Roli i tij më i famshëm ishte Fedia, nga “Kufoma e gjallë” e Tolstoit. Ky rol u luajt nga ai vetë rreth 1400 herë. Zor se gjendet rast tjetër i ngjashëm, kur një aktor të personifikohet aq shumë me një nga rolet e tij
Grigor JOVANI
Në etapën ndërmjet dy shekujve të kaluar, ishte artisti fenomenal i teatrit. Në prizmin botëror italo-austriak, por me origjinë shqiptare.
Moisiu u lind (më 2 prill 1879) në Tergesti (Trieste) të Italisë. Prindërit e tij ishin Moisi Moisiu nga Kavaja, në kohën kur atdheu i të parëve ishte nën Perandorinë Otomane, një tregtar i pasur shqiptar drithërash dhe Amalia de Rada, arbëreshe nga Tergesti, e bija e një mjeku fiorentinas. Kaloi një fëmini ndërkombëtare, fillimisht në Tergesti, pastaj në Durrës të Shqipërisë dhe më vonë në Grac të Austrisë. Njëzetvjeçar, Aleksandri u vendos bashkë me të ëmën dhe dy motrat në Vjenë.
Qysh shumë i ri u pasionua pas teatrit. E gjithë jeta e mëvonshme i kaloi mbi skenë dhe iu përkushtua asaj. Fillimisht mori mësime fonetike. Pastaj bëri kërkesë pranimi për te “Hofburgtheater”. Nuk u pranua, për shkak të theksit të fortë italian në të folurën. Ra në një kompromis ulës me drejtuesit e Teatrit: e pranuan pak më vonë në role anësorë, ku nuk fliste. Në një premierë të tillë, gjatë sezonit 1899-1900, në një rol anësor tek “Tartufi” i Molierit, mimika dhe gjithë prezenca e tij skenike i ra në sy dhe e impresionoi aktorin e famshëm austriak Jozef Kainz, që luante rolin kryesor. E kuptoi menjëherë se aktori i ri me theks italiano-jugor nuk ishte për role të dyta. Këtej e tutje, me përkrahjen e Kainzit nisi karriera e madhe e Moisiut, si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës evropiane, në fillimet e shek. 20-të.
Një vit më vonë Kainzi e dërgoi Moisiun te “Teatri i Ri Gjerman” i Pragës dhe më 1903 u bë pjesë e “Deutsches Theater” të Berlinit, nën drejtimin e regjisorit të famshëm Maks Rainhard, i cili iu bë mentori artistik.
Në Berlin shkëlqeu i plotë talenti i tij aktrimit. Bashku me Rudolph Schildkraut luajti në premierën berlineze të “Tregtarit të Venedikut” të Shekspirit, me regji të Rainhardit. Triumfi qe i plotë, shtypi gjerman himnizoi zërin e tij orkestër. Ishin tejkaluar tashmë kritikat e para për theksin gjithmonë italian në të folurën e aktorit, pikërisht zëri i tij, sa kumbues aq dhe melodioz, e bëri protagonistin më të dashur të skenës gjermane.
Mandej erdhën turnetë artistike nëpër Evropë, duke ia përhapur famën tek i gjithë kontinenti. Më 1911 trupa teatrore e Rainhardit udhëtoi në Rusi. Në Shën Petërburg, luajti mrekullueshëm rolin protagonist tek “Edipi mbret” i Sofokliut. Atje fitoi kritikat entuziaste të njërit prej njerëzve më të njohur të teatrit evropian, kritikut dhe dramaturgut të famshëm rus, Anatoli Linaçarski.
Gjatë vazhdimit të turneut nëpër Evropë dhe Amerikë, roli i tij më i famshëm ishte Fedia, nga “Kufoma e gjallë” e Tolstoit. Ky rol u luajt nga ai vetë rreth 1400 herë. Zor se gjendet rast tjetër i ngjashëm, kur një aktor të personifikohet aq shumë me një nga rolet e tij.
Megjithë famën ndërkombëtare, Berlini është qyteti ku Moisiu u bë i famshëm për aktrimin, me role të spikatur. Fillimisht me interpretimin e Osvaldit, te “Fantazmat” e Ibsenit (1906). Pastaj erdhën rolet e tij të mëdha protagoniste, ato të Hamletit, Edipit, Faustit. Ishin “festa teatrore të asaj epoke, me zërin dhe diapazonin emocional që përmbanin”, theksonte shtypi gjerman i asaj kohe.
Përveç “Deutsches Theater” në Berlin, Moisiu luajti edhe në Austri, te “Volkstheater” i Vjenës dhe te Teatri “Josefstadt”. Ndonëse protagonist i skenës teatrore, u shfaq në dhjetë filma, gjatë periudhës 1910-1935, ndërmjet të cilave shtatë janë pa zë. Te këta të fundit dallohet roli në filmin “Një student në Pragë” (1913).
E kishte një atdhe pas vetes
Më 1914 Moisiu mori nënshtetësinë gjermane. Për të kryer detyrën patriotike, u regjistrua vullnetarisht në ushtri, gjatë Luftës së Parë Botërore. Përveçse patriot, ndjehej edhe njeri shoqëror. Në kohën e Revolucionit Gjerman të 1918-19-ës u përfshi në Lidhjen Marksiste “Spartaku”, fakt që dëshmon bindjet e tij politike dhe shoqërore. Mbi të gjitha mbeti artist, i dashuruar totalisht me skenën. Më 1920 luajti rol protagonistik në interpretimin e parë të preformancës “Jedermann” të Hugo fon Hofmannsthalit, në Festivalin e Salcburgut.
Ndërkaq, Moisiut nuk iu përshtat e reja që po pushtonte skenën gjermane, si ekspresionizmi gjerman dhe rryma e teatrit epik, që filloi me premierat që ngjitën në skenë regjisorët avangardistë Erwin Piscator dhe Bertolt Brecht. Filloi të duket se diçka nuk shkonte mirë me të dhe me Teatrin Gjerman. Përfundimisht, braktisi Gjermaninë më 1933, për shkak të ngjitjes gjithmonë e më tepër të nazizmit, ideologjia dhe praktikat e të cilit e gjenin krejtësisht kundër.
Në këto çaste të vështira për të ardhmen, iu gjend mbështetja e vendit të të parëve të tij, Shqipërisë. Nëpërmjet rrugëve diplomatike, Mbreti Zog i ofroi nënshtetësinë shqiptare. Por, e arriti, më shpejt se lëvizjet dramatike të kohës, vdekja (22 mars 1935). Dha frymën e fundit në Vjenë, ku qe stabilizuar më së fundi (akoma nazizmi nuk kishte ardhur në fuqi atje), i sëmurë kronikisht nga pneumonia, e cila i qe rënduar kohëve të fundit. Trupi iu dogj dhe hiret iu varrosën te Varrezat Morcote, me pamje liqenin e Luganos, në Zvicër.
Nderimi i merituar për këtë njeri dhe artist të jashtëzakonshëm të Teatrit erdhi duke u shtuar në kohët moderne, ngaqë talenti dhe virtytet njerëzore që shpalosi gjatë një jete të tërë, janë të vlera, të gjithëkohshme të njerëzimit. Me emrin e tij u pagëzuan rrugë dhe sheshe në Berlin, Salcburg dhe Vjenë. Në kryeqytetin austriak, i cili e konsideron Moisiun “qytetar nderi” të tij, në vitin 2005 iu përurua një monument në një nga sheshet kryesore.
Është e natyrshme që Shqipëria, Atdheu i të parëve të tij, e nderon si një nga bijtë më të shquar, me kontribut të jashtëzakonshëm dhe nderues në kulturën evropiane. Përveç se konsiderohet “artist kombëtar”, emrin e tij ka Akademia e Muzikës dhe Arteve në Tiranë, si edhe Universiteti dhe Teatri i qytetit të Durrësit. Në vendlindjen e të atit të Mosiut, në Kavajë, shkolla e mesme dhe teatri mbajnë gjithashtu emrin e tij. Përvjetori i 60-të nga vdekja u përkujtua në Shqipëri si “Viti Artistik i Moisiut”, me veprimtari të shumta artistike për nder të tij.
Moisiu njeri
Edhe pse ishte i krishterë, e çuditshmja është se Moisiu konsiderohet shpesh si hebre. Mbase për hir të mbiemrit që trashëgoi nga i ati. “Moisiu” është një mbiemër i shpeshtë në Shqipëri, që shumë rrallë mund t’i korrespondojë origjinës çifute. Ose këtu ndikoi edhe miqësia që lidhte shpesh me kolegët e tij hebrenj, në një kohë që ata konsideroheshin “dele të zeza”, të destinuara për thertore, në shoqërinë gjermane. Moisiu kritikoi ashpër në shtypin gjerman këto praktika raciste në marrëdhëniet midis njerëzve dhe në ato shtet-qytetarë, duke ftuar botën e krishterë t’i përmbahet idealeve të saj dhe të ndalojë diskriminimin e turpshëm të hebrenjve: “Përsa u përket hebrenjve, morali i krishterë, njerzillëku dhe vlerat njerëzore nëpërkëmben brutalisht…” ose: “Rruga e antisimitizmit është një kthim pas drejt ditëve të errëta të Mesjetës…”
***
Moisiu u martua dy herë. Fillimisht me gjermanen Maria Moisi (Urfus), nga Teplice e Bohemisë. Më 1913 ajo themeloi në Berlin një shkollë teatrore, ku jepte leksione edhe i shoqi. Nga kjo martesë Moisiu pati një vajzë, Beatriçen.
Me aktoren Herta Habah, pas një lidhjeje të paligjshme, kishte vajzën e dytë, Betinën. Martesën e dytë e bëri me një aktore tjetër, Johanna Tervin. Aktori i njohur gjerman Gedeon Burkhard është stërnip i Moisiut nga kjo martesë.
Kanë thënë për Moisiun
“Zëri dhe gjestet e Moisiut na paraqitën diçka të pashfaqur gjer tani në skenën evropiane”. (Franc Kafka).
“Hamleti është i shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur ekskluzivisht për të interpretuar Princin e Danimarkës”. (Maks Brod).
“Përshëndes Aleksandër Moisiun, të cilit i jam gjithmonë mirënjohës, si njëri nga interpretuesit më të ndritur të karaktereve të mi”. (Luixhi Pirandelo).
“Sa herë je me të do të mësosh diçka të re për jetën në atë botë nga e ka origjinën…” (Stefan Zvaig).