(Rreth romani “TRANS” të Dashnor Kokonozit
Keti DIBRA
Të kesh sensin e masës, të jesh i vërtetë e bindës kur trajton jetën me ngjarje të një periudhe delikate të historisë së vendit, që ka kanë lënë shenjë, është meritë. Kjo vërehet menjëherë te romani “Trans”.
Ndonëse romani nuk është një roman historik, ai jep qartë ngjarje, që do të qartësonin edhe kë nuk e jetoi atë periudhë të vështirë me tërë ankthin, dramën e pasigurinë që kaloi vendi ynë.
Në roman është dhënë krejt qartë mashtrimi e nëpërkëmbja që iu bë popullit në atë vit të mbrapshtë të ‘97-tës.
Një “organizim” qëllimkeq e shkatërrues i vlerave materiale dhe atyre shpirtërore, të një populli që sapo kishte dalë nga një varfëri e tejskajshme. Tani vihej në lojë edhe jeta e tij.
Mjeruese dhe e dyshimtë!
Pse u bë? Si erdhi? Kush e solli? Pse nuk pati një NDAL?!
Cilat forca politike e kishin dashur një shkatërrim të tillë?
Në roman thuhet qartë se nje popull të lodhur, të vuajtur e të paditur eshtë shumë e lehtë ta gënjesh e ta flakësh si leckë.
Me syrin e vëzhguesit, autori vë në teh të ironisë se tij kryetarin e shtetit, i cili këmbëngulshëm nuk pranonte të shihte atë gjendje tejet të rënduar, të një konflikti alarmant,në zgripet e gjakderdhjes, por i kapur me thonj e me dhëmbë pas kolltukut të tij,nuk pranonte humbjen,megjithëse shtetit i shihej shpërbërja.
Pasi ka dhënë ngjethshëm shpërfytyrimin, deri në shtazëri të bandave kriminale, që u krijuan duke shfrytëzuar anarkinë ku kishte rene vendi, autori vë në qendër të këtij ngërçi tëre hipokrizinë e trupës se korrespondentëve të huaj të cilët me cinizëm të paturpshëm kishin ardhë për të përcjellë scoop-e publicitare.
E tërë rëndesa e ngjarjeve dritëson përmes personazhit të Nikos, i cili është vrojtuesi dhe bartësi i atij tensioni dramatik, qe po kalonte vendi atyre ditëve të vështira. Me Nikon, autori jep përshkallëzimin e rrënimit te mbare vendit. Ai sheh, dëgjon, ndien, vuan dhe pëson. Niko është bartësi tek i cili përplasët tere përmbysja sociale e morale e një populli e bashkë me to, rrënimi i tij psikologjik e shpirtëror.
Sepse, dramat e mëdha sociale sjellin dhe dramat e forta personale, deri në shkatërrim.