Sokol Çunga është një nga ata që po hyn me hapa të matur e të sigurt në universin gjithnjë të debatueshëm e shpesh të shpërdoruar të përkthimeve. Kujdesi, përzgjedhja dhe puna që bën me gjuhën, më shtyjnë të mendoj se ai ka hyrë për të mbetur gjatë aty
Dashnor KOKONOZI
Përpiqem të gjej nëse ka edhe të tjerë që e kanë pëlqyer po aq sa unë Antologjinë palatine, të përkthyer nga Sokol Çunga dhe nuk gjej. Dua të shpresoj se ka, por nuk po i gjej unë. Se po të qe e kundërta, vërtetat kjo mosndjeshmëri do të qe një problem serioz për të gjithë.
Kujtoj se një gjë e tillë më kishte ndodhur edhe me universin e përkthimeve të Bajram Karabollit (se ka edhe përkthyes që krijojnë universin e autorëve të tyre, në të cilin perfeksionohen. Por ndjeshmërinë më të madhe ndaj punës së tij kolosale shoh se e shprehin lexuesit e thjeshtë e të shumtë, nuk kam gjetur analiza mirëfilli profesioniste).
Antologjia Palatine – Epigramet erotike meriton të jetë një “platformë e mirë reflektimi” për përkthimet në gjuhën shqipe. Ka lëvizje, drejt perfeksionit erudit.
Ka edhe përkthyes jo të pakët, që nga koha në kohë botojnë në llogaritë e tyre autorë të ndryshëm, shpesh me cilësi të habitshme, si Keti Dibra, Eda Merepeza etj., por nuk flas për to, se më duket se ende janë në fazë testimi të vetes dhe të shijeve të lexuesve.
Sokol Çunga është një nga ata që po hyn me hapa të matur e të sigurt në universin gjithnjë të debatueshëm e shpesh të shpërdoruar të përkthimeve. Kujdesi, përzgjedhja dhe puna që bën me gjuhën, më shtyjnë të mendoj se ai ka hyrë për të mbetur gjatë aty.
Bashkë me të shoh edhe Eleana Ziakou-n, Aida Baron, Arben Deden e ndonjë tjetër, pa folur për poezinë tradicionale kineze të përkthyer nga Dan Tuzi që vijnë menjëherë pas një plejade përkthyesish të tjerë të afirmuar, si Idlir Azizi, Romeo Çollaku, Gentian Çoçoli etj.
Më tërheqin shpesh edhe përkthimet poetike të Alfred Kolës.
Ka shenja të dukshme se jemi në kapërcyell të një evoluimi më profesional të përkthimeve në gjuhën shqipe.
Në një farë mënyrë këta përbëjnë një pol të rëndësishëm të gjeneratës së re të “shkollës së përkthyesve shqiptarë”. Se vërtet, rolin i përkthyesve në gjuhën shqipe unë nuk e shoh të ngjashëm me asnjë nga ato të vendeve të tjera me letërsi të konsoliduar dhe gjuhë “natyralisht standardizuar” prej shekujsh.
Përkthyesit shqiptarë kanë qenë formues të kulturës së brezave të rinj, sa kohë që letërsia vendase më fort i ka tërhequr pas se sa i ka shtyrë përpara. Në shqip, gjuha e përkthyesve gjithnjë ka tingëlluar me e bukur dhe më e pasur se ajo e shkrimtarëve vendas.Kombet e mëdhenj gjithnjë kanë qenë të vetëmjaftueshëm me artin e tyre, ne do të ishim të gjymtë pa artin e të tjerëve.
Ky evoluim i kësaj gjenerate të re duhej t’u kishte rënë në sy që më parë atyre që merren në këtë punë. Ka lëvizje sikundër edhe pikëllim të madh cilësor, po ndodh rrallë here që ne të marrim guximin t’i cilësojmë me emrin e tyre të vërtetë fenomenet që ndeshim.
Se pika e ujit e tregon guximin e saj duke rënë në shkretëtirë!