NGATËRRESA ROMANTIKE

Coetzee i hedh intelektualët dhe artistët e tij në situata ku vetëm të menduarit nuk do të mjaftojë. Ata duhet të veprojnë

J. R. PATTERSON

Në muzikë, kur dikush dëshiron të tingëllojë mbresëlënës, është më mirë të luajë diçka shpejt; prestissimo ngre pulsin e audiencës. Nëse është i dëshiruar, megjithatë, të luash në mënyrë mbresëlënëse, duhet të luash diçka ngadalë. Pa shpërqendrimin e shpejtësisë, valën mbrojtëse të notave, muzikaliteti juaj – kompetenca juaj artistike – zbulohet (del në pah). Me veprën The Pole, J. M. Coetzee ka luajtur (ka shkruar) sa më ngadalë që ka mundur.

Historia është e thjeshtë: një ngatërresë romantike mes Beatrizit, një gruaje katalane në të dyzetat e vona, dhe Witold Walczykiewicz, një pianist koncerti, polak, i njohur për interpretimin e tij të çuditshëm të Chopin. Beatriz, e martuar me një bankier të zënë dhe kurorëshkelës, i kalon ditët e saj në “punë të mira” në skenën kulturore të Barcelonës. Edhe pse ajo është e mërzitshme, mos të themi e ftohtë, pas një takimi të vetëm, Witold, një i divorcuar rreth të shtatëdhjetave, edhe ai një njeri i shkatërruar nga jeta. Kështu fillon një miqësi e gjatë, me një mungesë shkëlqimi.

Të dy personazhet janë të shtrira si gjethe të holla. Ne mësojmë pak prej tyre përtej mënyrës sesi reagojnë ndaj situatës në fjalë, e cila jep paragrafë të shkurtër, të numëruar, disa të shkurtër sa një fjali. Skenat janë minimale, nganjëherë thjesht sugjerime (“Është një ditë e këndshme vjeshte. Gjethet po kthehen, etj.”) Nëse ndihet si skelet, kjo ndodh sepse eshtrat janë të dukshme: është një ritregim i qartë i historisë së Dantes dhe Beatriçes; Madje, Beatrizit i është dhuruar një libër me poezi, një Vita Nuova, nga admiruesi i saj.

Odeja (një lloj i poezisë lirike apo i këngës solemne e cila e ka origjinën në vjershat korale të Greqisë së vjetër. Tematika e saj shtrihet më gjerë se ajo e himnit. Odeja është poezi e thurur një individi apo dhe një ngjarjeje. Është krijim i cili e lavdëron ose lartëson një personalitet të shquar apo një ngjarje historike të shënuar e që shpreh me forcë ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të miqësisë etj. Odet greke fillimisht ishin pjesë poetike të shoqëruara me instrumente muzikore.) e Dantes për Beatriçen konsiderohet si një nga historitë epike të dashurisë në histori, një dëshmi e fuqisë së emocionit dhe artit. Por është versioni i Dantes. E thënë nga këndvështrimi i muzës, siç bën Coetzee këtu, romanca është diçka më shumë si Susanna dhe Pleqtë e padëshiruar, e pandërgjegjshme, e rrëmbyer në dredhi.

Marrëdhëniet e pakënaqura, veçanërisht midis meshkujve të varfër dhe grave të rrepta, të mprehta, janë një temë e rregullt e Coetzee-it – siç janë kufizimet e gjuhës. Kur spanjollja dhe polaku ynë komunikojnë ekskluzivisht në anglisht, ata nuk mund të mos ndihen të humbur në interpretim. Mendon Beatriz: “Ndonjëherë është e vështirë të dish se çfarë do të thotë burri, me anglishten e tij jo të plotë. A po thotë diçka të thellë, apo thjesht po godet fjalët e gabuara, si një majmun i ulur para një makinë shkrimi?”

Përkthyesit vetëm ngatërrojnë çështjen, duke shtuar një shtresë kompleksiteti në fjalë. “Unë i përkthej poezitë e tua për ty dhe më pas ti vendos se çfarë kuptimi kanë” – i thotë Beatrizit një përkthyes polak-spanjoll, i cili dëshiron të kapërcejë hollësitë dhe të shkojë drejt e në fyt. Nuanca, kur dëshirojmë qartësinë, është indinjuese. Gjuha, kombësia, mosha: a nuk është arti ura mbi të cilën mund të kalohet hendeku i komunikimit i shkaktuar nga këto dallime?

Mbi pesëdhjetë vjet botime, Coetzee është marrë me potencialin etik të fiksionit dhe rolin e artistit në sferën publike. Në The Good Story, Coetzee e përshkruan artistin si atë që “supozohet të ketë fuqinë për të gjetur fjalët për atë që është e gabuar, ose çfarë ka shkuar keq, ose atë që kemi bërë gabim”. Megjithatë, të gjitha përpjekjet e Witold-it për të komunikuar çdo gjë përmes artit janë të gabuara (të dështuara). Beatriz-it e gjen Shopenin e tij shumë të thatë, poezitë e tij shumë të turbullta; thjesht atij i mungon entuziazmi. Arti që ekziston mes të dyve, ashtu si bisedat e tyre, mbetet i pamasë, si “monedha të kaluara në errësirë, në padije se çfarë vlejnë”. Vepra trajton këtë dështim dhe rolin – dhe efektin – e artistit në jetën personale të të tjerëve. Së pari është një çështje e afërsisë. Për disa, Witold është “Maestro”, një mjeshtër i muzikës. Për ata që janë jashtë sferës së artit të tij të zgjedhur, ai është një askush. Është tragjedia e tij që për më të afërmit e tij, për ata që dëshiron të arrijë – ish-gruan e tij, vajzën, fqinjin e tij, Beatrizin – ai është një bezdi, pretendues, tepër abstrakt.

Njerëzit e librave të Coetzee janë në pjesën më të madhe ata që do të quheshin intelektualë. Me disa përjashtime të dukshme, nuk ka kurrë shumë veprime, por shumë mendime vazhdojnë. Përsëri dhe përsëri, Coetzee sugjeron se problemet e tyre lindin nga dështimi për të komunikuar atë që është në zemrën e tyre, në shpirtin e tyre. Inteligjenca e tyre, në këtë aspekt, mund të jetë pengesa e tyre. Ata reflektojnë, analizojnë, lindin, edhe nëse një “tepricë e reflektimit mund të paralizojë vullnetin”.

Ky është një preokupim i Coetzee. Në autobiografinë e tij Youth (2002), Coetzee shkroi për preokupimet me ose shtigjet që digjen në tru, për dështimin për të shkruar “nga zemra”. Nëpërmjet luftës së Witold-it në të gjithë veprën, njeriu mendon se mund të jetë ende një problem për autorin, një çështje e përkeqësuar nga famë: “Aeroportet, hotelet, të gjithë të ndryshëm, por të gjithë të njëjtë; nikoqirët për t’u duruar, të gjithë të ndryshëm, por të gjithë njësoj: gra të moshës së mesme të fryrë me burra të mërzitur. Mjafton për të shuar çdo shkëndijë që ka në shpirt.”

Coetzee i hedh intelektualët dhe artistët e tij në situata ku vetëm të menduarit nuk do të mjaftojë. Ata duhet të veprojnë. Shpesh, ata e vlerësojnë gabim situatën dhe ata që i rrethojnë. Ata dështojnë në marrëdhëniet më elementare, lihen të shkishëruar (përjashtuar – s’dinë të komunikojnë), të mundur, të vetëm. Intelektualizmi – dhe, përkundrazi, arti – mund të konsiderohet i mirë ose i madh në distancë nga admiruesit. Aty ku ata dështojnë është në intimitetin, ku kërkohet më shumë nga një person sesa abstraksioni dhe idealizmi. Arti, duket se nuk është një punë gëzimi për vetë artistin.

Në vitin 2000 Coetzee u intervistua nga gazetari holandez Wim Kayzer për programin televiziv Van de schoonheid en de troost (E Bukurisë dhe ngushëllimit). “Të shkruash në vetvete nuk është as i bukur dhe as ngushëllues,” tha Coetzee. “Është industri. Ajo ka kënaqësitë e veta, që janë kënaqësitë e angazhimit total, mendimit të vështirë, aktivitetit të verifikueshëm, rezultateve të verifikueshme. Produktiviteti. . . Bukuria dhe ngushëllimi nuk i përkasin aktivitetit por rezultateve të atij aktiviteti.” Me fjalë të tjera: “Puna ime e përfunduar mund të sjellë kënaqësi, por unë, gjersa jam në procesin e krijimit, nuk e ndjej atë.”

“Arti është një e dashur (dashnor) xheloze”, – tha Emerson në Wealth. “Nëse një burrë ka një talent për pikturën, poezinë, muzikën, arkitekturën ose filozofinë, e bën atë një burrë të keq dhe një furnizues të lig, dhe duhet të jetë i mençur në stinën e tij dhe të mos e shtrëngojë veten me detyra që do t’i hidhërojnë ditët e tij, dhe të llastojë atë për punën e duhur.”

Pavarësisht gjenialitetit, arti është jashtëzakonisht shkatërrues, konsumues, i paqëndrueshëm, i pasigurt. Ai nxit ato cilësi te krijuesit e saj. Në këtë kuptim, vepra ‘the Pole’ lexohet si një vazhdim i Summertime (2009), ku shkrimtari Coetzee e kritikon personazhin Coetzee si një “i vetmuar, i paaftë socialisht, i ndrydhur”, ndër të vërtetat e tjera të shtëpisë. Witold nuk dallohet plotësisht nga Coetzee, i cili është butësisht i heshtur në lidhje me jetën e tij private. (Interpretimi i ashpër, i ngjashëm me Bach, i Witold-it i Chopin-it lexohet si një vetë-rishikim i besueshëm i prozës së Coetzee.) Njeriu mbetet të pyesë veten për një artist në dimrin e viteve të tij, i lavdëruar me çmimet dhe nderimet më të larta në fushën e tij. A mjaftuan interpretimet e tij artistike për të përcjellë atë që kishte në zemër te njerëzit më të afërt? Nëse asgjë tjetër, ai është i qëndrueshëm me audiencën e tij të largët. Me veprën ‘the Pole”, Coetzee, gjithnjë enigmatik, luan ngadalë, qëllimisht, me një nuancë delikate që vazhdon të lërë përshtypje.

(Marrë nga https://www.worldliteraturetoday.org/, përktheu: Fitim Nuhiu)

Leave a Reply

Your email address will not be published.