NJË LETËR DREJTUAR POETIT ZEF ZORBA

(U lind më 31 mars 1920 në Kotorr të Malit të Zi – ndërroi jetë në 6 janar të vitit 1993 në Shkodër)

Xhahid BUSHATI

Njohja ime me poetin Zef Zorba ishte e shkurtër, mbase më të shkurtrat në botë. Kur njohjen time, që sapo zuri fill, e kisha ëndërruar të ishte përjetshme, deri në frymën e fundit të jetës sime, ndoshta edhe përtej… Kam menduar gjithnjë se ëndrrat nuk duhet të jenë kaq jetëshkurtra sa njohja ime. Besoj, që edhe ato përralla, ku zgjidhjet e ngjarjes apo përmbylljet e tyre i kanë përmes ëndrrës, nuk do ta pranonin një shkurtësi të tillë. Se përrallat janë aq nazike sa nuk dëshirojnë t’i humbin magjitë e tyre, ku shpesh këtyre magjive zorbiane edhe vetë ëndrrat ia kanë besuar magjitë e tyre.

Kështu ndodhi me të nderuarin Zef Zorba, kur në mendje kisha projektuar takime të rëndësishme, pyetje të vlefshme, kuriozitete e labirinte jete të jetës së tij, të mësoja se çdo të thotë të jesh qëndrestarë në heshtje, por edhe i heshtur në buzëqeshje … Por, i fshiu pa mëshirë vdekja atij fillimi janari të vitit 1993, kur “buzët t’i ngrinte i ftohti” e, kur mua i ftohti ma ruajti lotin, ma ktheu në kujtim e në mos-harrim… Humba modelin e një intelektuali që nuk është aq lehtë për ta gjetur, realisht humba një “Universitet”… E, unë këtë burrë 73-vjeçar që jeta e lodhi por nuk e mposhti, dëshiroj ta shoh, duke ecur ngadalë e mendueshëm, me çantë në dorë si një bibliotekë lëvizëse; dëshiroj ta shoh tek ngjit shkallët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, teksa hyn në auditor dhe studentët në heshtje, të privilegjuar e të nderuar presin leksionin e tij të parë… E shoh kështu, dhe nuk dua ta pranoj vdekjen e tij…

Më shumë shkrimtarët e më pak studiuesit kanë folur e rrëfyer për jetën dhe krijimtarinë e Zef Zorbës… Ky raport jetë – krijimtari e ka një kod, ku së jashtmi dhe së brendshmi të këtij kodi “flasin” ngjyrat dhe nuancat ngjyrore sa njerëzore aq dhe shpirtërore, flasin tingëllimat e instrumenteve e muzikaliteti, flet filozofia dhe ëndërrimi… E gjithë kjo sofër e begatë, njëkohësisht e dritshme ka nevojë për thellësi interpretimi. Po përse nuk është arritur deri tani kjo?! Mbase mungon përballja kulturore dhe standardet në këtë lëmi. Mbase… Zorbën e kanë parë ata pak studiues që i kanë kthyer sytë nga ai: mes kohës së poetit dhe kohës ekzistuese, si krijues i veçantë hermetik e i një letërsie sirtari … E gjitha kjo i ngjan një qielli të vogël për Zorbën, kur Zorba është një qiell pafund, ishte shpirt-qielli… Mbase, ai qiell i vogël i pameritueshëm i ngjan, siç thotë studiuesi Ardian Ndreca, sepse ndoshta: “… jeta e tij ka pak data”; por të mos harrojmë, vazhdon interpretimin Ardiani: “Te vargu i Zorbës ajo çka ka ma shumë randësi  asht hija e objekteve sesa vetë përmasat e tyne reale”. Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare, teksa flet për kohën e poetit Zef Zorba thotë se: – “… , ende nuk më kishte qëlluar ta njihja librin e vetëm të tij, të botuar më 1994, një vit pas vdekjes së poetit, pothuajse pa asnjë jehonë mediatike.”; – Ai (nënkupto: Zef Zorba) zgjodhi rrugën e krijimit të poezisë që nuk do të shihte dritën e botimit.”; – Zef Zorba zgjodhi rrugën më të natyrshme: atë të artit.”; – Ai (nënkupto: Zef Zorba) zgjodhi hermetizmin, si formën më natyrale që i shkonte poetit me atë fat.”; – “… është nga të rrallët poetë shqiptarë, që bëri eksperimente avangardiste, aq pak të pranishme në poezinë shqipe”.Kurse studiuesi Stefan Çapaliku ndalet në vlerat e librit “Buzë të ngrira në gaz”, ku marrëdhënia poet-vepër, vepër-poet jetuan dhe përjetuan një heshtje të gjatë dekadash. Ai shprehet: – “… një publikim vlerash nuk është vonë kurrë e që nga ky çast bibliotekës së letërsisë shqiptare i hyn një libër nderi.; – “”Buzë të ngrira në gaz” është shenjë e kohës së ndaluar, e ironisë tragjike shqiptare, e gjithçkaje që na lidh e zgjidh me të kaluarën, me të tashmen e me të ardhmen.”

I nderuari Zef Zorba! Si një intelektual i ditur që ishe, dua t’u përmend një urtësi të poetit të madh Shell-i, i cili thoshte: “Poezia është profeci, ligj dhe dituri”. Këto tri vatra të dritshme i pashë në çdo poezi të krijimtarisë tënde poetike, gjatë leximit, rileximit dhe studimit tim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.