NJË REALITET LIRIKO-DRAMATIK NË KAPËRCELL KOHËRASH

Kur Foqion Postoli shkruante romanin e tij “Lulja e kujtimit”, letërsia shqipe nuk kishte ndonjë gjë të madhe të lëvruar në këtë zhanër

Qazim SHEHU

Foqion Postoli përcaktohet ndër prozatorët e parë të letërsisë shqipe dhe përfaqëson një letërsi që u shkrua me tone melodramatike,së bashku me Mihal Gramenon dhe Sterio Spassen. Romani i tij i famshëm, “Lulja e kujtimit”, mbetet një ndër vlerat e rralla të kësaj letërsie,ku protagonisti udhëton në një det të trazuar ndjenjash sentimentale. Romani sentimental, i themeluar në Angli me Riçardsonin dhe me Gëten (Gjermani) ”Vuajtjet e djaloshit Verter”, lexohet edhe sot me ëndje, sepse në qendër vihet idili i pastër i dashurisë. Këtë ideal e ka marrë dhe Foqion Postoli dhe e ka vaditur lulen e tij me një frymëzim të mrekullueshëm, duke na treguar sesa e pastër është dashuria, sa e fortë mbetet ajo, kur mbartet nga zemra të zjarrta. Për nga thellësia e ndjenjës dhe forca e saj,ky roman realizohet si një model pasqyrimi në këtë aspekt dhe ta sjell para syve me një gjuhë filmike dhe dinamikë rrëfimi, sikur ti je aty, tok me personazhet dhe po i ndjek hap pas hapi e me një ritëm të papërcaktuar gjithçka vuajnë ata. Por, ky idil nuk vihet në një situatë të qetë, përkundrazi, përmes ngjarjesh plot kthesa e të papritura, duket se ai do të shuhet, ashtu siç ndodh me një lule të vetmuar në një lëndinë që e përlan stuhia e dëborës; ndërsa në të vërtetë, autori ka arritur që lulen e idilit ta mbjellë në dy zemra të pamposhtura që, më në fund, e gjejnë njëri -tjetrin dhe fati e forca e tyre e qëndresës morale, i bashkon. Zgjidhja e romanit vjen me një fund të lumtur, por edhe fundet e lumtura jeta i ka, ashtu siç pasqyrohet edhe në romanet e Dikensit. Tema sentimentale e dashurisë përvëlimtare është tema qendrore, por në këtë roman ndërthuren edhe tema të tjera,po aq të rëndësishme, tema patriotike me motivin shoqëror, ndërthurur me elementë realistë. Këto elementë (realistë), pasqyrojnë diferencat sociale në qytetin e Korçës në ato vite, kur Dhimitri, djali i një familje të varfër qytetare, i rritur jetim (babai mërguar në Misir dhe vdekur në një fshat të Sudanit) dhe ai ka mbetur vetëm me nënën, detyrohet të ndërpresë shkollën dhe të vihet në shërbim të zotit Kristo, tregtar i pasur. Dhimitri është një çirak (shërbëtor) mjaft i aftë. Por, ai bën përpjekje që të gjejë libra shqip, të cilat i lexon fshehurazi (janë fillim-vitet e shekullit njëzet). Olimbinë, vajzën e zotit Kristo, e njeh që kur ajo ishte dhjetë vjeç. Në bisedë me të i thotë: ”Jam i sigurt se do të vijë dita kur Shqipëria të çlirohet nga thonjtë e Turqisë dhe të Patriarkanës. Ajo ditë do të jetë përlindja e kombit tonë dhe e gjuhës”.

Të gjitha këto shprehin gjendjen shpirtërore të flaktë-patriotike, por edhe formimin e tij. Dhimitri është një djalë shembullor, ruan marrëdhënie korrekte dhe të afërta me nënën e tij, braktis shkollën, tek e shikon që ajo mezi e nxjerr jetesën, duke bërë punë dore, vlerëson me një respekt dhe ndjeshmëri prindërore çdo sakrificë të saj, duke e ngritur lart e më lart kultin e adhurimit mëmësor, dhe kjo, aq natyrshëm dhe me bukuri të rrallë poetike, që të prek dhe të magjeps. I ndodhur në një realitet ku dashuria nuk e lë të kuptojë se ai i përket një shtrese të varfër, Dhimitri nuk është naiv, por ndjenja e dashurisë e bën të tillë, kur shumë mirë mund të hiqte dorë, por nuk mundet dhe as s`i shkon ndërmend. Ai vlerësohet dhe e vlerëson zotin Kristo, të atin e Olimbisë, aq sa vjen një cak, por kur zoti Kristo mendon që t`ia japë vajzën e vet Olimbinë, Nikos (sekretarit të tij grek), befas Dhimitri e kupton se aty ishte vetëm një çirak dhe se guximi i tij për të dashuruar një vajzë të një pasuri do t`i sillte andralla. Ky moment i çon ngjarjet drejt situatave të reja, drejt të papriturave të pakëndshme.

Zoti Kristo tregohet i dhimbshëm ndaj Dhimitrit deri në një moment të caktuar dhe deri këtu autori e përshkruan me simpati. Por, zoti Kristo është i pasur dhe një njeri i verbuar, ai ta kujton Orgonin te komedia “Tartufi” e Molierit, i cili kërkonte ta martonte me pahir të bijën me Tartufin, apo Nikollaq Jorganxhiun te Komedia ”Karnavalet e Korçës” e Spiro Çomorës, që kërkonte ta fejonte të bijën me një njeri të pasur, për të mos shpenzuar për prikën e saj. Kjo tipologji karakteresh nuk është përputhshmërisht e njëjtë, ndërsa autori ka ditur ta skalisë zotin Kristo jo aq për naivitetin, sesa për babëzinë dhe besnikërinë e ngurtë dhe të ngjizur në psikologjinë e klasës së vet. Simpatia e tij për Nikon, një grek i kamufluar, vjen nga kjo, por edhe nga naiviteti i tij, kur ai nuk e kupton se me anën e martesës me të bijën, Niko kërkon t`i përlajë tërë pasurinë. Është vetëm qëndresa e Olimbisë që i prish këto plane. Me figurën e Nikos, Foqion Postoli ka gdhendur një tip Tartufi që zien nga brenda prej ligësisë dhe etjes për përfitim, por që është i zoti, që në mënyrë metodike, këtë ligësi, të mos e reflektojë në asnjë tipar të sjelljes së tij dhe për këtë arsye bëhet i besueshëm për zotin Kristo. Vëmë re se ngjarjet nisin e ndërlikohen, intriga thuret me të papritura të mëdha dhe dramatike dhe është Olimbia ajo që do ta lajmërojë Dhimitrin për të keqen që po i përgatit Niko, duke e spiunuar për leximet që u bën librave shqip. Me figurën e Nikos, Foqion Postoli demaskon qarqet greke e grekomane që vepronin me gjuhën e helmit kundër kombit shqiptar. Ky aspekt patriotik i romanit përbën një vlerë aktuale edhe për sot, ndërsa realitete të ngjashme ta kujtojnë fillim-shekullin njëzet.

Dhimitri ikën nga Korça për t`i shpëtuar përndjekjes nga kurthi që po i përgatitet. Ai e kupton shumë mirë se në ç`grackë ka rënë,por nuk mund ta harrojë Olimbinë, as ajo atë. Kjo pjesë e romanit dhe ajo në vijim, deri në fund, e shtjellon shumë bukur dhe me tone të fuqishme ankthin dhe të papriturën përmes ankthit, forcon më shumë ndjenjën dhe e rrit forcën e dashurisë, ndonëse ndarja,jo për faj të protagonistëve, krijon largësi me vite dhe largësia ndikon në shuarjen e pasionit dalëngadalë. Lexuesi do të gjejë në roman skena me të papritura të mëdha, luftën që bën Dhimitri me ujqërit në pyjet me borë, shpëtimin e tij nga komitët bullgarë e të tjera ndodhi dramatike; por njëherit edhe qëndresën e tij morale, guximin, dashurinë për atdheun, dashurinë për Olimbinë. Të gjitha këto sikur i japin romanit një tis përralle, por, në fund të fundit, në situata të jashtë- zakonshme, përralla dhe realiteti i përziejnë kufijtë e tyre dhe nganjëherë i ndërkëmbejnë vendet.

Përvijimi i intrigës me të papritura është veçori e shkrimtarëve me fantazi të pasur, e prozatorëve që dinë ta qepin fillin e narrativës në një kostum të hijshëm të të treguarit. Jo më kot, ky roman lexohet me ëndje edhe sot dhe u ka rezistuar kohërave, pikërisht për vlerat që ai mbart dhe sugjestionin që krijon ngjarja, episodi dhe mjeshtëria në strukturimin e tyre, pa iu larguar qëllimit ideoartistik. Si i tillë, ky roman i ngjet një kantate për dashurinë e pastër, e cila në të vërtetë ekziston dhe i sjell vetiu notat sentimentale, hovet dhe përjetimet lirike të një niveli të veçantë të shprehuri, me një gjuhë të pasur, edhe dialektore-korçare, që ka rëndësi në ngjyrimin dhe shfaqjen e një botëkuptimi, mendësie apo psikologjie të veçantë. Kompozimi i romanit i përshtatet fatit njerëzor, i cili ndodhet në udhëkryq, për shkak të shumë faktorëve që i përmendëm dhe ndonjëherë duket se nuk mundësojnë gjë, por gjithsesi ky fat nuk është aq kapricioz, sa për të mos të të shpërblyer. I shtrirë në një hapësirë kohore të gjatë, ky fat dhe ky rrugëtim i Dhimitrit me Olimbinë, mbetet i lidhur me ndjenjën e dashurisë dhe të shpresës që i mban protagonistët në këmbë.

Kur shkruante romanin e tij Foqion Postoli (1889-1927) në vitin 1922, letërsia shqipe nuk kishte ndonjë gjë të madhe të lëvruar në këtë zhanër, por ai ia arrin të ndërtojë dhe të realizojë një roman që t`i rezistojë kohës dhe të futet në fondin e artë të prozës së traditës dhe të lexohet më kërshëri edhe sot nga brezat e rinj të lexuesve, për disa vlera të qenësishme si: pasqyrimin e ambienteve të kohës, vizatimin e karaktereve dhe dhënien e psikologjisë së tyre, në përshtatje me formimin botëkuptimor, intrigën romanore dhe lidhjen e episodeve në mënyrë të natyrshme; pasqyrimin e ndjenjës së dashurisë, të shoqëruar me forcën morale të karakterit, kontrastet e shumta dhe forcimin e idesë se dashuria nuk njeh hendek shtresor, me gjithë pengesat kur ajo është e pastër,e çlirët dhe e ndjerë; ndërtimin e një simboli domethënës, ku Lulja e ardhur nga Misiri(Egjipti), një lule e veçantë, si kujtim i babait të Dhimitrit, mbillet në kopshtin e nënës dhe pastaj në bahçen e Olimbisë, për të dhënë idenë se dashuria është një lule që shtegton te zemrat.

Interesante është të vihet re se Foqion Postoli, si një prozator me talent ruan më së miri sensin e masës dhe nuk përdor përshkrime të tepërta dhe kjo e ruan dinamizmin e rrëfimit; aktivizon si diskurs mendimesh dialogun në pjesën më të madhe, duke e shërbyer artistikisht, si mjaft funksional dhe të shkathët. Edhe pse është një prozë deri-diku sentimentale dhe Foqion Postoli me Mihal Gramenon përmenden në “Historinë e letërsisë shqipe” si themelues të sentimentalizmit, personazhet e tij dallojnë nga ata të letërsisë europiane të kësaj rryme, sepse nuk i nënshtrohen një pesimizmi të skajshëm, nuk i mbartin dramat me ulërima dhe ofshe të thekshme, përkundrazi. Duke përshkruar dhe ndërtuar disa rrafshe ideorë, ky roman na paraqet çështje të patriotizmit, diturisë, dashurisë, kulturës, çështje sociale dhe, në planin filozofik, aspektin e dashurisë në rrafshin social dhe të qëndresës së ndjenjës. Në roman do të gjejmë mjaft fjalë dialektore ose trajta fjalësh që ndryshe shkruheshin atëherë dhe ndryshe tani, të cilat vijnë në përshtatje me kohën dhe formimin e personazheve.

Romani “Lulja e Kujtimit”reziston si një vepër e këndshme dhe e lexueshme jo vetëm për temën dhe temat e motivet që trajton, për idetë që përcjell në universalizimin e ndjenjës së dashurisë; një vepër ku gjejnë shprehje ndjenjat më të pastra të njeriut nëpër kohëra. Si e tillë kjo vepër mbetet e qëndrueshme dhe e lexueshme edhe sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published.