NJË FOTO E RE E RIMBAUD-it?!

Për djaloshin e Charleville-s është thënë gjithçka. Engjëll, djall, i mallkuar, përbindësh, gjeni, revolucionar, populist, mistik, fetar

Artur SPANJOLLI

Kaos, rrëmujë dhe dritë në trurin e këtij gjeniu të parakohshëm. Veç 16 vjeçar Rimbaud, pati vërtetë momente kulmore në krijimtari. I parakohshëm, si një meteor i cili ndrin dhe digjet shpejt, ai dha dhe tha gjithçka, në harkun e 3 viteve të adoleshencës. Te personi i tij u mblodh së bashku gjeniu dhe mëkatari, i krisuri dhe vizionari, i zemëruari dhe i paadaptueshmi, homoseksuali dhe reformuesi. Krenar, përçmues dhe mospërfillës, Rimbaud jo vetëm që e kritikoi dhe e urreu hipokrizinë borgjeze parisienë, por ai e shmangu atë aq fuqishëm sa shkoi deri në Abisini, drejt një primitivizmi origjinal, duke ndërruar deri edhe fenë. Më në fund, i lodhur së ecuri, nga Parisi në Brindizi në këmbë , po nga këmbët e tij vdiq siç e kishte parashikuar në një poezi. “….Dhe të braktisë këmbët e tij! O mrekulli!” Poezia: Turpi.

Nuk ka asnjë rast tjetër në letërsinë botërore që një poet i mallkuar kaq i ri, të akumulonte aq shumë sintezë letrare dhe të kishte një pjekuri letrare aq të parakohshme. Veç në moshën 19 vjeçare.

Poeti, shkruan Rimbaud, bëhet largpamës veç përmes një rrëmuje të gjatë, të arsyetuar dhe totale të ndjenjave.

Produkt i një epoke të turbullt, – luftërat Franko-Prusiane, – Rimbaud shfaqet si një uragan konfuz dha largpamës, poezia e tij është si një magmë gjithmonë në përvëlim, nga llava e të cilit do të dilte dritë e re mendimi. Askush si ai nuk e kërkoi aq ngulshëm të vërtetën në poezi dhe në jetë. Antikonformist i tërbuar, provokator dhe rebel, ai nëpërkembi, pështyu, talli me sarkazmin e tij të helmët gjithçka mediokre dhe fallce.

Për djaloshin e Charleville-s është thënë gjithçka. Engjëll, djall, i mallkuar, përbindësh, gjeni, revolucionar, populist, mistik, fetar, largpamës, blasfem, sodomit, sifilit, morracak, nevrostenik, shenjtor, tregtar armësh, moralist, dashnor i tërbuar, hero, lypës, heretik, vizionar, profet, drogaxhi, i ndriçuar. E kanë dashur dhe urryer pa masë, e kanë ekzaltuar, ofenduar, lartësuar dhe përbaltur pa fund. Ka sa të duash për të. Prapë ai mbetet një figurë mahnitëse dhe intrigante, për t’u zbuluar magjia e tij shumëkohëshe.

Një foto e re e gjetur kohët e fundit e Arthur Rimbaud-it?!. E njëjta hundë e hollë, të njëjtët sy ëndërrimtarë, i njëjti qëndrimi prej engjëlli në mërgim. Ky ishte pra, poeti fëmijë, revolucionari dhe largpamësi i pakrahasueshëm,i cili preku skajet e së pamundurës,të mitit dhe të legjendës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.