Popujt me kulturë kanë vazhduar të shkruajnë histori të letërsisë së tyre, kriteret për përpilimin e të cilave kanë pësuar ndryshime nga një periudhë në tjetrën…
Zyrafete SHALA
Studiues dhe teoricienë të letërsisë të njohur ndërkombëtarisht, kanë vënë në dilemë shkrimin e historisë së letërsisë, duke u mbështetur në faktin se historia dhe letërsia janë dy fusha të ndryshme dhe është vështirë të shkruhet diçka që mund t’i bëjë bashkë të dyja këto. Mirëpo, pavarësisht nga kjo, popujt me kulturë kanë vazhduar të shkruajnë histori të letërsisë së tyre, kriteret për përpilimin e të cilave kanë pësuar ndryshime nga një periudhë në tjetrën… Hartimi i një historie të re të letërsisë shqipe është i domosdoshëm dhe stërzgjatja e diskutimeve rreth kësaj çështjeje vetëm se janë duke e dëmtuar kulturën tonë. Që nga hartimi i historisë së letërsisë, që ende është në shfrytëzim, në botën shqiptare ka ndërruar shumëçka, prandaj edhe ky tekst është i jashtkohshëm dhe i mangët në informacione. Dihet se jo vetëm shkrimtarë, por breza të tërë shkrimtarësh, periudha të tëra kanë mbetur jashtë faqeve të kësaj historie. Krahas vullnetit dhe punës titanike të studiuesve të letërsisë, duhen edhe kritere të qarta mbi të cilat duhet mbështetur përzgjedhja dhe klasifikimi i shkrimtarëve. Kam vërejtur se vitet e fundit, në mesin e kritikëve dhe studiuesve të rinj të letërsisë, sikur është krijuar një aversion ndaj shkrimtarëve që ishin të suksesshëm në periudhën e realizmit socialist. Edhe në mesin e shkrimtarëve të kësaj periudhe ka mjaft të tillë, veprat e të cilëve mbeten monumente të letërsisë sonë. Është e natyrshme që studimet më tepër të orientohet nga shkrimtarët që ishin të anatemuar dhe si të tillë veprat e tyre nuk arritën në komunikojnë me lexuesin shqiptar për një kohë të gjatë, por në asnjë mënyrë nuk pajtohem se vlerësimi i tyre duhet të bëhet duke i mohuar disa të tjerë. Ne, si popull me një letërsi të re dhe shumë të brishtë, krahasuar me letërsitë e popujve të tjerë, duhet të jemi këmbëngulës dhe shumë të kujdesshëm në ruajtjen e vlerave letrare e kulturore.