Diaspora shqiptare duhet ta ketë një qendër koordinuese, nga ku do të mund të bëhej edhe më shumë në planin kulturor e artistik
Neviana SHEHI/ Itali
Është koha që shoqëria shqiptare ta ndërrojë qasjen ndaj diasporës dhe t’i japë fund logjikës se kjo diasporë është instrument, përkatësisht makinë për prodhimin e parasë. Kjo jo vetëm që nuk është e njerëzishme, por mbi të gjitha është antikombëtare. Diaspora shqiptare duhet ta ketë një qendër koordinuese, nga ku do të mund të bëhej edhe më shumë në planin kulturor e artistik. Pra, kujdesi do të duhet të jetë i dyanshëm, ndonëse është e qartë se të gjitha remitancat (transfertat neto pa kundërshpërblim në drejtim të atdheut) shkojnë në dobi të shteteve shqiptare, por edhe të shteteve ku jetojnë shqiptarët në numër të konsiderueshëm. Kur të kihen parasysh të gjitha dobitë nga diaspora, atëherë është vërtet shtazarake t’ua “pimë gjakun” bashkatdhetarëve tanë edhe në lëmin e botimeve apo formave tjera që kanë të bëjnë me artin. Për shembull, jo njëherë është thënë se sado që autorët të cilët jetojnë e veprojnë në diasporë të posedojnë cilësi letrare, botuesit edhe më tej ata i trajtojnë përmes lekut, gjë që na kujton atë thënien popullore: “e ke lekun, e ha byrekun”.
Nga ana tjetër, edhe ata krijues që tashmë janë integruar plotësisht në shoqëritë e shteteve ku jetojnë, fare nuk bëjnë përpjekje për një afirmim të qëndrueshëm të kulturës dhe artit shqiptar. Përkundrazi, tek ta akoma mbretëron një egoizëm i sëmurë dhe bëjnë gjithçka për ta nxjerrë veten në plan të parë, përkatësisht mbi atë që është pjesë e identitetit tonë dhe që do të kishte peshë më të madhe. Duhet të jetë e qartë se artisti që angazhohet vetëm për veten, bën një punë të kotë që nuk vërehet fare, ndërkaq nëse të gjithë angazhohen për një qëllim (artin dhe kulturën shqiptar), atëherë kodo të ishte një çështje që merr premisa të të shenjtës.
Duhet theksuar se, edhe ajo pak, të themi kushtimisht, letërsi, që prezantohet në gjuhët e shteteve perëndimore, në të shumtë e rasteve është e disa autorëve anonimë, që nuk kanë vlerë. Pra, edhe në diasporën shqiptare ka matrapazë, të cilët nuk çajnë kokën për dëmin që e shkaktojnë. Nëse nuk jemi të vëmendshëm për atë që e sjellim në gjuhë të ndryshme, atëherë nuk do të jemi të vëmendshëm as edhe në cenimin e indit të letërsisë shqiptare.
Artistët që jetojnë e veprojnë jashtë atdheut të tyre, kryesisht në vendet perëndimore, por edhe në kontinentet tjera, kanë nevojë ta kenë një rrjetet, përmes të cilit do të kishin bashkëpunuar në dobi të veprave cilësore dhe do të ishin të një mendimi rreth asaj se çfarë do t’u prezantonin shteteve ku janë të integruar. Ata në një mënyrë do të ishin ambasadorë të përhershëm të kulturës e artit shqiptar dhe jo ambasadorë të rastësishëm e të përkohshëm. Në këtë mënyre do të eliminoheshin edhe matrapazët, por edhe disa grupe të dëmshme, të cilët vetëm e dëmtojnë indin letrar me ca përkthime të dyshimta të “autorëve” edhe më të dyshimtë.
Do të ishte mjaftë e dobishme sikur në qytetet më të mëdha evropiane, por edhe në ato përtej Atlantikut, të hapeshin qendra kulturore shqiptare, në të cilat, sidomos bashkatdhetarët tanë do të gjenin jo vetëm botime e vepra tjera artistike, por edhe do të merrnin informacione të ndryshme për rrjedhat e kulturës shqiptare, por edhe informacione për trashëgiminë tonë të pasur shpirtërore. Kjo, mbase do të ishte një ndihmesë e madhe dhe në një mënyrë një copë të atdheut tonë do ta çonim më afër bashkatdhetarëve tanë. Pra, koordinimi nga një qendër i të gjitha aktiviteteve, do të ishte shumë më i frytshëm se sa veprimet në formë: “kush si të mundet”. Sepse, organizimi i një koncerti, i një promovimi, i një panairi, i një ekspozite, do të ishte më i realizueshëm sikur e gjithë kjo të koordinohej nga një qendër dhe kuptohet me një mbarështim të detajuar. Prezenca e artisteve të diasporës përmes formave të ndryshme në Atdheun e tyre, do të ishte një indikator serioz për t’ua bërë me dije atyre se nuk janë as të harruar e as të anashkaluar, por as të shfrytëzuar për qëllime meskine.