NGA KËNGA E NDRYDHUR DERI TE KËNGA E RINGJALLUR

(Faruk Buzhala: “Njëqind poezi”, Shtëpia botuese  OM, 2023)

Prend BUZHALA

Të njëqind poezitë e tij Faruk Buzhala i thur në trajtën pesëvargëshit (pentastikut). Në pesëvargësh hyjnë të gjitha format poetike që përbëjnë nga pesë vargje brenda një njësie strofike, siç janë kvinta, tanka, cinquain, quintilla, soneti 99 i Shekspirit dhe vargjet limerick. Te këta pesëvargësh ka një normë personale të vendosur: secila njësi strofke përbën një poezi më vete, kurse gjatësia e vargjeve nuk përfill ndonjë rregull a normë të caktuar metrike, siç i ka në disa nga format e tilla të pentastikut. Bie fjala, sado që një tanka ka strukturë të rrokjeve 5-7-5-7-7 (ose 31 rrokje në një varg të pandërprerë), dhe sado që këto poezi i ngjajnë tanka-s, ato ndryshojnë. Ndonjë përligjje e krijimit personal, siç është vargu i dytë shpesh i përbërë nga një fjalë, krijon një poetikë të mëvetësishme.

1. Psikolirika dhe drama e mbylljes 

Edhe vetë titulli përbën një shënjues poetik më vete. Nëse numri njëqind, është shënjues i një rrumbullakësimi, herën tjetër simbol i një numri engjëllor, ai është edhe numër i ndërliqshëm i fatit, i hapjes ndaj një perspektive të re. Këto “anë të jashtme”, gjithsesi që shënojnë fushat e interesimit artistik, e, megjithatë, nuk përbëjnë thelbin e vlerës së një poezie.  Zëri poetik i këtij krijuesi buron nga bota e  brendshme e krijimeve të këtij vëllimi. Nëpër vargje lexojmë kyçjen dhe mbylljen. A është kjo mbyllja a përfundimi i një marrëdhënieje, referencë për një humbje, refuzim për të mos e pranuar një realitet që përfundon ende pa u shfaqur vlerat e brendshme? Madje, kyçja e këngës shfaqet si botë e shurdhër dhe, së andejmi, nga ajo mbylltësi a ndrydhje, e krijon zërin e vet lirik:

Kënga ime e kyçur në arkë

shurdhmemece dhe syshkoqur

me gërvishtje krijon melodinë

në errësirën ndrydhur nga ajri

frymon me dëshirën për lirinë.

Nëse kjo këngë vjen nga zërat e mbytur së brendshmi, si zë vuajtjesh e ankthesh, atëherë shpërthimi i kornizës me krijimin e melodisë vjen po nga ai realitet i tillë, për të mos i pranuar rrethanat e tilla, me gjakimet për lirinë. Krijimi i kësaj melodie të jetës dhe dashurisë është zë shprese që shpërthen këtë kornizë. Pas mbylljes (pentastiku i aprë), shfaqet gropa, po ashtu sinonim i mbylljes, ngufatjes, shfaqet „Kafaz i mbyllur në zemër zogu“. Dhe diçka e ka ngufatur ndjesinë e folësit lirik: “Një gropë e pistë u zhyt në mua/ në fyt më mban shtrënguar“. A ka aty braktisje, therje zemrash, humbje, vuajtje? Dhe si del përtej këtyre çasteve subjekti lirik? Ky është absurdi i një situate, mbase jo vetëm personale. Është një të folur për vetveten, aq sa dhe për mallin, është kujtesë për dashurinë, për miqtë etj.; aty vrujojnë protestë dhe ironi e kontrolluar, imazhe shqetësimesh për kohën, vetminë, për psiko-situatat:

I bëj masazh mendimeve

cigarja mes gishtërinjve

tretet në hirin e vet

e unë

në tym metamorfozohem.

Ka aq e aq shumë përpëlitje të brendshme, përplasjesh dramatike, ka aq shumë imazhe e përfytyrime sfilitëse, që e shndërrojnë qenien e folësit lirik herë në groteskë, herë në torzo, herë shfaqet qenieplotë, herë qenie e ndrydhur me zemër të copëzuar, herë loz në një realitet-mozaik… herë shfaqet nëpër vargje një realitet krejtësisht i tjetërsuar teknologjike, si makro-e-mikrokozmos:

E futa shtëpinë në USB

dhe dola.

E tani…

ku ta fus USB- në

ta nxjerr shtëpinë nga aty!

E herë si botë ku sundon një shurdhëri karshi urtisë. Dhe këndimi i tillë shfaqet si një psikolirikë, me perigje e apogje raportesh, saqë protagonistët lirikë duken të hallakatur… dhe, së andejmi, me fat të përcaktuar dashurie „për njëri-tjetrin“. Së këndejmi, ndodh  një vetërobërim i pëlqyeshëm, si peng fati e emocioni:

Nuk je ti

Por është dashuria

Ajo që ia mban rrezet peng

Diellit të perënduar

Në zemrën time të robëruar.

Po aty vrujojnë edhe thëniet gjithë pulsime kontrastuese, shpesh nxjerr kokë një rrëfim gjithë provokime për ta vënë në pah njohjen e tjetrit/tjetrës me vetënjohjen.

2. Romantika e shprishur e jetës

Lexojmë përpjekjen për ta rijetuar atë që është humbur njëherë, një këmbëngulje dhe përkushtim që gjithçka të kapet brenda një strukture  me pak vargje, dhe mu aty për ta shqiptuar zërin e tij lirik. Lirikës si gjurmë malli. Një përshkrim referues i patologjisë sonë sociale. Një rindërtim i kuptimit të fjalëve, për t’i dhënë kuptim realitetit dhe jetës vetë. Dhe gjithnjë i rikthehet emocionit burimor, dashurisë:

Një grimcë të shpirtit

E nduka

Dhe e futa në mallin tim

Ta dërgoj me porosi

Kur ta hapësh t’më gjesh mua aty.

Me prirjen që ta ndërtojë në mënyrë origjinale performancën e tij poetike dhe ligjërimore, Faruku përafrohet me ata poetë të letërsisë së sotme që duan ta shpërfaqin një fenomenologji (postmoderne) me tjetër frymë:

Lëre hidhërimin të rrjedhë

Rrjedhës së vet

Kupën e çastit me zemërim mos e pi

Merr frymë merr

Derisa sheh se furtuna kaloi.

Romantika e jetës është shprishur. Koha shfaqet në ndërliqësitë e ngatërrimet e saj fanepsëse. Sado që vjen një tjetër mot, gjurmët mbesin me detajet teje të gjalla, si hije a përhitje:

Kuvendoj me hijen time

nuk pajtohemi!

zihemi, pickohemi e rrihemi

e në fund…

ç‘mallemi në përqafim.

Tashmë poeti ka dhënë përgjigjen e tij pasi i ka gjetur ato nëpër kërkime. Dhe përgjërimet poetike i drejtohen ndjenjës më fisnike:

Hape portën tënde

dashuri

më lër të hy brenda

të prehem

në prehrin tënd.

Kurse poeti gjendet në kërkim të qartësisë, në kërkim të përgjigjeve, përtej një gjendjeje të turbullt: për një fazë të re jete, ashtu siç sugjeron numri engjëllor- njëqind. Nga ana tjetër, vargjet ngërthejnë edhe virtytin e tyre të brendshëm: shpresën dhe vullnetin e durimit për të jetuar lirshëm në atë pluhur kohe (metaforë e poetit). Është sfida e kapërcimit të gjendjes së tillë: për të dalë nga psikolirika.

3. Dalja nga psikolirika

A është e mundshme dalja? Ndodh që lirika të jetë një rragatë herë me vetveten, herë me botësh, herë me miqtë e herë me dashurinë. Në lexim përgjigjet i kërkojmë nëpërmes vargjeve të poetit. Ato ndriçojnë, ato thurin dramën e vetvetes, ato edhe çlirojnë. Si zjarri që ndriçon dhe ngroh, sado që vargjet vijnë me thellësinë e përsiatjeve të ftohta. Por aty ka zjarr: folësi lirik është ai që kapërcen nëpër ravat e ngushta të ekzistimit, dhe ndriçimi vjen së andejmi, nga vlerat që ka arti, si hapësirë terapeutike  për ta njohur vetveten dhe botën: lexuesi identifikohet me anët simbolike që t’i ofron këndvështrimi artistik. E po, ka aty psiko-lirikë, për faktin se poeti, duke ligjëruar në veten e parë, ai e shpreh botën e tij të brendshme, kurse këndimi lirik i rrudh hapësirat e ndrydhura të ankthit, ndrydhjes, zbrazëtisë. E pra, kërkohet edhe mirëqenia psikologjike.

Regjistrat poetikë nënvizojnë përvojat e kundërta personale  të përgjithshme, me figura nga jeta e përditshme deri te temat jetike, siç janë dashuria, ekzistenca, fati dhe malli. Modeli poetik i Faruk Buzhalës është i mëvetësishëm: një bashkërendim situatash reale me ato të habitshme, një skenë e çuditshme shndërrohet në lirikë përsiatjesh. Në vend të flakës së emocioneve, ai fut në mënyrë diskrete shprehje e përmbajtje ironike, situata skeptike, gjithnjë me vargje të shkurta, me ekonomizimin e thënies e me ligjërim të kultivuar artistik.

Poezitë i alternojnë gjendjet e ndryshme, nëpër të 100 lirikat, si njëqind situata të tilla gjendjesh të brendshme: që nga terratisjet e  brendshme e deri të spërndritjet e ndjesisë së dashurisë, që nga lirikat e dendësisë së thënies e deri te përqasjet metafizike.

Shpirti përpëlitet

në folenë e vet

mendimeve u zvarritet

fshehtas një brengë;

Ka ngërçe në bark!

Autori fal nga dhuntitë e shpirtit të tij. Sado e rëndë të jetë jeta me labirintet e saj psiko-sociale, ai gjithnjë thotë se ka rrugëdalje. Dhe nuk është e rastit përse librin e përmbyll me poezinë e njëqindtë kushtuar muzës Talia, bijë e Zeusit, muzë e komedisë, poezisë bukolike, teatrit, perëndeshë e muzikës, vallëzimit dhe këngës.

Ah… Talia

më e bukura e të bukurave

se si më ngjalle

zemrën dhe…

e bëre të rrahë vetëm për ty.

Talia merr atribute të çlirimit, ngjalljes, së bukurës. E kjo ndodh pasi poeti u sprovua nëpërmes Këngës së Ndrydhur që në  fund vjen si Këngë e Ringjallur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.