Shkrimi dhe lëvrimi i gjuhës shqipe qe për shqiptarët një kusht i domosdoshëm për t’u bërë ballë ndikimeve asimiluese të gjuhëve dhe të kulturave të huaja
Dr. Asllan HAMITI
Kongresi i njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, i mbajtur në Manastir më 1908, është një nga monumentet më të rëndësishme të gjuhës, të historisë e të kulturës shqiptare jo vetëm të fillimit të shekullit XX, por edhe të shekujve të mëhershëm e të kohës së mëvonshme. Përgjithësisht është e njohur se planifikimi gjuhësor përfshin tri faza kryesore: a) alfabetizimin e gjuhës, b) standardizimin dhe c) modernizimin e saj. Në Kongresin e Manastirit (14-22 nëntor 1908) u bë standardizimi i alfabetit të shqipes, hapi i parë i domosdoshëm për të standardizuar atë (në Kongresin e Drejtshkrimit, Tiranë, 20-25 nëntor 1972) si dhe për të kaluar në stadin e modernizimit që nuk përfundon kurrë, të cilin e karakterizon përpjekja për ta bërë shqipen të aftë për të përmbushur nevojat e shumëllojshme të shoqërisë sonë dhe për të konkurruar me sukses me gjuhët më të zhvilluara të botës. Nëse shpikja e alfabetit merret si një ndër zbulimet më të mëdha të njerëzimit, atëherë Kongresi i Manastirit mund të vlerësohet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të popullit shqiptar. Njësimi i alfabetit çoi në rrugë të drejtë të gjitha zhvillimet e mëvonshme për ngritjen e vetëdijes dhe formimin e kombit, shuarjen e ndasive krahinore e fetare, hapjen e shkollave në gjuhën amtare, botimin e librave si dhe përhapjen e dijes e të kulturës.
Njësimi i alfabeteve, parakusht për bashkimin kombëtar
Shkrimi dhe lëvrimi i gjuhës shqipe qe për shqiptarët një kusht i domosdoshëm për t’u bërë ballë ndikimeve asimiluese të gjuhëve dhe të kulturave të huaja. “Një gjuhë që s’shkruhet e s’këndohet, – thoshte Samiu, – nuk zihet gjuhë”. Të folurit dhe të shkruarit në gjuhën amtare është mjet i domosdoshëm për të mbijetuar një komb. Pajtohem me konstatimin e përgjithshëm se për ne shqiptarët njësimi i alfabetit, njësimi i gjuhës dhe njësimi i kulturës sollën natyrshëm bashkimin e kombit. Njësimi (unifikimi) i alfabeteve qe parakusht për bashkimin kombëtar. Përmbledhtas mund të thuhet se Kongresi i Manastirit njësoi shkrimin e shqipes, parapriu njësimin e kombit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, përcaktoi bazën fonologjike të shqipes standarde, duke vënë gurthemelin e saj; dobësoi përçarjen krahinore dhe politikën asimiluese, zgjoi dhe fuqizoi vetëdijen kombëtare, dëshmoi se jemi një komb, që kemi një histori, një gjuhë dhe një alfabet.
Siç dihet, shkrimi i shqipes ka një traditë mbi 550-vjeçare (së paku nga Formula e Pagëzimit, 1462 e deri më tani). Deri para Kongresit të Manastirit, shqipja u shkrua me abc-ë të ndryshme, kryesisht me katër alfabete: me alfabetin latin të përshtatur sipas autorësh e krahinash; me alfabetin arab, me alfabetin grek dhe me alfabetin cirilik. Veriu, përkatësisht shkrimtarët e vjetër përdornin alfabetin latin (të plotësuar me disa shkronja cirilike). Bejtexhinjtë përdornin alfabetin arab (si Muhamet Çami, Dalip e Shahin Frashëri etj.). Në jug përdorej alfabeti grek (Thimi Mitko, Konstantin Kristoforidhi), por ka edhe pak shkrime shqipe me alfabet cirilik [Gjergj Pula (a Gjorgji Pulevski) e ndonjë tjetër]. Ka pasur raste edhe kur i njëjti autor ka përdorur dy alfabete: bie fjala, Konstantin Kristoforidhi kur shkruante toskërisht përdorte alfabetin grek, ndërsa në shkrimet në gegërishte përdorte alfabetin latin. Alfabeti i Stambollit (1879) që kishte 36 shkronja ishte i përzier (me shkronja latine, greke e disa shkronja të veçanta). Ai u përhap në Shqipërinë Jugore e të Mesme, sidomos nëpërmjet librave të Naimit, Samiut, Vretos etj., por u përdor edhe në kolonitë shqiptare të Rumanisë e të Bullgarisë. Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” kishte për bazë alfabetin latin të plotësuar me disa dyshkronjësha si edhe i shoqërisë “Agimi” me qendër në Shkodër që po kështu për bazë kishte alfabetin latin të plotësuar me shkronja të alfabetit cirilik e glagolik, por edhe me disa shenja diakritike (shenja plotësuese të vëna mbi ose nën shkronjë).
Pati edhe përpjekje për hartimin e alfabeteve origjinale, siç ishte ai i Naum Veqilharxhit (prej 33 shkronjash), Hoxhë Tahsinit, Vasil Rusos etj. Përdorimi i disa alfabeteve të ndryshme po rrezikonte ta thellonte më tej përçarjen midis shqiptarëve në një kohë kur kishte nevojë për bashkim kombëtar dhe çlirim nga sundimi shumëshekullor osman. Ky shkrim i shumëllojshëm i shqipes përbënte problem serioz: veprat e shkruara lexoheshin vetëm nga një grup i kufizuar njerëzish brenda një krahine të caktuar që dinin të këndonin atë shkrim. Procesin e izolimit, të ndarjes krahinore e gjuhësore; të gërshetuara edhe me ndikimet e huaja fetare e kulturore dhe përgjithësisht të përpjekjes për asimilimin e shqiptarëve, po e përshpejtonte edhe larmia grafike e shqipes. Duke e hetuar këtë rrezik të zhbërjes kombëtare, mendjet e ndritura përgatitën, thirrën e mbajtën me shumë sukses një Kongres mbarëkombëtar në Manastir, me të cilin u ndërpre procesi i divergjencës ndër shqiptarët dhe u fuqizua përgjithmonë procesi i konvergjencës.
Përcaktimi i inventarit fonologjik
Nismën për mbajtjen e Kongresit e mori klubi shqiptar “Bashkimi” i Manastirit. Kongresi u ftua me moton: “Jo me pushkë e barut, por me penë e me letra!” Bashkimi i alfabeteve do të thotë bashkim i kombit. Me këtë themelohet e ardhmja e kombit. Zgjedhja e sistemit të shkrimit është problem simbolik. Shndërrimi i gjuhës në simbolizëm është një detyrë shumë e vështirë. Në shkrimin e gjuhëve, grafemat paraqesin fonemat apo tingujt themelorë të ligjërimit. Tërësia e fonemave zanore e bashkëtingëllore të një gjuhe përbën inventarin vokalik dhe konsonantik të saj. Inventari i fonemave dhe kundërvëniet (opozicionet) që kanë ndërmjet tyre formojnë sistemin fonologjik të gjuhës përkatëse. Sistemet fonologjike të gjuhëve, dialekteve, nëndialekteve dhe të folmeve dallojnë midis tyre jo vetëm nga numri i fonemave që përfshihen në to dhe nga raportet që vendosen mes fonemave të një sistemi, por edhe nga substanca fonetike e tyre. Inventari i fonemave zanore përcaktohet në bazë të zanoreve në rrokje të theksuar.
Siç dihet, fonemat ekzistojnë në formën e varianteve kombinatore, pozicionale, krahinore, individuale e stilistike. Puna e parë dhe shumë e vështirë për alfabetizimin e gjuhës është përcaktimi i inventarit fonologjik të saj. Hartuesit e alfabetit të sotëm të shqipes me punën e tyre dëshmuan se kanë pasur përgatitje të lartë gjuhësore (linguistike). Struktura fonologjike e shqipes standarde me 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore u përcaktua në thelb që me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit dhe u ruajt me alfabetin e Manastirit. Ata me 36 shkronjat përcaktuan njëkohësisht edhe inventarin e fonemave zanore e bashkëtingëllore të shqipes standarde (36 fonema), prandaj mund të thuhet se njëkohësisht vunë edhe gurthemelin e gjuhës standarde shqipe. Në këtë artikull do të trajtojmë mënyrën e zgjidhjes së drejtë të disa çështjeve fonetike, fonologjike e shkrimore me të cilat u përcaktua baza fonologjike e shkrimore e shqipes standarde. Pra, me standardizimin e alfabetit u përcaktua edhe baza fonetike e fonologjike e shqipes standarde.
Kundërvënia fonologjike e gjatësisë së zanoreve të gegërishtes nuk u normëzua, d.m.th. u pranua vetëm gjatësia fonetike e zanoreve, duke e shënuar çdo zanore vetëm me një shenjë, pavarësisht nga gjatësia e tyre. Fonemat zanore hundore (që përdoren në shumicën e të folmeve gege, për shkak të kundërvënies kuptimore ose gramatikore të zanoreve gojore me gjegjëset e tyre hundore te disa çifte fjalësh) nuk u normuan si veçori fonologjike e standardit, rrjedhimisht edhe nuk krijuan shkronja të posaçme për to. Mbështetje të drejtë gjuhësore u gjet edhe në dallimin ndërmjet fonemave dhe varianteve kombinatore e pozicionale të tyre. Për fonema u morën vetëm tingujt themelorë që kanë vlerë fonologjike, gjegjësisht vlerë kuptimore ose gramatikore në ligjërim. Në Kongresin e Manastirit u përcaktuan edhe shkronjat <rr> e <h> për të shënuar fonemat /rr/, /h/ edhe pse në të folmet e toskërishtes bashkëtingëllorja e parë ishte dhe është zbutur në /r/, ndërsa /h/-ja ka përdorim të kufizuar; ndërkaq në të folmet e gegërishtes këto dy fonema ruhen mirë.
Disa shpjegime dhe arsyetimi i tezave
Nuk u krijuan shkronja të veçanta e as shenja diakritike për të shënuar gjatësinë e zanoreve, duke ngritur në normë gjatësinë fonetike të zanoreve. Siç dihet, në pikëpamje fonologjike për nga gjatësia toskërishtja ka vetëm një seri fonemash zanore, ndërsa gegërishtja ka dy seri: zanore të shkurtra dhe zanore të gjata. Në aspektin fonetik, të folmet e Veriut në rrokje të theksuar kanë zanore të gjata, zanore me gjatësi të mesme dhe zanore me gjatësi të shkurtër. Kongresi i Manastirit nuk normëzoi kundërvënien fonologjike të gjatësisë së zanoreve të gegërishtes, d.m.th. u mor për bazë vetëm gjatësia fonetike e zanoreve, duke e shënuar çdo zanore vetëm me një shenjë, pavarësisht nga koha e nevojshme për shqiptimin e tyre. Të kihet para sysh se autorët e Veriut në shkrimet e tyre përdornin shenja diakritike për të dalluar zanoret e gjata nga gjegjëset e tyre të shkurtra: ose duke shënuar një vizë mbi zanoren ose duke dyzuar të njëjtën zanore (ā, aa). Të kihet para sysh se të gjitha të folmet e dy dialekteve kanë pasur e kanë bashkërisht një inventar prej 22 fonemash zanore.
Me Kongresin e Manastirit u vendos që gjuha standarde shqipe të ketë vetëm një seri zanoresh gojore të përbërë nga shtatë fonema, të cilat shkruhen me shtatë shkronja të posaçme njëshe: <a, e, ë, o, i, y, u>. Kur i krahasojmë të folmet e dy dialekteve të gjuhës shqipe vërejmë se të folmet gege kanë inventar më të pasur fonemash zanore (deri më 19) sesa të folmet toske (prej 6-7), sepse të parat kanë tri seri: zanore të shkurtra, zanore të gjata dhe zanore hundore, ndërsa të dytat kanë vetëm serinë e zanoreve gojore. Në të vërtetë, edhe në të folmet e gegërishtes mbizotëron gjatësia fonetike e tingujve, por në një numër të konsiderueshëm fjalësh ende ruhet gjatësia fonologjike. Gjatësia e tingujve të shqipes së sotme (dialektore dhe standarde) është përzierje e sistemit të vjetër me gjatësi fonologjike të zanoreve me tipin e ri të gjatësisë fonetike.
Fonemat zanore hundore nuk i pranuan si veçori fonologjike e gjuhës letrare, rrjedhimisht edhe nuk krijuan shkronja të posaçme për to. Dihet se të gjitha të folmet e të dy dialekteve bashkërisht kanë 22 fonema zanore (8 të shkurtra, 9 të gjata dhe 6 zanore hundore). Në arealet e shqipes numri i tyre sillet prej 6 deri më 17 fonema zanore. Edhe përkundër kësaj, në Kongres u caktua përmes shkronjave që shqipja letrare të ketë vetëm një seri zanoresh gojore të përbërë nga shtatë fonema. Edhe në sistemin bashkëtingëllor numri i fonemave në të folmet e shqipes është e larmishme, përkatësisht në të folme të veçanta numri i tyre sillet prej 30 deri më 26 fonema. Mirëpo, sipas shkronjave del se në Kongresin e Alfabetit u përcaktua që shqipja letrare të ketë 29 fonema bashkëtingëllore. Zgjidhje të drejtë gjuhësore në Kongresin e Alfabetit pati edhe dallimi ndërmjet fonemave dhe varianteve kombinatore e pozicionale të tyre. Për fonema u morën vetëm tingujt themelorë që kanë vlerë fonologjike, gjegjësisht vlerë kuptimore ose gramatikore në komunikim.
Përgjithësisht, në funksionin dallues mbështetemi për të përcaktuar fonemat e një gjuhe. Dy tinguj shërbejnë si fonema të ndryshme, nëse dallojnë veshjet tingullore të dy fjalëve të ndryshme; në rast të kundërt, këta dy tinguj janë realizime të së njëjtës fonemë. P.sh. /l/ dhe /ll/ në shqipe janë dy fonema të ndryshme, sepse dallojnë çifte të veçanta fjalësh, si lak ~ llak, plakë ~ pllakë, mal ~ mall etj. Por në gjuhë të tjera [l] dhe [ł] janë realizime të ndryshme të një foneme të vetme. P.sh., në anglishte [l] del para zanoresh, si te lake [leik] “liqen”, kurse [ł] para bashkëtingëlloresh dhe në fund të fjalës: milk [miłk] “qumësht”, hill [hił] “kodër”.2 Edhe në maqedonishte [l] dhe [ł] (l) janë variante kombinatore të një foneme të vetme, sepse [l] përdoret para zanoreve të përparme [e, i] (khs. leto, lesen; list, livada), ndërsa [ł] në rrethime të tjera fonetike (përveç para [u]-së ku përdoret [q]), si lamba, lov; por qubov [ljubov]. Duke u mbështetur në kundërvëniet fonologjike me të drejtë janë përcaktuar si fonema më vete, rrjedhimisht duke i shënuar me shkronja të posaçme zanoret /i/ ~ /y/, mbështetur në kundërvënien e mungesës ~ pranisë së buzorëzimit në disa çifte minimale fjalësh, të tipit si ~ sy, ti ~ ty, mik ~ myk, rimë ~ rrymë etj.
Studimet dialektologjike dëshmojnë se gegërishtja e ruan kundërvënien fonologjike të bashkëtingëlloreve dridhëse /r/ ~ /rr/, ndërsa toskërishtja këtë kundërvënie e ka rrafshuar. Së këndejmi, mund të thuhet se Komisioni hartues i Alfabetit me të drejtë fonemën /rr/ kanë vendosur ta shënojnë me shkronjë të veçantë, duke u mbështetur në statusin e fonemës së veçantë që ka kjo shumëdridhëse në sistemin fonologjik të gegërishtes. Kjo më së miri mund të vërehet në çifte minimale fjalësh, si: ara ~ arra, ruaj ~ rruaj, var ~ varr etj. (Shih hartën 22 të Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe I, Napoli, 2007). Në të folmet e dialektit Verior [h]-ja dëgjohet mirë, ndërsa në ato të Jugut shqiptohet si më e dobët ose nuk dëgjohet fare. Bashkëtingëllorja glotale, shtegore, e shurdhët [h] dëgjohet mirë në të folmet e gegërishtes (përveç në të folmen e Dibrës e në ndonjë tjetër), ndërsa në të folmet e toskërishtes shqiptohet me frymëzim (aspirim) më të dobët shkallësh të ndryshme ose nuk dëgjohet fare, me gjithë kufizimet në përndarjen e saj (diku nuk shqiptohet në asnjë pozitë të fjalës, diku nuk shqiptohet në fund e diku në mes të fjalës).
Pra, edhe shkronjën <h> hartuesit e alfabetit të sotëm të shqipes kanë shumë të drejtë që e kanë përfshirë në sistemin shkrimor të shqipes. Gjuha shqipe për shkrimin e saj përdor alfabetin latin të përshtatur sipas inventarit fonematik vetanak. Alfabeti i latinishtes u bë bazë e alfabeteve të shumë gjuhëve. Gjuha e më se 36 popujve të Evropës dhe i shumë të tjerëve jashtë këtij kontinenti shkruhet me alfabetin latin të përshtatur në mënyra të ndryshme. Shkrimi fonologjik bazohet në parimin e bashkëlidhjes së një fonemeje me vetëm një shkronjë, por ky është vetëm ideal, sepse në realizim asnjë sistem konvencional i shkrimit nuk është konsekuent dhe plotësisht fonematik.
Përparësitë e ABC-së së shqipes
Në qoftë se vlerësojmë sistemin grafik të shqipes nga pikëpamja e parimeve të përgjithshme, mund të thuhet se ai është nga më të thjeshtët (krahasuar me abc-ënë e gjuhëve të tjera) dhe ka zgjedhur mjaft drejt problemin e shkrimit të gjuhës sonë: 36 fonemat e shqipes shënohen me 36 shkronjat e alfabetit, që përbëhen nga 25 shenja të thjeshta, 9 dyshkronjësha dhe dy shkronja me shenja diakritike (plotësuese, shtesë).
Po të krahasojmë shkrimin e shqipes me disa gjuhë të tjera, ABC-ja e shqipes ka disa përparësi. Kështu, anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja etj., kur paraqesin alfabetin e tyre, rendisin 26 shkronjat e alfabetit latin, por kombinimet e grafemave për të shënuar fonema të veçanta nuk numërohen si shkronja më vete. Anglishtja, p.sh. si gjuhë mjaft e përpunuar, në shkrim ka disa mangësi, sepse për të shënuar 40 tingujt themelorë të saj përdor mbi 200 kombinime shkronjash.
Përkundër këtyre mënyrave të shkrimit të ndërlikuar, gjuha shqipe, për t’i shënuar 36 fonema, përdor 36 shkronja. Nga kjo pikëpamje në vija të përgjithshme në hartimin e alfabetit të shqipes është respektuar parimi themelor i grafisë, që e njëjta fonemë të paraqitet në të gjitha rastet vetëm me një shkronjë të veçantë (të thjeshtë ose dyshkronjësh), me disa përjashtime.
Përdorimi i shkronjave dyshe ka të mirat e veta, ngase me një numër më të vogël shenjash, përkatësisht me 27 shenja të thjeshta (kuptohet dhe me 9 çiftet e tyre) paraqiten 36 fonemat e gjuhës sonë. Por, kjo ka edhe të meta, sepse: 1) dyshkronjëshat zgjatin tekstin e shkruar; 2) krijojnë mundësi që disa çifte shkronjash të lexohen në dy mënyra, d.m.th. si digrafe dhe si shkronja të veçanta që vijnë njëra pas tjetrës, p.sh. lagje, lagja ose lag’je,lag’ja; rënje, rënja ose rën’je, rën’ja (në rastet e këtilla për t’u lexuar drejt, për fonemën /j/ shkruhet <i>); Mithat ose Mit’hat; meshollë ose mes’hollë, gazhedhës ose gaz’hedhës etj. Për t’u ruajtur shqiptimi i veçuar i pjesëve përbërëse të dyshkronjëshave dhe për t’iu shmangur leximit të gabueshëm si 354 Studime 26 njëshkronjësh, Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe propozon që shkronjat e veçanta të ndahen me apostrof, si: i herëpas’hershëm, mes’hollë, mos’hapje, mos’hyrje, dis’harmoni; shtat’hedhur; brez’humbur, gaz’hedhëse; Bet’hoven, Et’hem, Mit’hat etj. Nëntë dyshkronjëshat janë numerikisht një e katërta e alfabetit të shqipes. Në dukje kjo është një ngarkesë e madhe. Por sipas studimeve statistikore të nëntë shkronjat zënë 6-7% të tërësisë së shkronjave në një tekst të lidhur; me fjalë të tjera, në çdo njëqind shkronja të një teksti, vetëm 6-7 shenja janë dyshkronjësha.
(…)
Në Kongresin e parë për kodifikimin e alfabetit u përcaktua që shqipja të ketë shkrimin më të përsosur, më të përhapur, më të lehtë e më praktik; pra shkrimin fonetik, më mirë të themi fonologjik. Në këtë lloj shkrimi çdo fonemë jepet me një shkronjë të veçantë, kështu që numri i shenjave është i vogël. Kjo zgjidhje e këtillë e grafisë gjen mbështetje edhe në praktikën e shtypshkrimit të tekstit shqip. Alfabeti i thjeshtë latin është omogjen për nga karakteri i shkronjave, i lehtë për t’u shkruar dhe shumë i volitshëm në shtyp. Nuk kërkon shtypshkronja me shenja të posaçme. Me shkronjat e alfabetit tonë u përcaktua edhe baza fonologjike e shqipes së përbashkët kombëtare, dikur që quhej gjuhë letrare e tani shqipe standarde. Alfabeti i përbashkët dhe i ndërtuar drejt hapi rrugën për një emancipim kulturor, për një drejtshkrim të përbashkët dhe për një gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët, siç e kemi sot. (Studime)