Romani i Boualem Sansal “E fshehta e muxhahedinit gjerman”, sjellë në shqip nga profesor Nonda Varfi, është një ndër veprat kanonike kundër luftës
Bujar MEHOLLI
Mjerisht, jetojmë në një epokë ku ende përflitet lufta, shkatërrimi, viktimat, armëpushimi, betejat, pamjet që të rrëqethin mishtë nga vrasja e fëmijëve. Këtë anomali dhe dehumanizim e sjellin “Ustallarët e luftës”, siç i quan Bob Dylan-i. Pa çka se teknologjia ka prek zenitin e zhvillimit të saj, bota bie erë gëzhojash, shkatërrimesh e dëbimesh. Për ta zbutur zemrën njerëzore, arti ka tentuar ta bëjë punën e tij. Sa ka arritur? Letërsia, të paktën, në mos zbutjen e brendësisë humane, ka demaskuar prirjen demoniake për të bërë keq, për t’u fshehur nën petkun e engjëllit pas larjes së duarve me gjak. Romani “E fshehta e muxhahedinit gjerman”, sjellë në shqip nga profesor Nonda Varfi, është një ndër veprat kanonike kundër luftës. Ai hyn në aradhën e teksteve të fuqishme pro bashkimit human dhe flakjes tej të urrejtjes, çorodisë e fanatizmit njerëzor.
Ky roman është nga tekstet që të merr aq shumë pas, pa e vërejtur se ke arritur faqet e fundit. Boualem Sansal, autor algjerian, me qasje anti-dogmatike, kurajë, zhbirilim të thellë të brendësisë komplekse humane, paraqet një produkt letrar që trajton Holokaustin si ngjarje historike dhe implikmet morale pas saj.
Autori ngre paralele mes nazizmit gjerman dhe radikalizmit\fundamentalizmit islam, që, siç shprehet, nuk kanë fare dallim. Ky roman novator në botën lindore u ndalua menjëherë në vendlindjen e tij, Algjeri. Sansal-i shihet si kontrovers porsi Rushdie. Guximi i tij është i jashtëzakonshëm. Ai demaskon grupet radikale që bëjnë vrasje, përdhunime e tortura – paçka se thirren në emër të Allahut.
“Beso te Zoti, Ai është jeta dhe ngjallja… Allahu nuk i braktis kurrë të vetët… Në atë atmosferë të përshpirtshme, në atë vend, ku vdekja kishte kaluar si erë apokaliptike, ato fjalë më tingëllonin të çuditshme. Aq larg nga gjithçka, në atë lakuriqësi shtypëse dhe gjallëruese, të mbartura nga koha që kalon jo me ngut, ato fjalë që kanë përshkruar shekujt duke humanizuar të padepërtueshmen, nxisin durimin e pafund dhe të patundshëm; pranimin, transcendencën”, shkruan në ditarin e tij Rasheli, vëllai i madh i cili hidhet në kërkim të babait, në fshatin e përhumbur e të shkatërruar algjerian, që në fakt ishte oficer i SS, kriminel lufte nazist në kampet e përqendrimit ku digjeshin miliona çifutë.
Komploti me dy-tri fjalë: Rashel dhe Malrih Shiler janë vëllezër, djemtë e Hansit dhe Aishas, baba gjerman, nënë algjeriane. Hansi qe konvertuar në islam, duke marrë emrin Hasan. Përmes ditarëve nga të dy bijtë dhe perspektiva narrative e tyre, na paraqitet historia e familjes, edukimi, rreptësia e të atit, përfundimi në geton myslimane në Francë ku rriten, lufta mes grupeve islamike dhe therja e prindërve të tyre. Pataksja gjersa i lexon këto pasazhe është rrugëtimi i Rashelit delikat për ta zbardhur identitetin dhe aktivitetin e të atit, gjegjësisht përfshirjen në vrasjet masive si oficer SS; Rasheli heq dorë nga jeta e qetë në Francë, puna – vetëvrasja e tij vjen në njëfarë mënyre si shpagim, larje borxhi, për krimet e të atit nazist, gjithashtu shpëtim nga krizat ekzistenciale e zhgënjimi i skajshëm.
Ja ç’shkruan ai: “Nuk e duroja dot më Francën. Parisin. Brenda meje gjithçka kishte krisur. Kisha humbur vendin në shoqëri dhe në jetë, isha mjeran, djali i babait… Nuk jetoja. Largësia mes botës dhe meje ishte shtrirë shumë, ishte mjegulluar, heshtja ishte trashur, orët kalonin në zbrazëti dhe zbrazëtia hapej vetiu. Ndoshta isha i vdekur dhe nuk e vija re. Si ta dija? Ndodhesha në një gjendje, ku gjithçka është relative, pra, e parëndësishme…”
A duhet vazhduar jeta, paçka se merr vesh se ke pasur atin kriminel? A implikohen të bëmat e prindërve tek fëmijët? Një varg të tillë pyetjesh i shtron ky roman me dy vëllezërit që janë veçse viktima të një kohe gri, amplifikuar në akte dhune e force në emër të idealeve të sëmura…
Sansal-i është autor novator, i guximshëm, ndaj dhe kontrovers në botën arabe, apo thënë më saktë, në shoqëritë fanatike të prira drejt dogmatizmit. Sansal-i ma ndërmend iranianin Sadegh Hedayat për nga absorbimi i modernizmit dhe çlirimit nga dogmatizmi fetar e nacionalist. “E fshehta e muxhahedinit gjerman” është libër i rëndësishëm, pleks një përvojë të rëndësishme leximi e reflektimi të brendshëm se sa i rrezikshëm është dogmatizmi, nxitja e urrejtjes ndaj tjetrit, antipatia, idetë delirante e shkarjet humane që pengojnë progresin e paqen.