NJË EKSPOZITË PËRJASHTUESE NË TIRANË

Në ekspozitë mungonin fotot e gjithë shkrimtarëve dhe poetëve tanë të mirënjohur nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe viset e tjera ku flitet, shkruhet dhe mendohet shqip

Agim BAJRAMI

Para pak kohësh në faqet e disa organeve tona letrare dhe jo letrare, pati reagime të forta mbi hapjen në ambientet e Qendrës kombëtare të librit dhe leximit,të një ekspozite fotografike me foto në vite të shkrimtarëve dhe poetëve më përfaqësues. Arsyeja e këtij reagimi ishte e thjeshtë. Në ekspozitë mungonin fotot e gjithë shkrimtarëve dhe poetëve tanë të mirënjohur nga Kosova,Maqedonia e Veriut dhe viset e tjera ku flitet,shkruhet dhe mendohet shqip. Personalisht u bashkova dhe unë me këto reagime dhe i konsideroj shumë të drejta,ashtu siç nuk jam dakord me organizatorët e hapjes së kësaj ekspozite për harresën e qëllimshme. Megjithë justifikimet e organizatorëve se ajo ishte një ekspozitë personale e Roland Tashosdhe nuk mund të ndërhyhej,është e qartë se “lepuri i madh fle në ferrën e vogël”. Ashtu si 30 vjet me parë, edhe në fushën e kulturës dhe letërsisë mendësitë tona vazhdojnë të evoluojnë me hapin e breshkës. Edhe pse kjo ekspozitë ngjan si një keqkuptim dhe detaj i vogël,praktika e deritashme na tregon se ne vazhdojmë akoma me logjikën e vjetër dhe të papranueshme të bunkerizimit dhe mbylljes në guaskë. Edhe pse kanë kaluar dekada të tëra dhe ujërat ideologjikë janë pastruar për Ministrinë e Kulturës dhe drejtoritë e saj përkatëse të librit, krijuesit e përtej kufirit të Shqipërisë londineze, vijojnë t’i përkasin një planeti tjetër,ose një bote “nëntë male kaptuar”. Edhe pse mund të ngjajë si paradoks, faktet janë mjaft kokëforta. Në vendin tonë vazhdon të punohet me të njëjtin logjikë si në sistemin diktatorial të Hoxhës,ku shkrimtarët dhe poetët e së njëjtës gjuhë dhe gjak, emërtoheshin me parashtesat përjashtuese:“shkrimtarët shqiptarë dhe shkrimtarët kosovarë,ose ne dhe ata”.

Natyrisht gjeste dhe veprime të tilla kaq të pështira e kanë hak reagimin e shkrimtarëve dhe meritojnë të dënohen nga një opinion më i gjerë,por fatkeqësisht këtu tek ne anormaliteti konsiderohet si gjithmonë normalitet dhe e kundërta. Duke bërë një bilanc te thjeshtë të veprimtarive dhe programeve kulturore unifikuese gjatë kësaj periudhe, mund të themi pa mëdyshje se për institucionet përkatëse të vendit amë, idetë e unifikimit të kombit nëpërmjet veprimtarive kulturore dhe artistike vendosen si gjithmonë “pas liste”,ose edhe kur vendosen në listë,janë kaq të zbehta sa nuk ia vlen t’i përmendësh. Përveç panaireve të përbashkëta të librit në Tiranë,ku si gjithmonë pjesën e luanit e zënë shtëpitë e preferuara ţë botuesve nga Shqipëria (shtëpitë botuese nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të lodhesh për t’i gjetur), asgjë tjetër nuk të kujton unifikimin,por të kundërtën e tij. U bënë kaq kohë që nuk po dëgjojmë për simpoziume,konferenca apo veprimtari të përbashkëta,që të na kujtojnë ne këtej dhe ata përtej kufirit se jemi një komb,një kulturë dhe një burim. Asgjë,asgjë përveçse heshtje. Dhe kjo,kur të të gjithë flasin kundër logjikës së dy kulturave dhe bunkerizimeve sektare. Të pretendosh se po bën politikë kulturore unifikuese dhe të mohosh kontributet e poetëve dhe shkrimtarëve penë artë, si Rexhep Qosja, Azem Shkreli,Din Mehmeti,Teki Dervishi, Ali Podrimja,Ramiz Kelmendi etj,si kontribuues dhe themeltarë në ndërtimin e godinës sonë të përbashkët letrare,vetëm e vetëm se këta janë ndodhur, jo për fajin e tyre jashtë kufijve shtetërorë të shtetit shqiptar,do të thotë të jesh kontributor i së keqes dhe t’i ngulësh dashje pa dashje thikën mbas shpine letërsisë dhe kulturës së vendit tënd,të injorosh të vërtetat dhe t’i mohosh letërsisë kombëtare gjysmën e saj më të vyer.Është afërmendsh që si në çdo fushë tjetër, edhe letërsia e një kombi nuk mund të veprojë e ndarë në parcela dhe gjymtyrë pa lidhje, por vetëm si një organizëm i plotë. Shembujt e kulturave dhe letërsive të vendeve të tjera, janë një shembull dhe një mësim i mirë për këdo që ka dëshirë për të mësuar. As më shumë dhe as më pak ndarje të tilla si me thikë, si të qëllimshme, janë jo vetëm tregues papërgjegjshmërie, por edhe i mungesës totale të frymës së atdhetarisë. Një vend i vogël si ky yni e ka nevojë jetike t’i ketë, t’i mbledhë rreth vetes personalitetet e tij krijues dhe jo t’i denigrojë me harresë. Bije fjala,si mund të bëshnjë sintezë të plotë arritjeve tona poetikë, nëse i heq atyre poemën e mrekullueshme Lum Lumi të Ali Podrimes,ose poezitë e jashtëzakonshme të Azem Shkrelit,Esad Mekulit,Ramadan Musliut etj. Ose si do të ndihej fondi i romanit tonë nëse do të përjashtonim prej tij romanet “Heshtja e armëve”, “Sheshi i unazës”, “Koha e dhive”, “Gjarpërinjtë e gjakut” etj. Do të ishte patjetër një boshllëk i frikshëm.“Lukse” të tilla përjashtuese vijnë erë të keqe dhe kanë një strategji të menduar antikombëtare. Një fjalë e urtë thotë se jo çdo e keqe vjen për keq. Ra ky mort dhe u pamë, do të thoshte shkrimtari ynë i madh, Kadare.

U desh hapja e ekspozitës fotografike me gjysmën e shkrimtarëve të kombit,për të na kujtuar se ne tashmë jemi një dhe përjashtimet dhe harresat e vlerave kombëtare nuk mund të pranohen më si dikur, edhe pse atavizmat e se djeshmes vazhdojnë të jenë të forta ende…

Leave a Reply

Your email address will not be published.