(Rreth romanit “Fundi i Uskanës” të Shqiponja Axhami Trota, otuar nga Shtëpia botuese BUZUKU, Prishtinë, 2024)
Ballsor HOXHA
Romani “Fundi i Uskanës” është një roman në të cilin gërshetohen stili i përrallës bashkëkohore, fantazisë, postmodernes ndër të tjera, duke e krijuar një metaforë origjinale dhe rrallë të parë në letërsi në përgjithësi. Në të vërtetë Shqiponja Axhami Trota krijon një univers të tërë, të dy botëve që kanë jetuar pa njohur njëra-tjetrën dhe që në fund takohen duke mos pasur asnjë të njohur. Mirëpo, duhet thënë qysh në fillim se romani i Shqiponja Axhami Trotës është një roman me një ambicie tejet interesante, por që në hapësirën e tij është mjaft i kondensuar gjë që e bën herë pas here, dhe sidomos në fillim të tij, tejet kompleks. Në të vërtetë romani është tejet i ngjeshur, me përmbajtje tejet të pasur dhe aq shumë personazhe, që e bëjnë të vështirë për lexuesin që të adaptohet në leximin e tij deri në një moment. Ngjarja e romanit fillon me një kaos të tërësishëm të një universi “të panjohur” e që në të vërtetë është me simbolika dhe përmbajtje tejet të dendura të ilirishtes dhe të shqiptares, prej personazheve që parakalojnë dhe disa edhe mbesin në tërësinë e romanit, e deri tek mitet dhe simbolet e tyre. Në këtë kaos ngjan sikur një shoqëri e tërë, e ndarë në fise dhe në luftë të përhershme, është duke u mbuluar nga e errëta e vet mitologjisë së saj dhe besimet, tabutë, e deri tek besëtytnitë e saj. Në të vërtetë kemi të bëjmë me një hetim dhe thellim tejet interesant të jetës së ilirishtes në përgjithësi dhe të semantikës së tyre, që përshkruan jetën e kësaj kohe me një besueshmëri interesante. Mirëpo, ky univers, tërësisht i izoluar dhe i mbetur pa asnjë depërtim dhe as shkëmbim, qoftë nga brenda jashtë e qoftë nga jashtë brenda, është në kufi të shkatërrimit , për shkak të luftërave, plaçkitjeve dhe krenarisë, e tërë asaj që u tha më lart, siç janë besëtytnia dhe tabutë që e kanë mbuluar këtë univers. Më tutje, në romanin “Fundi i Uskanës”, krejtësisht siç ndodh në letërsinë fantastike dhe në letërsinë e përrallës bashkëkohore, një cirk endacak ndeshet me këtë univers, krejtësisht të panjohur dhe të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Ndodhin çudi tërë kohën, derisa këta pjesëmarrës të këtij universi janë tejet krenarë dhe të bindur ndaj besimeve të veta në forcën dhe territorin e tyre, e që janë të pajisur me shtriga e thika dhe një jetë dhe përvojë krejtësisht identike si ajo e parahistorisë së Perëndimit. Në anën tjetër, cirku endacak me të cilin ndeshet ky univers, është i pajisur me pushkë automatike, gra gjysmë të zhveshura, Sulltanin e fatit, kinezin Lu, dhe në fund me Majorin që është njëri prej udhëheqësve dhe pronarëve të këtij cirku, e që në të vërtetë është njeriu më bashkëkohor i mundshëm me të gjitha përvojat e tij në fëmijërinë e dhunshme, në përjetimin e luftërave dhe në nihilizmin e tij ekzistencial. Ndodh dhe kontakti ndërmjet këtyre dy inverseve, këtyre dy botëve dhe fillon shkëmbimi, qoftë ai i shokut nga kontakti me të panjohurën dhe qoftë ai me këmbime. Por në kontakt e sipër Majori në naivitetin e një njeriu bashkëkohor përdor pushkën e tij automatike në luftën ndërmjet fiseve të këtij universi parahistorik dhe në këtë ndodh magjepsja e tyre, magjepsja me pushtetin e vrasjes dhe pushtetin e mbrojtjes, në të vërtetë të njërit nga tjetri. Lihen pengjet, bëhet marrëveshja dhe jepet besa për furnizimin e këtij universi me armë automatike, e deri tek snajperët. Po kjo edhe ndodh, pas një kohe. Dhe po kjo edhe e lind zanafillën e korrupsionit në këtë univers të quajtur Uskana (sipas territorit të njohur ilir të fisit të Penestëve). Ky roman, pavarësisht ndërlikueshmërisë së tij, që u cek në fillim të këtij punimi, në të vërtetë është një prej romaneve më unike. Me një ide krejtësisht burimore dhe të papërsëritshme. Në të vërtetë pikërisht kjo e bën këtë karakter të letërsisë së Shqiponjës të paimitueshëm. Ajo sajon në një të tretën e romanit të saj një univers të tërë, në parahistorinë e tij dhe tonën, për ta takuar po të njëjtin me njerëzit më të padjallëzuar, më të humbur dhe më të pashpresë të kësaj bote tonë bashkëkohore e që është cirku endacak, si metaforë tejet e qëlluar dhe tejet shënjuese e idesë së kësaj autoreje. Është pikërisht takimi, i cili në roman ndodh krejtësisht pa bujë, pa ndonjë mrekulli dhe pa ndonjë përshkrim tendencioz e megaloman, që e bën krejt të natyrshëm brenda romanit këtë takim të parahistorisë me bashkëkohoren tonë. Megjithëse ka një shtytje të lexuesve të këtij romani për ta quajtur këtë sajim të saj të këtij universi, i cili ka jetuar i dyzuar në parahistorinë e tij dhe në bashkëkohoren e tij, dhe në këtë përjeton amalgamën e të dyve, si një Makondo alla Trota, në të vërtetë ky univers i Trotës është krejtësisht unik dhe i papërsëritshëm. Ndërsa në Makondon e “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garcia Marquez kemi një univers të panjohur dhe të izoluar, i cili kalon nga parahistoria, apo nga pika e tij e zanafillës në bashkëkohësi, në romanin e Trotës kjo është krejtësisht ndryshe, në të vërtetë këtu takohen e natyrshmja me natyrën e korruptuar, parahistoria me bashkëkohoren, kolektivja me individualen, djallëzia me padjallëzinë, dhe në fund përsëritja, saktë e: fundit të përsëritshëm të kësaj bote dhe të këtyre botëve. Shqiponja Axhami Trota ka krijuar një metaforë krejtësisht mjeshtërore dhe personale të njeriut dhe njerëzimit në tërësi, lindjen, zanafillën e njerëzores, deri tek katastrofa kolektive e njerëzimit pikërisht me njërin nga viruset përafërsisht reale të njerëzimit në bashkëkohësinë e tij gjegjësisht me virusin e ashtuquajtur Gripi i Shpezëve që ka ndodhur në historinë e afërt të njerëzimit. Mirëpo, pa hyrë më në detaje në ngjarjen tejet të bukur të këtij romani, autorja e tij lë shenjën “e zemërimit” pikërisht në zemrën e tërë zanafillës së zhdukjes së universit të së kaluarës, parahistorisë dhe të botës së ruajtur ashtu siç e ka pasur zanafillën njerëzimi, dhe në anën tjetër ankthin për pushtet të njeriut, që në dukje i jep pushtetin njeriut për të bërë edhe paqen, por që në përplasje të këtyre dyjave po këto e shkatërrojnë tërë njerëzimin. Duke lënë të mbijetuar dhe të gjallë të kësaj katastrofe një njeri të vetëm, personazhin e padjallëzuar Gjoni, nga ku edhe fillon ky takim i këtyre dy botëve, për të rifilluar jetën pas shkatërrimit gjigant të të kësaj bote, por, me një dallim, ku kjo zanafillë është e përbashkët ndërmjet një prostitute të mbijetuar me gjithë nënën e saj, dhe njeriun më të padjallëzuar të tërë kësaj katrahure, Gjonin. Shenja “e zemërimit” të njeriut është në të vërtetë njeriu vetë, nën shënjimin e të pakontrollueshmes së epshit të tij, qoftë nga naiviteti e qoftë nga ankthi për pushtet, që e kalon atë në dobësi, apo edhe pamjaftueshmëri dhe mangësi të natyrës vetë, që krijon paradoksin e epshit për kontroll me mangësinë e vetë njeriut. Në të vërtetë këtu arrijmë në shënjimin e fundmë të këtij romani, sipas këtij leximi, që njeriu duke iu bindur forcës së tij, por gjithnjë të mangët, krijon ankthin e tij për pushtet gjë që gjithmonë e lë atë në pamundësi të zotërimit të vetë natyrës së tij, duke arritur kështu në përsëritjen e shkatërrimit të të tërës në përhershmërinë e njerëzimit.