NJË POET SI GANI XHAFOLLI

Xhahid BUSHATI

Biografia poetike e Gani Xhafollit plotësohet në mënyrë më të plotë edhe me këtë fragment interviste që kam zgjedhur. Autori thotë: “Unë jam shkrimtar i eksperimenteve. Arti është e bukura e fjalës dhe e metaforës. Është e fshehura magjike e imagjinatës, me shumë tinguj dhe ngjyra. … Mendoj se proza dhe poezia për fëmijë është në krizë. E pse e them këtë? Sepse gjenerata e vjetër po plaket… E një gjeneratë e re dhe avangarde mungon. Ndërsa një pjesë tjetër e gjeneratës është lodhur…

E arti kërkon ngjyra dhe figura moderne dhe urbane. Dihet se arti plaket si pemët. Edhe përrallat duhet të vishen me kostume dhe këpucë të reja poetike. Lexuesit të vogël i duhet një imagjinatë supreme me pulla moderne. I duhet loja me figura edhe në prozë edhe në poezi. … Letërsia për fëmijë ka vepra të mira, por janë pak. … Dihet se shkrimtarë për fëmijë ka shumë pak. Shkrimtarët e mirëfilltë të kësaj letërsie numërohen me gishta. Kemi vepra shumë të mira, por janë pak. Specifikat e letërsisë sonë për fëmijë janë temat urbane me një strukturë dhe imagjinatë të veçantë artistike.

Unë jam shkrimtar i eksperimenteve. Jam për përmbysje… Guxoj të shkruaj edhe pa fjalë. Proza dhe poezia duhet të çlirohet prej shablloneve dhe të gjenden forma të reja të shkrimit. Jam për një poetikë të re dhe një autonomi sovrane. Arti është sintaksë kozmike, kurse krijuesi është një barometër që parandien ndërrimin e kohës. Prandaj, lirisht mund të thuhet se arti i shkruar është edhe muzikë… E deri sa është muzikë mund të bëjmë edhe ndërrime metafizike. Unë shkruaj edhe me shenja të pikësimit. Shkruaj edhe poezi sinjalistike: vizuale. Mjafton nganjëherë vetëm dy germa në një faqe. Unë flas vetëm me një mollë dhe me një kaçubë. Unë jam për një rrugë të re të një poetike jetëgjatë.”

Zgjedhja e kësaj poezie dhe e këtij fragmenti të intervistës, në tërësinë e tyre na japin të qartë e në mënyrë të drejtpërdrejtë misionin fisnik të poetit dhe rrëfimin e Ganiut që (Unë Jam – ku evidentohet grafika e shkronjës së madhe), si dhe gjen mishërim palca e krijimtarisë së tij poetike. Kjo mënyrë paraqitjeje që i ngjan një parathënieje, nuk është asgjë tjetër veç autostrada e komunikimit të tij me lexuesin e vogël.

Krijimi letrar i Gani Xhafollit (poezia për të cilën po merremi e po flasim) është refleks i të shprehurit të botës së tij të brendshme. Arrin ta dëshmojë mëvetësinë e tij përmes kundrimit të vëmendshëm të objektit: herë si akt individual, herë si akt në marrëdhënie me të tjerët. Ngjyra, loja dhe fantazia bashkërendohen në këtë akt. Është kjo arsyeja “që në poezinë e vet ka krijuar e formuar sferën poetike e tematike, veçoritë esenciale individuale që e shquajnë atë në kuadër të një kohe, të një gjenerate apo të një orientimi poetik të shkrimit”.Në vazhdim të qasjes së individualitetit si proces krijues, studiuesi Prend Buzhala është i mendimit se ai (Gani Xhafolli, – nënvizimi im Xh. B.) “… riaktivizon një poetikë të tërë të një mozaiku dinamik. Është kjo, një poetikë grafemash, është semantizimi i tipave të ndryshëm të shkronjave të shtypit, janë ndërthurja e procedimorit të sekuencave tekstore dhe krijimi i lojës së fragmenteve.”

Nocionet e lartpërmendura, si: poetika e grafemave, semantizimi, sekuencat teksture, loja e fragmenteve… etj., që shfaqen si shenja e në mënyra të larmishme, kanë vendqëndrimet e njëkohësisht rrjedhat e komunikimit mes tyre në krijimet e tij poetike, të cilat janë elementë të domosdoshëm e përbërës. Ata formojnë tablo apo tabloide, të cilat studiuesi Prend Buzhala i quan me të drejtë: ‘mozaiku dinamik’.

Poezia e Xhafollit e ka një mënyrë shpalosjeje të këtij ‘mozaiku’.

Udhëtimi i saj paraqitet drejt këtyre modelimeve:

*Drejt mundësisë së nisjes të krijimit.

*Drejt një fabule të mirëfilltë.

*Drejt një fabule në trajtë mozaiku.

*Drejt një meditimi a përsiatjeje brenda “folesë” të lirikës së peizazhit.

Kjo mënyrë shpalosjeje bën që “Imazhet artikulohen sipas një alfabeti që s’shkruhet, sipas një sintakse që s’dihet. Imazhet s’përkthehen. Perceptohen.”

Po sjellim tre shembuj:

Dora i duhet Diellit

Lules i mungon dora e majtë

Një bombë e zezë ia këputi

Nganjëherë shkon te kroi

Mos po e gjen në pyll

Ndonjë copë të gishtit

Shpeshherë loton tek një kaçubë

Kujtimet i mbulon loti.

Një ëndërr i tha një natë

Dora jote e vogël

Do të bëhet lule e kaltër

I duhet diellit dhe hënës.

Nisja, që në titullin e krijimit, bëhet përmes një aliteracioni. Vargjet në vazhdim bëhen formuluese drejt një fabule të mirëfilltë. Po këtë nisje ngjashmërie ka dhe rrëfimi. Një rrëfim tregimtar, i cili bëhet në vetën e tretë, e ku autori nuk merr pjesë. Poezia ka një komunikim të drejtpërdrejtë, ku tragjikja shfaqet në plan të parë dhe bën kontrast me emrin e personazhit, që quhet Lule. Ndërsa Lulen e rrethojnë kujtimet që kanë formën e lotit, e rrethon fëmijëria që ka ngjyrën e përrallës. Në strofën e dytë  autori me mjeshtri i ka “ikur” fabulës e rrëfimit tregimtar, dhe preferon udhën e meditimit duke i ofruar moshës së personazhit ëndrrën (në fakt jetën), lulen e kaltër (përkon me emrin), diellin dhe hënën si figura me përmasa universale, ku i pari mbart ngrohtësi e jetë, ndërsa e dyta magji dhe bukuri hyjnore. Ngjyra përrallore, që tashmë e rrethon Lulen, vjen si qetësim dhe antipod i gjendjes dramatike, të trishtuar, tashmë të njohur në strofën e parë, aty, ku fabula sapo ka nisur të marrë jetë e që Lulja kërkon JETË.

Lehtë mund të ngatërrohem me diell

Nëse hëna ma kërkon gjyshin

Lehtë mund të grindem me hënën

Nëse dielli ma kërkon gjyshen

Lehtë mund të ngatërrohem me diellin.

Vargjet e mësipërme flasin për një tjetër shprehësi. Kësaj here përsiatja bëhet brenda “folesë” së lirikës së peizazhit. Në këtë rast loja e figurave arrin të krijojë të njëjtën tipologji artistike përrallore.

Një dallëndyshe tjetër zbriti mbi një pikë

Një natë mbi një vjershë

zbriti një dallëndyshe

e nisi çerdhen me lule.

prej vargu në varg fluturoi

hapi shumë dritare nëpër

folje

e thirri diellin dhe hënën

në një guaskë të argjendtë

pi ujë

një dallëndyshe tjetër

zbriti

mbi një pikë

më doli gjumi në vendlindje.

Teksti i ofruar nga poeti Gani Xhafolli na kujton ca imazhe të një natyre filmi. Një perceptim i tillë ruan “sekuenca tekstore”, ku shpërfaqet loja me elementet e saj sa konkrete aq dhe abstrakte. Nuk mungon imagjinata që, në të shumtën e herës vjen nga mosha e fëmijërisë, “bisedon” me të dhe nisen drejt një udhe të pafund… për t’u kthyer përsëri në vendlindje. Gjithsesi, në këtë “bashkëbisedim” vendlindja ruan dashurinë e parë.

Ndërsa në poezinë “Hëna vizaton lule”, është fëmijëria ajo, që mbart lojën dhe mallin e poetit. Grupimet e fjalëve pozicionohen në një mënyrë të tillë sa ruajnë konotacione dhe asonanca që në thelb mbartin  ndërlidhje të logjikshme në mes tyre. Si për shembull: përrallat – gjyshja, pylli – zogjtë, molla – motra, etj. Poezia është ndërtuar në vetën e parë. Mënyra e të rrëfyerit është: magjike. Modelimi i ndërtimit të kujtimeve na sjell në mendje formulat hyrëse – natyrë e përrallave tona popullore. Kumti poetik i poetit është fëmijëria. Në fëmijërinë e tij është shpirti i poetit. E në shpirtin e poetit është fëmijëria e tij. Përmes magjisë së hënës, fëmijëria merr vlerat e një ikone të shenjtë, të paprekshme, të  papërsëritshme e të përjetshme. Në këtë poezi, poeti kështu e percepton dhe e bën të jetojë fëmijërinë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.