NJË EPOKË TË NDËRMJETME

Them se jam bir i një epoke të ndërmjetme, kur kishin shumë rëndësi ilustrimet me ngjyra që shoqëronin fëmijërinë në librat, revista fëmijërore, si edhe në lodrat


Italo CALVINO



Është një pedagogji që mund të ushtrohet vetëm mbi vetveten, me mënyra të krijuara hap pas hapi dhe me rezultate të paparashikueshme. Përvoja e formimit tim të parë është tashmë ajo e një biri të “qytetërimit të imazheve”, edhe pse ky ishte atëherë vetëm në fillimet e tij, larg inflacionit të sotëm. Them se jam bir i një epoke të ndërmjetme, kur kishin shumë rëndësi ilustrimet me ngjyra që shoqëronin fëmijërinë në librat, revista fëmijërore, si edhe në lodrat. Besoj se fakti që linda në atë periudhë, ka ndikuar tej mase në formimin tim. Bota ime imagjinare u ndikua, në radhë të parë, nga figurat e “Korrierit të të vegjëlve”, asokohe revista më e përhapur italiane për fëmijë. Flas për një pjesë të jetës sime që shkon nga tre deri në trembëdhjetë vjeç, para se pasioni për kinemanë të më pushtonte absolutisht, gjatë gjithë adoleshencës sime. Madje, mendoj se periudha vendimtare ka qenë ajo nga tre deri në gjashtë vjeç, para se të mësoja të lexoja. Në vitet njëzetë “Korrieri i të vegjëlve” botonte në Itali tregimet vizatimore amerikane më të njohura të kohës: Happy Hooligan, The Katzenjammer Kids, Feliz the Cat, Maggie and Jiggs, të gjitha të pagëzuara me emra italianë. Ishin edhe seritë italiane, disa me cilësi shumë të mirë nga shija grafike dhe stili i epokës. Në atë kohë, në Itali sistemi i tullumbaceve me frazat e dialogut nuk kishte hyrë ende në përdorim ( filloi në vitet tridhjetë, kur u importua Mickey Mouse); “Korrieri i të vegjëlve” i rivizatonte filmat vizatimorë amerikanë pa tullumbacet, të cilat zëvendësoheshin me tri ose katër vargje me rimë poshtë. Sidoqoftë, unë që nuk dija të lexoja, mund të bëja fare mirë edhe pa fjalët, sepse më mjaftonin figurat. Jetoja me këtë revistë, që nëna ime kishte filluar ta blinte dhe ta koleksiononte që para lindjes sime, duke i lidhur numrat sipas viteve. Kaloja orë të tëra duke parë filmat e çdo serie nga njëri numër në tjetrin, tregoja me mend historitë duke i interpretuar skenat në mënyra të ndryshme, prodhoja variante, i shkrija episodet e veçanta në një histori më të gjerë, zbuloja, veçoja dhe pastaj lidhja gjërat e përbashkëta të çdo serie, përzieja një seri me një tjetër, imagjinoja seri të reja, në të cilat personazhe dytësore bëheshin protagonistë.
Kur mësova të lexoja, përfitimi qe shumë i paktë: ato vargje thjeshtuese me rimë të puthur nuk jepnin informacion sqarues; më shpesh ishin interpretime të historisë të bëra sipas mendjes së vargëzuesit, tamam si ato të miat; dukej qartë se ai nuk ia kishte idenë e asaj që mund të ishte shkruar në tullumbacet e origjinalit, sepse nuk kuptonte anglishten, ose sepse punonte mbi figura të rivizatuara e boshe, të bëra memece. Sidoqoftë, i injoroja radhët e shkruara dhe vazhdoja në punën time, që më pëlqente shumë. Pra, të endja fantazi brenda figurave dhe në vazhdimësinë e tyre. Ky zakon, sigurisht, solli një vonesë në aftësinë time për t’u përqendruar në fjalën e shkruar (vëmendjen e duhur për leximin e fitova vetëm më vonë dhe me mundim), por leximi i figurave pa fjalë ishte për mua me të vërtetë një shkollë fabulizimi, stilizimi, krijimi imazhesh. Për shembull, eleganca grafike e Sullivanit kur jepte në sfond, në një figurë të vogël katrore, hijen e zezë të Felix the Cat në një rrugë që humbet në peizazhin prapa një hëne të plotë në qiellin e zi, mendoj se ka mbetur për mua model. Ajo çka bëra në moshë të pjekur, nxjerrja e historive nga rendi i njëpasnjëshëm i figurave misterioze të tarokut (lojë bixhozi), duke e interpretuar të njëjtën figurë çdo herë në një mënyrë të ndryshme, sigurisht që i ka rrënjët në atë përçartje fëmijërore mbi faqe plot me figura. Është njëfarë ikonologjie fantastike që kam provuar të “Kështjella e kryqëzimit të fateve”, jo vetëm me këtë tip letrash, por edhe me tablotë e pikturës së madhe. Në fakt, jam përpjekur të interpretoj figurat e Carpaccios në San Giorgio degli Schiavoni në Venecia, duke ndjekur ciklet e San Giorgios dhe të San Gerolamos si të ishin një histori e vetme, jeta e një njeriu të vetëm, dhe të identifikoja jetën time me atë të Giordio-Gerolamos. Kjo ikonologji fantastike u bë mënyra ime e zakonshme për të shprehur pasionin tim për pikturën: bëra timen metodën e tregimit të historive të mia, duke u nisur nga kuadro të famshme të historisë së artit, ose së paku nga figura që ushtrojnë mbi mua njëfarë sugjestioni.
Le të themi se elemente të ndryshme bashkëveprojnë për të formuar pjesën e dukshme të imagjinatës letrare: vëzhgimi i drejtpërdrejtë i botës reale, shpërfytyrimi mes shajnish dhe ëndrrash, bota e figurshme e përçuar në nivelet e saj të ndryshme dhe një proces abstraksioni, kondensimi dhe shpirtëzimi i përvojës ndjesore, me rëndësi të madhe si në vizatimin, ashtu edhe në verbalizimin e mendimit. Të gjitha këto elemente që, në njëfarë mase, janë të pranishëm në autorët që unë i shoh si modele, sidomos në kohëra shumë të favorshme për imagjinatën pamore, në letërsitë e Rilindjes, të Barokut dhe në ato të Romantizmit. Në një antologji timen të tregimit fantastik në shekullin XIX, kam ndjekur frymëzimin vegimtar dhe të bujshëm, që buron me shumicë nga tregimet e Hoffmannit, Chamissos, Arnimit, Eichendorfit, Potockit, Gogolit, Nervalit, Gautierit, Hawthornes, Poes, Dickensit, Turgenievit, Leskovit dhe arrin deri te Stivensoni, të Kiplingu, te Wellsi. Dhe, paralelisht me këtë frymë, kam ndjekur edhe një tjetër, madje ndonjëherë te të njëjtët autorë, frymë që bën që fantastikja të lindë nga e përditshmja, një fantastike e shpirtëzuar, mendore, e padukshme, e cila do të arrinte majat e saj te Henry James.

Leave a Reply

Your email address will not be published.