NJË PELEGRIN I LARGËT NË MALIN TOMORR

(Rreth librit “Në malin e shpirtit të shqiptarëve” të Shkëlzen Limanit)

Dr. Bardhosh GAÇE

Në të gjithë historinë e shkrimeve për njeriun në Shqipëri, psikologjinë e tij jetike, familjen, mjedisin social dhe atë historik, marrëdhëniet e shqiptarëve me njëri – tjetrin, marrëdhëniet me kohën, raportet e qëndrueshme të tyre, studiuesit, hulumtuesit dhe etnologët e kanë parë të lidhur edhe me çështjet e besimit. Besimi, duke qenë ndër domenet më të hershme në jetën dhe veprimtarinë socialo – historike të shqiptarëve, është perceptuar mjaft imët nga studiuesit e huaj, qoftë kur ata kanë kërkuar të krijojnë një raport njohjeje për shqiptarët, qoftë edhe për çështje të tjera të natyrës gjeostrategjike, e cila është bërë e prekshme që në gjysmën e parë të shek. XIX, kur në Ballkan u shfaq nacionalizmi, një fenomen politik që lidhej me stausquotë e gadishullit, i cili kërkonte të krijonte raporte të reja historike brenda vetes dhe me shtete e tjera të Evropës Perëndimore dhe atë Lindore.

Gjithsesi, udhëtarët e huaj, kryesisht ata anglezë, gjermanë dhe francezë, por edhe kronistë të shumtë udhëtimin në vendin e shqiponjave kanë kërkuar ta plotësojnë edhe me eksplorimin e raporteve të besimit që shqiptarët kishin ndër vetvetes dhe si ata silleshin me besimet në përgjithësi, ku shquan një harmoni befasuese për të huajt në veçanti. Studiuesit në veçanti, kanë vërejtur një lloj qartësie që shqiptarët kishin në psikën e tyre për autoritetet e besimit, ku shquhej ndjesia e emancipimit kulturologjik, pavarësisht një prapambetje nga pikëpamja ekonomike dhe të qenit larg metropoleve evropiane, të cilët ishin përfshirë në hapjen e universiteteve dhe shkollave të nivelit bashkëkohor. Shqiptarët natyrshëm kishin përdorë dhe vazhdonin të përdornin mjaft mirë natyrën progresive që besimi i tyre kishte për kohën dhe të ardhmen.

Isha i mendimit, që kjo parashtresë t’i paraprinte përcjelljes së një opinioni lidhur me një rrugëtim interesant, shpirtëror dhe me një dëshirë për të krijuar një frymëmarrje vertikale dhe horizontale që Shkëlzen Limani nga trojet skajore autoktone shqiptare ka sjellë për një libër interesant, që ngjan me një guidë apo një ese të mrekullueshme në shtegtimin historik shqiptar, por edhe në mjedisin e mrekullueshëm shqiptar, ku njëri nga besimet e hershme që ka lënë gjurmë jo vetëm në kulturën e besimit, por edhe në atë të dijes, arsimit dhe të harmonisë ndër shqiptarët, bektashizmi ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe të rëndësishëm në historinë shqiptare.

Libri i titulluar “Në malin e shpirtit të shqiptarëve” është një ese e gjatë, ku shpaloset një shpirt i ndjeshëm, një personazh me një sportivitet të mrekullueshëm në raportet që ai krijon me historinë, me besimet, me njerëzit, me njohjen dhe interpretimet që lidhen me shpirtin shtegtues të shqiptarit që nga kohët e hershme, kur në Shqipëri dhe në trojet shqiptare u shfaq besimi islam dhe bektashizmi. Është një libër i shkruar me dashuri, një rrugëtim i autorit për të eksploruar vende, psikologji njerëzore, një hulumtues i cili merr në “rëndësinë” e këtij komunikimi të tregohet një besimtar i qartë dhe njohës i thellë i besimit, veçmas atij bektashi, si një pelegrin i këndshëm. Duke iu larguar detyrimit shkencor, siç ndodh në të shumtën e rasteve të librave të kësaj natyre, Autori ka ofruar një qasje, një komunikim aq të afërt me psikologjinë e një njeriu të thjeshtë për ta bërë kaq të afërt atë që ai ka parë dhe ka dëgjuar mes njerëzve në një pelegrinazh në Malin e Tomorit, njëri nga më të njohurit jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Gadishullin Ballkanik për llojin e tij.

Bektashizmi ka një histori të largët kur ai është shfaqur në gjirin e besimit islam dhe lidhet me konceptin fondamental të tij, i njohur si Hakk-u (e vërteta), i cili ka gjallëruar në elitën njerëzore dhe njërin nga themeluesit e tij, i cili  është Haxhi Bektash Veli, një njeri i shenjtë, por edhe mbrojtësi i shenjtë i këtij tarikati. Në momentin kur atë e konsiderojnë “njeri i shenjtë”, pa dyshimin më të vogël, marrëdhënia me të është e pakushtëzuar dhe bashkëjetuese e denjë në rrugëtimin e tij. Në këtë shtegtim shekullor, një rrugëtim që ka ndikuar kaq shumë dhe vazhdimisht në përsosjen e ndërgjegjes së besimit bektashi, që sipas suluqit, një interpretim i njohësve të thellë të bektashizmit synon pandërprerë arritjen e idesë hyjnore, ku mishërohet marrëdhënia me njeriun dhe mes njerëzve, që sipas “shtëpisë” ku ky besim ka ruajtur kohë pas kohe tharmin e vet, siç është teqeja, njërën nga detyrat më bazike ka dhënien e bukës nevojtarëve.

Bektashizmi shqiptar ka historinë e tij: ai është shfaqur në Shqipëri bashkë me “pelegrinë” të tillë, siç ishin dervishët shëtitës, të cilët përhapnin filozofinë e Haxhi Bektash Veliut, një praktikë e njohur edhe në disa besime të tjera në botë. Në thelbin e vet bektashizmit lidhet me idenë e përparimit shoqërorë, ndërsa në Shqipëri ai u mishërua në mbështetjen për shkrimin dhe këndimin shqip, mbi fondamentin e të cilës u ngrit dhe Rilindja Shqiptare, duke i kontribuar shumë çështjes kombëtare. Natyrisht autori e kupton mjaft mirë këtë, pasi nuk harron të evidentojë në shënimet e tij të rrugëtimit drejt Malit të Tomorit (2021) se sa i përhapur ishte bektashizmi në Shqipëri, se qendra Botërore e Bektashizmit në botë sot është në Tiranë. Në librin “Ngjitja në malin e shpirtit të shqiptarëve” ka një dëshmi interesante, marrë nga rrëfimi i një kleriku të njohur në Shqipëri (Baba Sulejmani), i cili dëshmon se turqit e kishin internuar, pasi klerikë të tillë, besimtarë bektashinj dhe teqetë ishin shndërruar në vatra ku flitej për çështjen kombëtare shqiptare. Deviza e tij se “Ne duam paqen në botë dhe të mirën e njerëzimit!”, kuptohet fare mirë se kjo nuk i shkon për shtat asnjë pushtuesi, siç ishin dhe turqit në Shqipëri në fillimshekullin e kaluar.

Bektashizmi gjeti mjedis të pranueshëm në Shqipëri. Po ashtu, në Shqipëri ai kishte gjetur një harmonizim të provuar historik dhe njerëzor, shqiptarët kishin nevojë për atdheun e tyre, pavarësinë e tyre, e cila ishte cenuar gjatë pushtimit dhe sundimit të tri perandorive, ndërkohë marrëdhëniet e tyre me kohën i përçonte një ide gjeniale e Rilindjes, se “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, një marrëdhënie fondamentale që shqiptarët e kishin demonstruar gjatë gjithë jetës së tyre dhe përballë çdo invazioni ushtarak, kulturologjik dhe të fushave të tjera jetësore. Rilindësit, bektashinjtë e shquar, vëllezërit Frashëri e kishin modelin e heroit dhe luftëtarit përparimtar kujtimin dhe veprën e Skënderbeut. Kjo kishte shumë rëndësi për mjedisin politik shqiptar të kohës dhe gjatë gjithë historisë shqiptare.

Pjesën më të madhe të librit  “Në malin e shpirtit të shqiptarëve” e zë pelegrinazhi në Malin e Tomorit. Në të gjitha burimet shkrimore dhe ato të mistikës, Mali i Tomorit, i njohur ndryshe si mali i perëndive është përcjellë me një lloj misticiteti antik, që nga autorët e lashtë, të cilët e “zbulojnë” atë si një vend ku “nyjëtohet” i gjithë besimi dhe interpretimi antik. Legjendat, pavarësisht si të tilla, ende nuk kanë arritur t’i heqin misterin dhe mundësinë e të qenit në këtë mal i tempullit të Dodonës, një nga tempujt më të rëndësishëm të antikitetit dhe të mitologjisë ballkaniko – evropiane. Dhe autori i këtij libri, nuk mund t’i shmangej këtij opinioni, i cili ka ardhur dhe vijon të vijë përmes burimeve të shumta shkrimore. Gjithsesi kjo është një nga arsyet e rëndësishme e besimit njerëzor, pse aty qëndroi dhe pushoi Abaz Aliu, njëri nga shenjtët rreth të cilit dhe për të cilin është ushqyer besimi popullor dhe adhurimi prej shenjti. Si i tillë, mali i Tomorit është kaq i beftë, kaq i afërt dhe i largët, kaq i dashur e kaq i sertë, por kaq i imponuar dhe i adhuruar nga njerëzit, aq sa e ka bërë pelegrinazhin e çdovitshëm pranë tij ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri dhe në Ballkan.

Autori librit, pavarësisht përvojës së tij është përpjekur të depërtojë brenda kësaj marrëdhënieje që krijon ideja e parë për të shkuar në Malin e Tomorit, pastaj shpërfaqet gjithë “aventura” e cila ka “peripecitë” e saj, por gjithsesi e bukur, çliruese, që ka çliruar fuqi dhe besim te njerëzit, dëshirat, vullnetin dhe nevojat e tyre. Nuk thuhet kot ”Abaz Aliu të shëron!”, “Abaz Aliu të ndihmon!”, dhe kjo ndodh për shkakun e një çlirimi që ai ngjall në ndërgjegjen e njerëzve. Mali i Tomorit ka pleksur bashkë natyrën, shenjtët, mitet, lashtësinë, ngjarje jo të pakta ndër brezat njerëzorë për të mbartur që herët një adhurim fisnik, i cili e ka tejkaluar përkatësinë e të qenit bektashi. Këtë mesazh e përcjell kaq mirë edhe dëshira për të qenë pelegrin në Malin e Tomorit të autorit të librit “Ngjitja në malin e shpirtit të shqiptarëve”, i cili na ka ofruar një tablo interesante njerëzore të rrugëtimit të tij nga Presheva drejt malit të shenjtë. Pelegrinazhi në Malin e Tomorit është i hershëm, madje është i lashtë, si një dëshmi e njohjes për të cilin ka dëshmi që vijnë përmes rrëfimeve popullore, burimeve antike dhe jo pak legjendave që njerëzit përcjellin nga koha në kohë. Mali i Tomorit në ditët e fundit të gushtit i bën bashkë njerëzit nga gjithë anët e vendit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, besimtarë dhe pelegrinë të gjithë besimeve, çfarë tregon se ai e tejkalon të qenit një vend i shenjtë i bektashinjve, por një fron perëndish, siç shkruajnë dhe kujtojnë të gjithë pelegrinët që shkojnë atje.

Qindra – mijëra njerëz, të cilët harrojnë çdo lloj vështirësie dhe pamundësie, e bëjnë këtë ngjarje madhështore kaq popullore, pasi demonstrojnë mjaft mirë frymën e shenjtë në këtë vend dhe në objektet e kultit në të gjithë përmasën e vet. Pjesëmarrja e qindra – mijëra njerëzve në pelegrinazh, në Ditët e Tomorit do të impononte këdo pjesëmarrës, sado njohës i mistikës dhe i besimit të ishte për të medituar, si ai “përthithte” kaq shumë njerëz, kaq shumë besim dhe përulje njerëzore, që duket se i bënte gurët, ndërtesat, kolonat, teqetë, varret e shenjta, drurët, librat, zjarret, dritën, dmth gjithçka që është e pranishme në këto ditë, të kishin një frymë të shenjtë. Të gjithë të barabartë, të gjithë paqësorë, të gjithë meditues, komunikues dhe pjesë e një harmonie të vetvetishme, që buron nga kulti për Abaz Aliun, për frymën e Bektash Veliut, dishepujt e tij dhe martirët e kësaj fryme të shenjtë, e cila prej shekujsh ka mbetur e gjallë në Fronin e Perëndive dhe që frymon në të gjitha teqetë e besimit bektashi në Shqipëri.

Ditët e Tomorit janë magjike, janë ditët ku njeriu ekspozohet me të gjithë vullnetin dhe sinqeritetin e padiskutueshëm përballë frymës që demonstrojnë njerëzit e ardhur dhe nga cepat e globit, urtësia dhe përulësia shpirtërore e turmave të mëdha të njerëzve, nga urtësia dhe përulësia e klerikëve të shumtë bektashi dhe të tjerë, të cilët përpiqen të jenë ndërmjetësit e këtyre ditëve të shenjta mes njeriut dhe shenjtëve. Në Tomor gjatë këtyre ditëve duket se kanë zbritur në tokë të gjitha mirësitë e qiellit dhe të tokës. Autori i librit, i cili është kujdesur të shënojë jo pak detaje nga rrugëtimi i tij për të shkuar në Tomor, por edhe ditët e qëndrimit në Malin e Shenjtë, duke mos e njohur në themel bektashizmin dhe këtë raport të thellë që njeriu ka vendosur me këto kulte të hershme të natyrës, ka bërë një shërbim të mrekullueshëm: ai ka shtuar në burimet njohëse të bektashizmit një përvojë me vlerë, ku më e rëndësishmja është harmonia dhe natyra përparimtare kombëtare, që bektashizmi dhe njerëzit e tij i kanë përcjellë shqiptarëve dhe që vijojnë t’i përcjellin edhe sot.

Ditët pelegrine në Malin e Tomorit janë ditë të mrekullueshme refleksioni për sakrificën njerëzore të martirëve të këtij besimi në emër të njerëzve, mirësisë dhe të ardhmes. Në Malin e Tomorit bëhesh besimtari i pakushtëzuar, dhe kjo është një shërbesë në emër të humanizmit njerëzor, themeli i të cilit është dhe shpirti i bektashizmit.

Në librin “Në malin e shpirtit të shqiptarëve” të Shkëlzen Limanit pelegrinazhi i Tomorit zë pjesën më të madhe, ku natyrisht krahas masës së madhe njerëzore, infrastrukturës së një feste madhështore me kurbanet, shërbimet jetike, kuzhinat, objektet e caktuara që ato ditë i japin frymën e kultit, qindra karaktere njerëzore besimtarësh dhe të profesioneve të tjera, shfaqet edhe profili i ndritur i Kryegjyshit Botëror, i cili përcjell një dritësim të madh shpirtëror, ku më i rëndësishëm është mesazhi i frymës hyjnore që Ditët e Tomorit përcjellin. Fatmirësisht autori i librit arrin ta përcjellë këtë mesazh të rëndësishëm, si një komunikim, i cili ka ardhur përmes vështirësive të shumta që nga kohët e mëhershme, pasi bektashizmi ka pasur vështirësitë e veta gjatë rrugëtimit të tij, ashtu siç ka pasur edhe martirët e tij të shumtë, për të hedhur vështrimin, uratën dhe besimin në të ardhmen. Ky ndërmjetësim madhështor me perëndinë, ku ajo ka lënë shenjat e veta është një fat, që njerëzit e ndiejnë dhe kërkojnë ta prekin. Mjafton të jesh i pranishëm në malin e Tomorit dhe i aftë për ta kuptuar këtë. Këtë kërkon të thotë dhe libri “Në malin e shpirtit të shqiptarëve” i autorit hulumtues, përshkrues të këtij pelegrinazh, të mirënjohurin Shkëlzen Limani nga Presheva. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.