush në përforcimin e identitetit kulturor shqiptar! Dhe, kjo krenari kombëtare të detyrohet që t’i shkruajë letër proteste qeverisë, duke i dhënë edhe afat kohor deri ku duhet ta korrigjojë vendimin e vet tendencioz, kjo nuk mund të interpretohet si “moment hakmarrjeje” e qeverisë, kjo nuk flet as për pozitat e rënda socio-ekonomike të artistëve tanë, por thjesht, flet për një momentum që e degradon një pushtet deri në përmasa të totalitarizmit!

Janë të papranueshme arsyetimet e pushtetit se artistët do të ndëshkohen për shkak të pasivitetit të tyre! Pasiviteti i artistëve është pasqyrë e politikave idiotike menaxheriale për të cilat vendosin pushtetet dhe jo artistët! Këto politika, pa dyshim vetëm sa e rrisin artistin dhe e zvogëlojnë pushtetin!

Politika dhe artistët

Pothuajse nuk ka shtet në botë ku politika nuk përzihet në lirinë artistike dhe intelektuale. Partitë politike angazhohen që t’i bëjnë qytetarët më të lumtur dhe më të sigurt dhe me këtë ta fitojnë përkrahjen e qytetarëve për “rendin e ri shoqëror” për të cilën angazhohen partitë apo pushtetet. Nga ana tjetër, artistët dhe intelektualët janë gjithnjë në lëvizje për të debatuar, për ta mohuar madje edhe për ta rrënuar atë “rend të ri” tashmë të pranuar!

Politikanët vazhdimisht janë në terren për ta bindur qytetarin se ata e kanë zgjidhjen e çështjes, ndërsa artistët dhe intelektualët janë të sigurt në ekzistimin e çështjes, për të cilën janë skajshmërisht skeptikë se mund ta zgjidhin politikanët! Politikanët janë për të premtuar e për të dhënë shpresa të kota, artistët dhe intelektualët janë ata që i zbardhin truqet e politikanëve! Kështu, të paktën, funksionon në botën demokratike. Artistët dhe intelektualët nuk bashkëpunojnë me politikanët në glorifikimin e gjërave sa për ta ndezur masën sipas recetave të pushtetit! Edhe politikanët por edhe artistët gjithnjë ngelin në përpjekje për të sjellë ndryshime!

Kjo është e përbashkëta e tyre, ndërsa në këtë përpjekje nuk ka asnjëherë bashkëpunim të ndërsjellë! Politika angazhohet për të sjellë “rend të ri”, artistët dhe intelektualët angazhohen për ta përmbysur këtë “rend të ri”! Kjo është formula e demokracisë që synon ngritjen e një shoqërie të pavarur, të shëndoshë dhe absolutisht të lirë si dhe të ndërgjegjshme në raport me ligjet dhe standardet juridike të vendit.

Megjithatë, historia njeh shumë momente kur artistët dhe intelektualët janë përkulur para dëshirës së pushtetit për të qeverisur sa më lirshëm dhe sa më gjatë! Në këtë rast, artistët dhe intelektualët kanë shërbyer vetëm si zbukurime të pushtetit me ç’rast ka ardhur deri te mbyllja e fokusit të pushtetit për ta pasur ndër prioritetet edhe botën e tyre! Kur artisti dhe intelektuali marrin rolin e xhingla-minglave zbukuruese të pushtetit, shoqëria ngelë pa shpirt!

Nuk ka pushtet që nuk e do “qetësinë”, që nuk e do drejtimin e shoqërisë pa probleme, pa debate e pa zhurma. Heshtjen, qoftë edhe të dhunshme, të intelektualëve dhe të artistëve e do dhe e justifikon me arsyen se nuk mund të financohen “zhurmaxhinjët” dhe “rrënuesit” e rendit shoqëror! Acarimi, madje edhe egërsimi, i politikanit në raport me artistin apo intelektualin, merr konotacion “filozofik” duke u interpretuar si refuzim të sjelljes e cila mëton prishjen e shijes, të sjelljes dhe të ligjërimit të bukur mbi çështjet e ndryshme për të cilat “zgjidhjet i ka” politika! Megjithatë, kohëve të fundit, në shumë shtete evropiane po dëshmohet se, janë jo produktive të gjitha ato politika që nuk gjenerohen nga debatet e politikanit me artistin dhe intelektualin (e profileve të ndryshëm)! Artisti dhe intelektuali gjithnjë kanë qenë, janë dhe do të janë asete kombëtare, ndërsa politikanët “kalldrëme” në rrugën e sigurisë dhe mirëqenies të shoqërive të ndryshme.

Politika nuk mund të jetë produktive me artistë e intelektualë të heshtur e të nënshtruar! Madje, vetë politikanët duhet ta ngacmojnë pakënaqësinë e artistit dhe të intelektuali, kundërshtimin e tyre, rebelimin e tyre, sepse kjo do t’i mbante zgjuar politikanët! Me përgjumje nuk mund të drejtohet kah suksesi i përgjithshëm as shoqëria dhe as shteti!

Zënkat e politikanëve, fyerjet, “grushtimet”, sharjet, ofendimet – e gjitha bëhet për të siguruar elektorat për “rendin e ri”, i cili, cilido qoftë ai, artistin dhe intelektualin e koncepton vetëm si ikebana me lule plastike! Artistët dhe intelektualët e mirëfilltë nuk joshen asnjëherë nga rehatia që ta siguron administrata e pushtetit, ata ndjehen rehat vetëm kur ta shohin zgjuar pushtetin dhe në të njëjtën linjë me interesat e përgjithshme të shoqërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.